Rrëfimi i pronarit të restorantit që priti ish-Kryeministrin italian në 1997: I shërbyem verë dhe gatime shqiptare! Pse e shtyu edhe një ditë qëndrimin

Sep 2, 2020 | 15:59
SHPËRNDAJE
Ish kryeministri italian Romano Prodi dhe familja e Rexhep Korbit, Ksmail 2005
Ish kryeministri italian Romano Prodi dhe familja e Rexhep Korbit, Ksmail 2005

KUR PRODI VINTE NË VLORËN E NDEZUR E TË TRAZUAR

“Mëngjesin e 13 prillit 1997, tre helikopterë ushtarakë të marinës italiane zbritën në një zonë të pabanuar në Vlorë. Në njërin prej tyre udhëtonte Kryeministri italian, Romano Prodi. Ai ishte nisur për të takuar kreun e qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino, dhe Presidentin Sali Berisha, por s’mund të vinte pa u kërkuar ‘falje’ vlonjatëve për atë që kishte ndodhur, fiks 15 ditë më parë nga tragjedia e Otrantos. Vlora ishte nën terrorin e bandave në atë periudhë dhe nga pamjet duket qartë se si njerëz të armatosur me kallashnikov shoqëronin eskortën e tij.

Ai ndaloi disa minuta në Vlorë duke dhënë mesazhe paqeje dhe duke premtuar ndihma nga qeveria italiane, për t’u nisur sërish me helikopter për në Tiranë”, referon shtypi i kohës. E tillë ka qenë atmosfera, situata tejet e tensionuar, një Shqipëri e përfshirë nga revoltat popullore, kaosi, depot e armëve të hapura, njerëz të armatosur kudo. Sigurisht që mbërritja e tij pati jehonë. U zhvilluan takime me zyrtarë e drejtues të shtetit, u shtri dora për bashkëpunim, shpresë, mbështetje që jepte dhe garantonte Italia fqinje për Shqipërinë e goditur.

1977, Romano Prodi ne Vlore.

Ka qenë dhe mbetet një ndër vizitat më të bujshme, të rëndësishme, nisur nga rrethanat kur ai zbriti, qëndroi dhe u largua nga Shqipëria. Por, nuk ka qenë e vetme. Më pas ai është rikthyer sërish, sigurisht në situata krejt ndryshe, tejet paqësore, si një mik i hershëm, i respektuar nga shqiptarët. Me profesion jurist, docent universitar, ish-Kryeministër dy herë i Italisë, President i Partisë Demokratike italiane, ish-kryetar i Komisionit Europian, ish-ministër i Drejtësisë dhe i Ekonomisë, deputet, i mbiquajtur “profesor” për statusin akademik që ka, një ikonë e politikës italiane.

Rexhep Korbi, duke treguar per Panorama
Rexhep Korbi, duke treguar per Panorama

Quhet Rexhep Korbi, nga Kukësi. Para viteve ’90 e caktojnë në Ksamil për të kryer shërbimin ushtarak. E përfundon atë, rikthehet në qytetin e lindjes.

Vijnë vitet e demokracisë, të gjithë shqiptarët kërkojnë të largohen, emigrojnë drejt Italisë, Greqisë, nga të jetë e mundur. Një dëshirë e tillë përfshin edhe Rexhep Korbin. Niset drejt jugut, Ksamilit që e njeh mirë, kur ajo zonë ishte e ndaluar për çdo kalimtar, ku duhej të merrje një lejekalimi për të zbritur drejt Ksamilit, Butrintit. U rikthye në Ksamil, në pritje për t’u larguar në Greqi.

“U nisa për të kaluar kufirin, se e njihja mjaft mirë, por ndryshova mendim, vendosa të qëndroj, të mos largohem. Dhe kam bërë mirë. Shkak u bë gruaja, njohja me të, ajo më mbajti. Nuk jam unë, por është deti, zona e bukur që i thërret njerëzit, i pret, i përcjell. Edhe historia me Rommano Prodin është një ndër ato”.

Z. Korbi, çfarë kujton nga ajo vizitë?

Ishte surprizë. Kisha dëgjuar për të, por papritur vjen një këshilltar i Presidentit në atë kohë, rreth drekës e më thotë që të përgatitem se do të sjellim për darkë një personalitet të njohur italian, Romano Prodi quhet. U befasova. E para, që kishin vendosur ta sillnin tek unë, kur në atë zonë kishte edhe lokale të tjera. Pastaj, përgjegjësia nuk ishte e vogël. Personi që i kishte propozuar të vinin tek unë ishte një klient i imi, e njihte mirë atë zonë dhe çfarë unë mund t’i shërbeja, t’i ofroja për ta nderuar.

Si reaguat ju?

Nga natyra, nuk refuzoj asnjëherë, përkundrazi, angazhohem për të bërë maksimumin e mundshëm. Shoqëruesi më tha se Prodi pëlqen peshk të egër. U nisa menjëherë drejt Sarandës, më atë mjetin tim një “Golf” dhe në magazinën e peshkut i kërkova disa koca të egra. “Për çfarë i do?” – më pyetën.

Kam një mik të nderuar për darkë sonte, Romano Prodi quhet, ish-Kryeministri italian”.

Nuk e besonin. OK më thanë dhe më zgjodhën disa të freskëta. U ktheva, angazhova gruan, përgatita gjithçka dhe ishim gati. Kaluan orë, ata po vonoheshin. Kur befas erdhën disa makina, ishin të shoqëruar nga Policia Rrugore. “Je gati?”, më pyetën. “Po”, i them.

Prodi shumë njerëzor, erdhi më takoi dhe i thjeshtë u ul në një tavolinë që kisha shtruar. Me të ishin edhe shoqëruesit. Ka qenë një darkë e mrekullueshme, u kënaqën jashtë mase.

Jam kurioz të di çfarë vere konsumoi Prodi, pasi si italianë janë njohës të mirë të verërave?

Kisha përgatitur verëra italiane, pa pretenduar cilësinë maksimale, por me ato që kisha. Kur e pyeta, ai u tha shoqëruesve se dëshironte të provonte verë, prodhim shqiptar. Nuk më kujtohet çfarë, por një të tillë i servira. E bardhë ishte. E pëlqeu dhe me atë vijoi deri në fund. Kujtoj se edhe darkën, shpenzimet e saj i pagoi ai, nuk lejoi askënd t’ia ofronte.

Kur u larguan?

Ishte vonë kur u larguan drejt Sarandës se aty ishte akomoduar. Kur, para se të largohen, më thërret një ndër shoqëruesit e më thotë se i ka pëlqyer shumë qëndrimi, mikpritja, shërbimi dhe gatimi. “Dëshiron të kthehet prapë nesër në drekë”, më thotë. Dhe për këtë do të shtynte qëndrimin e vizitës. “Mirë”, i përgjigjem.

Besoj se angazhimi duhet të ketë qenë i madh, sepse nuk do të donit ta ‘zhgënjenit’ për së dyti apo jo?

U organizova që në mëngjes herët, duke përgatitur gjithçka bashkë me gruan. Në atë kohë lokalin e kisha dykatësh, me një verandë komode, të këndshme. I shtrova sërish aty. E prita, por po vonoheshin, kështu mendova se kanë ndërruar mendje dhe kanë bërë tjetër lëvizje. Kur befas shoh makinën e Policisë Rrugore që ndaloi. Shoqëruesit më njoftuan se dikush e kishte çuar në një lokal aty afër për të provuar edhe një tjetër ambient, por sapo kishte zbritur, kishte parë se nuk ishte lokali i një nate më parë dhe i kishte pyetur: “Pse këtu? Sikur nuk është ai që ishim mbrëmë”.

“Por, ju kemi sjellë për të parë dhe një tjetër”, e kishte sqaruar njeri prej tyre. “Jo, – kishte këmbëngulur, – do të më çoni tek ai që ishim mbrëmë”, duke e risjellë sërish tek unë.

Çfarë i servirët?

Ndryshe nga e një nate më parë. Më kërkuan t’i përgatitja pasta. Për fat, gruaja i gatuan shumë mirë dhe u angazhuam për t’i kënaqur. Nuk ishte e thjeshtë se ai vinte nga vendi i tyre. U krijua një atmosferë e mrekullueshme, deti i bukur plot ngjyra, një tjetër botë, që edhe atë e kishte befasuar. Realisht e tillë është ajo çfarë të ofron ajo zonë për këdo. Z. Korbi, sa e frekuentojnë politikanët këtë zonë? Pafund. Ish-presidentë, ish-kryeministra shqiptarë e të huaj, deputetë, parlamentarë, ministra, zyrtarë, deri edhe kryeparlamentarë e ministra nga Kosova, ministra nga Maqedonia, Greqia etj.

Besoj, edhe artistë e këngëtarë të njohur janë fansa ksamilistë?

Sigurisht. Nga më të njohurit shqiptarë. Por edhe të huaj, madje nga më të mëdhenjtë e muzikës, si Ana Visi, këngëtarja njohur greke, apo këngëtarja e njohur franceze, Karla Bruni. Por jo vetëm këngëtarë. Prezantues të njohur, regjisorë, drejtues të sportit, deri edhe nga Presidenti i Federatës së Futbollit.

Keni një foto me Romano Prodin?

Ishte ai që kërkoi të bënim një foto së bashku, është kjo që po ofroj për gazetën. E kam një kujtim të veçantë. Pasi ai u largua, pak ditë më vonë vjen në Ksamil një grup me italianë. Kishin provuar lokalet e tjera, diku i kishin pëlqyer, diku jo, pasi dihet që preferencat e tyre në gatim, trajtim, shije janë të veçanta. Erdhën edhe tek unë, u ulën dhe kërkuan t’i përgatisja pasta. Ishte si një test. Një grup mbi 12 vetë. Pa u thënë asgjë, ua përgatitëm, gatimi u pëlqeu. Mbetën të kënaqur. Por surprizën e kisha ruajtur për në fund. Para se të largohen i pyes lidhur me përshtypjet dhe ndërsa ishin të kënaqur, u them se këtu ka qenë edhe një politikan i njohur italian, ish-Kryeministri Romano Prodi, dhe u tregova foton duke i befasuar. Nuk e besonin. Si ka mundësi të ketë ardhur deri këtu më pyesnin, e vërtetë? Shihnin foton, duke biseduar me njëri- tjetrin. Një Kryeministër, deputet parlamentar europian në Ksamil? Me këtë ndjesi u larguan./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura