Rrëfimi i rrallë i partizanes Agllaia Zoto: Ju tregoj çastet kur i lutesha komandantit të Brigadës që mos ta ekzekutonin André Clur! Takimi me robin gjerman që shpëtova në Vlorë

Jun 26, 2022 | 17:53
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ “Kur jetoja në Paris kam takuar njërin nga robërit gjermanë që e kisha shpëtuar gjatë luftimeve në Vlorë në vitin 1944. Kam shkruar për këtë histori në shtypin francez”.

Rrefimi Agllaia Zoto-Robi gjermani

Është ky një nga episodet interesante që Agllaia Zoto e ka hedhur telegrafisht në shënimet e saj pa përmendur rrethanat si është njohur e çfarë raporte ka pasur me francezin që ka luftuar në Shqipëri.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Një ditë të nxehtë qershori të vitit 2010, kur ajo ishte rikthyer për herë të fundit në Tiranë dhe jetonte në shtëpinë e Ilir Çumanit, drejtorit të Përgjithshëm të Institutit Kombëtar të integrimit të jetimëve, fola nga afër me të dhe e pyeta dhe për historinë e takimit me robin gjerman në Paris.

“Një ngjarje e vjetër ajo, u shpreh aty për aty Agllaia, mendova t’i bije shkurt në shënimet e mia, se i zoti e ka hedhur vet, madje në një libër të tërë”. Sidoqoftë, këtu te ne nuk është përmendur ndonjëherë, e ngacmova unë, duke këmbëngulur të mësoj diçka më shumë nga kjo histori e veçantë. Dhe ajo me atë bujarinë karakteristike dhe me zërin e veçantë, nisi të tregojë si për një ngjarje që e kishte përjetuar një ditë më parë…

Zonja Agllai! Rasti i takimit me ushtarin gjerman pas 40 vitesh në Paris, ka të bëjë me faktin se ju gjatë kohës së luftës bënit dhe përkthyesin ndërmjet komandës së Brigadës së Pestë dhe robërve të luftës?

Unë nuk kam qenë një përkthyese permanente, por këtë e kam ushtruar vetëm në pak raste, sipas nevojës. Unë, fund e krye gjatë luftës nacionalçlirimtare, isha një partizane e thjeshtë, që asnjë moment nuk u shkëputa nga betejat në front. Pikërisht aty kam pasur edhe kontaktet e para me robërit e luftës, së pari me ata italianë e më vonë me ushtarët nazistë. Së paku, në perceptimin tim, historia e tyre, në rrethanat tona, ishte tejet dramatike. Po njëherazi dhe një histori komplekse. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për ballafaqimin e forcave të brigadës sonë me ta, por edhe të formacioneve të tjera të ushtrisë nacionalçlirimtare…

Çfarë keni parasysh kur e stigmatizoni si dramatike e komplekse historinë e robërve gjerman në Shqipëri?

Në rastin e robërve, në përgjithësi, aspekti dramatik, si të thuash, është pjesë e pashmangshme e fatit të tyre. Komplekse historinë në rrethanat shqiptare e bënte mënyra si u përjetua prania e tyre gjatë dinamikës së luftimeve dhe veçanërisht si u sollëm ne me ta. Së pari, për shumëkënd nga partizanët, çdo ushtar nazist ishte një barbar, një hitlerian i pashpirt dhe çdo ballafaqim me të parakuptonte dilemën e sfidës për jetë a vdekje. Në fakt, përtej kësaj pamje të përgjithshme fshihej diçka jo krejtësisht e tillë. Nga kontaktet e para me robërit nazistë, mësuam se jo të gjithë i përkisnin identitetit gjerman. Një pjesë e madhe ishin me origjinë polake, çeke, bjelloruse, turke, malteze etj. Komunikimi me ta na bëri të njohur dhe një fakt tjetër: Shumë syresh ishin thirrur nën armë forcërisht, jashtë vullnetit të tyre. Sipas dëshmive të ndryshme, rezultonte se një pjesë e konsiderueshme ishin mobilizuar përdhunshëm në shtëpitë e jetimëve. Pra, nga gjithë ajo turmë e tmerrshme, jo të gjithë ishin të tillë, ca më tepër pjesa që dorëzohej vetë pa kurrfarë rezistence. Ky realitet na zuri disi në befasi, gjë që ndikoi në reagimet e ashpra e sjelljet brutale ndaj robërve gjermanë. Ishte kjo një veçori e rrafshit psikologjik që në njëfarë mënyre vendoste drejtpërdrejt për fatin e tyre. Aspekti tjetër lidhej me mungesën e përvojës së komandave e shtabeve partizane. Prania e robërve për ta ishte një dukuri e papritur dhe e paparamenduar, për rrjedhojë reagimi mbeti spontan e në mëshirë të shkrepjeve të momentit. Nuk bëhej fjalë për një strukturë të veçantë e për organizime logjistike për ta. Autoritetet e luftës, së paku ato të zonave operative, nuk kishin dijeni për Konventën Ndërkombëtare të Robërve të Luftës dhe për trajtimin e tyre operonin partizançe. Fatkeqësisht, këto e rrethana të tjera të kësaj natyre u bënë përcaktuese për fatin e mjaft prej robërve nazistë…

Pra, nga mënyra si ishte orientuar lidershipi i luftës, pjesa më e madhe e robërve kaloi para skuadrës së pushkatimit…

Pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme, procedura e ndjekur në çështjen e trajtimit të robërve nazistë dominohej nga arsyeja njerëzore. Ndryshe nuk do të ishte riatdhesuar një pjesë e madhe e tyre pas luftës..

Kur veçoni arsyen njerëzore, keni parasysh vetëm vullnetin e urdhërdhënësve dhe ndjeshmërinë e partizanëve gjatë ballafaqimit me ushtarët e kapur në front…

Kur përmend arsyen njerëzore dhe emocionalitetin e trupës, u referohem ballafaqimeve të para me robërit e luftës, që i përkasin fundit të vitit 1943. Prania e tyre ishte një realitet befasues dhe krejt i ri për partizanët e thjesht dhe eprorët e frontit, për rrjedhojë dhe reagimi ishte spontan dhe agresiv. Sidoqoftë, me masivizimin e këtij fenomeni, komanda qendrore filloi të mendojë për ta institucionalizuar si procedurë, duke orientuar strukturat dhe shtabet e vartësisë me urdhra e udhëzimeve zyrtare. Pikërisht mbi bazën e tyre filloi grumbullimi i robërve nga periferitë në qendër të zonave operative. Aty bëhej regjistrimi i tyre duke evidentuar gjenialitetet e çdonjërit. U krijuan sakaq skuadrat e veçanta që merreshin me trajtimin e robërve. Përmbledhtas do të thosha se nga ky moment nisi një etapë tjetër me ta, u evituan rastet ekstreme, u vendosën urat e komunikimit, u bë mjekimi i të sëmurëve e së fundi dhe tërheqja e tyre në radhët e forcave partizane. Pak a shumë kështu rrodhi historia me ta deri në përfundim të luftës. Në vazhdim, të mbijetuarit u grupuan në qendra të mëdha dhe deri në momentin e riatdhesimit u angazhuan me detyra të ndryshme. Një pjesë e mirë u morën me çminimin e zonave urbane dhe rindërtimin e urave të rrënuara gjatë operacioneve luftarake. Të tjerët me sa më kujtohet u angazhuan me rivendosjen e ndërlidhjes ndërqytetëse. Ideja ishte që veç energjive fizike të shfrytëzonim dhe kapacitetet profesionale të tyre, aq të domosdoshme në atë periudhë kritike për vendin…

Çfarë kujtoni nga momentet kur bënit përkthyesin e robërve gjermanë?

Ka pasur gjithsej dy-tri raste të tilla. E ka dashur nevoja që si njohëse e frëngjishtes, të bëja përkthyesin e robërve nazistë me eprorët e shtabit të Brigadës. Kam përkthyer për një ushtar nga Lioni dhe një tjetër nga Strasburgu. Jam befasuar kur kam dëgjuar nga goja e tyre se njihnin “Manifestin komunist” dhe këndonin mirë “Iternacionalen”. Madje, tregonin se ishin mobilizuar forcërisht kur aderonin në lëvizjen komuniste. Këto rrëfime për shokët e komandës fillimisht tingëllonin të pabesueshme, por gjatë kontakteve të mëtejshme, u bindën dhe ata. Fakti që në radhët e nazistëve kishte edhe ushtarë me bindje krejt të kundërta, ishte diçka e papritur. Sidoqoftë, orientimi i eprorëve ishte për të evidentuar rast pas rasti profilin e çdo ushtari të kapur në front…

Cili ishte fati i këtyre dy robërve francezë?

Ushtarin nga Lioni, pas shpjegimeve në shtabin e brigadës, e çuan në spitalin partizan. Aty i shkëputa kontaktet dhe nuk mora vesh çfarë ndodhi me të më vonë.

Ushtari nga Strasburgu shpëtoi dhe u kthye mirë e bukur te prindërit. Madje, vazhdon të jetojë. Jam takuar disa herë me të. André Clur e quajnë. Ka histori interesante jeta e tij…

Si mbeti në duart e partizanëve André Clur dhe në çfarë rrethanash mundi të shpëtojë?

André Clur u kap nga partizanët e Brigadës së Pestë gjatë një prite në Sevaster, në prill të vitit 1944. Kur u asgjësua i gjithë grupi me 40 veta, ai u dorëzua pa bërë rezistencë. Bashkë me Leka Shkurin e Babaçe Faikun, dy shokët e njësitit, iu afruam. André Clur fliste frëngjisht. Kam pesë vjet, tha, që bashkëjetoj orë e çast me vdekjen. Më qëlloni të shpëtoj njëherë e mirë. Na tregoi pastaj peripecitë që kishte kaluar në front. Në fund na u lut të vinim dorën në zemër se ishte vetëm 20 vjeç dhe se e prisnin prindërit e moshuar që nuk kishin fëmijë tjetër. Një moment pashë nga shokët. Vështrimi i egërsuar i syve të tyre dukej sikur më urdhëronte ta qëlloja. Ua shpjegova atyre tërë rrëfimin e tij. “Gënjen qafiri, gënjen të kalojë lumin”, bëri Babaçia. “Po tjetër, ç’thotë”, u hodh Leka. Pas disa çasteve heshtje, Babaçja tha se duhej ta çonim në komandë. Sakaq i lidhëm duart me litar dhe u nisëm. Shtabi epror ishte disa kilometra larg. Gjatë rrugës, André Clur vazhdonte ritualin e lutjeve. Një çast kur e pashë me lot në sy, i thashë se do shpëtonte. Të paktën unë e sigurova se për rastin e tij do bëja të pamundurën. Vërtet?!, bëlbëzonte ai. Vërtet, i thashë, duke i kujtuar se do t’i kërkoja komandantit mos ta pushkatonim. Kur mbërritëm në shtab ishte buzëmbrëmje. Në kontaktin me gjeneralin i shpjeguam dhe rastin e André Clur, të cilin e kishin lidhur te një pemë jashtë komandës. Nuk e pushkatuat?, na pyeti ai. Jo, i thashë, dhe mendoj ta falim. Ky reagim ishte befasues për të, megjithatë dikur ia mbusha mendjen dhe në njëfarë mënyre mora aprovimin e tij. Kaq u desh dhe ushtari nga Strasburgu nuk kaloi para skuadrës së pushkatimit. Pas luftës u riatdhesua bashkë me robërit e tjerë që mbijetuan…

André Clur jeton, madje ju thoni se e keni takuar disa herë…

Me të jam ndarë në vitin 1944 në Vlorë e jam takuar pas gati 40 vitesh në Paris. Ka qenë një takim i papritur. Ishte periudha kur unë jetoja në Francë si azilante politike. Gjatë aktivitetit me shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, isha shpesh e pranishme në shtypin e ditës ku trajtoja histori të ndryshme. Në një rast kisha botuar diçka nga historia e robërve gjermanë në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, ku përmendja edhe rastin e André Clur. Aty shkruaja atë që kishte ndodhur me të në ‘44, duke vënë në dukje se nuk dija çfarë kishte ndodhur me të pas luftës, a i kishte takuar prindërit e moshuar dhe si kishte rrjedhur jeta e tij. Shkrimi me sa duket kishte rënë në dorën e tij. André Clur pastaj ishte interesuar te gazeta dhe erdhi e më takoi. Unë partizania që e kisha shpëtuar dikur, më në fund isha përballë tij pas 40 vitesh.

“Gjyshja jetime”, mysafire në shtëpinë e kreut të Institutit të Jetimëve

E rikthyer në Tiranë pas 15 vitesh, Agllaia Zoto bëri një rrëfim interesant në përkujtimoren e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve, që zhvillohet çdo 20 maj. “Gjyshja jetime”, sikundër prezantohej, foli me zemër në dorë për fatin e trishtë të shumë fëmijëve pa prindër. Kur mbaroi veprimtaria, mysafirja e ardhur nga larg, përfundoi në shtëpinë e kreut të jetimëve. Aty, Ilir Çumani me të shoqen dhe dy fëmijët e mbajtën “në pëllëmbë të dorës”. Nga maji i vitit 2010 e deri në shtator të atij viti “gjyshja jetime”, u bë pjesë e familjes Çumani. Mjedisi i ngrohtë dhe dashamirësia e të zotëve të shtëpisë, e bënë me krahë mysafiren e veçantë. Komforti i mikpritjes i dha dorë asaj ti kthehej e rikthehej historisë së saj, si asnjëherë më parë. Jetëshkrimi i Agllaisë, kujton Ilir Çumani, i ngjan një drame të jashtëzakonshme. Në thelb, fati i saj, përkufizon ai, është fati i Shqipërisë në miniaturë, me ëndrra e zhgënjime, me rrëzime e ringritje, me ditë të bardha e muaj të zymtë. Ilir Çumani, ky djalë i rrallë e energjik, që nuk ka njohur dashuri nëne, se është rritur në shtëpitë e jetimëve, kishte kësisoj një arsye më shumë për ta bërë Agllaia Zoton pjesë të familjes. Madje, jo vetëm ai, por dhe fëmijët dhe e shoqja kur erdhi dita për t’u ndarë u ndjen keq dhe u përlotën. Trokiti Iliri i papërtuar për kësi punësh në të gjitha institucionet për t’i gjetur një strehë kësaj gruaje të veçantë me historinë e Shqipërisë mbi supe, po shteti si shteti nuk ka vesh për të tilla kërkesa. Atëherë iu drejtua komunitetit të biznesit dhe më në fund e sistemoni “gjyshen jetime” në një shtëpi komode. Uratat e Agllaisë nuk kishin të shteruar, por përsëri, siç thoshte, komoditetin e strehës së familjes Çumani, nuk do ta gjente kurrë. U takova disa herë me të kur qëndronte në shtëpinë e Ilirit. Rrëfimet e saj të sinqerta dhe të jashtëzakonshme të rrëmbenin e të fusin në mendime. Një histori e pa dëgjuar, sa e trishtë aq dhe interesante. Bukur e thoshte Iliri: Historia e Shqipërisë në minaturë, e Shqipërisë në monarki, në luftë, në diktaturë e së fundi në neodemokraci.

André Clur ritakon shqiptaren që e kishte burgosur dhe e shpëtoi

Prill 1944. Pranvera po ikën dhe Lufta e Dytë Botërore po shkon drejt vitit të pestë të saj.

Mbi një rrugë me pluhur që gjarpëron diku nga jugu i Shqipërisë, midis maleve të mprehta dhe luginave marramendëse, një grup ushtarësh të Wehrmacht-ut përpiqet të gjejë një kolonë rivitalizimi, e cila është zhdukur me armë dhe më bagazhe në natyrë. Me grupin gjerman nuk shkohet larg. Partizanët shqiptarë janë me siguri diku aty, të padukshëm, në këtë natyrë të egër ku ata lëvizin si peshku në det. Këta shqiptarë nuk kanë ndonjë reputacion të veçantë. Ata përfliten për tortura dhe masakra ndaj ushtarëve të paarmatosur. Dhe meqenëse disa nga njësitë gjermane nuk kanë hezituar të djegin, të vrasin, të përdhunojnë, ushtarët me uniformë ngjyrë të gjelbër në gri dëshironin të ishin shumë larg prej aty… Me siguri që është njëri që do të dëshironte të ishte larg prej aty dhe pa këtë dreq uniforme të Wehramcht-it në trup. Ky është André Clur. Atëherë 20 vjeç. Ishte me origjinë nga Katzen. Pesë vjet i larguar nga streha e tij. Pesë vjet larg prindërve të moshuar që nuk kanë gjë më të çmuar se atë. Në pesë sekonda pa si ranë përdhe shokët e tij. Oh, sa skena të tilla kishte parë këto pesë vjet! Sa prej miqve kishte lënë në këto shtigje të zymta. Vetëm se janë gjermanë, nazistë, se njihen të egër e barbarë në luftë. André Clur qëndron i tronditur. Këmbët me zor e mbajnë. Pret vdekjen nga çasti në çast. E vdekja si vdekja, vjen kur do ajo. Po paska qenë larg me të. Shumë larg, madje. Pavarësisht grykave të armëve që i rrinë te gjoksi. Pavarësisht urrejtjes së tërbuar të partizanëve që e rrethojnë. Me ta thonë se komunikohet vetëm me fytin e armëve. Fyti i tyre nuk di gjuhë tjetër. Po edhe nëse di diçka, vorbulla vdekjeprurëse nuk të lë ta kuptosh. A kanë zemër këta përbindësha?, murmurit nëpër dhëmbë André Clur. Si?, Çfarë the?, i afrohet me një frëngjishte të pastër e vetmja femër e grupit partizan. Një vajzë syshkëndi, që me sa duket ka diçka më shumë se të tjerët. Shokët e vështrojnë të egërsuar, sikur t’i ketë tradhtuar në kodin të sjelljes me kundërshtarin. Asgjë nuk mund ta kuptosh në këtë vorbull vdekjeprurëse. Po ai… Ai shpëtoi, fare rastësisht, vetëm nga një psherëtimë. I buzëqeshi fati atëherë kur priste tragjedinë, breshërinë e pandalshme të partizanëve bolshevik. Falë zemrës së mirë të një vajze veshur me uniformën e luftës dhe yllin mbi kapele me emrin Agllaia Zotos. Po si ndodhi e papritura, ata e ritregojnë pas 34 vitesh pas një takimi surprizë. Agllaia pas shumë peripecish ka mbërritur në Francë ku ka marrë strehim politik e në artikulimet e shumta me shoqatat për të drejtat e njeriut, një ditë të bukur do të tërhiqte vëmendjen e një gazetari që do tregonte dhe historinë e André Clur.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU:

“Do ikësh, kur të themi ne këput qafën”- Rrëfimi i rrallë i partizanes për ferrin në kampin e internimit: Tri letra i shkrova Enverit, por… (Pjesa 4)

“Tradhtare”, “Shtrigë e shitur”- Rrëfimi i rrallë i partizanes Agllaia Zoto: Enver Hoxha më solli Kadri Hazbiun në Sofje duke më kërkuar divorcin  (Pjesa 3)

“Nga qelitë e Serbisë, te dasma me prokurorin e Sofjes”-Rrëfimi i rrallë i partizanes: Martesa me Dhimitër Zdravçevin u miratua nga Enveri, por… (PJESA 2)

Historia e rrallë e partizanes që provoi tmerrin e shërbimeve sekrete komuniste: Ju rrëfej prapaskenat e eliminimit të shoqes time Ramize Gjebrea (Pjesa 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura