Rrëfimi i prindërve: Vajza këndonte nga gëzimi kur lahej në lumë. S’kishte bërë kurrë plazh

Jul 22, 2015 | 21:07
SHPËRNDAJE

Nëna e 14-vjeçares Maria Sholla, që u mbyt javën e kaluar në një lumë në Greqi, tregon peripecitë që kaloi me vajzën dhe bashkëshortin, teksa kalonin ilegalisht kufirin dhe momentin kur gjeti vajzën të pajetë në ujë.

VIKTIMA MARIA SHOLLA (MAJTAS) ELONA SHOLLA DUKE RREFYER PER “PANORAMA
VIKTIMA MARIA SHOLLA (MAJTAS) ELONA SHOLLA DUKE RREFYER PER
“PANORAMA
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Elona Sholla tregon se papunësia dhe gjendja e vështirë ekonomike i kishin detyruar të udhëtonin tri ditë në këmbë për të gjetur punë në Greqi.

Madje, për shkak të pamundësisë financiare, çifti nga Ardenica e Lushnjës i ka dërguar dy fëmijët e tjerë në Manastirin e Shënavlashit.

Pse vendosët të shkonit në Greqi?

Po nuk kemi asnjë mundësi për të jetuar. Jemi të papunë, burrë e grua. Dy fëmijët e tjerë, nga pamundësia për t’i mbajtur, i kemi dërguar në manastir, në Shënavlash. Këtu me ne jetonte vetëm Maria, vajza që u mbyt.

Me çfarë të jetojmë këtu?

Burri nuk po gjen punë, unë me ditë punoj, këtu në arat e fshatit. Punoj me bel dhe maksimumi ndonjëherë marr 5 mijë lekë, të vjetër.

Kur u nisët për të kaluar kufirin?

U nisëm të hënën e javës që kaloi. Ka qenë ora 04:00 e mëngjesit, sepse kemi ikur me tren, deri diku afër Pogradecit. Kapëm trenin në Libofshë dhe vazhduam rrugën. Ndërruam dy trena.

A kishit para me vete?

Po çfarë parash të kishim?! Ato para që merrte vajza, ato kishim. Vajza merrte diku rreth 99 mijë lekë të vjetër, që i kishim rregulluar një si KEMP dhe me aq para jemi nisur. Ne nuk kishim pasaporta, përveç burrit dhe për këtë arsye vendosëm të kalonim kufirin në këmbë.

Ju priste njeri andej?

Jo, askush. Menduam se do të gjenim punë ku të mundeshim.

Keni qenë më përpara në Greqi?

Kam qenë vetëm një herë në Trikalla. Kam punuar në bujqësi, bashkë me burrin. Unë krasisja hardhitë, ndërsa burri transportonte dengje barishtesh.

Kur e kaluat kufirin atë ditë?

Që të hënën që u nisëm.

Ku qëndruat?

Aty në fshatin e parë që na doli para. Po fshiheshim, flinim nëpër ara, sepse kishim frikë mos na kapte policia.

Ju keni udhëtuar tri ditë në këmbë, si ia bënit për t’u ushqyer?

Shumicën e kohës kemi kërkuar bukë nëpër shtëpitë e fshatrave ku kalonim. Sepse na rastiste që kur errësohej nuk gjenim dyqane hapur. Unë punova në nja dy shtëpi, mora nga 20 euro dhe me ato para ushqeheshim.

Si ndodhi që u mbyt vajza?

Ishte një lumë aty sa kaloje atë fshatin, nuk e di si quhet dhe vendosëm që të laheshim se kishim tri ditë që vetëm ecnim në gjithë atë vapë. Burri më tha se do të lahej dhe më kërkoi të largoja vajzën. I thashë që vajzën s’e largoja dot se kisha frikë ta lija vetëm. Unë shkova me vajzën që të laheshim diku ku ishte cekët, sepse nuk dinim not. Vajza ishte e lumtur sepse nuk ishte larë kurrë, nuk kishte bërë asnjëherë plazh. Ndërsa burri qëndroi pak më larg, sepse i hoqi rrobat për t’u larë. Unë ndenja pak aty me vajzën dhe pastaj më thirri burri.

Pse ju thirri burri?

Po më tha të shkoja sepse duhej t’i çoja shampon dhe rrobat.

E latë vajzën vetëm duke u larë, edhe pse nuk dinte not?

Para se të ikja, i thashë vajzës që të mos ikte më tutje dhe të qëndronte aty. I thashë që nuk vonohesha dhe të mos lëvizte. Pasi mbaroi punë burri, u nisëm të shkonim në drejtim të vajzës. Nuk po e dëgjoja më, sepse kur ika ajo po këndonte dhe e dëgjoja që nga larg. Fillova ta thërrisja. Thirra për shumë kohë dhe e kërkova, kur pashë që vajza kishte rënë në një gropë në lumë dhe e gjeta përmbys me krahët hapur. Vajza ishte mbytur dhe e kishte ngritur uji sipër.

Si e nxorët nga aty, ju ndihmoi njeri?

U fut burri me not që ta nxirrte. E nxori dhe filluam t’i bënim pompa dhe frymëmarrje artificiale që ta sillnim në jetë. Ia bëmë të gjitha, por vajza kishte mbaruar. Kur e pashë që nuk kishte më asnjë shpresë, u ngjita me vrap në autostradë, që ishte disa metra sipër lumit ku ishim ne. U dola makinave përpara dhe ua bëja me shenjë që të ndalonin. U kërkoja ndihmë në shqip, po nuk më kuptonte njeri. Ndaloi vetëm një shofer dhe unë i flisja me shenja se nuk dija gjuhën. Ai e kuptoi se kishte ndodhur diçka e keqe, sepse unë po qaja me të madhe. Ai mori policinë që e lajmëroi, edhe pse vajzën ne donim ta çonim në spital. Pas një çerek ore erdhi policia. E morën vajzën dhe e çuan direkt në morg, sepse e panë që ajo kishte vdekur.

Po me ju çfarë ndodhi? Ju shoqëruan?

Po na shoqëruan, sepse ne kishim hyrë ilegalisht në Greqi. Na mbajtën një natë dhe na thanë që po të mos kishte ndodhur kjo që ndodhi, do na kishin mbajtur 10 ditë. Por meqë vdiq vajza, na lanë brenda vetëm atë natë. Na vendosën edhe “Apellas”, që të mos shkelim më në Greqi për 5 vjet dhe na liruan.

Kur u kthyet në Shqipëri?

U kthyem të mërkurën, kur bëmë edhe varrimin.  

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura