Rrëfimi i mbrojtësit brazilian që po shkëlqen me ballshiotët, Lorran: Unë, “Marselo” i Bylisit që jam dashuruar më Shqipërinë

Oct 5, 2022 | 21:19
SHPËRNDAJE

Lorran de Oliveira Kuintanilha. Ky është emri i plotë i mbrojtësit të majtë të Bylisit, Lorran, i cili prej tri sezonesh është pjesë e ballshiotëve. Në gjashtë ndeshjet e deritanishme ai ka qenë padyshim lojtari më i mirë i Bylisit, duke treguar një formë në rritje dhe krijuar siguri në krahun e majtë, qoftë sa i përket ndihmës që i jep ekipit në fazën mbrojtëse, por po ashtu edhe në atë sulmuese.

LORRAN

I ka luajtur të plota të gjashta ndeshjet dhe në Ballsh të gjithë e shohin si një pikë shumë të rëndësishme. Ana e fortë e tij është edhe sjellja jashtë fushe. Mjaft harmonik me grupin dhe një lojtar i dashur për çdo trajner. Disa vite më parë është grumbulluar nga Brazili U-17, ndërsa ka luajtur një ndeshje edhe me U-20 (Brazil-Kolumbi 2-1, më 23 janar 2015). Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 26- vjeçari tregon për aventurën në Ballsh, idhullin e tij, por jo vetëm.

Lorran, luani sezonin e tretë si pjesë e Bylisit dhe të dytin në Superiore. Si ndiheni në Shqipëri?

Jam shumë i lumtur, pasi këtu kam edhe familjen. Personalisht jam ambientuar mirë në futbollin shqiptar, për më tepër që Bylisi ka ndryshuar pak dhe jemi shumë lojtarë që kemi disa vite që luajmë së bashku. Ndihem mirë, pasi bashkë me familjen, gjejmë momente edhe për kohën e lirë. Shkojmë shpesh në Fier, Vlorë apo Tiranë. Unë kam qenë edhe në Sarandë dhe jemi shumë të lumtur deri më tani.

E keni nisur në mënyrën më të mirë sezonin dhe duket sikur krahu i majtë është “prona” juaj tashmë, aty ku Bylisi ka shumë siguri…

Dy vite më parë kur erdha te Bylisi ka qenë mesi i sezonit dhe në fund fatkeqësisht dolëm nga kategoria. Edhe atëherë ishim një ekip i mirë, kishim cilësi dhe shumë lojtarë. Por, këtë sezon kemi bërë një nisje shumë të mirë dhe duam që të vijojmë të jemi në rrugë të mbarë, duke bërë pse jo gjëra të mëdha. Jemi një grup fantastik dhe me një trajner shumë të mirë. I kemi marrë ndeshjet sipas radhës dhe kemi vlerësuar çdo rival. Besoj se kemi qenë të fortë për çdo kundërshtar.

Sa ju ka ndihmuar fakti që ka shumë brazilianë në skuadër?

Po jemi shumë mirë, madje ne tashmë jemi një komunitet brazilianësh në Ballsh (qesh). Përveç meje, këtu është edhe Aires Soza dhe Felipe Souza me familjet e tyre. Në fakt, jemi shumë lojtarë të huaj që jetojmë këtu. Edhe bashkëshortet tona ndihen shumë mirë sepse e kalojnë kohën me njëra-tjetrën. Pastaj, në fundjava pas ndeshjeve ne dalim familjarisht.

E ndieni veten të privilegjuar në Ballsh?

Po, është e vërtetë, jemi si në shtëpinë tonë. Jemi ambientuar me zonën, dalim në qytet dhe bëjmë pazare. Këtu na duan të gjithë, madje kurrë nuk e kemi ndier veten si të huaj. Edhe Aires Soza dhe Felipe në fillim kur erdhën, ishin pak dyshues për ambientin, por sot ata janë njësoj si unë që kam tri vite këtu. Ballshi është një qytet që na respekton dhe këtë marrëdhënie unë e shoh edhe me të huajt e tjerë. Nuk jemi pak, pasi këtu ka disa nigerianë, ballkanas dhe nga Kuvajti.

Çfarë ju pëlqen nga ushqimet tradicionale shqiptare?

Më pëlqejnë disa ushqime. Kam provuar gjellën me fasule, por edhe mish qengji. Më ka bërë përshtypje ajo që këtu e quajnë kaposhi i detit me përshesh, që është gatim tradicional i zonës. Ka ushqime vërtet të veçanta, që mund t’i shijosh në dimër dhe verë.

LORRAN5

Të flasim pak për kampionatin. Luani ndaj Kukësit të shtunën në transfertë, si është atmosfera në ekip?

Vijmë nga një fitore ndaj Erzenit, një ndeshje që ne e kishim vlerësuar shumë, ku dhamë më të mirën tonë. Kemi nisur që të mendojmë për ndeshjen me Kukësin dhe ajo që mund të them është se në futbollin shqiptar nuk mund të bësh dallime me këtë formule që është aktualisht. Ne si ekip me profesor Arian Bellain, kemi një parim: respekto dhe shikoni në sy çdo ekip. Frikë nuk kemi asnjë kundërshtar.

Cili është idhulli juaj në futboll ose më saktë një lojtar që ju frymëzon…?

Të them të drejtën më pëlqen shumë Marselo që ishte te Reali. Unë, edhe sot në kohën e lirë shoh ndeshjet që ai ka zhvilluar. Me pëlqen shumë për nga mënyra se si luan, një lojtar i veçantë me karakteristika që janë edhe të pozicionit tim në fushë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura