Rrëfimi i fundit i Vitori Curit/ Letrat nga Nju Jorku në Dervician: Mbyllni burgjet politike, se tmerruat dynjanë

Oct 8, 2022 | 19:14
SHPËRNDAJE

enver hoxha vitori curiAFRIM IMAJ

“Në harkun e një viti mora tri letra nga Nju Jorku. Të tria me të njëjtin mesazh. ‘Mbyllni burgjet politike, se tmerruat dynjanë! Stop pushkatimit për motive antikomuniste! Mos e ndaloni besimin fetar!”.

Mënyra si Vitori Çuri e veçonte këtë fakt për një moment të krijonte përshtypjen se ish-zyrtarja e lartë e Parlamentit komunist ka pasur rezerva për sistemin dhe kursin e ndjekur. Po kjo vetëm për pak çaste. Në pjesën në vazhdim, e moshuara zbulonte një të vërtetë krejt tjetër që nuk bën fjalë për pozicion politik e qëndrim opozitar, por për përjetime thjesht personale. E tronditur nga korrespodenca jo e zakontë, Çuri shprehej se është nisur menjëherë në Tiranë për t’u konsultuar me shokët e udhëheqjes. Po dhe aty nuk u qartësua përçka duhej t’i përgjigjej OKB-së. Takimi me Rita Markon, ish-nënkryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, rezultoi jo produktiv, madje ia shtoi ca më shumë dilemat. “Ia vura të tria letrat në tavolinë, kujton ajo, duke i thënë se duhej menduar për një përgjigje. Për dy-tri minuta, Rita u hodhi një vështrim kalimthi dhe sa pa vulën e OKB-së, u kthye nga unë: “Pse për këtë ke bërë gjithë këtë rrugë ti?”.

“Nuk është gjë e vogël, i thashë”. “A është OKBja?”, pyeti ai me gishtin tregues te nënshkrimi në fund të letrës. “Po”, iu përgjigja. “As mos e merr mundimin fare. Se ta dish t’i Vito, OKB-ja është organizata më reaksionare e botës”. Gjithsesi, siç shprehej ish-drejtuesja e Kuvendit Popullor, ngjarje befasuese të kësaj natyre kanë qenë jo të pakta në atë periudhë.

Në vazhdim të intervistës për “Panorama”, Çuri, duke zbardhur një pjesë të praktikave zyrtare të Parlamentit komunist, shfrytëzon rastin për të përgënjeshtruar “zbulimin” e një gazetari të Tiranës, që e trajton si bllokmene me vila në Tiranë e Selanik. Në këtë pikë këmbëngulte për ta hedhur në ligjëratë të drejtë atë që pohonte lidhur me pasurinë. “Veç kësaj shtëpie përdhese këtu në Dervician, Vitori Çuri nuk ka pasuri tjetër, por jeton me pensionin e kooperativës që nuk i del as për ilaçet…”.

Zonja Vitori! Ju morët mandatin e deputetit në Kuvendit Popullor kur ishit dekoruar “Heroinë e Punës Socialiste”. Çfarë përfaqësonte ky status i veçantë për një grua të thjeshtë nga provinca e minoritetit?

E keni fjalën për privilegje. Do t’i bija shkurt për mos t’u bezdisur: Përveç rrogës në borderonë e kooperativës dhe dietave kur shkoja në Tiranë për të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit, nuk kam përfituar asgjë tjetër. Bile edhe vetë fjalën privilegje e salltanete, për aq sa e kam njohur shqipen, kam mundur ta kuptoj vetëm tani në vitet e demokracisë. Kam qenë idealiste dhe jam munduar gjithnjë të jem e sinqertë në çdo rrethanë, duke menduar se këtë e bënin të gjithë. Koha tregoi se shumë të tjerë ndershmërinë e kishin për fasadë, për demagogji. Unë, Vitoria, kam bërë jetën time këtu në këtë shtëpi përdhese dhe jam ndjerë mirë kur të tjerët më kanë nderuar pikërisht për këtë mënyrë jetese…

Tingëllon disi paradoksale që një deputete, ca më tepër drejtuese e Kryesisë së Kuvendit Popullor, vazhdonte të bënte jetën e një fshatareje të thjeshtë në Dropull…

Ç’do të thotë në shqip kjo fjala paradoksale, se nuk e kuptoj mirë..

Do të thotë se sot është e vështirë të besohet që një deputete që drejtonte seancat e Kuvendit Popullor e ngryste jetën si gratë e tjera në provincë. Nuk përfitonit rrogë të lartë, nuk kishit makinë zyrtare, bodigard…

Sa për rrogën, jua shpjegova. Për këtë rojën personale as që bëhej fjalë fare. Lidhur me makinën personale, nuk mund ta imagjinoja kurrë. E tillë isha gatuar. Në asnjë mënyrë nuk e shikoja detyrën si mundësi përfitimi, por si angazhim moral e shpirtëror për të bërë më të mirën e mundshme për njerëzit dhe popullin tim…

Pak a shumë kështu mundohet të justifikohet pjesa më e madhe e funksionarëve të lartë të regjimit komunist…

I kam dëgjuar edhe unë dhe të them të drejtën për ata që i njoh e më ka lidhur puna me ta më vjen neveri nga justifikime të tilla. Të fshehësh përfitimet e paligjshme që bëheshin në atë kohë në emër të postit zyrtar, është njëlloj si të fshihesh pas gishtit në një ditë me diell. Sidoqoftë, është puna e tyre. Unë e them me plot gojën që nuk kam qenë kurrë pjesë e kësaj kategorie. Ata që më njohin, bashkëfshatarët, ish-kolegët e miqtë, e dinë mirë çfarë ka përfituar Vitoria nga posti zyrtar…

Sidoqoftë, nuk mund të ishit tërësisht jashtë këtij sistemi. Bie fjala, nuk ndodhte asnjëherë që Vitoria të shëtiste me makinën e Parlamentit fëmijët e të afërmit…

Nuk e di për çfarë makine e keni fjalën, se unë asnjëherë nuk kam pasur në dispozicion makinë zyrtare…

Makinën që ju çonte në mbledhjet e seancave të Kuvendit…

Vitori Çuri për 16 vite që ka qenë deputete e nënkryetare e Kryesisë së Kuvendit Popullor, ka udhëtuar nga Derviciani në Tiranë me autobus dhe tren si gjithë të tjerët. Që të jem e sinqertë, deri në fund ka pasur disa raste që kam rrugëtuar me makinën e Flamur Çanit, kur ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv. Asnjëherë nuk kam kërkuar nga administrata e Parlamentit mjet zyrtar. Bile e kam quajtur të jashtëligjshme udhëtimin me vetura zyrtare. Në fund të fundit, shteti na i jepte lekët e biletave të udhëtimit, pavarësisht se rruga me veturë mund të ishte më komode…

Po tani a përfitoni pension të veçantë si ish-deputete dhe Heroinë e Punës Socialiste?

Në këtë rast do kisha hezituar t’ju përgjigjesha, por para disa ditësh më ka ngacmuar një kolegu juaj në Tiranë duke më quajtur bllokmene me disa vila në Shqipëri e Greqi, prandaj e shoh të udhës t’ju tregoj “kapitalet” e mia. Të vetmet të ardhura që marr janë ato që përfitoj nga pensioni i kooperativës dhe një shpërblim modest si veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të dyja bashkë nuk arrijnë 150 mijë lekë të vjetra. A më dalin, mund të thuash. Për shpenzimet që kam, do të thosha se janë të mjaftueshme. Po kjo puna e ilaçeve ma prish pak terezinë. Prapëseprapë, kur shikoj se ka dhe më keq, i them vetes se jam mirë. Nuk jam natyrë qaramane siç bëjnë disa, që vend e pavend ankohen me zë të lartë…

Të kthehemi te Parlamenti. Sa deputetë kishte në atë periudhë Kuvendi i Shqipërisë?

Gjithsej ishin 250 deputetë që përfaqësonin po kaq zona zgjedhore që mbulonin rajonet kompakte të territorit të vendit. Unë isha deputete e zonës së Dropullit që popullohej nga minoritarë. Një periudhë kam përfaqësuar fshatin Lazarat në Parlament..

Si funksiononte Parlamenti në atë periudhë?

Ai mblidhej dy apo tri herë në vit. Njëra nga seancat destinohej për miratimin e buxhetit të shtetit, tjetra për shqyrtimin e dekreteve të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kishte raste të rralla që Parlamenti bënte dhe ndonjë mbledhje jashtë radhe. Në periudhën midis dy seancave funksiononte presidiumi i Kuvendit Popullor, të cilin deri në vitin ‘82 e drejtoi Haxhi Lleshi që njihej ndryshe si President i vendit. Pas tij e deri në fund të Parlamentit komunist, presidiumi u drejtua nga Ramiz Alia. Kuvendi nga ana e vet kishte kryesinë e tij, e cila drejtonte punimet e seancave parlamentare. Unë për shumë kohë kam qenë nënkryetare e Kuvendit. Ishte si të thuash një kuvend që funksiononte krejt ndryshe nga Parlamenti i sotëm. Gjithçka që shqyrtohej e miratohej aty bëhej në një farë mënyre formalisht, pasi të gjitha procedurat, ligjet e dekretet për të cilën ne votonim ishin formuluar e përcaktuar më parë në linjën partiake. Fabula komuniste “Partia mbi çdo gjë” nënkuptonte se të gjitha institucionet shtetërore, duke filluar nga Kuvendi Popullor, ishin thjesht zbatuese të direktivave të KQ, të Byrosë Politike dhe forumeve të tjera të partisë. Ishte koha e Partisë-shtet…

Me një fjalë vetëm dy-tri herë në vit u duhej të udhëtonit për në Tiranë…

Në Tiranë nuk vinim vetëm për seancat e radhës së Kuvendit, por edhe për mbledhjet e komisioneve parlamentare. Ato ishin të shpeshta. Unë për shumë kohë kam marrë pjesë në komisionin e bujqësisë. Problemet e saj në atë periudhë vlerësoheshin të dorës së parë. Kuptohet në këto komisione nuk debatonim gjatë si në rastin e Parlamentit të sotëm, por bënim një shqyrtim në parim të materialeve që përgatiteshin nga sektori përkatës i KQ dhe Ministria e Bujqësisë, për t’ia kaluar për t’i vënë vulën në seancë plenare. Ishte më shumë një takim rutinë që nuk zgjaste shumë. Madje, kishte raste që në Tiranë vinim nga ana e anës vetëm për 20 minuta mbledhje…

Ju ishit një nga drejtuesit kryesor të Kuvendit Popullor që jetonit larg Tiranës. A kishit vështirësi në përmbushjen e detyrimeve zyrtare që përmbante ky funksion i rëndësishëm?

Më shumë se një funksion i rëndësishëm, ka qenë një pozicion përfaqësues, pasi siç e shpjegova, Kuvendi në kohën e “partisë-shtet” nuk kishte ndonjë peshë të madhe. Me sa e vlerësoja, përzgjedhja ime në këtë detyrë, ndër të tjera, kishte në mes domethënien e përkatësisë etnike. Në një farë kuptimi, ishte diçka për aparencë, për sfond për të krijuar përshtypjen tek të tjerët se minoriteti respektohet rigorozisht. Megjithatë, brenda kontureve të kohës, punova me përkushtim për ta përfaqësuar sa më denjësisht zërin e zgjedhësve të mi.

Po si funksionare e lartë e Parlamentit, si operonit me procedurat zyrtare, me korrespodencën, me dokumentet e tjera në kushtet e një distance kaq të madhe?

Me telefon, me postë. Për gjithçka merrja dijeni aty ku isha. Bile jo vetëm korrespodencën e brendshme që nisej nga Tirana, por edhe atë që vinte nga jashtë. Po, po edhe nga Nju Jorku më vinin letrat në Dervician…

Letra nga Nju Jorku në Dervician…

Tri të tilla më kanë ardhur brenda një viti, bile drejtpërdrejt nga OKB-ja zyrtarisht. Si tani e kam parasysh përmbajtjen e tyre. Të tria në një linjë. Nuk e mbaj mend fjalë për fjalë tekstin e tyre, por thelbi kishte të bënte me represionin, që sipas tyre, vazhdonte të ushtrohej në Shqipëri duke shkelur brutalisht të drejtat e njeriut. Më kujtohet fare mirë mesazhi qortues i tyre: “Mbyllni burgjet politike, se tmerruat dynjanë. Stop pushkatimit për motive antikomuniste! Mos e ndaloni besimin fetar!”. Nuk më kishte ndodhur tjetër herë të ballafaqohesha me probleme kaq delikate dhe të them të drejtën u trondita jo pak kur u njoha me përmbajtjen e tyre. Si mora letrën e parë, mendova ta kaloja në heshtje. Kur nuk kaloi shumë kohë, mbërriti e dyta “toidhjo” si e para. Shkova fillimisht në Komitetin e Partisë së rrethit dhe bisedova me Sekretarin e Parë. Lere një herë për një herë, më këshilloi ai, duke aluduar për ndonjë provokim nga qarqe antishqiptare. Ashtu bëra. E lashë unë, por nuk më la OKB-ja. Erdhi letra e tretë. Atëherë u binda që kishim të bënim me diçka tepër serioze dhe të them të drejtën u vura në siklet të madh. Më pa im shoq të merakosur dhe u interesua për çështjen që më shqetësonte. I tregova të tria letrat dhe aty për aty i kërkova të me jepte një mendim. Kjo nuk është punë fshati e kooperative, më këshilloi ai. Duhet të shkosh në qeveri, aty lart, e ta diskutosh me përgjegjësi me krerët e vendit. Më bindi dhe qysh të nesërmen hipa autobusin dhe mbërrita në Tiranë…

Me kë e diskutuat këtë çështje në Tiranë dhe çfarë u rekomanduan për përgjigjen që kërkonte OKB-ja?

Në fakt, kërkova takim me të madhin, por më thanë ta konsumoja problemin me Rita Markon, i cili kryente detyrën e zëvendëskryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Shkova te Rita. I thashë se kam një problem serioz. “Pa hë”, ia bëri ai indiferent. Nxora nga çanta tri letrat e OKB-së dhe ia zgjata te tavolina e tij, duke i thënë se duhej menduar për një përgjigje, e cila kishte nevojë për konsultime me udhëheqësit e lartë. Për dy-tri minuta, Rita u hodhi një vështrim kalimthi dhe sa pa vulën e OKB-së, u kthye nga unë: “Pse për këtë ke bërë gjithë këtë rrugë ti?”. “Nuk është gjë e vogël”, i thashë unë. “A është OKB-ja?”, pyeti ai. “Po”, iu përgjigja. “Asnjë gisht letër mos i dërgo. Se ta dish ti Vito, OKB-ja është organizata më reaksionare e botës”. Pastaj Rita shtoi dhe diçka tjetër, si për të shprehur kompetentin dhe më tha të kthehesha e qetë në Dervician. “Po të vijnë dhe herë të tjera letra të tilla?”, e pyeta unë duke dalë. “Sa të jenë me vulën e OKB-së, futi në sobë dhe mos u lodh me to”. Kaq ishte puna e letrave. Po sidoqoftë puna nuk mbeti me kaq…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura