Rrëfimi i rrallë i dëshmitarit shqiptar: Si më detyruan serbët të rrah vëllanë

Nov 13, 2017 | 20:48
SHPËRNDAJE

Bekim Musa dëshmitari në gjykimin për krime lufte të Zoran Vukotiçit, tregoi si i akuzuari e detyroi të rrahet me vëllanë.

Në gjykimin e Zoran Vukotiçit për krime lufte ndaj popullatës civile në zonën e Vushtrrisë, dëshmitari Bekim Musa tregoi se si një polic i Serbisë e vrau një djalë në vitin 1999 në Studime të Vushtrrisë, shkruan kallxo.com.
dd_1510521546-2263900

Vrasjen e djalit dëshmitari e përshkroi kur u pyet nga prokurori se ku ndodhej më 2 maj të vitit 1999.

Bekim Musa tha se atë ditë ndodhej në fshatin Studime, ndërsa bashkë me njerëz tjerë në kolonë po lëvizte drejt Vushtrrisë, ashtu siç tha se i kishte urdhëruar policia serbe.

“Gruaja e axhës ka pasë nje çantë, ndërsa një djalë aty po i ndihmonte, ka ardhë një polic i veshur me uniformë ka kapë djalin e ka tërhjek dhe e ka vra”, tha deshmitari.

Ai tha në gjykatë se kishte parë edhe të vrarë tjerë.

“Unë vetë kam parë persona të vrarë në traktor”, tha Bekim Musa.

Dëshmitari deklaroi se kishte parë edhe kuaj të vrarë, nëpër gjakun e të cilëve tha se kolona kishte ecur për disa metra.

“Ka pasë kuaj të vrarë dhe kemi ecur nëpër gjakun e tyre rreth 30- 40 metra. Pas kësaj ka fillu breshëri plumbash dhe jemi shtri të gjithë në tokë, një kohë kanë zgjatë plumbat që na kanë ardhë përmbi”, tha Bekim Musa.

Bekim Musa tregoi pastaj se ishte i burgosur bashkë me vëllanë e tij, ndërsa rrëfeu se si Vukotiq i kishte detyruar dy vëllezërit të rrihen mes vete.

“Zorani më ka detyruar me u rrahë me vëllain tim Shukriun”, tha dëshmitari Musa.

Ai më pas shpjegoi në detaje se si ndodhi kjo rrahje.

“Na kanë qit ballë për ballë sikur në ring dhe na kanë thanë me u rrah në mes veti. Ne kemi fillu me u rrah pak, pastaj Zorani më ka godit me shuplakë dhe më ka thanë jo kshtu, më shumë. Pas kësaj i kam thanë vëllait më mirë me më rrahë ti, sesa me na rrahë kta dhe kemi fillu me u rrahë me njëri-tjetrin”, tha dëshmitari Musa.

Duke iu përgjigjur pytejeve të prokurorit Paul Flynn se si silleshin të burgosurit në Smrekonicë kur në ndërrim ishte Zoran Vukotiqi, dëshmitari tha se kishte të burgosur që për t’iu shmangur maltretimeve nuk shkonin as për të ngrënë bukë në kuzhinën e burgut.

“Sa kemi qëndru në Burgun e Smrekonicës, e di që kur ka qenë radha që Zorani me ba roje, të gjithë të burgosurit frikësoheshin. Ka pasë edhe prej atyre qe as bukë nuk kanë shku me hangër për shkak të frikës nga ai”, tha dëshmitari Musa.

Ai përmendi edhe një rast tjetër kur tha se u rrah nga Zoran Vukotiqi.

“Zorani më ka rrahur me pendrek duarve, kur kam shkuar ne kuzhinë për të ngrënë bukë”, tha dëshmitari.

Bekim Musa tha se ka dëgjuar se tash i akuzuari Vukotiq e kishte detyruar një të burgosur ta rrihte babanë e tij.

“Me pa nuk e kam pa, por kam ndi që e kanë detyru djalin me e rrah babain dhe krejtve na ka ardhë shumë keq, se ma zor se me rrah djali babën nuk ka, aq më pak kur je i detyruar”, tha dëshmitari.

Musa e përmendi edhe pamjen e Zoran Vukotiqit në kohën e luftës.

“Zorani ka qenë një polic i gjatë dhe i plotë, e di që ka punu në gjykatë para lufte”, tha dëshmitari.

Në gjykimin e Vukotiqit dëshmoi edhe Shukri Musa që është vëllai i Bekim Musës.

Shukri Musa tregoi se ushtria serbe në kooperativën bujqësore në Vushtrri i kishte ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat prej një kolone që po lëvizte në fshtrat e Vushtrrisë gjatë kohës së luftës, shkruan kallxo.com

Ai deklaroi se pas ndarjes burrat ishin hipur nëpër kamionë dhe ishin dërguar në Burgun e Smrekonicës.

“Kur kemi arritur në Burgun e Smrekonicës jemi bërë rresht për një dhe i kemi dhënë të dhënat personale te një njeri që ishte aty”, tha Shukri Musa.

Ai bëri të ditur se katër ditë nuk u kanë dhënë ushqim në burg.

“Pas katër ditëve  na e kanë sjellë 1 kilogram kripë dhe e kena marrë secili e kena qit ngapak në dorë dhe kemi vazhdu edhe atë ditë vetëm me ujë”, tregoi vuajtjet Shukri Musa.

Ai tregoi se të gjithë të burgosurit në Smrekonicë kishin vetëm 30 minuta për të kryer nevojat e tyre fiziologjike në banjo.

Në seancën e kaluar njëri nga dëshmitarët tregoi se e kishte parë Vukotiqin teksa kishte vrarë një 14 vjeçar në Studime të Vushtrrisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura