Rrëfimi i Kristi Pines, si e dekonspiroi atentatin ndaj Çakmashit për pagesën

Feb 15, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Sipas Prokurorisë, me këmbënguljen e Admir Tafilit Kristi Pine ka takuar të pandehurin Alfred Qefalia.

kristi pine2Ky i fundit i ka kërkuar që të realizonin një vrasje bashkë të një personi dhe për këtë paguheshin 15 000 euro.

Kristit i janë dukur shumë pak dhe për këtë nuk ka pranuar, por shtetasi i dënuar Admir Tafili i ka kërkuar përsëri që të shkonte dhe ta takonte shtetasin nën hetim, Alfred Qefalia.

“Ka rezultuar se këtë vrasje e ka kryer pasi ia ka kërkuar shtetasi nën hetim Alfred Qefalia, të cilit ia kishte kërkuar personi i thirrur “Cufe”, që është pronari i lokalit “L…”, dhe që u identifikua si shtetasi nën hetim Ardian Ozuni”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. Në deklarimin e tij, Pine ka rrëfyer për studimin e lëvizjeve të Edmond Çakmashit.

“Rreth orës 17:30, unë, Alfredi dhe Cufja kemi shkuar me makinën tip ‘Aklas’ në Shkozë për të parë nëse personi që do të vrisnim ndodhej apo jo në shtëpi. Aty kemi parë se makina e tij ishte e parkuar aty dhe jemi siguruar se personi ndodhej në Tiranë.

Më pas jemi kthyer te “L…” dhe kemi takuar Klajdin, i cili pyeti a ishte apo jo personi. Klajdi u tremb dhe më pyeti me gjysmë zëri nëse vrasja do të bëhej sot.

Unë i kam thënë që po. Rreth orës 18:30 deri në orën 20:00, unë kam qenë duke provuar armët në pjesën e pasme të lokalit”, ka treguar Pine.

Më tej, ai ka rrëfyer se si bashkë me Alfred Qefalinë dhe Klajdin kanë shkuar pranë banesës së Çakmashit në Shkozë.

Sipas tij, Klajdi kishte shfaqur shenja të theksuara frike. “Alfredi, ngaqë e kishte vëzhguar, e dinte se ky personi ishte besimtar praktikant i fesë islame dhe falej në xhami për pese vakte dhe kthehej në shtëpi pas faljes së Namazit, që përkonte rreth orës 22:00.

Sipas Alfredit, ai personi mund të pinte kafe në darkë dhe për këtë arsye ai mund të kthehej edhe në orën 23:15”, është shprehur Pine.

Për shkak të një ngatërrese që kanë bërë me rrugën, ata janë vonuar 15 minuta, kohë kur “shënjestra” ishte futur në banesë. Sipas Pines, ata janë kthyer të kryenin vrasjen dy ditë më pas.

ATENTATI NDAJ ÇAKMASHIT

“Rreth orës 09:00 të mbrëmjes kanë qenë te nënstacioni në Shkozë, pranë banesës së shtetasit Edmond Çakmashi.

Kristi ka pasur me vete një armë tip ‘Zastava’ dhe Alfredi një pistoletë tip ‘Bereta’ të dyja me silenciator, që ua kishte dhënë shtetasi nën hetim, Ardian Ozuni. Shtetasi nën hetim, Kristi Pine, ka zbritur nga mjeti, ndërsa Alfredi ka pritur në mjet.

Pine ka shkuar midis pallateve ku rastësisht ka parë mjetin e personit që do të vriste, i cili po fliste me telefon. Sapo e ka parë Kristin ky person, ka ndezur dritat e mjetit.

Kristi ka vënë dorën në fytyrë për të mos u verbuar dhe kur ka kaluar pranë mjetit, ka parë targën për t’u siguruar nëse ishte mjeti i duhur.

Pasi është siguruar, ka shkuar pas një pallati, ka vënë në dorë dorezat, ka mbushur pistoletën dhe është kthyer në të njëjtën rrugë, duke u afruar te makina nga krahu i shoferit.

Personi ishte ulur në sediljen e timonit, mbështetur dorën në derë dhe po fliste në telefon, xhami i hapur dhe dëgjohej muzika e mjetit. Shtetasi Kristi Pine ka qëlluar disa herë në drejtim të kolonës së mesit të mjetit, duke pretenduar se nuk kishte për qëllim ta vriste personin.

Pas këtij momenti, Kristi është larguar me vrap për te mjeti ku e priste Alfredi dhe së bashku janë larguar me mjet në drejtim të Farkës.

Të nesërmen kanë shkuar te lokali “L…”, ku kanë takuar shtetasin në hetim Ardian Ozuni, i cili u ka bërtitur duke i thënë Alfredit “Përse nuk e mbaruat”.

Pas kryerjes së veprimit, Kristi i ka kërkuar Alfredit gjysmën e shumës që ishte premtuar ,pasi ai kishte qëlluar në drejtim të personit, pra 7500 euro.

Por Alfredi nuk ia ka dhënë me pretendimin se personi që i kishte kërkuar Cufes këtë vrasje ishte zhdukur dhe nuk kishte paguar”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura