Rrëfimi i motrës: Biseda e fundit me Aldën përpara se ta vriste Marjan Rroku

Mar 1, 2016 | 10:03
SHPËRNDAJE

Motra e Alda Canës, Ornela Canaj ka folur në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës për vrasjen e motrës dhe të ëmës së saj, nga Marjan Rroku, ish-agjenti i SHIK-ut.

MotraPlot 15 vjet pasi ka ndodhur ngjarja, Ornela Canaj, e cila bashkëpunoi me drejtësinë amerikane për prangosjen e Marjan Rrokut, tregon për ditën kur ndodhi ngjarja.

Ornela e pe intervistën e Marjan Rrokut?

Kur u ngrita dje në 3 mëngjes dhe kisha marrë disa emaile të ndryshme nga shoqet, ku më thonin të shikoja një intervistë. Nuk e dija për çfarë bëhej fjalë. E pashë në TV Klan në versionin online të modifikuar. Nuk u besova dot syve. U ndjeva shumë e vrarë, ato plagë që jemi munduar t’i mbyllim u hapën sërish. Ishte një  poshtërim shumë i madh dhe është turp që një emision i tillë të shfaqet në mediat shqiptare

Flasim për personin që vrau motrën tende, Marjanin, i cili e pranoi që e kishte vrarë, duke thënë që Alda ishte një shoqe, një motër, asgjë më shumë. Kush ishte Marjani për ty, për Aldën, për familjen tënde?

Mariani për mua është një kriminel që nuk e meriton të shfaqet në një emision. Është manipulues dhe mashtrues. Emisioni tregonte një Marian të penduar. Historia që tregoi ai ishte një nga historitë e sajuara që ai të gjejë një mundësi që të dale.

Çfarë është kjo gazete që ma cuat ju?

Pasi vrau motrën dhe mamin, Mariani u arratis dhe u dërgoi një letër të gjithë gazetave dhe shtypit shqiptar që të rrëfente dashurinë për Aldën, dhe arsyet e kishte vrarë Aldën.

E kishte pranuar që i kishte vrarë?

Po, ai e kishte pranuar në atë letër te botuar ne gazetat e 2001, që e kishte vrarë.

E mban mend ditën e vrasjes?

Mami e shoqëronte Aldën çdo ditë në shkollë. Kishte qenë mësuese, hoqi dorë nga shkolla dhe duhej të bëhej badigarde e motrës ta mbronte nga Marjani. Unë e pashë Aldën në shkollë te shkolla e mesme e gjuhëve të huaja. Ishte e nxirë në fytyrë dhe po dridhej. E pyeta çfarë kishte. Ajo më tha që i kishte dhënë një letër Marjanit, ku i thoshte: ”Na lini të qetë mua dhe familjen, e ai erdhi te dritarja kur isha në mësim. Ma bëri me shenjë që do të vras”. I thashë që ta çoja në shtëpi dhe më tha jo, kam më shumë besim te mami. E lashë aty dhe shkova në mësim. Mendova se ishte ndonjë nga ato kërcënimet e papërfunduar, që na ndiqnin me muaj me radhë. Kur u ktheva në shtëpi nuk i gjeta dhe pashë që nuk kishte njeri dhe nga policia mora vesh për atë që kishte ndodhur.

Ti e njihje Marjanin?

Marianin e njihnim si njeri tjetër, si shoqëri. Shoqërohej me dy shokë të tjerë. Ne nuk e dinim se ku punonte se ai na thoshte se punonin në një kompani amerikane. Nuk e dinim që punonte për SHIK. Ishim në shoqëri. Ditën kur e mësova që ai e kishte kërcënuar time motër, ishte dita që e gjeta në konvikt Aldën, shtrirë, me fytyrë të nxirë dhe të enjtur. E pyeta se çfarë i kishte ndodhur. Ajo ishte një fëmijë shumë lozonjar, e qeshur, e brishtë, kishte jetë në sytë e saj. Më tha se një i dehur me motor e kishte tërhequr. Shkuam dhe raportuam në polici. Kur u kthyem në shtëpi më tregoi se kush ia kishte bërë. Më tha që ai që ia kishte bërë ishte një njeri i njohur, ishte Marjani, i cili punonte për SHIK-un, që kishte pistoletë dhe që e kishte kërcënuar që të mos tregonte. Kështu që ne shkuam përsëri në polici dhe e denoncuam me emër dhe që ishte punonjës i SHIK.

Pas denoncimit cfare ndodhi?

Pas këtij denoncimi gjërat u bënë më keq. Na erdhën njerëz të SHIK-ut që na kërkuan ntë hiqnim denoncimin, se ishte njeri i mirë dhe nuk do ta bënte më. Ka pasur edhe shumë denoncime të tjera nga babi, nga tezja në rajonin e policisë nr. 1 dhe 2.

Në krye të SHIK-ut ishte Fatos Klosi. Babi më tregoi për një letër që i ka çuar Fatos Klosit si një njeri dhe prind nga Mallakastra. Patët përgjigje nga Fatos Klosi?

Nuk patëm përgjigje por dëgjuam të përmendej emri i  Fatos Klosit. Marjani e përmendte shumë emrin e Fatos Klosit, thoshte se nuk mund t’i bënim gjë pasi ai e mbronte Fatos Klosi. Menduam se ai abuzonte më këtë fakt dhe babai e nena i shkruan atij.

Çfarë kërkonte Marjani nga ju? E donte ai Alden, kishte nje histori me te?

Ai e çoi motrën në shtëpine e tij, një dite dhe e kërcënoi atë me pistoletë, i thoshte se duhet të vinte me atë, pasi i kishte bërë edhe dokumente për ta çuar në Itali. Një njeri që të do dhe do të martohet nuk të rreh nuk të torturon, e të përndjek siç bënte Marjani. Ne shohim fakte pavarësisht se çfarë thotë ai. Motra ime u torturua për muaj dhe jeta e saj u mor pak nga pak. Nga ajo çapkëne e vogël u be një njeri që nuk donte të jetonte më.

Nëna juaj erdhi në Tiranë dhe ju mori nga Qyteti Studenti?

Mamaja erdhi në Tiranë, jetonim me nënen dhe gjyshen.  Menduan që të shkonim në Greshicë, por pasi Marjani shkoi me disa shoke atje dhe atëherë menduam që ishte më mirë që të qëndronim në Tiranë, se ishte qyteti më i madh.

Por nuk  ju mbrojti dot Tirana?

Të gjithë e dini si përfundoi historia.

Ditën që more vesh se ato të dyja nuk janë më, çfarë vendose të bësh?

Ditën që mora vesh, nuk e di se si kaloi. Sa e mora vesh që kishte ndodhur vrasja e dija kush e bëri. Mendova se po ta merrja Aldën me vete atë ditë do ta kisha shpëtuar, pasi Mariani e njihte rutinën e Aldës. Ca gjëra nuk kthehesh dot t’i ndryshosh.

Marjani iku, ti vendose ta gjesh dhe e gjete vrasësin e motrës tënde. Si ia dole të ikësh në Amerikë? Dyshoje qe ai fshihej atje?

Vizitova Amerikën disa herë dhe kontaktova me një avokat që më ndihmoi të bëja dokumente. Më ndihmoi një shoku im që në Shqipëri të lidhesha me marshallët. Dyshoja që Marjani mund të ishte në Amerikë me idenë se ai mund të fshihej aty pasi ishte një vend i madh. Duke qenë se ai thoshte se punonte për një kompani amerikane atëherë dyshovaa se mund të ishte vendi që ai të fshihej aty.

Sa vjet u deshën për ta gjetur?

Shumë vite. U përpoqëm shumë, u lodhëm po humbisnim besimin dhe durimin kur më në fund ndodhi.

I kishe dhënë fjalën vetes që do e gjeje njeriun që të vrau motrën dhe nënën dhe do çoje para drejtësissë.

Ishte qëllimi i jetës sime. Nëna ime dhe motra ime janë përgojuar në shyp, kanë qenë engjëj dhe nuk e meritonin që të vriteshin në mënyrë barbare sidomos nga një person që i kishte torturuar me muaj të tëra. Doja të sillja drejtësi dhe t’i lija të preheshin ne paqe. Të gjeja personin që i vrau dhe që ai të merrte atë që meritonte dhe ta kalonte jetën në burg.

Ai u kap, u dënua, njerëzit që e kapën të sollën prangat. Tani historia ka mbaruar. Çfarë të bëri që të shpërthesh?Intervista?

Nuk është hera e parë që shikoj veprime manipuluese të Marian Rrokut. Në çdo dalje, në çdo gjykatë kja qenë një histori e ndryshme, një veprim që ka pasur në prapaskenë. Kur dëgjova intervistën, pashë që ishte për pendimin e Marjanit. Nuk e besoj që ai është një njeri i penduar. Nëse do ishte  i tillë pse nuk dërgoi një letër por mori spotlighte mbi vete. Fillova të shoh në mediat sociale dhe pashë shumë njerëz që thonin se kërkoi falje dhe duhej te amnistohej.

Dyshove se ai është duke përgatitur amnistinë?

Dyshova që ai po përgatitej për amnistinë. Nepermjet një emisioni  bazuar në fjalët e një krimineli dhe jo në fakte. Një emision që nuk mund  të shfaqej në asnjë vend të botes. Ardit Gjebrea e lakoi emrin e tij gjithandej dhe nuk tentoi të më pyeste për fakte apo t’i kërkonte vete.

Sepse askush nuk e dinte ku ishe, ti vetëm sot u bëre e gjallë dhe hape nje faqe në FB.

Faqja u hap dje pas emisionit në radhë për të parë për të kërkuar drejtësi për mamin dhe motrat. Emrat e tyre po lakohen në shtyp. Historia e Marjanit po hedh më shumë baltë në emrat e tyre. Doja që të nderoja kujtimin e tyre dhe njerëzit të shikonin që ato ishin një nënë dhe një motër që nuk vrisnin dot një mizë, nuk meritonin të dhunoheshin dhe vriteshin në atë mënyrë. Nuk kam dashur që të shfaqem në media, ne kemi pasur shumë raste. Thjesht kam dashur të gjej drejtësi dhe të mbyll plagët por këtë radhë plagët janë hapur shumë. Pata shpresë te drejtësia që vendimi u bazua në fakte dhe u dha i drejtë. Pata besim kur drejtësia amerikane e ekstradoi në Shqipëri. Tani e shoh që kjo është një përpjekje tjetër e Marjan Rrokut që të shohë ato yçklat e ligjit që të shohë se si të dalë pa kaluar jetën në burg, ashtu siç e meriton.

Ka pasur shumë njerëz që po të  ndjekin dhe që mezi prisnin të dëgjonin versionin tënd të ngjarjes. Çfarë do u thuash njerëzve që po të dëgjojnë?

Ka patur shumë njerëz që më kanë shkruar. Shumë  faleminderit për komentet. Faqen në FB e hapa për të treguar pjesën time dhe faktet. Ato që kam postuar në FB, janë fakte dhe nuk i kam postuar që njerëzit të shajnë dhe të bëjnë komente boshe. Doja që njerëzit të shikonin faktet dhe të vërtetën. Shumë faleminderit të gjithëve që më kanë komentuar.

Doja tu thoja se ato që dëgjoni dhe nuk keni fakte, ju lutem shikoni faktet në fillim, shikoni se si një njeri i tillë mund të vrasë një fëmijë dhe një nënë, t’i vrasë para se t’i qëllojë me plumb, t’u shkatërrojë jetën. Pasi kalojnë vite për ta kapur, ai sërish kërkon ta manipulojë të vërtetën dhe opinioni publik që të dalë nga burgu. Ju lutem shikoni faktet dhe mendoni siç mund të bëjë një njeri me mend dhe vendosni vetë./dritare.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura