Rrëfimi i Ngjelës: Nikita Hrushovi, 12 ditë vizitë-farsë në Shqipëri

Sep 28, 2011 | 12:37
SHPËRNDAJE

Spartak Ngjela dje ne promovimin e librit ne UET

Rusët i kërkuan Enverit të izolohej në BS
Diktatori shqiptar donte t’i shpëtonte fatit të Rakosit të Hungarisë
Në vendet e tjera të Europës socialiste, e cila nga Çurçilli ishte quajtur Perde e Hekurt, kishte lindur shpresë dhe vijonin reformat në funksion të të drejtave. Pritej gjithashtu një hapje edhe më e madhe drejt Perëndimit, por në Shqipëri kuptohej se gjithçka kishte ngrirë, sikurse edhe një vit më parë. Intransigjenca e Enver Hoxhës kundrejt Kongresit XX dhe gjithë ndryshimeve që po ndodhnin në Bashkimin Sovjetik, ishte pa dyshim, një luftë që ai po e bënte për të siguruar mbijetesën e tij. Kishte drejtuar vendin në momentet e një terrori të egër shtetëror, kishte likuiduar të gjithë bashkëpunëtorët me të cilët kishte drejtuar Luftën Nacional-Çlirimtare, dhe ndërkohë, në vitin 1955, tek e pa se do të fillonin ndryshimet antistaliniane në Bashkimin Sovjetik, likuidoi menjëherë dy kundërshtarët potencialë më të rrezikshëm që kishte: Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Kishte shkatërruar Konferencën e Tiranës; kishte kaluar edhe rrezikun e Kongresit III, por ndërkaq i kishte humbur të gjitha shpresat se mund të rezistonte vetëm me intransigjencë. Në këtë gjendje, Hoxha i ishte futur rrugës së lakeizmit, të nënshtrimit dhe të intrigave, në mënyrë që të jetonte sa të jetonte në një gjendje stacionare dhe të mos dorëzohej pa i shkaktuar një dëm dhe vetë Hrushovit e grupit të tij në Moskë. Në të njëjtën kohë, nga eksperienca, ai e dinte që, në funksion të sovjetikëve, nuk duhej të lejonte asnjë rival të brendshëm, tek i cili mund të kapeshin sovjetikët për zëvendësimin e tij
Në fakt, në këto momente historike, me Hrushovin kishte nisur fenomeni i ri i afrimit të të dy sistemeve, sepse Moska e kishte kuptuar që stalinizmi kishte dështuar. Kapitalizmi, në zgjerimin dhe globalizimin e tregjeve kishte krijuar zhvillim progresiv dhe po sillte bollëkun në të gjithë Europën Perëndimore. Tregu amerikan dhe Tregu i Përbashkët i vendeve të Europës Perëndimore, që ishte krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe që më vonë krijoi Europën e Bashkuar, e kishte sfiduar tërësisht tregun e Europës Lindore që quhej KNER. Ndërkohë, bota e zhvilluar kapitaliste kishte hyrë në periudhën e postindustrializmit dhe postmodernizmit, si kapërcim në nivelin e lartë të të drejtave dhe të lirive të njeriut. E gjithë kjo situatë reale e kishte sjellë gjendjen në arsyen e afrimit të sistemeve, sepse kapitali privat e kishte mundur etatizmin dhe centralizmin stalinian në të gjitha aspektet e zhvillimit. Kjo ishte më në fund arsyeja, e cila bashkë me rrezikun bërthamor e kishte detyruar Hrushovin dhe grupin e tij në Moskë që të krijonin doktrinën e

Hrushovi me Enver Hoxhën gjatë vizitës në Shqipëri

bashkekzistencës paqësore. Bashkekzistenca paqësore donte të thoshte hapje e Perdes së Hekurt kundrejt Perëndimit, por kjo hapje, patjetër që do të sillte në qendër të vëmendjes të drejtat dhe liritë e individit. Stalinizmi kishte dhunuar të drejtat dhe liritë e individit, kishte mohuar personalitetin njerëzor në funksion të kultit të shfrenuar të një njeriu; kishte krijuar absolutizmin modern dhe terrorin shtetëror dhe frikën. Të gjitha këto nuk ishin krijuar në një ditë dhe jo nga rasti, por në një periudhë të gjatë kohe dhe në funksion të një ideologjie e një doktrine, e cila ndërkohë ishte e përbotshme. Pikërisht këtu, brenda këtij fenomeni historik, kishte vendin e vet edhe Enver Hoxha e një sërë udhëheqësish të tjerë lindorë, të cilët kishin vepruar njëlloj në krijimin e një bote terrori dhe frike në vendet e tyre. Prandaj, bashkë me Stalinin, Hrushovi dhe grupi i tij në Moskë, patjetër që do t’i godiste edhe këta, sepse nuk mund të krijonte atë frymë të re që kishte nisur.
Në këto momente, kur Hrushovi po vinte në Tiranë, të ngjashmit e Enver Hoxhës në vendet e Europës Lindore ishin likuiduar me kohë dhe nga të gjithë ata, sigurisht që me i ngjashmi me të kishte qenë Rakosi në Hungari. Ndonëse ai ka qenë shumë më i kulturuar se Enver Hoxha, shumë më i ditur dhe me një aktivitet të jashtëzakonshëm politik; rreth gjashtëmbëdhjetë vjet i burgosur politik, me një stazh pranë Stalinit në Moskë dhe drejtues i një plejade njerëzish shumë të kulturuar dhe njohës të thellë të marksizmit. Me Enver Hoxhën, ai takohej në një pikë, tek sadizmi në metodat e sundimit. Që të dy kishin përdorur doktrinën, njëlloj si Stalini, që të likuidonin kundërshtarët e tyre. Por, duhet thënë se terrori i Rakosit në Hungari kishte qenë shumë më i egër sesa ai i Enver Hoxhës në Shqipërinë e viteve 1945-1948. Megjithatë, ata të dy duhej të zëvendësoheshin pas ardhjes së Hrushovit në pushtet. E gjithë metoda staliniane u godit në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Rakosi nuk rezistoi, por iu bind Hrushovit. Ai shkoi në një vend të izoluar të Bashkimit Sovjetik dhe qëndroi atje deri në fund të jetës së vet. Të njëjtën gjë sovjetikët i kishin kërkuar edhe Hoxhës; ta merrnin në Rusi e ta mbronin nga përgjegjësia e krimeve që kishte kryer në periudhën e tij staliniane. Por ky po rezistonte; ndryshe nga të gjithë të tjerët, madje ende nuk kishte pranuar që të godiste edhe Stalinin, monumentin e të cilit e mbante në sheshin më kryesor të qytetit, në sheshin që sot quhet sheshi “Skënderbej”. Në fakt, Hoxha e dinte se Shqipëria nuk ishte Hungari dhe ndryshe nga të tjerët, ai ishte shumë më i sëmurë dhe shumë më delirant. Pastaj, pikërisht pse Shqipëria nuk ishte për Moskën e barasvlefshme me Hungarinë, ai kishte zgjedhur rrugën e rezistencës dhe të qëndresës për mbijetesë, duke i shtrënguar shumë radhët rreth vetes. Ai e dinte mirë që Rakosi nuk mund të qëndronte për shumë arsye gjeopolitike, por e kishte parë që atë e kishin lënë edhe njerëzit e afërt të tij. Pika më e rëndësishme ishte se, Rakosi dhe të tjerët si ky, kishin gabuar kur kishin bërë rehabilitimet që iu kërkuan pas Kongresit XX, sepse në fakt ata u rrëzuan nga të rehabilituarit, që kishin ardhur nga burgjet e internimet. Hoxha kurrë nuk e pranoi këtë dhe gjithmonë kishte menduar që afër tij, në udhëheqjen e lartë, të kishte vetëm njerëz shërbyes të tij. Prandaj, atij tani i duhej vetëm një shfaqje: një vizitë e Hrushovit në Shqipëri, ku ky ta priste në mënyrë të jashtëzakonshme për t’ia hedhur, deri në atë çast sa të gjente rastin për separatizëm.
Historia e Shqipërisë nën suazën e Perandorisë Turke, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të asaj Perandorie, ka pasur dy raste të mëdha të taktikave separatiste. Ka pasur rastin e Ali Pashë Tepelenës dhe të Bushatllinjve të Shkodrës, të cilët, pasi krijuan dy pashallëqe të mëdha, vendosën ndarjen nga Porta e Lartë. Në fund të fundit, kjo ka qenë psikika në politikën e sundimeve perandorake në Shqipëri dhe jashtë kësaj psikike nuk kishte se si të dilte edhe Hoxha, i cili, si sundimtar, kishte të gjitha tendencat e një pashai dhe kërkesat për pashallëk. Por kohën ende nuk e kishte në favor, megjithëse duhet shtuar këtu se ai e kishte ndier ndërkaq që edhe një vullnet tjetër shumë i fuqishëm, Mao Ce Duni në Kinë, nuk e kishte pranuar goditjen e kultit të individit të Stalinit dhe nuk do ta pranonte një rrugë liberale për drejtimin politik të vendit. Prandaj, pikërisht për këtë, Enver Hoxha priste që të krijohej një çarje në botën komuniste, në mënyrë që të anonte nga konservatorja, nga pushteti absolut dhe nga metodat staliniane të mbajtjes së pushtetit. Ai kishte parë një hije në horizont dhe kjo sigurisht që i kishte dhënë shpresë. Në fakt kishte parë hijen e të ngjashmit të vet që nuk mund të kondicionohej dot nga Moska për të qenë në krye të Partisë së tij dhe kishte edhe një fakt egërsie: shtypjen me gjak që Maoja i kishte bërë para një viti revoltës së studentëve të Pekinit. Hoxha e kishte ndier që në vitin 1958 se Mao Ce Duni ishte e vetmja shprese e tij. Dhe ai priste për këtë, madje, edhe në çastet kur iu desh të luante teatrin më qesharak me Nikita Hrushovin në Tiranë.
II
Në fakt, në Shqipëri po vinte perandori, kjo ishte arsyeja reale e gjërave; prandaj kudo, që një javë përpara, kishte nisur festa. Komunistët dinin të bënin vetëm festa, me çdo kusht festa dhe kjo vizitë sigurisht që ishte tamam një festë e madhe. “Kishte humbur gjithçka, – më thanë në burg pastaj kundërshtarët e vjetër – sepse e kemi ndier shumë ligsht atë vizitë”. Dhe kishin të drejtë, regjimi po u imponohej me forcën e një perandorie të madhe, kur në fakt flitej jo për perspektivën e një populli, por për pushtetin e një njeriu apo të një grushti njerëzish. Dhe, po ta shohësh me një mendje të kthjellët, vërtet që “kishte humbur gjithçka”, çdo perspektivë se mund të kishte më liri në këtë vend, sepse kështu do të mendoja edhe unë po të kisha qenë në vendin e tyre: njerëz të rropatur, të internuar që prisnin me shpresë nga Zoti që të rrëzohej një regjim terrori dhe befas terrori vjen e bëhet edhe më i fuqishëm, sepse kryeministri i vendit më të fuqishëm të botës vinte në Tiranë për të folur kundër lirisë dhe kundërshtarëve të Hoxhës. Por, këtë nuk kisha mundësi që ta shihja kështu në atë kohë, ndonëse së brendshmi e ndieja që regjimi politik po merrte forcë, një forcë abstrakte, që unë, ndonëse nuk e kuptoja dot nga se vinte, e ndieja që diku drejtohej: te frika, pa dyshim te frika. Këtë më thanë në burg edhe ata pleq të burgosur, tek më tregonin ndjenjën e terrorit që kishin përjetuar në atë vizitë aq të gjatë të kryeministrit sovjetik në Shqipëri, një vizitë e çuditshme, që askush nuk kishte mundësi ta gjykonte qetë e saktë, sepse diçka fshihte dhe shprehte në fakt jo atë që mendohej. Por, si pasojë e kësaj, të gjithë të persekutuarit, që ishin nëpër internime, e gjetën veten të izoluar: shumë i arrestuan e i mbajtën nëpër burgje, derisa u largua kryeministri sovjetik nga Shqipëria, kurse shumë të tjerë të internuar nëpër fshatrat e Lushnjës dhe Fierit i mbyllën familjarisht nëpër koçekët e misrit, sikur të kishin qenë bagëti; të gjithë bashkë, të kyçur aty, derisa të mbaronte vizitën Hrushovi nëpër ato qytete. Kishte qenë një gjë e tmerrshme dhe tek e dëgjoja nga Kurt Kola e nga Qemal Dema në burg, më është ngjethur mishi. Por, tek i dëgjoja këto, mendoja edhe për atë histeri të madhe, atë entuziazëm agresiv që tregonin njerëzit kur brohorisnin “Enver-Hrushov”, ose “Bashkimi Sovjetik-Bashkimi Sovjetik”. Një gjë vërtet e rëndë, e cila vijoi po kështu deri në fund kur ra regjimi komunist në Shqipëri. Por kjo, siç do ta shohim, nuk lidhej fare me vizitën e Nikita Hrushovit; nuk lidhej gjithashtu as me Bashkimin Sovjetik, por me një tjetër lloj ndjesie, që pa dyshim se kishte lidhje me pushtetin, me urrejtjen, me frikën dhe më psikologjinë e turmave nën një regjim totalitar.
Po ta shohësh me një sy kritik nga sot, e kupton se ajo vizitë kishte të bënte me historinë tonë në një krah, por edhe me pushtetin e Enver Hoxhës, në krahun tjetër. Ajo përfundimisht ka qenë një lojë e madhe interesash, të cilat kishin kahe të kundërta: Hrushovi kishte ardhur për interesin e Bashkimit Sovjetik, kurse Enver Hoxha luante për interesin e tij. Po njerëzit, përse brohorisnin, për interesin e tyre, për interesin e Bashkimit Sovjetik, apo për interesin e Enver Hoxhës? Tani që dihet mirë se çfarë luhej brenda pushtetit shqiptar dhe marrëdhënieve të Nikita Hrushovit me të gjithë lëvizjen komuniste ndërkombëtare, kuptohet se Hrushovi ka qenë në Shqipëri për të parë nga afër e për të sqaruar enigmën e tij se çfarë ishin këta shqiptarë, që nuk po e pranonin kursin e tij të ri. Çfarë përfaqësonte Enver Hoxha dhe çfarë do t’i duhej atij të bënte në të ardhmen me Shqipërinë? Koha e tregoi se në fakt atë e kishte sjellë këtu interesi i Bashkimit Sovjetik, por askush nuk mund ta kuptonte që atëherë se cili kishte qenë në fakt edhe interesi i Shqipërisë: “të rrinte apo të shkëputej nga Bashkimi Sovjetik?” Po shqiptarët e vënë në rresht, përse  brohorisnin aq çjerrë? Këtë do ta analizojmë si një fenomen më vete.
III
Megjithatë, mendoj se kulmi i marrëdhënieve politike të Shqipërisë patjetër që deri më sot është vizita gati dyjavore që bëri Nikita Hrushovi, kryeministri dhe kryetari i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ai erdhi në qershor të vitit 1959 me një staf tepër të madh dhe u prit në një mënyrë triumfuese. Kurrë nuk qe pritur ndonjë kryeministër sovjetik në ndonjë vend tjetër të botës ashtu sikundër u prit në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, sepse ai shkoi kudo. Hrushovi i vizitoi të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë. Ai ishte në Shkodër, në Korçë, në Durrës dhe në Vlorë. Me një fjalë, në të gjithë Shqipërinë. Unë kisha dalë vetë për ta parë me shkollën, sepse të gjitha shkollat e Tiranës ishin shpërhapur përgjatë të gjithë rrugës, që fillonte nga Zogu i Zi e mbërrinte deri në Pallatin e Brigadave, ku ishte rezidenca dyjavore e Hrushovit. Një entuziazëm frenetik kudo. Të gjithë bërtisnin e çirreshin me thirrjet “Bashkimi Sovjetik” dhe “Enver-Hrushov”, ndërsa këta të dy me makinë të hapur parakalonin mes turmave, duke përshëndetur me dorë. Një habi e vërtetë për mua. Nuk di, por për herë të parë ndjeva konkretisht peshën e madhe dhe trysninë që ushtron mbi turmat një perandor. Në atmosferën shqiptare kishte ardhur vetë perandori i perandorisë më të madhe të botës, sepse shpesh më pas nëpër vite e kam menduar këtë fakt: ishte apo jo ai një perandor. Kam përshtypjen se po. Ai sikur po bënte një vizitë në një cep të perandorisë, kurse dy lakenjtë e tij që drejtonin këtë vend, Hoxha dhe Shehu, e shoqëronin gjithë servilizëm. Dhe kudo bëhej festë, një festë e njëllojtë si të gjitha festat e asaj kohe; njerëz që grumbulloheshin dhe flisnin gjithë ditën për mikun e madh dhe në darkë nëpër sheshet e qyteteve shfaqeshin dokumentarët e vizitës së Nikita Hrushovit. Por asfare nuk mund të kuptohej pse gëzonte populli. Kam përshtypjen se ai ishte një entuziazëm i rremë, si të gjitha shfaqjet e entuziazmit agresiv që u dhanë në Shqipërinë diktatoriale deri në rrëzimin e komunizmit. Por, megjithatë, ishte entuziazëm dhe njerëzit gëzonin, a thua se u kishte mbërritur Zoti. Pas dy vjetësh ishin po këta njerëz që bërtisnin në të kundërt, madje edhe më entuziastë për prishjen me perandorin. Kjo ishte ngjarja, të cilën më është dashur ta mendoj pastaj për tërë jetën dhe ta shoh edhe si fenomen të natyrës njerëzore dhe jo vetëm si një fenomen shqiptar. Sepse atë e gjeta në të gjitha tragjeditë, e pashë në filmat më të mëdhenj të botës, e gjeta te Cezari, te Bonaparti e te Revolucioni Francez dhe tek vetë totalitarizmat e shekullit XX. Kështu pra, mua më kishte mbetur në mendje pjesa më e shëmtuar e natyrës sonë njerëzore, ajo e alienimit nga pushteti, ajo e kultit të një perëndie që adhurohet në tokë pa pasur lidhje fare me personin, por vetëm me pushtetin që ai kishte.
vijon…

Ngjela: Libri, për të mbushur boshllëqet e historisë
“Historia përjetohet, nëse nuk e përjetoni, atëherë lexojeni si roman”. Kështu do të thoshte politikani Spartak Ngjela dje në promovimin e librit të tij, “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”. Një libër me karakter autobiografik, i cili në fakt i shërben edhe historisë shqiptare, në procesin e saj të zbardhjes së të vërtetave të diktaturës komuniste. Për të ndarë kënaqësinë e një botimi të ri, ishin të pranishëm politikanë, gazetarë e miq të avokatit. “Refleksionet politike të Ngjelës kanë një rëndësi të dyfishtë. Aksioni i tij politik ka qenë një refleksion dhe refleksioni i tij personal është shndërruar vazhdimisht në aksion politik ose publik”, u shpreh Henri Çili, drejtuesi i UET Press, që boton librin e Ngjelës. Me një kujtesë për t’u pasur zili, Ngjela ndalet në ngjarjet më të mëdha të kohës, andej viteve ’90. Një larmi personazhesh lëvrijnë në këtë vëllim të parë. Në faqet e këtij vëllimi rrëfehet arrestimi i të atit, biseda e fundit atë e bir, kujtimet e fëmijërisë së hershme, deri tek ngjarjet, si: vdekja e Stalinit, shkëputja e madhe, afrimi me Kinën, Revolucioni kulturor në Pekin e Tiranë, revolucioni kinez në Shqipëri, dalja nga Traktati i Varshavës, etj. “Është shumë e rëndësishme të reflektojmë për tiraninë, për historinë tonë politike dhe ky libër, ky personazh si rasti i Ngjelës, është ndoshta nga ilustrimet më të mira, nga autorët më të mirë për këtë refleksion mbi politikën, mbi Shqipërinë, mbi të kaluarën e mbi të ardhmen”, tha Çili. Ndërsa vetë Ngjela, si të kishte lexuar mendjet e të gjithë të pranishmëve, shpjegoi se përse mori përsipër të shkruante një libër kujtimesh, apo më mirë refleksionesh. “E kam shkruar se kam përshtypjen se ne kemi një  segment bosh në histori. Historia është kontinuitet, prandaj ndihet. Dhe për faktin se duhet mbushur ky boshllëk, unë hodha i pari idetë e mia. “Në gjithë këtë periudhë që kam shkruar unë, që nga ’57 deri në 2010-n, është një frymë anti-intelektualiste në Shqipëri që po bllokon demokracinë, jetën dhe njeriun autonom”, tha Ngjela, duke treguar shkurtimisht luftën anti-intelektuale që është bërë gjatë viteve të diktaturës, jashtë dhe brenda radhëve të partisë, një frymë që sipas tij vijon edhe sot.

SPARTAK NGJELA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura