Shqiptaro-britaniku: Në polici më treguan si e përdor ministri Shullazin

Feb 11, 2016 | 8:08
SHPËRNDAJE

Alban Beshiri, është nga Tirana dhe jeton prej 17 vitesh në Londër. Është me pasaportë britanike, një qytetar anglez prej afro dy dekadash.

Beshiri rrëfen për “News 24” me Basir Çollakun, sorollatjet e drejtësisë në Shqipëri, dhunën e policisë, përpjekjen për të ngritur akuza më dokumente false, kanosjet e personave të inkriminuar me lidhje me pushtetin, si dhe episode sipas tij, të trafikut të vizave britanike në Tiranë. Sakaq, ai ka pohuar se në polici e kanë paralajmëruar se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përdor Emiljano Shullazin për të kryer punë të pista.

“Kur më vdiq babai një person më kërcënoi me armë. Një polic më tha, ki kujdes nga Emiljano Shullazi. Më kanë thënë se Tahiri përdor Shullazin për punë të pista. Polici më tha se Shullazi po i sakaton me gjoba të PD. Shullazi më erdhi në lokal me rreth 30 persona dhe e kuptova pse kishte ardhur, e mora mesazhin”, pohoi Beshiri. Ndër të tjera ai shton se ka dijeni për miq të tij që kanë paguar mijëra euro për të marrë viza. Këto kallzime, ai i ka bërë edhe në Ministrinë e Jashtme Angleze, ku i kanë kërkuar dokumentacion e të dhëna dhe kanë shqyrtuar e investiguar denoncimin konkret.

Ju jeni person në kërkim, ndonëse keni kryer një dënim në Shqipëri, cili është krimi apo përse jeni ende në kërkim në Shqipëri?
Unë kam pasur një denoncim nga ish-bashkëshortja ime dhe kam kryer një dënim në Shqipëri, kam bërë tri javë burg, tre muaj arrest shtëpie edhe pastaj pesë ditë të tjera, sepse nuk ishin llogaritur mirë ditët e dënimit. Këto, pas ankesës që kam bërë tek prokurori i Tiranës, i cili më përgjigjet se vepra juaj është pjesë e amnistisë dhe ju keni edhe pesë ditë burg për të kryer. U ktheva në Shqipëri dhe bëra ato pesë ditë burg, siç më kishte thënë prokurori. Kështu, do të dilja nga burgu më 16 dhjetor të vitit 2014.

Dolët?
Jo. Nuk dola. Na ndodhi një problem. Unë kam qenë në komisariatin nr. 6 në Tiranë. Ndodhën shumë probleme, por po kujtoj njërin prej tyre. Kishim një burrë të vjetër në qeli, ai pati probleme me shëndetin, i ra si tip infarkti dhe unë u mundova ta ndihmoj, u përpoqa, u thashë policëve ‘merreni, ndihmojeni se po vdes’. Ndërsa ata qeshnin e zgërdhiheshin dhe më në fund, pas 30 minutash, e kapën zvarrë për këmbësh dhe e hodhën në një makinë policie dhe e dërguan në spital.

Në ç’kushte ishit në qeli?
Kushtet ishin të tmerrshme, po flinim në tokë, as krevat, as batanije, shiu binte komplet brenda, pa dritare, ishte tmerr.

Kërkuat t’ju dërgojnë diku tjetër, ose përmirësojnë ndonjë kusht?
Po, kërkova që të na çonin në një qeli ku mund të rrijë normalisht dhe të kaloja ato ditë sipas vendimit të prokurorisë. Por, ata më thanë pusho, rri urtë dhe asnjë lloj reagimi tjetër. Rreth orës 21 të darkës kanë ardhur tre persona nga Avokati i Popullit.

Përse kishin ardhur?
Ata kishin ardhur për çështjen e atij burrit të vjetër që i ra infarkt dhe u futen në qeli. Unë u ankova duke u thënë se ‘e shikoni ku jemi, ku do të ulemi, ku do të flemë’. Njëri nga ata, një grua, më tha se do të largoheni shumë shpejt nga këtu, por do të prisni pak dhe ata shkuan të flisnin me drejtuesit e policisë në atë komisariat ku ne ndodheshim, duke u thënë atyre se ‘këtu nuk jetojnë dot kafshët jo njerëzit, ndaj duhet t’i largoni prej aty. Sidomos këtë që është me pasaportë britanike, se mund të vijnë përfaqësues të ambasadës dhe nëse e shohin në këtë lloj qelie…’.

Ju jeni me pasaportë britanike?
Po.

Prej sa kohësh?
Kam 17 vjet që jetoj në Angli.

Dhe sa herë ktheheni në Shqipëri, shpalleni në kërkim?
Po. Është vërtet e çuditshme.

Po si reagoi policia pas kërkesës së përfaqësuesve të Avokatit të Popullit?
Ata pas asaj bisede u larguan. Në ora 10 të mbrëmjes u ndërrua turni i policëve. Kërkova sërish që të na ndihmonin me ndonjë batanije apo diçka ku të shtriheshim. Po ngrinim nga të ftohtit dhe i thashë atij rojës së shërbimit se ne na kanë thënë se do t’ju lëvizim prej këtu për në ndonjë qeli tjetër, se këtu është tmerr. A ka mundësi të na çoni. Nuk i ndjej fare gishtat e këmbëve, po vdesim nga të ftohtët. Ose na sillni ndonjë furnelë apo ndonjë mjet ngrohës.

Si reagoi?
Në ato momente po shkëmbenim fjalë dhe po shanim të dy. Unë i thashë qeveri ordinere, shtet ordiner dhe ashtu i tronditur i dhashë gojës. Në atë moment hapet dera dhe njëri nga personat që hynë brenda më qëlloi me shpullë, ndërsa personi tjetër më gjuajti me grusht në kokë. Më qëlloi fort në kokë sa i hëngri krahu dhe unë u mbështeta në mur, nuk shikoja më asgjë. Për afro tri minuta nuk po shihja asgjë, ngela i bllokuar fare.

E dini kush janë këta policë që kanë ushtruar dhunë ndaj jush në komisariat?
Nga sa e kam marrë vesh unë, pastaj edhe nga familjarë të mitë, njëri e ka emrin Sinan Kryeziu, ndërsa tjetri Vahid Bekteshi.

Ç’ndodhi pasi ju goditën?
U kërkova të më dërgonin në spital, sepse kisha dhimbje koke. Më thanë se do të të çojmë, por do të presësh pak, por nuk ndodhi asgjë.

Kaluat natën aty edhe pas ushtrimit të dhunës?
Po, po aty. Pa batanije, pa asgjë, shtrirë në tokë. Kur jam çuar në orën katër apo pesë e mëngjesit, isha ngrirë krejt, nuk lëvizja dot. Isha bërë sikur të më kishin futur në një frigorifer. Muret nxirrnin avull.

Erdhi njeri t’ju shohë?
Jo, jo. Mua më mbajtën aty. Rreth orës gjashtë të mëngjesit u ndërrua sërish turni dhe unë kërkova përsëri të shkoj në spital, sepse kisha shumë dhimbje koke, por përsëri nuk më dërguan.

Kujt i thatë?
Atij personi që ishte roje i qelisë. Ai m’u përgjigj se detyra e tij ishte të vinte në dijeni dhe sipas asaj që më tha, ai kishte lajmëruar shefin e komisariati dhe po prisnin. Nuk erdhi askush. Kërkova të shkoj në tualet dhe erdhi njëri nga ata që më qëlluan. Njërin nuk e njoh edhe sot si fytyrë, sepse ishte me maskë kur hyri në qeli dhe më qëlloi me grusht në kokë. Ai tjetri më kërkoi falje, por unë nuk i dhashë asnjë lloj përgjigje.

Prapë nuk ju dhanë ndihmë?
Aspak. Kishin ardhur të gjithë në punë dhe më shikonin se isha dhunuar. Aty pashë një oficer policie që ka qenë në Vorë. Osman Fuçia. Ai u bërtiti policëve dhe u tha merrni urgjent mjekun, ose ambulancën për ta dërguar në spital. Unë isha krejtësisht i nxirë në fytyrë nga goditjet dhe prisja ndihmë derisa rreth orës 10-11 më ra të fikët.

Çfarë bënë?
Më kanë kapur për këmbësh, më kanë tërhequr zvarrë dhe më plasën në një makinë. Më thanë se do të dërgojmë në spital.

Të dërguan?
Jo, jo. Dëgjoja nëpër radiot e tyre se po sjellim një pako dhe shoh se më dërguan të Drejtoria e Policisë Tiranë. Gjatë rrugës, ndërsa në furgon i kërkova një polici të hapte xhamin se s’po mbushesha e frymë e po dridhesha edhe nga të ftohtët, ai më vuri dorën në fyt dhe më shau me fjalë të ndyra. Pastaj më çuan në drejtori dhe më plasën në një qeli.

Erdhi mjeku?
Po, erdhi një doktor, që siç kam marrë vesh më vonë, quhej Osman Hoxha dhe po më vizitonte. Ndërkohë sollën në qeli dhe dy a tri furnela që të ngrohesha dhe merrja disi veten se isha krejt i ngrirë. Aty më mbajtën 30 minuta dhe më dërguan në një dhomë tjetër për të më marrë shenjat e gishtave.

Mjeku çfarë ju tha?
Ai nuk po fliste deri sa të merreshin shenjat e gishtave ndoshta, ndonëse unë mezi qëndroja dhe s’kisha fuqi të ngrihesha. Aty një tjetër oficer nisi të bërtasë e të më shajë çohu ordiner, t’i thyej turinjtë dhe më morën shenjat e gishtave.

Vendimi i mjekut?
Vendimi i mjekut! Më solli ca letra përpara dhe më tha se duhet t’i firmosësh këto letra. Në to ai kishte shkruar se Alban Beshiri pretendon se është goditur nga policia, por nuk kishte shënuar se isha goditur nga policia. Më tha që ta firmosja se pastaj do shkonim në spital.

Si vepruat?
I thashë zotëri unë nuk mund të firmos, sepse ju thoni unë pretendoj se më kanë goditur, ndërkohë që ju e shihni që unë jam me shenjë, jam i nxirë nga goditjet, ndaj nuk mund ta firmos. Dy policët më thanë të lutem tani hidhe firmën se ti je çun nga Vora nuk je malok, hidhe firmën se do të na hapësh probleme. Dhe nuk firmosa. Mjekut i thashë më bëj foto, ma jep ta kem unë dhe pastaj e hedh firmën. Mjeku më tha që nuk lejohet të bëhet foto dhe unë refuzova firmën.

Pastaj…?
Më dërguan në një qeli dhe qëlloi të isha përsëri me të njëjtin person që kishte pasur probleme me zemrën. Ai nisi të qante sepse edhe atë e kishin rrahur, sepse s’qëndronte dot në këmbë, e kishin transferuar nga spitali në orën 2 të natës.

Çfarë ndodhi me ju më pas?
Ditën e tretë ka ardhur një oficer, që dukej se ishte epror, sepse roja më tha ky është drejtori dhe këtij mund t’i thuash për ankesën që ke për të shkuar në spital. I tregova se ç’më ka ndodhur dhe i thashë edhe atij që kërkoj të shkoj në spital. Pasi më pa, doli nga dera e hapur e qelisë, dëgjoja që bërtiste përse e keni sjellë Alban Beshirin në këtë gjendje këtu. Merreni hidheni prapë të gjashta, ata e kanë bërë në këtë lloj gjendjeje, ata le ta marrin përsipër. Ju nuk duhet ta kishit pranuar ta sillnin këtu, merreni e kthejeni prapë mbrapsht dhe ata i thanë bashkë me mjekun, Osman Hoxha, se po ta çojmë prapë atje do të vdesë, më mirë ta mbajmë këtu se e mbajmë ngrohtë.

Mbaruat pesëditëshin sipas shkresës së prokurorit të rrethit Petrit Fusha?
Po, e mbarova këtë pesëditësh dhe prisja që të dilja nga qelia. Rreth orës 11 ka kaluar oficeri të më shohë dhe ishte bashkë me mjekun Osman Hoxha, i cili i tha “jo, jo nuk bën, është akoma me shenjë, e ka syrin e nxirë”. Dhe u largua.

Dolët?
Polici që ishte me mjekun ndërkohë bëri një telefonatë dhe erdhi tek unë. Prisja të dilja nga ora katër e asaj ditë dhe më thanë se letrën e daljes do të shkosh ta marrësh në Vaqarr.

Po përse në Vaqarr?
Nuk e di arsyen fare. Më morën tre policë, më futën në një furgon dhe më çuan në Vaqarr. Ndërkohë që unë prisja letrën për të dalë, me vjen një person e më thotë “unë jam jurist. Ti nuk do të dalësh sot, por do të bësh edhe dhjetë ditë të tjera burg, sepse të është llogaritur amnistia gabim”.

Ishte bërë gabim?
Nuk besoj ta kenë llogaritur gabim. Ata kishin frikë sepse unë isha ende me shenjë dhe do të shkoja nga burgu direkt tek ambasada britanike.

A kërkuat gjatë kësaj kohë interesin e ambasadës angleze, meqë jetoni prej 17 vitesh në Angli, keni pasaportë angleze dhe jeni edhe taksapagues në këtë vend? Vetëm vitin e kaluar sipas dokumenteve që ju
paraqisni, keni paguar mbi 7000 paund taksa?
Ditën e dytë që ndodhesha në drejtori erdhi një person që kishte bërë aksident. Atij që do të dilte i kërkova të më ndihmonte, të shkonte deri në ambasadën britanike në Tiranë dhe të thoshte se Alban Beshiri qytetar britanik është rrahur dhe dhunuar në drejtori dhe kërkon një përfaqësues nga ambasada të interesohet, të më sillnin një mjek. Personi doli, por me sa duket nuk më ndihmoi të bënte këtë njoftim, sepse nuk erdhi ndonjë përfaqësues i ambasadës, që unë e prisja nga dita në ditë.

Po ju përse nuk kontaktuat vetë, nuk ju krijua mundësia të telefononi dhe lajmëroni vetë?
Faktikisht te dera e qelisë ishte një letër e madhe, ku shkruhej për të drejtat që kanë të arrestuarit, qoftë vendës apo të huaj, por mua nuk më lejuan të flas. Më thanë se “ti nuk ke të drejtë as për avokat, as të flasësh me ambasadën. Ky është urdhri për ty”. U kërkova të ma jepnin me shkrim këtë urdhër, polici më tha që “unë lajmëroj dhe zbatoj urdhrat që më japin nga lart”.

Po familjarët tuaj nuk mundën të kontaktonin?
Jo. Mua nuk më lejonin të dërgoja asnjë mesazh as për avokat, as për ambasadën angleze.

Dhe dolët më 26 dhjetor?
Po, donim prapë ta shtynin edhe një ditë, nuk e di se çfarë llogarish nuk ju dilnin. Do dilja në një komision tjetër ndoshta. Kishte ardhur të më merrte ime motër. Ishte prezent edhe një mjek dhe tre policë. Doktori më tha “Alban mos u mërzit se do të rregullohet gjithçka, çfarë problemi ke?”. I thashë se kam gjithnjë dhimbje të forta koke dhe dua të shkoj në spital.

Ju lanë?
Jo, më tha sot s’e bëjmë dot, por nesër do të shkosh patjetër. Pastaj nxori një kokërr ilaç gjoja, s’e di, por ajo ishte me efekt shumë të fortë, një kokërr e verdhe që ai ma dhe për të më pushuar dhimbjet e kokës. E piva. Dola më në fund dhe më tre janar do të shkoja në Angli, por preva biletë tjetër për më datë 28 janar, sepse kisha frikë mos më sajonin një rreng me letra false.

Ju kishin bërë herë tjetër? Kishit akuzë tjetër, çfarë shkresash pretendoni se janë false?
Në dhjetor 2012 ku jam arrestuar për herë të parë, më ka ardhur një oficer policie, me fotokopje të pasaportës shqiptare dhe me tha se kjo është fotokopje e pasaportës tënde, ja ku janë hyrje-daljet e tua nga vendi dhe akuzohesh se ke hedhur tritol në një garazh në Vorë.

Si u përgjigjet?
U habita vërtet. Zotëri i them unë nuk kam pasaportë shqiptare, por angleze. Dhe në këto data që ju pretendoni, unë kam qenë në punë në Londër dhe vendi ku unë punoj është i gjithi nën sistem vëzhgimi me kamera dhe mundet të provohet lehtësisht se kam qenë në Angli dhe jo në Shqipëri dhe pamjet filmike, regjistrimet e kamerave, në atë punë ku unë jam ruhen nga tre deri në pesë vjet, mund të merreshin me një kërkesë zyrtare nga institucionet e drejtësisë.

Si veproi policia pastaj?
Kjo ishte në dhjetor 2012. Unë aso kohe njoftova ambasadën britanike dhe ata erdhën te 302 ku ndodhesha unë. Fillimisht u tremba se thashë do më marrin pasaportën angleze. Kur i kërkova oficerit të policisë se çfarë janë këto shkresa false, më tha është shteti kurvë anglez që të ka dhënë pasaportë ty, se t’i kisha thyer brinjët dhe iku me gjithë dosjen false që kishin bërë për një akuzë tritoli që unë e paskam vënë nga Londra në Tiranë.

Në këtë rast ju erdhën?
Po, erdhën.

U interesuan më tepër.
Jo, sepse në atë periudhë kishte ca probleme hajdutësh edhe me ata.

Konkretisht?
Aty ka qenë një kokëmadh me syze që dilte e bënte ndonjë punë.

Më konkretisht?
Të shisnin ndonjë vizë dhe nuk u interesonte shumë për ndonjë konflikt tjetër si ai që prezantova unë.
Kjo është akuzë e rëndë dhe nuk mund të themi thjesht se ekziston, ndonëse janë liberalizuar vizat, janë sërish disa shtete që kërkojnë vizë edhe këtu kërcet leku për të marrë një vizë…?

Është normale kjo gjë…
Jo, normale s’është. Jo, unë them se është normale se e kanë bërë shokët e mi, kanë paguar. Shumica kanë paguar. Shumica e shokëve të mi kanë dhënë lekë.

Këto shokë të tu janë në Angli tani?
Po, kanë qenë në Angli dhe janë në Angli.

Po sa kanë paguar këta për të marrë vizat?
Po ka pasur raste deri në 15 mijë euro. Ka pas raste jepte një kafe 1 mijë euro dhe merrte vizë gjashtëmujore. Kjo ka ndodhur shpesh.

Kush i merrte këto para?
Nuk e di. Sekserë të ambasadës mendoj. Nuk e di si shpërndaheshin lekët dhe ku shkonin brenda.

Po ju thoni shokët e mi?
Një shoku im që unë nuk po e përmend me emër, tri herë ka marrë vizë, radhën e katërt nuk dha një mijë euro, iu refuzua viza.

Personi tjetër kishte paguar 15 mijë euro?
Po, e di personin që ka paguar 15 mijë euro.

E keni denoncuar këtë pretendim tuajin në Angli atje ku ju jetoni?
Tani doja të mbyllja këto çështje false. Avokati më tha se kjo puna e tritolit kushton 20 mijë paund për ta mbyllur, kjo tjetra rreth pesë apo gjashtë milionë lekë. Kishte një listë çmimesh.

Denoncuat në Angli këtë çështjen e vizave?
Unë të gjithë këtë ia kam shpjeguar deputetit të zonës, ia kam dërguar me shkrim. Më ktheu përgjigje se ai personalisht nuk mund të ndërhynte se nuk ishte eurodeputet, por do ta ndjekim dhe do të mundohemi të të ndihmojmë. Pas këtij kallëzimi, ambasada britanike më merrte në telefon në çdo seancë gjyqësore dhe interesohej për ecurinë e procesit, sa para të kërkojnë për çështjen. Pas këtij denoncimi, me sa di unë, nuk japin më viza angleze në Tiranë dhe procesi i vizave u zhvendos në Poloni, nuk e di se si ka ndodhur.

Denoncimin te deputeti i zonës suaj në Angli e keni bërë me emra konkretë?
Sigurisht që po, kisha emrin tim aty si kallëzues dhe gjithçka, edhe emrat e tjerë ua kam treguar. Kallëzimin e kam bërë edhe tek Ministria e Jashtme angleze, të cilët me thanë se duhet të bësh denoncimin në ambasadë.

Kallëzuat te deputeti dhe Ministria e Jashtme, ka pasur reagim?
Nuk mund të fajësoj shtetin anglez për këtë histori, pasi ata nuk kanë gisht në këtë çështje, unë kam 17 vite në Angli dhe jam trajtuar si qytetar britanik dhe për mua është shteti më i mirë në botë.

Thatë që keni njoftuar dhe ministrin e Brendshëm?
Unë Sajmir Tahirit i kam shkruar tri letra, kam kopjet e mandatet se ia kam dërguar në institucion, një kopje të letrës prokurorit Petrit Fusha dhe një ambasadës britanike në Tiranë. Kur unë jam larguar të janar 2014-ës, më ka shkuar policia tek shtëpia në orët e para të mëngjesit. Aty kisha dy prindërit, babain të paralizuar dhe nënën pensioniste. Kur unë isha në Shqipëri nuk më kërkonin sapo ikja, shkonin e bënin presion te shtëpia dhe prindërve të mi. U kanë thënë se kështu na vjen urdhri nga lart për të ushtruar kontroll. Ndërkohë unë kam vajtur edhe në shkurt, edhe në prill kur më vdiq babai dhe prokurorët më kanë thënë se largohu s’kemi punë fare me ty.

Ku e ndjetë se ishte presion?
Kur më vdiq babai në prill 2014, dy ditë më pas erdhën tre persona dhe ishin afër meje, njëri nxori armën.

Përse mendoni se e kishin me ju?
Po s’kishte njeri tjetër aty. Ishin përballë meje. Nuk i njihja, nuk i kisha parë ndonjëherë, nuk ishin nga Vora, me sa kuptova unë, mu dukën si policë se ishin trupa të mëdhenj e të gjatë. U shqetësova, por nuk e bëra alarm, sepse kisha njerëz në shtëpi për vdekjen e babait, por ishte mesazh për mua. Përveç Sajmir Tahirit, s’kisha probleme me njeri-tjetër.

Përse mendoni dhe thoni është Tahiri, ai s’mund të jetë përgjegjës për veprimet e 9 mijë policëve që ka vartës?

Kam një shok që është mik me ministrin dhe unë nëpërmjet tij i kam përcjell shqetësimin tim ministrit.

Ka pasur persona të tjerë që ju kanë bërë presion dhe ju pretendoni se janë nga e njëjta adresë?
Atë ditë që erdhën këta policë, pas largimit të tyre, na ndërprenë energjinë në banesë, duke pretenduar se jemi debitorë, ndonëse nëna ime kishte librezën ku provohej se kishim bërë të gjitha pagesat dhe nuk ishim aspak debitorë.

Nuk u ankuat në polici?
Po, në të njëjtën ditë që më erdhën këto persona, shkova te komisariati gjashtë, e takova një shef policie. Pastaj edhe dikë që punonte në Drejtorinë e Policisë.

Çfarë biseduat?
Personi erdhi në Vorë. I thashë se çfarë po më ndodhte. Pastaj më tha do të të tregoj diçka, por emri im nuk del. Ai ka qenë në zyrë dhe sipas tij, ministri ka thënë se me ambasadën e rregulloj, unë ju përpiquni dhe tregoni kujdes që të mos dalë në media.

Dhe çfarë të sugjeroi njeriu i policisë?
Ai më tha Alban do të tregoj një gjë. Kujdes se mund të vijë Emiliano Shullazi, zakonisht e përdor ministri për punët e pista.

Ju tha se do vijë Shullazi të të bëjë presion?
Jo, ai nuk më tha se do të vijë të të bëjë presion, por vjen të gjuan me armë direkt. Shiko, mos dil natën rrugëve të Vorës. Më tha se i sakatoi këto, sidomos këto të PD me gjoba, kështu më tha ai, nuk e di se si ia ka bërë.

Kujt atyre që janë me biznes?
Këtyre të PD tha ai, zakonisht kur nuk ulin kokën, sipas asaj që më tha ai, kështu veprohej. Këto të PD që nuk ulin kokën, i ka kref me gjoba, prandaj kujdes se e përdor Sajmir Tahiri për punët e pista.

Ju e morët si këshillë këtë, e vlerësuat si rrezik, apo patët rast konkret që të besonit se po thoshte të vërtetën?
Unë në fakt nuk e besoja që të kalonte ministri këtë vijë të kuqe, që një personi me pasaportë angleze t’i dërgonte Emiliano Shullazin ta kërcënonte drejtpërdrejt. Më tha të lajmëroja ambasadën që policia pas interesimit të saj të të ofrojë mbikëqyrje, sepse po të vijnë njerëz e të kërcënojnë. Megjithatë, më tha paç fat.

Shkuat në ambasadë?
Po, shkova. Isha dhe i stresuar, sapo më kishte vdekur babai dhe i njoftova që po më kërcënojnë, po më vijnë persona dhe po më kërcënojnë. Më thanë merr një avokat, nuk të ndihmojmë dot. Kaq ishte këshilla e tyre.

Ndodhi që këto të ishin hamendje?
Jo. Një ditë më pas, me katër miq shkova në një lokal për drekë, jashtë Tiranë, rrugës për në Elbasan. Kisha marrë paralajmërim nga tre veta. Dhe aty erdhi i njëjti person për të cilin po flasim, e që mua më kishin thënë të bëja kujdes, erdhi Emiljano Shullazi.

Po aty mund të vijë kushdo?
Ndoshta. Ishin rreth 30 vetë, qëndruan jashtë u bllokua rruga. Sigurisht u shqetësova se paralajmërimet ishin për mua, gjithçka mund të ndodhte. E kisha parë në media, ndërsa nga afër, asnjëherë. E mora mesazhin se për mua ishte, se më thoshin të gjithë kujdes, kujdes. Kështu që s’erdhi për njeri tjetër, s’ishte kush tjetër aty.

I dënuar, i kërkuar, i kërcënuar, sa besoni te drejtësia shqiptare?
Jo aspak, kjo fjalë në Shqipëri nuk ekziston. Le ta sjellin dosjen në Angli, çdo shkresë e akuzë që kanë kundër meje, ta sjellin këtu. Drejtësinë angleze dhe gjykatën angleze e besoj, kam shumë besim tek ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura