“Rrëfimi”, qasje e re e mjekësisë

Feb 20, 2015 | 13:37
SHPËRNDAJE

ASTRIT BECI

   Një ditë Gary Kaplan, administrator i një spitali në Seattle, është pyetur publikisht se si është e mundur që industria e automobilave arrin të bëjë aq shumë makina pa gabuar kurrë, ndërkohë që në mjekësi gabimet janë varg. Te Toyota Kaplan ka parë ambiente të bukura, aparatura moderne, por sidomos një gjë i ka bërë shumë përshtypje  – ata që punonin te Toyota kishin vetëm një objektiv: të mos zhgënjenin klientin. A nuk duhet të ketë të njëjtin motiv mjeku, infermieri apo administratori i spitalit? Sigurisht për të mos thënë se për të sëmurin duhet bërë akoma më shumë sesa bëhet për makinën, pasi “Duhet mjekuar shpirti, përveç trupit”, insiston Veronesi në librin e tij shumë interesant “Una carezza per guarire”.
Por fatkeqësisht, mjekësia “humane”, e projektuar  mbi kontaktin midis mjekut dhe të sëmurit, ka marrë një rrugë të shtruar vetëm me teknologji dhe racionalitet duke e “derdhur” ditë pas dite humanizmin e saj. Mungesa e kontaktit human ka tharë burimin e magjishëm, si dhe ka zbehur forcën e lidhjes mjek-pacient. Shoqëria  moderne ka kohë që ka hequr dorë nga nevoja për një raport solid të konfidencës dhe komunikimit në të gjitha dejet e saj e, për pasojë, edhe në mjekësi. Ajo çdo ditë e më shumë duket se po kontribuon në prishjen e  “arkitekturës së raporteve njerëzore” në përgjithësi e të asaj mjek-pacient në veçanti. Pa këtë raport besueshmërie dhe konfidencialiteti midis mjekut dhe pacientit, në rastin më të mirë “gjella e gatuar” do të jetë pa kripë.
Vitin e kaluar në Kosovë pata rastin të vlerësoj një studim të një kolegu kosovar mbi vlerën e kohës që mjeku i familjes i kushton pacientit gjatë një vizite të zakonshme dhe orientimin e mjekëve për ekzaminimet dhe diagnostikimin e të sëmurëve nëpërmjet pacientëve “të stimuluar”. Studimi ishte mësim për të gjithë ne, koha e marrjes së anamnezës dhe e ekzaminimit linte shumë për të dëshiruar, po kështu dhe dhënia e mjekimit mbështetej në një diagnozë aspak të thelluar, ndërkohë që studimet e viteve të fundit tregojnë se një pacient që ka mundësi të “rrëfejë” e të ndjekë me mirë mjekimin, ka më shumë probabilitet të shërohet. Ai që vuan, ka nevojë të flasë më shumë, të ketë një lidhje më të fuqishme me atë që e kuron, të ndiejë që e thërrasin në emër dhe jo pacient. Për më tepër duke u dëgjuar nga mjeku do të thotë të kalosh nga i kuruar në pjesëmarrës në kurim. Pra, një ndryshim i perspektivës, e lindur për të vlerësuar atë çka i sëmuri përjeton dhe dhe për të mos e konsideruar patologjinë vetëm një fakt të thjeshtë biomjekësor. “Jeta është ajo çka kujtojmë për të mundur që të tregojmë”, shprehet Gabriel Garcia Marquez, që në mjekësi do të duhej të përkthehej: Sëmundja është ajo që jeton dhe tregon i sëmuri dhe jo vetëm shenjat dhe simptomat.
Pikërisht mbi këtë nevojë të të sëmurit, për të rrëfyer e për t’u dëgjuar, ka lulëzuar një qasje e re e mjekësisë, «Mjekësia rrëfyese”, e cila bazohet mbi një raport më të ngushtë ndërmjet mjekut dhe pacientit, instrument ky i fuqishëm dhe i nënvleftësuar në dekadat e fundit dhe e mëshiruar në një kartelë klinike, në të cilën detyrimisht duhet të vendosen edhe fjalët e të sëmurit, “kartelë klinike e integruar”, “me qëllim që të nxisë nevojën e të sëmurit për të rrëfyer.
Një fluks i madh studimesh vetëm gjatë muajve të fundit konfirmojnë se qasja rrëfyese jo vetëm e favorizon vënien e një diagnoze më të saktë, por favorizon raportin e të sëmurit me mjekun, përmirëson ekuilibrin e të sëmurit e cilësinë e shërbimit dhe, mbi të gjitha, ka edhe një impakt në recetën më të mirë të ilaçeve, pasi të sëmurët e marrin mjekimin me më shume bindje. Nga ana tjetër, rëndësia e fjalës, pesha e ndjenjës së ngrohtë janë instrumente  rimoduluese të kahershme, të shtrira e të konfirmuara në mijëra vjet, të cilat i japin jetë një raporti të ri, i cili ushqen  aleancën terapeutike, duke i rikthyer dimensionin human artit të vjetër të mjekësisë të shndërruar tashmë në shkencë. A mund të kurohesh me një fjalë të mirë? Vetëm jo, por sigurisht fjala e mirë, e kombinuar me një informim më të mirë të shqetësimeve dhe ankesave të të sëmurit, përdorimit adekuat të teknologjisë, mjekimit me barna cilësore kushtëzon probabilitet më të madh të shërimit.
*Drejtor i Përgjithshëm i FSDKSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura