Rrëfimi i të miturës: Më përdhunoi e më detyroi të mashtroja prindërit

Jan 21, 2016 | 9:19
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës ka administruar dje dëshminë tronditëse të një minoreneje në procesin gjyqësor kundër një 25-vjeçari të akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj.

perdhunim_4643Procesi në ngarkim të të pandehurit Ajet Bizgjoni, zhvillohet me dyer të mbyllura në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e radhës Gjykata ka dëgjuar tre dëshmitarë të akuzës, mes të cilëve edhe e abuzuara, minorenia 15- vjeçare me iniciale K.R.

Dëshmia tronditëse e saj është dhënë në prani të familjarëve të saj, dy prej të cilëve kanë dëshmuar në të njëjtën seancë. Sipas burimeve, është paraqitur në një gjendje mendore të qëndrueshme.

U bë e ditur se e dëmtuara është paraqitur në gjendje të qetë psikologjike, përveç momenteve kur ka treguar për abuzimet me të, ku nuk i ka përmbajtur lotët.

DESHMIA

Para trupit gjykues e mitura ka rrëfyer se i pandehuri prej disa kohësh e kishte bezdisur duke i kërkuar të krijonin një lidhje. Ajo tha se nuk kishte pranuar, por ai këmbëngulte duke i shkuar afër shtëpisë së saj. Dëshmitarja ka treguar një episod ku, sipas saj, i pandehuri e kishte puthur kundër dëshirës së saj pranë banesës së saj.

“Këtë skenë e ka parë edhe motra ime”, mësohet të jetë shprehur e mitura. Sipas burimeve, ajo ka rrëfyer se autori kishte abuzuar seksualisht me të, pasi e kishte dërguar në qytetin e Pogradecit. E mitura ka rrëfyer se i pandehuri e ka rrëmbyer në rrugë, kur ajo po ikte në shkollë. Me vete ajo ka pasur edhe një shumë lekësh, të mbledhura nga shokët e saj të klasës.

“Më ka dërguar në Pogradec ku kemi qëndruar gati një javë”, është shprehur e mitura. Sipas saj, gjatë qëndrimit në këtë qytet, ai ka kryer me të marrëdhënie intime, kundër dëshirës së saj, duke përdorur dhunë fizike. Më tej e dëmtuara ka theksuar se gjatë kohës që mbahej nën presion nga i pandehuri, kishte pasur komunikime me prindërit, ku diktohej t’u thoshte fakte të pavërteta. “Gjatë kohës që isha larg familjes, kam folur me prindërit dhe ai më ka detyruar që t’u them se kisha ikur me dëshirën time”, ka pohuar e mitura.

KERCENIMI

Gjatë dëshmisë së saj para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ardian Kalia, e mitura ka pohuar edhe një fakt për të cilin Prokuroria nuk kishte dijeni deri ditën e djeshme. Ajo ka pretenduar se është sulmuar fizikisht nga një person i paidentifikuar. Sipas rrëfimit të saj, ky episod është shënuar gati tri javë pasi i kallëzuari prej saj ishte arrestuar nga policia.

“Isha duke ecur në rrugë, kur ndjeva një goditje të fortë pas kokës dhe kam rënë në tokë pa ndjenja”, ka rrëfyer e mitura. E pyetur nga palët në proces ajo është shprehur se nuk e kishte parë personin që e kishte sulmuar dhe as nuk kishte dijeni se kush mund të ishte ai. Fakti ka vënë në lëvizje përfaqësuesin e Prokurorisë në këtë çështje, pas dyshimeve se veprimi mund të ishte një lloj kërcënimi ndaj të miturës.

Në përfundim të seancës, prokurori ka vënë në dijeni Policinë e Shtetit në lidhje me këtë fakt për kryerjen e verifikimeve të mëtejshme të rastit. Në varësi të rrethanave, policia mund të marrë edhe në mbrojtje të miturën.

I PANDEHURI

Burime pranë sallës së gjyqit bënë me dije se i pandehuri në këtë proces mban qëndrim mohues ndaj veprës për të cilën akuzohet, atë të “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”. Gjatë seancave gjyqësore ai ka pretenduar se nuk ka konsumuar marrëdhënie me dhunë me të miturën.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura