Teuta Hoxha: E vërteta e vetëvrasjes së Mehmetit, nuk e pamë gjyqin e Fiqiretit

Jun 29, 2015 | 12:52
SHPËRNDAJE

Kanë kaluar 25 vjet nga rënia e komunizmit dhe lagja e paprekshme dikur ish-Blloku ngjall ende kuriozitet te njerëzit. Aq më tepër nëse bëhet fjalë për familjen e ishdiktatorit Hoxha.

Është folur shumë që nga Nexhmije Hoxha, i biri Iliri, te njëra nga nuset, Liliana, ish-truprojat, shërbyesit etj. kanë publikuar kujtimet e tyre.

Variantet janë nga më të ndryshmet dhe askush nuk e di, veç atyre që e kanë jetuar vetë se cila është e vërteta. Një tjetër variant nga jeta e familjes Hoxha sjell edhe e reja tjetër e Enver Hoxhës, Teuta.

Teuta Hoxha

“Enveri në kujtimet e mia” titullohet libri i saj me kujtime, në të cilin ajo përshkruan lidhjet me familjen Hoxha, që kur ishte fëmijë, që nga adhurimi për ish-udhëheqësin për së largu, te dashuria me të birin, Ilir, si hyri në familjen nr.1 të vendit, jeta nën një çati me Enver Hoxhën, marrëdhëniet me të, me Nexhmijen, kunatën, Lilianën, deri te momentet kulmore në jetën e familjes dhe të vendit, që nga vrasja e Mehmet Shehut, te vdekja e Enver Hoxhës, rënia e diktaturës, burgu i Nexhmijes, largimi nga ish-Blloku etj. Më poshtë po sjellim variantin e Teuta Hoxhës mbi vetëvrasjen e Mehmet Shehut që u “inaugurua” me fejesën e Skënderit me Silva Turdiun.

Pse nuk u ftua Enveri e Nexhmija në këtë ceremoni, por Iliri dhe Teuta, gjendja e Enver Hoxhës pas vetëvrasjes etj. Teuta Hoxha gjithashtu hedh poshtë variantin e së kunatës, Lilianës, për episodin e shfaqjes së kasetës së gjyqit të Fiqiret Shehut.

VITI 1981.
VETËVRASJA E MEHMET SHEHUT

Nuk do të flas këtu për aspektin politik të kësaj ngjarjeje, e cila bëri bujë të madhe për kohën, por dua të sjell disa konstatime të miat, pasi jo vetëm e kam përjetuar nga afër, por edhe kam qenë vetë pjesë në një episod të saj. Me fëmijët e Mehmet Shehut, unë dhe Iliri kemi pasur marrëdhënie shoqërore mjaft të mirë, për më shumë që Iliri dhe Skënderi kanë qenë shokë klase, siç kam qenë edhe unë me Bashkimin.

Me Vladimirin marrëdhëniet ishin më të largëta për vetë moshën që ai ishte pak vite më i madh se Iliri. Me Ladin dhe Bardhën patëm një afrim kur edhe ata jetonin në Durrës, në të njëjtën kohë që Iliri punonte në Shkozet të Durrësit. Ruaj përshtypje të mira për ta. Ishin djem të zgjuar, të sjellshëm, megjithëse ishin pak të mbyllur brenda shoqërisë së tyre të ngushtë, por kjo nuk i bënte dëm kujt. Një ditë, sapo ishim kthyer nga puna, bie telefoni i shtëpisë. Iliri ngriti receptorin dhe vura re që po dëgjonte me shumë vëmendje. Dukej që kishte diçka serioze.

Me të mbyllur telefonin më tha: “Ishte Neli (Skënderi, T.H.) na fton sot në orën pesë të vemi në shtëpinë e tyre se do shkojë Silva (Turdiu, T.H.) të prezantohet me familjen e tij”. Unë mbeta e çuditur. Duke sjellë ndër mend ditën kur u bë prezantimi im në familjen e Ilirit, m’u duk pak e tepërt të merrnim pjesë në një ceremoni aq të ngushtë. Megjithatë, nuk bëra fjalë, duke menduar që ftesën me siguri e kishte bërë Mehmet Shehu, si për të treguar lidhjen e tij të ngushtë me Enverin.

TEUTA HOXHA, BASHKESHORTJA E ILIR HOXHES
(MAJTAS) LILIANA HOXHA

Vëmendja ime u përqendrua te veshja, që si çdo grua në të tilla raste kërkon të duket sa më mirë. “Pse na lajmëruan kaq papritur”, i thashë Ilirit, gjithmonë duke qarë hallin tim, që nuk kisha kohë të shkoja as te parukierja. Iliri më qetësoi duke më thënë: “Mesa kuptova, takimi do të jetë familjar, ndaj nuk ka rëndësi të stolisesh shumë”.

Kur u bëmë gati, të veshur si për një rast të veçantë, Iliri tha: “Kthehemi pak nga babai, t’u tregojmë dhe atyre për Nelin”. E quajta me vend që duhej ta njoftonim sepse kjo nuk ishte një ftesë midis të rinjve. Pavarësisht se na ishte bërë ne të dyve, ajo ishte ftesë për t’i bërë nderim Enver Hoxhës.

Në ato dy orë që kishim marrë ftesën ishte koha kur Enveri rregullisht punonte në dhomën e gjumit. Gjithë kujdes u futëm në ambientet e tij dhe kur pamë që drita e dhomës ishte ndezur, hymë dhe babain e gjetëm akoma të pangritur nga shtrati. Sa na pa, me atë të qeshurën e tij, na tha: “U sa të bukur qenkeni bërë, nga kështu?”. Ne i treguam për ftesën. Më kujtohet që u gëzua.

“Gëzohem më shumë për Mehmetin,- tha – se e kishte shumë merak sa ta fejonte Skënderin”. Pastaj, më shumë sikurse pyeste veten, shtoi: “Si nuk na thanë asnjë fjalë?!”. E kishte fjalën për Mehmetin e veçanërisht për Fiqiretin, e cila me Nexhmijen ishin si motra.

Meqë ishim vonë, nuk e zgjatëm bisedën. Kur do të iknim na tha: “Urojini nga ana ime dhe e Nexhmijes, Mehmetin, Fiqiretin dhe çiftin e ri”. Atje na pritën shumë mirë. Ne bëmë urimet e rastit dhe pastaj u përcollën dhe urimet e Enverit dhe të Nexhmijes.

Mehmeti dhe Fiqireti u gëzuan shumë dhe iu bë qejfi për këtë. Më kujtohet Fiqireti me sytë e ulur përdhe, diçka mërmëriti nëpër dhëmbë, diçka si justifikim, që nuk i kishin vënë më parë në dijeni shokun Enver dhe Nexhmijen. 

Kur u kthyem në mbrëmje në shtëpi, u ndalëm përsëri te babai. I treguam si kishte kaluar pritja. Ai na pyeti për nusen dhe ne, kuptohet, thamë fjalë shumë të mira dhe ndër të tjera i treguam që ajo ishte vajza e profesor Turdiut. Enveri e dinte që Turdiu ishte profesor matematike. Ndërsa për rrethin familjar të saj, as që u bë fjalë se nuk e njihnim fare. Mbasi babai shprehu edhe njëherë kënaqësinë për Mehmetin që iu realizua dëshira, ne u ngritëm dhe ikëm.

Edhe të nesërmen, kjo ftesë që na u bë ne të dyve nga familja Shehu, kaloi pa ndonjë vëmendje. Por, kur plasi skandali i fejesës së Skënderit, atëherë u kuptua pse ajo ftesë kishte qenë aq tinëzare. Tashmë është e ditur se Enver Hoxha e ka përmendur në fjalën e tij në mbledhjen e Byrosë Politike të 18 dhjetorit të 1981, pas vrasjes së Mehmet Shehut, që kjo ftesë na ishte bërë me paramendim. Ai, ndër të tjera, thotë: “Mehmeti, jo vetëm nuk u këshillua me asnjërin nga ne për këtë krushqi, por mendoi ta bënte “Fait acompli” me një nxitim të pashpjegueshëm.

NEXHMIJE DHE ENVER HOXHA, BASHKE ME DJALIN ILIRIN DHE NUSEN TEUTEN

Këtë çështje unë e mora vesh indirekt nga djali im Iliri, që e kishin ftuar në fejesën e Skënderit. Po të gjykosh edhe ajo ftesë nuk është pa hile. Pse duhej të asistonte djali im në vizitën e parë të njohjes që bënte e fejuara e Skënderit me prindërit e këtij? Që unë ta merrja vesh indirekt? Që ta tatonin pulsin tim ose të më komprometonte edhe mua e familjen time në këtë çështje?”. Vetëm pas kësaj nisa të kujtoj me detaje atë mbasdite. Nuk e di pse, por se ç’kishte një ftohtësi ajo pritje! Mbase ishte vetë natyra shumë e përmbajtur e Mehmetit që e bënte këtë, apo…?!

Po mua nuk më hiqen nga mendja ata sy tinëzarë të Fiqiretit, që i ulte përdhe kur na mërmëriste nëpër dhëmbë diçka, si e zënë në faj, që nuk kishte marrë mundimin t’i thoshte qoftë edhe larg e larg një fjalë Nexhmijes për lidhjen e të birit me vajzën e Turdive. Ditët në vazhdim të kësaj ngjarjeje shikonim që Enveri ishte shumë i menduar dhe shpeshherë fytyra e tij kishte një pamje të zymtë. Ne i shmangeshim për të mos e shqetësuar, por ai na takonte dhe në bisedat që bënte, ne e ndienim se diçka e kishte trazuar shpirtin e tij. Siç do të mësonim më pas, atë periudhë ai po përjetonte mjaft rëndë një zhgënjim të madh nga shoku i tij…

Pas Kongresit, Mehmet Shehu bëri variantin e dytë të autokritikës prej 39 faqesh, të cilën përsëri kërkoi t’ia dërgonte Enverit për ta rishikuar, por Enveri, i përfshirë nga ajo gjendje e trazuar që po kalonte, vajti në fillim të dhjetorit për pak ditë në Vlorë për pushime. Ai edhe atje u mor me këtë problem të rëndë. Mehmeti kishte ngulur këmbë të vinte atje për ta lexuar vetë autokritikën, me ndryshimet që i kishte bërë. Enveri iu përgjigj : “Unë ç’kisha për të thënë, t’i thashë, autokritikën e re dorëzoje në Komitetin Qendror që t’u ndahet shokëve të Byrosë, që ata të kenë kohë ta lexojnë para mbledhjes së Byrosë”.

Duke qenë plotësisht i njohur me çështjen Mehmet Shehu dhe me autokritikën e parë që Mehmeti i kishte dërguar, Enveri kishte filluar qysh para Kongresit të punonte për analizën e gabimit të M.Shehut dhe për mendimet që do të parashtronte në mbledhjen e Byrosë Politike lidhur me autokritikën e Mehmetit.

Kur nga Sekretariati i KQ iu dërgua autokritika e dytë e M.Shehut, Enveri, pasi e lexoi, pa se në thelb, përveç heqjeve të disa paragrafëve dhe shtimit të disa faqeve, kishte mbetur po në pozitat e para. Në këto rrethana, Enveri nuk e pa të nevojshme të merrej më me përpunimin e analizës së tij dhe vendosi ta dërgonte në Tiranë materialin që kishte përgatitur që t’u ndahej shokëve të Byrosë Politike. Mbaj mend që dy-tri ditë pasi kishte vajtur në Vlorë, duket nga mërzia që e kishte pushtuar, babai kërkoi t’i dërgonim Shkëlzenin e vogël 3-vjeçar.

Fëmijët e tjerë më të mëdhenj kishin filluar shkollën, ndaj nuk e kishin shoqëruar gjyshin siç bënin përherë. Kështu, bashkë me djalin u gjenda edhe unë në Vlorë. Në aq vite që kisha jetuar pranë tij, nuk e kisha parë ndonjëherë ashtu. Tek rrinim në sallonin e madh, ai qëndronte i heshtur dhe herë pas here ngrihej nga kolltuku dhe, si për të larguar mendimet e zymta, ecte në sallon me hap të nxituar.

Ecte dhe përsëriste i nervozuar: “Punë jo, shëtitje jo, fëmijë jo, atëherë ç’pushim i thonë?!”. Unë, kuptohet, nuk i dija problemet që i zienin në kokë, por nga kjo atmosferë jo e zakontë, e ndieja veten në siklet. Më dukej sikur e bezdisja me praninë time.

Edhe Shkëlzeni i vogël sikur e kuptonte gjendjen e gjyshit që nuk qeshte e luante me të si zakonisht. Çdo herë që vinte në Vlorë, megjithëse vinte për pushime, ne ishim mësuar ta shihnim babain çdo ditë në orët e para të mëngjesit, deri sa vinte ora të dilte shëtitje, të ulur në tryezën e bukës duke shkruar.

E pëlqente atë vend se nga dritaret e mëdha shikonte përballë malin e Shushicës, tek i cii hidhte herë-herë vështrimin dhe përqendrohej sikur kërkonte frymëzim prej këtij. Këtë herë nuk e pashë të ulej në vendin e tij të preferuar. Mamaja, e preokupuar, thoshte: “Kur nuk ulet Enveri të shkruajë, tregon se nuk është mirë nga gjendja shpirtërore”.

Edhe gjatë shëtitjeve mes agrumeve, ku ai gjithnjë gjente kënaqësi, e shihja të zymtë. Ecte me sy të përdhe, dhe çdo hap që hidhte e mbështeste mbi bastunin e tij. Syzet e errëta fshihnin sytë dhe krejt menduar përshkonte shëtitoren deri te tenda që ngrihej në shkëmbin mbi det.

Enver Hoxha kur nuk fliste, atëherë kishte problemet më të mëdha. Kur kam lexuar më vonë për këtë ngjarje, atëherë kam kuptuar se çfarë shqetësimesh e brenin shpirtërisht edhe ato ditë në Vlorë. Ne e shihnim ashtu, sidomos pas Kongresit të 8-të. Kur darkonim, nuk fliste dhe qeshte si zakonisht dhe me të mbaruar bukë, çohej dhe ngjitej në studion e tij, gjë që më parë e bënte vetëm në rastet kur nuk ndihej mirë me shëndet. Ditën e 18 dhjetorit 1981, kur u kthyem në shtëpi nga puna, pamë që makinat që shoqëronin Enver Hoxhën kishin dalë të gjitha nga garazhet dhe ishin vendosur në gjendje gatishmërie.

Kjo na shkaktoi habi sepse ishte një orë e ditës kur Enveri ndodhej kurdoherë në shtëpi. Madje, nga ajo që pamë, na bëri të trembeshim, pasi na shkoi menjëherë mendja te shëndeti i tij. Hymë gjithë shqetësim në shtëpi dhe u ndeshëm me Sulo Gradecin.

Ai na tregoi se ç’kishte ngjarë. Të dy mbetëm pa fjalë nga tronditja. Gjëja e parë që çuam në mend ishte babai. Megjithëse i preokupuar, Iliri nuk vajti ta takonte, për të mos e shqetësuar. U takuam me Pranverën dhe Klemin dhe, ndërsa bisedonim për këtë ngjarje kaq të rëndë, papritur shfaqet Nexhmija.

Mehmet Shehu pas vetëvrasjes

Menjëherë i lexohej në fytyrë se sa rëndë e kishte përjetuar ngjarjen. Pa e ditur që ne ishim në dijeni, me zërin që i dridhej tha: “Ka ndodhur diçka shumë e rëndë. Mehmet Shehu vrau veten”. Dhe vazhdoi duke bërë më shumë pyetje vetes sesa ne: “Pse ta ketë bërë?! Pse?! Po Fiqireti?! Dhe pa pritur të shkëmbenim ndonjë fjalë, u largua me nxitim, që të mos e linte Enverin vetëm. Kur takuam babain atë ditë, më kujtohet që tek ai pikasa jo vetëm mërzitje të madhe, por dukej edhe i revoltuar.

Enver Hoxha e gjykonte vetëvrasjen si një veprim tjetër të Mehmet Shehut për të dëmtuar partinë. Shqetësimi i Enver Hoxhës ato ditë ishte shumë i madh. Pa dyshim, ato ndikonin për keq në shëndetin e tij. Por ai e kishte zakon që kurrë nuk ankohej. Mjekët, që e ndiqnin me shumë përkushtim dhe me shumë profesionalizëm, në atë periudhë u preokupuan edhe më shumë. Por ajo ngjarje shumë e rëndë që kishte ndodhur do ta shqetësonte për një kohë të gjatë. Jo, vetëm si njeri, por e rëndonte më shumë si udhëheqës i partisë.

Ai u angazhua shumë në analizën e saj dhe shkroi faqe të tëra. Madje u impenjua edhe gjatë kohës së pushimeve, ku shkroi librin me shënime historike “Titistët”, ku një vend të rëndësishëm zinte edhe çështja “Mehmet Shehu”. Më kujtohet në verën e vitit ’82, Enver Hoxha, si çdo vit, i kaloi pushimet në Pogradec. Në një nga këto ditë, unë dhe Iliri duke ndenjur në sallon bashkë me prindërit e tij dhe jo si pretendon Liliana, që e ka parë këtë skenë prapa dere, Nexhmija ngrihet dhe vë kasetën e gjyqit të Fiqiretit që e kishte dërguar Hekuran Isai, ministër i Brendshëm i asaj kohe.

Më kujtohet Enveri që i ndiqte në heshtje dhe gati i vrenjtur, të gjitha veprimet që bënte Nexhmija. Sapo në ekranin e televizionit u shfaq Fiqireti, krejt kokëbardhë duke hyrë në sallën e gjyqit, Enveri i hodhi një sy dhe pa bërë asnjë koment i tha Nexhmijes prerazi: “Mbylle! Kasetën ktheja menjëherë Hekuranit!”.

Nexhmija u ngrit me ngut ta mbyllte dhe, pasi hoqi kasetën, ia dha Ilirit me porosinë, që t’ia dorëzonte Sulo Gradecit dhe ai, Hekuran Isait. Në të tilla raste ne e kuptonim që duhej ta linim vetëm në mendimet e tij. Ai nuk fliste me pjesëtarët e familjes për probleme të tilla. Ndaj ne të dy u ngritëm dhe dolëm menjëherë nga dhoma, Iliri me kasetën në dorë. Poshtë takuam Sulon dhe Iliri ia dorëzoi kasetën, duke i përcjellë dhe porosinë e Enverit. Kjo ishte e para dhe e fundit kasetë që unë pashë të vinte në shtëpinë tonë, në lidhje me çështjen Shehu.

Gjatë tërë atij viti të ngarkuar me problemet që rrodhën nga ngjarja e dhjetorit, u shtua edhe më shumë meraku i mjekëve, por edhe i familjes për shëndetin e Enverit sepse shqetësimet shëndetësore të tij po vinin duke u rënduar. Më kujtohet Nexhmija që nuk i ndahej asnjë çast.

Në maj 1982, në ditarin e Nexhmijes lexohet një shënim që i del si klithmë nga brenda shpirtit nga shqetësimi i përkeqësimit të shëndetit të Enverit: “Oh! Unë e shkreta! Enveri po sëmuret shpesh. I janë shtuar krizat e insuficiencës kardiake…” Këto shqetësime me shëndetin e Enverit ishin të lidhura me zemrën dhe nuk kishin të bënin aspak me problemet e trurit. Ai ishte krejt i kthjellët, madje, tepër vital në ndjekje të problemeve që kishte vendi.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura