Rrëfimi rrënqethës i “xhihadistit” shqiptar: Orët e mia në frontin e Sirisë, u zhgënjeva

May 27, 2015 | 21:53
SHPËRNDAJE

Dëshmia rrëqethëse e një prej shqiptarëve “xhihadistë”, që kanë luftuar në mbështetje të ISIS në Siri u dëgjua dje Gjykatën për Krimet e Rënda. Detajet e rrugëtimit nga Shqipëria në Siri, të trajnimit për përdorimin e kallashnikovit, sulmit të armatosur drejt disa mbështetësve të Bashar Al Asad dhe mashtrimi i përdorur për t’u larguar nga Siria, ishin rrëfyer nga dëshmitari Erzen Gashi gjatë hetimeve për nëntë të akuzuarit për rekrutimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë në Siri.

XHIHADISTET NE GJYKATE

I thirrur si dëshmitar i Prokurorisë në proces, Erzen Gashi, nuk pranoi të tregojë asgjë nga tmerri i përjetuar në Siri. Ai mohoi të njihte të pandehurit dhe tha se nuk kishte takuar asnjë prej tyre jashtë Shqipërisë. Dëshmitari pranoi se kishte qenë në Turqi rreth një vit më parë, por sipas tij, për të kërkuar punë. “Nuk kam takuar Gerti Pashjën apo Edmond Ballën”, tha ai. Dëshmitari gjithashtu rrëfeu se gjatë marrjes në pyetje i ishte bërë presion psikologjik.

“Më kanë pyetur nga ora 07:00 e mëngjesit deri në mesnatë. Më thoshin se do më fusnin në burg. Në fund fare kam qenë përgjumësh. Kam firmosur të gjitha fletët që më dhanë, por unë nuk di të lexoj”, pretendoi dëshmitari. Në përfundim të dëshmisë së tij, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për kundërshtimin e dëshmisë me deklarimet e dhëna prej tij gjatë hetimeve. Sipas Prokurorisë, Gashi është nisur nga Shqipëria drejt Sirisë më 19 janar 2013 dhe është kthyer më 12 mars të këtij viti.

Deklarimi i dhënë prej tij u lexua nga përfaqësuesja e akuzës në sallën e gjyqit dhe zbardhet i plotë në vijim:

DESHMIA NE PROKURORI Prej vitit 2007, unë ndjek ritet fetare të fesë myslimane në një xhami në qendër të Cërrikut. Ajo është një godinë e përshtatur si musala. Disa herë aty ka ardhur Gert Pashja, që na ka bërë mësim. Ai na ka folur për luftën e shenjtë në Siri. Në musalanë në Cërrik ka ardhur disa herë edhe Edmond Balla. Gjatë orëve të mësimit që kemi pasur me Gert Pashjan, ai na ka thënë që është detyrë e çdo myslimani xhihadi luftarak. Pas disa ditësh, unë e kam folur me Artur Korrën për t’iu bashkangjitur luftimeve në Siri. Ai ishte dakord dhe ne vendosën të shkonim në Siri.

Gerti Pashka më tha që do të më jepte lekët për pasaportat. Po ashtu, ai më tha se njihte njerëz në Turqi që organizonin udhëtime drejt Sirisë. Ai më tha 150 mijë lekë të vjetër dhe ne shkuam në Elbasan, ku blemë ku blemë kuponë për pasaportat. Disa ditë më vonë, pasi morëm pasaportat, ne u nisëm për në Siri nga Greqia. Në Kapshticë na kthyen, pasi unë kisha një apelas në shtetin grek. Mora në telefon Edmond Ballën dhe i thashë që më kthyen. Ai më tha që do të vinte të na merrte dikush në Kapshticë. Aty erdhi R. Mekolli, i cili na mori në makinë dhe na çoi në Pogradec, në shtëpinë e tij, ku qëndruam atë natë.

IKJA NE SIRI
Më vonë unë mora vesh se mund të kalonim nga Kosova për të ikur në Siri. Edmond Balla më dha lekët për të ikur nga Kosova. Ikëm nga Tirana deri në Prishtinë me autobus. U vendosëm në një hotel pranë Aeroportit “Adem Jashari” dhe të nesërmen, përmes një linje ajrore Prishtinë-Stamboll, fluturuam drejt Turqisë. Gerti Pashja na priti në Stamboll. Pasi u takuam me të, ai na tha që do të shkonim të tre në Siri. Pas disa ditësh në Stamboll, ne u nisëm drejt kufirit me Sirinë me një furgon. Kemi udhëtuar rreth 8-9 orë. Kur mbërritëm pranë kufirit, ecëm në këmbë. Vijën kufitare e kaluam në një vend, ku gardhi i telave ishte i rrëzuar. Pamë disa ushtarë turq jo shumë larg vendit ku kaluam, por ata nuk duhet të na kenë parë, pasi nuk reaguan. Pas kufirit na priste një makinë me kabinë, ku gjendeshin dy veta të armatosur.

Me këtë mjet shkuam në një shtëpi, ku gjetën edhe persona të tjerë, të cilët ishin arabë dhe turq. Gerti Pashja na këshilloi që duhet të lexonim shumë që të forconim besimin tonë dhe t’u bindeshin komandantëve aty. Gerti Pashja u largua pastaj dhe na tha që do të kthehej sërish. Në ambientet e shtëpisë kishte dhe flamuj të zinj me shkronja arabe. Shtetasit turq që ishin aty nga e nesërmja na bënë trajnim për përdorimin e armëve, montimin dhe çmontimin e tyre. Pjesë e trajnimit ishin edhe qitjet me fishekë luftarakë, të cilat i bënim në oborrin e banesës ku rrinim. Të gjithë kishim nga një kallashnikov.

NE FRONT
Dy javë pas trajnimit, ne shkuam në frontin e luftës. Unë mora një armë kallashnikov dhe një gjoksore që mbante 7 karikatorë. Mbërritëm me një automjet te vendi ku do të sulmonim. Ishte një godinë 2-katëshe, ku banonin anëtarë të fiseve Shia, mbështetës të Bashar Al Asad.

Unë duhet të ruaja pjesën e pasme të trupës sonë se mos sulmoheshim. Sulmuam me armë drejt godinave ku gjendeshin fiset Shia, të cilët ishin pozicionuar edhe në disa ndërtesa të prishura. Edhe nga ana e tyre u hap zjarr drejt nesh. Qëlluam për disa orë. Edhe unë qëllova, por nuk e morëm dot ndërtesën. Nga ne u vranë 4-5 persona dhe u plagosën 7-8 të tjerë. Unë u plagosa në dorë. Ne nuk kishim mjek, por unë vetëm e fashova dorën.

KTHIMI
Kur u tërhoqëm, unë i shpreha habi Artur Korrës, mbi atë që kisha parë dhe se situata aty nuk ishte ashtu si na ishte thënë. Edhe Artur Korra ishte habitur me çfarë kishte ndodhur dhe nuk po e kuptonim se ç’kërkonim ne aty. Disa ditë më pas, përmes shenjave, pasi nuk e flisja gjuhën, unë i thashë drejtuesve aty që do të kthehesha në Shqipëri, ku kisha vajzën e vogël për ta marrë edhe atë në Siri.

Ndërsa Artur Korra i bindi, duke u thënë se kishte bashkëshorten shumë sëmurë dhe se do të kthehej sërish në front. Kur u ktheva, unë u tregova vetëm pak vetave në Shqipëri që kisha qenë në Siri. Edhe Edmond Ballës i thashë se isha kthyer për të marrë vajzën për ta çuar në Siri. Ai më tha prapë para për t’i nxjerrë pasaportën vajzës. Edhe pasi e mora pasaportën, unë nuk shkova më në Siri, duke nxjerrë si shkak disa probleme të miat, të cilat duhet t’i mbyllja.

ARMAND BAJRAMI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura