Rrëfimi i Silva Turdiut: Lidhja dhe ndarja ime me djalin e Mehmet Shehut

Sep 24, 2015 | 7:02
SHPËRNDAJE

E para dhe e vetmja dëshmi e ish-të fejuarës së djalit të Mehmet Shehut për lidhjen me Skënderin, është ajo e kumtuar në procesin e bujshëm të Kadri Hazbiut. Rrëfimi i ish-volejbollistes së njohur të klubit “Dinamo” përballë hetuesve ka qenë diçka e veçantë dhe interesante njëherazi.

E thirrur në seancën e 27 dhjetorit 1982 për të penalizuar ish-ministrin e Brendshëm, sportistja e divorcuar tashmë me të birin e kryeministrit të vetëvrarë ka shpjeguar me sinqeritet e vërtetësi historinë e njohjes dhe rrethanat që kushtëzuan prishjen e fejesës me Skënder Shehun.

Fillimisht ka qenë djali i kryeministrit që ka shprehur interes për t’u njohur me vajzën e profesorit të Matematikës, duke e ndaluar në rrugë një pasdite dhjetori të vitit ’80. Por ajo ka hezituar të bisedojë duke i thënë se nuk e njihte. Disa përpjekje të tjera pas kësaj të djalit të ish-kryeministrit kanë rezultuar pa sukses. Megjithatë, aventura e Shehut ka vazhduar më tej.

“Në fillim të shkurtit ’81,- pohon ish-‘dinamovitja’, -Skënderi erdhi më takoi në Shverin të Gjermanisë Lindore, ku kishim një ndeshje volejbolli me ekipin ‘Traktori’. Më tha se vinte aty nga Suedia ku ishte me studime për të parë ndeshjen”. Që këtej, sipas dëshmitares, takimet e tyre janë bërë më të shpeshta.

Në korrik ’81, Skënderi shkonte gati çdo ditë në shtëpinë e pushimit të MPB-së në Durrës, ku stërvitej ekipi i saj. Në një nga takimet e radhës i shprehu edhe idenë e fejesës. Më 31 gusht 1981, familja Turdiu ka rënë dakord dhe Qazimi, i ati i Silvës, ka pritur në shtëpi Skënder Shehun.

Qazimi duke u shfaqur hezitues për fejesën, i ka përmendur kleçkat në biografinë e familjes dhe e ka porositur t’ua bëjë të qartë edhe prindërve. I biri i kryeministrit, duke pohuar dijeninë e tyre për çka flitej, e ka ftuar profesor Turdiun për një vizitë në familjen e tij.

Fill pas këtij takimi, Silva ka vizituar për herë të parë shtëpinë e të fejuarit dhe ka biseduar nga afër me Mehmetin dhe Fiqreten. Deri këtu, dëshmon e ish-e fejuara e Skënder Shehut, gjërat kanë shkuar mirë, por kreshendoja e lidhjeve të ngushta do të ndërpritej befasisht shtatorin e vitit ’81.

Ndarja me djalin e Mehmet Shehut 

Fejesa me Skënder Shehun ka zgjatur vetëm pak javë, ka dëshmuar para hetuesve në procesin e Kadri Hazbiut Silva T. Fundi dramatik i lidhjes, sipas saj, është shënuar në ditët e fillim shtatorit ’81.

Silva Turdiu
Silva Turdiu
“Panorama” shkruan sot se në datën 5, ajo është nisur në Greqi me ekipin e të rejave. Për ta shoqëruar ka shkuar dhe Skënderi, tashmë i fejuari i saj i celebruar, i bekuar madje edhe nga çifti Hoxha. Më pas, ai do të vazhdonte rrugën në Suedi ku ishte duke kryer studimet.

Para nisjes, i ka takuar te pallati i sportit “Partizani” ish-ministri i Brendshëm, Feçori Shehu, dhe i ka uruar për fejesën. Dy ditë më parë, një gjë të tillë ka bërë dhe Enveri me të shoqen, në shtëpinë e kryeministrit. Gjatë kohës që ishin në Greqi, Skënderi është lajmëruar befasisht se duhej të kthehej në Tiranë. Janë kthyer që andej të dy.

Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë, Skënderi kishte thirrur Silvën dhe i kishte thënë se donte të bisedonte disa gjëra serioze vetëm për vetëm me të. Ashtu ishte bërë. Takimi i zhvilluar në shtëpinë e Ali Cenos, truprojës së kryeministrit, kishte zgjatur rreth 45 minuta. Skënderi i kishte thënë se do të ndaheshin, pasi kishin dalë disa probleme të koklavitura në biografinë e familjes së saj.

Silva kishte reaguar duke i thënë se ju i dinit ato gjëra më parë. Ishte përmendur çështja e Arshi Pipës, djali i xhaxhit të nënës së Silvës, që ishte “agjent i amerikanëve”. Sipas asaj që i kishte thënë Skënderi, Enver Hoxha kishte dhënë urdhër që fejesa të prishej. Në përfundim, Skënderi i kishte thënë se kishte dashur të ndahej nga familja e tij, por kishte frikë se si komunist mund të përjashtohej nga Partia.

“Skënderi u paraqit i mërzitur që nuk e linin të martohej me mua”, dëshmonte Silva. Sipas këshillës së Skënderit, Silva dhe babai i saj kanë shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, por atje nuk kanë gjetur njeri. Një makinë i ka thënë rrugës se i priste Fiqretja te shkolla e Partisë.

Silva ishte kthyer në shtëpinë e vet dhe Qazim Turdiu kishte shkuar vetëm në takim. Kur ishte kthyer në shtëpi Qazimi, kishte thënë se Fiqretja i kishte përmendur çështjen e Arshi Pipës, të cilën ata “nuk e dinin më parë”. Që këtej, fejesa ishte zgjidhur, por telashet nuk kishin mbaruar, jo vetëm për ish-volejbollisten, por edhe për djalin e ish-kryeministrit. 

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura