Rrëfimi shokues i Julian Sinanajt: Një deputet vrau gjyqtarin Konomi

Jul 25, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

TIRANË- “Gjyqtari Skerdilaid Konomi u vra nga deputetë e njerëz me pushtet. U vra nga njerëz që dalin përditë në ekrane”.

Deklarata tronditëse është pohuar dje nga ana e Julian Sinanajt, të akuzuarit si vrasës me pagesë, njëkohësisht bashkëpunëtor i drejtësisë në procesin gjyqë- sor ndaj “bandës së tritolit” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Rrëfimi “bombë” është bërë përmes një lidhjeje telefonike të kryer prej tij në redaksinë e televizionit “News24”.

Juljan Sinanaj ne Gjykate
Juljan Sinanaj ne Gjykate

Në një bisedë disa sekondëshe me një prej gazetarëve të televizionit, Sinanaj ka pohuar se Policia dhe Prokuroria po fshehin provat kundër të bashkëpandehurit të tij, Ilir Karçini. Më tej ai ka pohuar se ka marrë kërcënime nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për të mos folur në lidhje me biznesmenin dhe as për vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilaid Konomi. Sinanaj ka zbardhur dhe fakte të reja nga dijenia e tij për vrasjen e gjyqtarit, duke pohuar se ai ishte ekzekutuar nga njerëz të veshur me pushtet.

DEKLARATAT

Duke shfrytëzuar të drejtën e tij, për të kryer telefonata nga kabina telefonike e Spitalit të Burgut, ku po mbahet si i paraburgosur, i penduari Sinanaj ka mundur të bëjë një thirrje drejt redaksisë së televizionit “News24”.

Në pak çaste ai ka artikuluar deklarata që, në rast se do të provoheshin si të vërteta, do t’i jepnin një tjetër rrjedhë procesit gjyqë- sor ndaj “bandës së tritolit”. Sinanaj ka hedhur akuza të rënda ndaj Policisë dhe Prokurorisë, duke thënë se ishte kërcënuar nga ish-kreu i Policisë së Shtetit. “Po fshihen provat për Ilir Karçinin nga Prokuroria dhe Policia. Kam 7 muaj që jam në qeli dhe nuk kam avokat. Artan Didi ka ardhur personalisht dhe më ka kërcënuar.

Në kohën kur Didi ka qenë Drejtor i Përgjithshëm, ka ardhur në qelinë time, më ka bërë presion që të mos flas asgjë për Ilir Karçinin. Kërcënime kam marrë dhe për Skerdilaid Konomin”, është shprehur Sinanaj.

Më tej ai ka zbardhur detaje të pathëna më parë në lidhje me vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilaid Konomi, i ekzekutuar në 9 shtator 2011 me një shpërthim eksplozivi në automjetin e tij, në bulevardin kryesor të këtij qyteti. “Gjyqtari Konomi u vra nga deputetë e njerëz me pushtet, u vra nga njerëz që dalin përditë në ekrane.

Ai u vra nga një person që u arrestua në Shkodër kohë më parë nën shoqërinë e kreut të një bande kriminale”, kanë qenë faktet tronditëse të pohuara nga Sinanaj. Sipas “News24”, deklarata e tij është ndërprerë nga gardianët e burgut, të cilët, pasi kanë dëgjuar thëniet e tij, i kanë mbyllur telefonin.

DYSHIMI

Gjatë deklarimeve të tij në fazën e hetimeve paraprake, Sinanaj ka rrëfyer se ka dijeni se cili mund të jetë grupi që ka organizuar vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilaid Konomi. Referuar procesverbalit të thënieve të tij, ai nuk përmend ndonjë emër deputeti.

Në lidhje me biznesmenin Karçini, Sinanaj ka pohuar se me ndërmjetësimin e Genis Mëhillajt, kishte marrë një paradhënie prej tij për eliminimin e biznesmenit P.B., vrasje që nuk u krye. Për këtë shkak, Prokuroria akuzon biznesmenin Karçini për “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale” për kryerjen e vrasjes së shtetasit P.B.

Artikulli u botua sot ne “Panorama” print

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura