Rrëfimi i një prej organizatorëve të ekspozitës së hapur më 1968, Buza: Revolta kineze për syrin e humbur të një personazhi “pozitiv”

Jul 9, 2020 | 16:38
SHPËRNDAJE

Me detyrën e shefit të Arteve Figurative në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës në ato vite, i ngarkuar nga ministri Thoma Deliana, Kujtim Buza, piktor, ka qenë njeriu që është marrë direkt për montimin, sistemimin e asaj ekspozite gjigante pas ardhjes së saj në Tiranë.

Sot, pas një gjysmë shekulli, për “Panorama.al” Buza i rikthehet punës intensive, me detaje të pathëna asnjëherë. Ruan tri blloqe në formë ditari të rralla, me shënime, foto e mjaft episode nga udhëtimi dhe shoqërimi i një ekspozite të artit figurativ shqiptar në Kinë, takimi me Mao Ce Dunin, pastaj ardhja dhe angazhimi shtetëror për hapjen e “Oborrit të vjeljes së taksave” në kryeqytet. “Ishte një ndër evenimentet artistike më të mëdha të kohës. Përgjegjësia dhe problemet që dolën ishin shqetësuese, sidomos kur njërës skulpturë i humbi njëri sy”, tregon ai.

Capture

Z. Buza, si ishin raportet me artin kinez në atë kohë?

Marrëdhëniet, shkëmbimet me ekspozita me kinezët, sidomos të artit figurativ, nuk ishin të shpeshta për kohën. Rëndësi dhe me vlera kishin ato artizanale, të punimeve të fildishta dhe jo shumë të kavaletit. Sidoqoftë, arti figurativ kinez në atë periudhë përfaqësohej nga personalitete artistike, ku spikasnin Ci Baj Shi apo Suj Bej Hun, piktorë të shquar.

Në ditarin tuaj lexoj se jeni takuar edhe me Mao Ce Dunin?

Në fund të ’67, bashkë me Shaban Hadërin, skulptor, dekan i ILA, shoqëruam një ekspozitë arti, e cila u hap në janar të ’68-s në Galerinë Qendrore të Pekinit, pastaj në Shangai dhe Kanton. Ishin vepra nga autorë shqiptarë. Ndërkohë, siç e shihni edhe nga shënimet, takimi me Mao Ce Dunin ka qenë më 18 dhjetor. Ishim në përbërjen e delegacionit të Miqësisë Popullore Kineze, rreth 1 orë e 30 minuta zgjati qëndrimi me të.

Aty patë edhe “Oborrin e vjeljes së taksave”?

Gjatë qëndrimit në Kinë, na dërguan për të parë edhe “Oborrin e vjeljes së taksave”, një grup i madh skulptural, një punë e jashtëzakonshme që na befasoi për nga stili i ri i atyre skulpturave, shumë jetësore ishin. Disa muaj pasi kthehemi nga Kina, më thërret Thoma Deliana e më thotë: “Ti ke qenë në Kinë dhe e ke parë ekspozitën ‘Oborri i vjeljes së taksave’, e cila do të vijë në Tiranë. Do të merresh ti me të dhe e di vetë çfarë do bësh për organizmin e punës e për hapjen e saj”. U pamë me njëri-tjetrin në sy, mesazhi ishte i qartë.

Duket përgjegjësi e madhe… Si u realizua transporti i tyre?

Detyra m’u caktua mua, por duhej edhe një skulptor. Më shkoi ndërmend të thërras Uran Hajdarin, skulptor, që fatkeqësisht ka ndërruar jetë pak muaj më parë. Ai kishte studiuar në Kinë dhe ishte ai që e mbajti peshën e organizimit, një punë intensive, lodhëse, me shumë përgjegjësi dhe delikate. Ardhja e tyre u bë me anije nga Kina në Shqipëri, në Portin e Durrësit. Udhëtim i gjatë. Mbi 100 arka të mëdha si kabina plazhi ishin. Pastaj me mjete të mëdha i sollëm në Tiranë. Skulpturat ishin të ambalazhuara shumë mirë, kur i hapëm asnjë e dëmtuar. Ato sollën këtu një variant të origjinalit, në allçi bashkë me një katalog shoqërues.

Enver Hoxha duke vizituar ekspozitën kineze, 1968
Enver Hoxha duke vizituar ekspozitën kineze, 1968

Pse u ekspozuan në Pallatin e Kulturës?

U vendos të hapej në Pallatin e Kulturës, në katin e parë, sepse kishte hapësirë, ndërkohë që Galeria e Arteve, në atë kohë në rrugën “Fortuzi”, ishte e vogël. Pallati kishte dy vite sapo ishte bërë, pastaj në qendër të Tiranës, edhe ky ishte një ndër motivet. Ekspozita fillonte me kreun e oborrit, vazhdonte me lëvizje dinamike dhe kompozimi kërkonte një vendosje gjatësore që të ndiqej në mënyrë kronologjike nga vizitori.

Si arritët ta sistemonit?

Sigurisht, kërkonte një angazhim pune të kujdesshme për t’i vendosur mirë, pa asnjë dëmtim grupin skulptura “Oborri i vjeljes së taksave”, kjo për shumë arsye. Shkarkimi i tyre u bë në sheshin pas pallatit, po kështu edhe transporti për në sallë. Por, nuk ishin të vogla problemet që na dolën. Gjatë një muaji, për montimin e saj u morën punonjës të komunales, por që prezantoheshin si vullnetarë. Si tapet u përdor pluhuri apo tallash i zi që u morr nga Kombinati i Tekstileve “Stalin” dhe jo baltë, mbi të cilin e vendosën figurat. Figurat duhet të kishin sfond të errët dhe këtë e sugjeroi Urani. Pluhuri vinte me kamionë, kujtoj vështirësitë, erdhi a nuk erdhi kamioni

Dolën probleme të tjera?

Një ditë, duke ndjekur punën, shohim se njërës skulpturë, që ishte edhe heroi pozitiv, i mungonte njëri sy prej xhami. Menduam se i kishte rënë, ndoshta të pavëmendshëm punëtorët nuk e kishin parë, ose dikush e kishte marrë qëllimisht. Fakti ishte se ai kishte humbur e bashkë me Uranin u shqetësuam. Si t’ia bënim?

Veprat e paraqitura në ekspozitën kineze
Veprat e paraqitura në ekspozitën kineze

Si u zgjidh?

I thirrëm punëtorët, Gafurrin, shefin e tyre, dhe Doku, njëri nga punëtorët, na sugjeroi që për t’u justifikuar t’u themi kinezëve se ka shumë mundësi që nga lagështia, duke u shkëputur nga allçia, syri ka rënë, e kërkuam, por nuk e gjetëm. Madje, na ofroi edhe një zgjidhje që “t’ia hiqnim një sy një ‘negativi’ e t’ia vendosnim atij pozitiv”. Dhe ashtu bëmë. Gjetëm një personazh negativ, që kishte një vështrim të mbyllur nga muri, ia hoqëm atij njërin sy duke ia vendosur atij që i mungonte. Korrigjime nuk mund të bënim, as riparime, edhe pse Urani ishte i gatshëm. Nuk kishte shumë kohë.

U mbyll me kaq?

Jo, pasi kur erdhën kinezët që shoqëronin ekspozitën, gjatë kontrollit ndaluan, konstatuan që njërës skulpturë i mungonte njëri sy dhe sa më panë, “syri, syri”, ku është syri më thanë, kush e ka bërë këtë? I vënë në vështirësi, se mund të kisha apo kishim përfunduar keq, ia tregova si kishte ngjarë, duke i thënë variantin e punëtorit tonë si dhe gjetjen e tij. E pëlqyen, u qetësuan, madje thirrën Dokun, punëtorin “krijues” e i bënë foto, pastaj edhe një intervistë për Agjencinë “Hsinua”, lidhur me çfarë “të shtyu që mbajte këtë qëndrim”.

A u vizitua nga udhëheqja kjo ekspozitë?

Po. Ishte edhe Enver Hoxha, me një pjesë të udhëheqjes së kohës, anëtarë të Byrosë Politike, Komitetit Qendror, ambasadorë, njerëz, personalitet të artit etj. Madje, ai takoi edhe dy artistët kinezë që e shoqëronin atë, piktorin Lao Cun Pin dhe skulptorin Can Su In, pavarësisht se nuk ishin ata autorët. Gjatë prezantimit, duke ecur, Hysni Kapo m’u afrua dhe me kujdes më pyeti: Kujtim, po puna e atij syrit si qëndron? Ia shpjegova, dhe me humor e kaluam pa u vënë re. Kuptova se edhe atë e kishin informuar për syrin e humbur.

Kujtim, cilët ishin autorët e saj?

Nga informacioni që kishim, realizimi i atij grupi kolosal kishte vijuar për rreth 5 muaj, punë intensive nga 18 artistë, amatorë e profesionistë, duke krijuar 114 figura, portrete, karaktere. Por, kurrë nuk e morëm vesh kush ishin autorët e vërtetë të saj. Kujtoj se disa nga kompozimet ishin “Kontrolli i taksave”, “Peshimi i orizit”, “Llogaritja”, “Gruaja me dy fëmijë”, “Vajza me shportë”, “Plaku me shkop”, “I verbri”, “Fëmija që shitet”, “Burri me duar e sy të lidhur”, grupi me skulptura, si “Revoltimi”, “Marrja e pushtetit”, etj.

A udhëtoi ekspozita në qytete të tjera?

Ajo ishte një kopje e variantit origjinal, të cilën ata na e dhuruan dhe pasi u mbyll në Tiranë, ekspozita shkoi në Fier. Transporti u krye me kamionë të hapur, “Skoda”. Mendoni që 114 vepra arti të formateve të mëdha të transportohen në ato rrugë që bllokoheshin me orë, por gjithmonë të shoqëruar me polici rrugore. Në Fier, ajo u vendos në shkollën “Janaq Kilica”, ku Urani bashkë me Sotir Kostën punuan për sistemimin e saj. Ruhej me polici.

Ajo ekspozitë ishte dhuratë për shtetin shqiptar, apo jo?

Pas Fierit, ajo u hap në Elbasan dhe kam mendimin se skulpturat qëndruan atje, në Elbasan, nuk u kthyen në Tiranë. Diku në disa magazina i vendosën, por edhe sot, nuk e di se ku i sistemuan e pas prishjes me kinezët humbi edhe interesimi, kujdesi për to. Ka kaluar shumë kohë dhe në vitet që vijuan do të kishin dalë nëse diku do të ishin ende të ruajtura.

Keni mbajtur shënime asokohe?

Po, tre blloqe të vegjël, ku kam mbajtur shënime. I kam ruajtur me kujdes, nga udhëtimi në Kinë, hapja e ekspozitës shqiptare atje, takimi me Mao Ce Dunin dhe angazhimi, organizimi i punës për hapjen e “Oborrit të vjeljes së taksave” në Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura