Rrëfimi i Timo Fllokos: Ishim 3 shokë: Moikomi një erudit, një piktor dhe një aktor

Jun 18, 2020 | 13:37
SHPËRNDAJE

Njohuritë dhe kontributi i Moikom Zeqos në fusha të ndryshme kanë bërë që ai t’i kishte të forta lidhjet me personalitete të ndryshme, siç është edhe Timo Flloko.

Portret i Moikom Zeqos, realizuar nga piktori Bashkim Ahmeti
Portret i Moikom Zeqos, realizuar nga piktori Bashkim Ahmeti

Me trishtimin që lë pas ndarja nga jeta e një figure të papërsëritshme si ai, aktori tregon vlerësimin e tij ndaj poliedrikut.

“Ishte një person i rrallë në dije, në shumë sfera të njohjes, si ato të mendimit intelektual, të shkencës historike e të arkeologjisë, të artit të pikturës, të letërsisë, të filozofisë, estetikës, politologjisë dhe gjithë kulturave njerëzore. Vështirë se mund të krahasohej kush me të!”, shprehet aktori. Flloko tregon për miqësinë e tij dhe të piktorit Bashkim Ahmeti me eruditin dhe sjell copëza nga këto kujtime. “Ishim tre shokë: Moikomi një erudit, një piktor dhe një aktor… Sa herë shëtisnim të tre nga Liqeni e flisnim për artin, historinë, traditat e kombit e shumëçka tjetër, humbnim në universin ku na shpinte ai dhe pa e kuptuar rënien e muzgut…”

Flloko rrëfen ndër të tjera se sapo mësoi që Moikomi u largua për në botën e përtejme, ai e ndau lajmin e trishtë me mikun e tyre të përbashkët, Bashkim Ahmetin, i cili gjendet në Nju Xhersi. “I shkrova se Moikomi na la… dhe më ra rëndë ikja e tij”, tregon Flloko.

Fill pas kësaj, piktori i nis disa portrete që i ka realizuar poliedrikut, të cilat risjellin përmes pikturës miqësinë e “Tre shokëve” e mbi të gjitha kujtojnë se Zeqo do të mbetet gjallë në kujtimet e atyre që e njohën nga afër, apo përmes veprës e fjalës së tij të lirë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura