Rrëfimi i Rektorit të UT: Dhori Kule në krye të një grupi të strukturuar, duan fondet e studentëve (E plotë)

Feb 19, 2018 | 21:07
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Në Universitetin e Tiranës sot nuk ka paqe. Dy struktura paralele për menaxhimin e universitetit, në fushën akademike dhe atë financiare, Ligji i ri për Arsimin e Lartë i ka nxjerrë sot në fushëbetejën për më shumë kompetenca.

kule-koni

Bëhet fjalë për rektorin dhe administratorin, senatin akademik dhe bordin e administrimit. Së paku, këto janë ato që duken. Çështja u implikua më tepër kur javën e kaluar katër dekanë, nga gjashtë fakultete që ka Universiteti i Tiranës, bënë publik lajmin se prej kohësh i kishin kërkuar ministres shkarkimin e rektorit, Mynyr Koni, duke u pozicionuar kështu hapur në palën tjetër të konfliktit.

Në një intervistë për “Panorama”, rektori Koni sqaron arsyet që qëndrojnë pas këtij qëndrimi dhe rrjedhën e përplasjes me debatet dhe pakënaqësitë midis tyre. Po ashtu, ai jep prova të forta të lidhjes së dekanëve me administratorin dhe bordin e administrimit, ndërsa akuzon këta të fundit për shkelje të rënda ligjore përgjatë më shumë se një viti në drejtimin e universitetit.

Universiteti i Tiranës, prej kohësh po përballet me një situatë të paprecedentë. A mund të na thoni çfarë nuk ka shkuar siç duhet?

Problematika tashmë e shfaqur hapur për Universitetin e Tiranës ka një periudhë më shumë se 1 vit, e cila e ka çuar universitetin në një kolaps të administrimit financiar dhe të procedurave akademike. Embrionet e para të kësaj situate kanë nisur në fillim të vitit 2017, me konstituimin e bordit të administrimit. Dua të sqaroj pretendimet e kolegëve, të cilat kanë qëllime të drejtpërdrejta intimiduese të publikut, ku në çdo deklarim të tyre nxjerrin si një argument që rektori ka nënshkruar kontrata dhe ka shkelur ligjin.

Së pari, në kohën që flasim, UT ka pasur kancelar dhe jo administrator. Kancelari ka zhvilluar veprimtari si kontraktor deri më 31 dhjetor 2016 me një autorizim të lëshuar nga ish-rektori Kule. Me 1 janar deri në maj, kur unë mora detyrën, ai ka vepruar pa autorizim të rektorit. Në vitin 2017, pavarësisht se i kisha kërkuar të bëjë autorizimin, kancelari nuk e bënte. Lindën probleme dhe unë përgjegjësitë e autoritetit i mora vetë. E drejta e rektorit për të firmosur kontrata bazohet në ligjin e prokurimit publik, në një vendim të Këshillit të Ministrave, mbi Ligjin e Arsimit të Lartë neni 39, pika 12 dhe në nenin 25 të statutit ku thuhet se i vetmi autoritet kontraktor në Universitetin e Tiranës është rektori, me përjashtim të rasteve kur autorizon dekanët ose kancelarët.

Në këto kushte unë kam firmosur dy kontrata, të cilat i përmendin sot kolegët e mi. Në fakt, ato kanë qenë procedura të prokurimit të shpallura që nga nëntori i 2016-ës, unë thjesht kam bërë finalizimin dhe mbylljen e tyre. Gjithë procedura është zhvilluar nga kancelari. Kjo shkëputje, disa personave, ish-rektorit Dhori Kule, Ervin Demos, Artan Hoxhës dhe Edmond Raptit, përkatësisht kanë qenë rektor, dy zv.rektorë dhe drejtor juridik në Rektorat, pra një strukturë e mirëorganizuar, shqetësoi dhe vuri në lëvizje me konstituimin e bordit, duke tentuar në mënyrë të vazhdueshme për të bllokuar punën e rektorit.

Sipas jush, ish-strukturat drejtuese, sot në poste të tjera, kanë ende akses në Rektorat? Cili është qëllimi?

Për mendimin tim, ai është një grup i strukturuar në UT, i cili si gjatë kohës që ka drejtuar dhe tashmë me mbështetjen e institucioneve të tjera, kërkon në mënyrë të vazhdueshme të influencojë për të thithur fondet nëpërmjet kontratave të ndryshme apo të ardhurave që krijohen nga tarifat e studentëve. Në bord, ndonëse një pjesë janë emëruar nga universiteti dhe një pjesë nga ministrja, ata janë një grup union. Në këto kushte, për gjykimin tim, kjo përbërje e bordit të administrimit është totalisht një thyerje e autonomisë.

Funksionimi i kësaj strukture, që nuk ka llogaridhënie në Senat do të thotë një dhunim i strukturave akademike. Nga ana tjetër, kancelari dhe më pas administratori nën mbështetjen e bordit, kanë krijuar probleme të jashtëzakonshme në Universitetin e Tiranës, të mbështetur tashmë dhe nga 4 dekanë, me qëllim për të plotësuar interesat dhe për të dominuar UT-në për qëllime të errëta.

Ju e përmendni Z.Kule si një ndër emrat kryesorë të implikuar pas këtyre qëllimeve të errëta që ju thoni. Të gjithë e dinë që ju keni pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë, madje ai ka qenë një ndër mbështetësit tuaj më të mëdhenj. Çfarë e pengoi vijimësinë e kësaj miqësie mes jush?

Dhori Kule kërkon që ku të jetë ai, të jetë dhe pozicioni. I bie që sipas gjykimit të tij, rektori të jetë tashmë te Fakulteti Ekonomik. Dhori Kule më ka mbështetur në procesin zgjedhor, është një fakt që s’e mohoj kurrë, por tashmë duket e qartë arsyeja përse më paska mbështetur. Sa u përket numrave, unë kam fituar mbi 270 vota më tepër. Po ia fal ato 100 vota, përsëri shpallem fitues. Unë vlerësoj dhe respektoj në maksimum kolegët e mi, që më kanë votuar dhe do luftoj deri në fund për të mbrojtur stafin akademik dhe studentët e Universitetit të Tiranës.

Ata gjithashtu kanë tentuar të pengojnë funksionimin e strukturës së auditit. Edhe Ministria e Financës ka marrë përsipër të interpretojë Ligjin e Arsimit sipas dëshirës së Dhori Kules. Kjo tregon suportin dhe lidhjet përkatëse të tij. Në fund të vitit 2016 është bërë një auditim mbi përdorimin e fondeve në shërbim të rrjetit të ekselencës, i cili është një NGO private dhe janë përdorur fonde nga universiteti në mbështetje të saj. Dalja nga ky auditim që u bë, shkaktoi reagim të bordit dhe Dhori Kule&Co, të cilët me veprimet e tyre krijuan pengesa për veprimtarinë e Rektoratit.

Në citimet tuaja keni implikuar edhe Ministrinë e Arsimit….

Ministria e Arsimit është drejtpërdrejt palë me këtë grup përkatës që sapo përmenda. Dhe në takimin me Kryeministrin, që u deklarua hapur që ata kanë bërë ligjin dhe në përafrimin e mendimeve tregon një suport që i është dhënë këtij grupi. Ish-sekretari i Përgjithshëm në mënyrë të vazhdueshme sillte shkresa, për të cilat favorizonte gjithmonë të drejtën e bordit. Komunikimi i ministrisë me grupet përkatëse ka pasur vetëm një lajtmotiv: rektori ka shkelur Ligjin e Arsimit të Lartë. Edhe gjykimet ishin copy-paste. Për mua, kjo tregon një skemë të organizuar: ato kanë arritur të bllokojnë universitetin.

Por jo Mynyr Konin. Unë kam vazhduar punën me vështirësi maksimale, me staf të kufizuar sepse nuk paguhen prej tetë muajsh, me staf ku i është bërë presion po nga këta persona duke i detyruar të punojnë për ata, jo për Mynyr Konin. Kur erdhi administratori i ri arriti kulmin me porositjen e drejtpërdrejtë që të mos pranojnë asnjë shkresë timen. Për këto arsye i kam paraqitur shqetësime Ministrisë së Arsimit dhe në çdo shqetësim ka pasur një inspektim, jo në platformën në përputhje me ligjin. Për këto arsye unë kam kërkuar sqarime, të cilat janë konsideruar në kundërshtim me ligjin.

Keni bërë kallëzime për personat e mësipërm që ju kanë penguar në punën tuaj?

Kam bërë 5-6 kallëzime në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës për kancelarin e universitetit. Aktualisht, deri më sot, nuk kam informacion nëse ka filluar procedimi i tyre apo jo. Ndaj i bëj thirrje Prokurorisë që të veprojë mbi këto kallëzime, që kanë çuar në bllokimin e aktivitetit të UT. Administratori dhe kancelari, me porosi të bordit, kanë marrë rolin e punëdhënësit.

Nga pala tjetër, akuzoheni se jeni ju ai që keni bllokuar procesin e rekrutimit të pedagogëve të rinj.

Në Fakultetin e Drejtësisë, për të cilin z.Hoxha pretendon se rektori ka penguar procesin e rekrutimit, është mashtrim dhe gënjeshtër. Që në fundin e muajit tetor më ka sjellë kriteret të miratuara nga departamentet, unë i kam kthyer përgjigje dhe nuk kam pasur më kontakt. Unë i kam nisur dhe një shkresë tjetër. Në këto kushte, z.Hoxha pengon procesin e rekrutimit.

E njëjta gjë po ndodh dhe te Fakulteti i Ekonomisë?

Po. Rekrutime janë bërë në mënyrë periodike. Ndërprerja e rekrutimeve ka ndodhur pas krijimit të këtyre konflikteve. Ligji e ka të qartë. Kriteret përcaktohen nga departamenti dhe firmosen nga rektori. Por ç’ka ndodhur?! Z.Kule ka shpallur në qendrën e publikimeve zyrtare vendin e punës, gjë që bëhet nga rektori. Pra, ky është një bllokim për të tentuar zhveshjen e kompetencave të departamentit, si dhe të rektorit. Deri me 26 maj 2017, datën kur nisa punën, dokumentacioni mblidhej në zyrën e Burimeve Njerëzore në Rektorat, miratimi i kritereve dhe shpallja e vendit vakant po ashtu. Sapo z.Kule u largua dhe kur lindi ky konflikt, gjërat ndryshuan. Kjo është e vërteta e rekrutimit, që s’ka pengesë nga rektori.

I vetmi veprim që ka bërë administratori i ri, ka ndërprerë me ndërhyrjen e shoqërisë fizike mosfutjen në punë të drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Rektorat dhe ka nxjerrë një urdhër ku ka komanduar drejtoreshën e Burimeve Njerëzore të Fakultetit Ekonomik për në Rektorat. A është kjo provë e lidhjes së fuqishme dhe mbështetjes së njëri-tjetrit?! Natyrisht, unë këtë e kundërshtova. Menjëherë i jam drejtuar Bordit, por absolutisht asgjë, për fatin e mirë, ministrja nxori udhëzimin përkatës në fund të muajit dhjetor dhe zonja nuk u lejua të futej në sistemin e funksionimit të punës në Rektorat dhe u rikthye në Fakultetin Ekonomik. Kjo është një provë e fortë që tregon se Dhori Kule jo vetëm që mbështet këto, por do që gjithë punonjësit e Rektoratit të jenë benjaminë të tij dhe të punojnë sipas porosisë së tij.

Disa ditë më parë patët një takim me Kryeministrin, i cili duhet thënë se ishte nën një atmosferë të tensionuar. Çfarë pritshmërisë kishit?

Takimi me Kryeministrin u zhvillua pa një axhendë. Pasi folën dy kolegët dekanë, kam kërkuar disa herë fjalën dhe nuk më është dhënë. Ai nuk ishte një takim për të bërë akuza, ai u iniciua mbi shqetësimin e pagave që ndodhi për vonesën e tyre. E vërteta rezultoi që pas deklaratës time që Administratori dhe Bordi duhet të çelnin fondin për të bërë pagesën dhe menjëherë të hënën u bënë.

Në fakt, aty takimi mori rrjedhë tjetër. Dekanët përkatës që u shprehën aty ishin pjesë e organizimit dhe ky takim nuk ishte gjë tjetër veçse presion ndaj personit tim si rektor. Në 2-3 momente Kryeministri iu kërkonte dekanëve që nuk dua të shkoj në ekstremitete të nenit 7, “prerjen e kokave”. Takimi do kishte një kuptim nëse Senati do diskutonte. Në momentin që fillojnë akuzat, nuk ka më diskutim. Ishte një takim bosh.

Kjo çështje është zgjatur shumë në kohë. Ku e shikoni zgjidhjen?

Së pari, në zgjidhje të funksionimit të strukturave të Rektoratit. Ne jemi totalisht të bllokuar nga veprimi i papërgjegjshëm i Administratorit aktual me mbështetjen e Bordit dhe kryetarit të tij. Unë kam 3 javë pa takuar Administratorin. Të gjitha takimet e tjera i kam kërkuar unë. Nuk di të ketë ardhur një herë për të diskutuar problemet e Universitetit.

Administratori nuk duhet të pengojë punonjësit, t’i paguajë ata, të zhbllokojë zyrën e Burimeve Njerëzore që është në kolaps. I kërkoj dhe ministrisë me përfaqësuesit e vet të ndërhyjë, që të kontrollojë aktivitetin e vet në Bord. Për këtë, i kërkoj menjëherë Bordit të Administrimit të mbajë qëndrim. Në rast të kundërt, do t’i drejtohem Senatit Akademik.

Ju jeni kryetar i Senatit Akademik. E zotëroni atë, mendoni se do ju përgjigjen?

Ajo që zotëroj unë, është logjika e qetë dhe ligjin përkatës. Unë nuk jam individi i kulisëve dhe grupimeve, flas me argumente ligjore. I takon secilit të shprehet me vullnetin e tij me votë. E di që ka grupime të drejtuara nga Dhori Kule, Artan Hoxha, Artur Sulo dhe Edmond Rapti, por besoj senatorët do të gjejnë forcën dhe kurajën të shprehin qëndrimin si ato e mendojnë.

Në fund, Senati vendos dhe vendimi i tij është për zbatim. Në këto kushte, unë jam në pritje të një situate të një zhbllokimi. Në të kundërt, do të marr iniciativën si rektor dhe kryetar t’i paraqes Senatit shkarkimin e përfaqësuesve të universitetit në Bordin e Administrimit dhe më pas t’ia propozoj ministres. Por dhe kjo nuk zgjidh gjë, pasi përsëri shkojmë te ministrja.

Po nëse Senati nuk vendos në favorin tuaj?

Kjo tregon bllokimin e plotë të rektorit, do të kërkoj mbështetjen e stafit akademik të shkarkimit të plotë nga ministri të Bordit dhe Administratorit. Nëse gjërat do agravojnë, unë do t’i drejtohem stafit tim akademik që më ka votuar që të bëjnë presionin e duhur që të shkarkohet Bordi dhe Administratori që zhbllokon punët në Universitetin e Tiranës.

Do i përgjigjeni presionit me presion?

Unë kam për detyrë të jap llogari para atyre që më kanë zgjedhur. Dhe në këtë rast, mbaj dhe përgjegjësitë e mia, por edhe kërkoj mbështetje kur bllokohem. Asambleja e Përgjithshme e Fakulteteve më ka votuar dhe te ai do të drejtohem për të kërkuar mbështetje, në rast se nuk do të kemi zgjidhje brenda për brenda apo nga Ministria.

Mendoni edhe ju se duhet të ketë amendime të ligjit “Për arsimin e lartë”?

Arsyeja përse situata ka agravuar e bën emergjente dhe imperative ndërhyrjen në elementë të veçantë të raporteve Senat Akademik-Bord të Administrimit dhe rektor-administrator. Më konkretisht, kërkoj të gjendet një zgjidhje: qoftë ndryshim ligjor apo formulë tjetër, që Senati të jetë organi më i lartë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Bordi është marrë vetëm me vendimet dhe aktet e rektorit. Nuk është kjo detyra e tij. I vetmi vendim nga pikëpamja ekonomike, që ka bërë ai, është rritja e rrogës së vetvetes nga 500-550 mijë lekë në muaj, ndërkohë që kjo është paga e një asistent pedagogu. Kjo është e turpshme.

shkeljet

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura