Rrëfimi i fundit i Themie Thomait/ Nga njohja me Enver Hoxhën te debati i ashpër me Mehmet Shehun: Si më kërcënoi se do më hiqte si deputete dhe si ministre! Ti qenke më kokëforte se…

| 15:31
SHPËRNDAJE

Themie Thomai-Mehmet Shehu-debati

ARISTIR LUMEZI/ Ish-ministrja e Bujqësisë në kohën e komunizmit, Themie Thomai në vijim të intervistës së saj, pak para ndarjes së saj nga jeta për shkak të Covid-19, tregon përplasjet me Kryeministrin Mehmet Shehu për çështje që lidheshin me sektorin që ajo mbulonte. Zonja Thomai tregon se Mehmet Shehu me kokëfortësi i ka thënë se do të propozojë shkarkimin e saj si ministre dhe si deputete e Kuvendit, pas debatit ku secili qëndronte në argumentet e tij.

Por pas pushimit, ish-Kryeministri është tërhequr nga qëndrimi i tij dhe ka pranuar se ministrja kishte të drejtë. Zonja Thomai e cilëson Mehmet Shehun si njeri të vështirë dhe të ashpër për të punuar me të, por thekson se ai ishte një njohës i mirë i ekonomisë. Ajo madje ngre pikëpyetje ndaj akuzës së ngritur ndaj ish-Kryeministrit, i cili u quajt zyrtarisht nga regjimi komunist si poliagjent, duke thënë se nëse do të kishte qenë i tillë ai duhej të ishte zbuluar shumë kohë më parë. “Ishte një version zyrtar që u dha, po mendja të thoshte se duke qenë kaq vjet në drejtimin e vendit, si nuk qenka zbuluar një ditë, apo të kishte pasur një dyshim për këtë veprimtari të tij armiqësore?!”, shprehet zonja Thomai. Ajo madje shpreh habi se si mund të bëhej një luftë kaq e ashpër në kupolën e Partisë së Punës për të zënë vendin e pasuesit të Enver Hoxhës, ndërsa shprehet se ka besuar se nga jeta largohesh vetëm për arsye biologjike.

Gjithashtu, zonja Thomai tregon dhe përplasjet që ka pasur me Ramiz Alinë për çështje të burokracisë, të cilit i është drejtuar me fjalë kategorike: “I thashë se burokracinë e pjell kjo godinë, KQPPSH, (në atë kohë Ramizi ishte Sekretar i Parë i KQPPSH-së). Rregullojeni ju këtë dhe na lini ne të bëjmë punën tonë”, shprehet për gazetën “Panorama”, ish-ministrja e Bujqësisë në periudhën e komunizmit.

Çfarë ndodhi pas propozimit që ju bënë për ministre?

U ktheva në Këmishtaj. Nëna ishte e para që më pyeti se përse më kishin thirrur në Tiranë. Unë i tregova se më kishin emëruar ministre. Kujdes moj bijë, më tha, se mos ta bëjnë si Pirro Dodbiba. Pirro Dodbiba kishte qenë ministër Bujqësie dhe e kishin dënuar e më pas internuar. Unë i thashë se mua më urdhëruan dhe nuk thosha dot jo. Pastaj u mor vesh dhe në kooperativë dhe më kanë nderuar shumë të gjithë. Çdo vendim që merrja si kryetare kooperative, mendoja si do ta presë fshati dhe kooperativistët. Isha rritur bashkë me ta.

Pasi u bëtë ministre, kur e keni takuar Enver Hoxhën për herë të parë dhe folët për punën?

Për herë të parë e kam takuar në podiumin ku qëndronte udhëheqja e partisë për paradën e 1 Majit, një muaj pasi kisha marrë detyrën. Herë të tjera kur kam shkuar zyrtarisht për të raportuar në emër të ministrisë. Më shtrëngoi dorën dhe më tha suksese.

Shfaqte interes Enver Hoxha për çështjet e bujqësisë?

Sa herë shkonim para Byrosë Politike për problematikat që mbulonte ministria e Bujqësisë, ai dëgjonte me vëmendje, pyeste për masat që kishte marrë ministria etj. Por, bujqësia është e vështirë, ka të papritura dhe ke përgjegjësi. Nuk është siç thonë këta sot, që mori karrigen e ministres…kështu flasin ata që nuk kanë njohuri për fushën dhe kohën. Të jesh ministër Bujqësie për 13 vjet është nder, përgjegjësi, por dhe një sakrificë e madhe.

Cili ka qenë vendimi i parë që keni marrë kur jeni ulur tek ajo karrige?

Në qershor të 1976, dy muaj pasi kisha marrë detyrën, ka rënë një breshër i madh në zonën e Tërbufit, ku kishim sipërfaqe të mëdha me grurë. Breshëri e rrafshoi krejtësisht kulturën e grurit të mbjellë, e cila kishte nisur të rritej kishte krijuar dhe kallëzën. Unë u vura në alarm, sepse ishte një dëm i madh ekonomik. Mblodha njerëzit e ditur të bujqësisë dhe të gjithë dolëm në një mendim se e gjithë sipërfaqja e dëmtuar nga breshëri të mbillej me misër që të fitonim kohë dhe të mos na mbetej toka pa prodhim. Misri kërkonte të tjera kushte. Morëm masat dhe e përballuam me prodhimin e misrit. Kjo ishte përballja e parë e rëndë por që bashkë me të tjerë ia dolëm. Një vit tjetër bëri shumë ftohtë, i cili dëmtoi grurin rëndë. Atëherë kishte dy variante, ose ta përmbysnim këtë sipërfaqe, ose të bënim përpjekje që gruri të shpëtonte. Kërkuam mendimin shkencor nga instituti i grurit dhe e shpëtuam.

Sot zona e nën-Shkodrës përmbytet shpesh si nga shirat ashtu dhe nga hapja e portave të hidrocentralit të Vaut të Dejës. Si ka qenë situata në kohën kur ju drejtonit ministrinë e Bujqësisë. Kishit përmbytje të tilla me mijëra hektarë tokë?

Sa i takon Shkodrës dhe Lezhës, ato toka që përmbyten janë toka të ulëta, nën nivelin e detit që shkon deri në 1.5 metra nën nivelin e detit. Atje janë ndërtuar stacione të fuqishme pompimi dhe kanale kulluese. Nuk flasim këtu për përmbytje që shkaktohen nga hapja e portave të HEC-it, sepse ndoshta sasia e ujit që shkarkohet nga atje mund të mos përballohet nga shtrati i lumit. Po flas për rastet kur bie shi 100-150 milimetra shi, nuk ka logjikë të përmbytet Shkodra dhe Lezha. Në atë kohë është përmbytur në zonat më të ulëta dhe kjo ka zgjatur një ditë, por jo me hektarë. Absolutisht nuk kishim përmbytje të këtyre përmasave nga shirat. Por, sistemi i kullimit ka qenë i përsosur. Ne ngrinim një grup të posaçëm të kryesuar nga inxhinierë hidroteknikë që merrte në dorëzim të gjithë rrjetin kullues. Pra, bëhej një kolaudim vjetor i gjendjes në të cilën ndodheshin kanalet kulluese dhe firmoseshin me përgjegjësi ligjore. Shkoje në burg, nëse hidhje firmë fiktive. Kontrolloheshin stacionet e pompimit dhe hidrovorët, bëheshin remontet e motorëve dhe çdo gjë në fillim të vjeshtës ishte gati.

Pse përmbytet sot Shkodra dhe Lezha?

Unë besoj se është prishja e kanaleve kulluese dhe jo eficenca e hidrovorëve. Megjithëse shikon se kanë filluar të pastrohen dhe thellohen kanalet kulluese. Por duhen hapur dhe pastruar të gjitha kanalet sepse ato janë të lidhura, nuk mund të bësh vetëm një pjesë. Mendoj se tani pasi kanë dalë mësime nga gabimet e këtyre 30 viteve, mund të kthehet vëmendja te bujqësia dhe GDP-ja të rritet nga prodhimi dhe jo nga qarkullimi.

Nëse ju sot do të ishit ministre e Bujqësisë, cilat do të ishin tri ndërhyrjet e para që do të bënit?

E thashë, nuk heq dorë nga toka, një administrim i ri i tokës përmes rregullimeve ligjore dhe zbatimin rigoroz të tij. E dyta, ngritja e infrastrukturës për të mbështetur prodhimin bujqësor qoftë nga ana financiare dhe përpunimi i prodhimeve bujqësore. E treta, një kontroll i rreptë i produkteve ushqimore, që popullata të dijë se çfarë konsumon. Gjithashtu, do të mbështesja dhe forcoja institucionet shkencore në mbështetje të bujqësisë. Bujqësia duhet të zhvillohet mbi baza shkencore, jo në padije.

Ju keni qenë në detyrë deri në vitin 1989, po më pas ku punuat?

Më pas, kam qenë sekretare e Parë e Komitetit të Partisë në Lushnje deri në fillimet e ‘90. Pastaj u zgjodha deputete e Kuvendit Popullor dhe më vonë kam punuar në Institutin e Frutikulturës dhe me vendimin e 24/1 kam mbetur një vit e gjysmë pa punë. Në 1994 u emërova në Entin Shtetëror të Farave, ku punova deri në vitin 2004, kur dola dhe në pension.

Jeni emëruar tek Enti gjatë kohës së qeverisjes së PD-së?

Po, në 1994.

Si kanë qenë marrëdhëniet tua me Sali Berishën, sepse njihet ajo periudhë, si një revansh i egër ndaj udhëheqjes komuniste të para ’90?

Unë nuk kam pasur ndonjë përplasje me ndonjë, qoftë edhe ndonjë kontakt direkt, as pozitiv dhe as negativ. Kur kam qenë në Parlament, jemi takuar si deputetë, por asgjë më shumë.

Si është bërë emërimi juaj në atë kohë, nga cili ministër Bujqësie?

Nga Hasan Halili, ministër Bujqësie. Atje punova për 10 vjet.

Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin Mehmet Shehu, me të cilin keni punuar për 5 vjet?

Nga posti i ministrit nuk mund të thuash ke marrëdhënie të mira apo të këqija me Kryeministrin tënd. Këto raporte vendosen mbi bazën e natyrës së punës që ke dhe rezultateve të punës. Natyrisht, Kryeministri është një person që jo vetëm vëzhgon dikasteret, por edhe mat punën e ministrave të tij. Nga kjo anë, unë nuk mund të them nëse ai kishte ndonjë mendim pozitiv apo negativ ndaj meje, por kisha vënë re se, pavarësisht nga rreptësia me të cilën ai drejtonte, vlerësonte mendimet dhe propozimet e mia. Ai kërkonte që çdo ministër t’i dilte për zot punës së tij dhe të mos ia delegonte të tjerëve.

Keni pasur përplasje apo kundërshti në këtë marrëdhënie jo të shkurtër?

Ashtu është, ka qenë një marrëdhënie disavjeçare dhe ka pasur nga të gjitha. Unë kam pasur një natyrë që nëse nuk isha e bindur për atë që më kërkohej, nuk mund ta pranoja dhe të thosha dakord. Unë nuk kisha fuqi të vendosja, por unë e shprehja mendimin tim kundër për atë gjë që nuk shkonte. Kishim një diskutim në qeveri për ndërtimin e një strukture në ministrinë e Bujqësisë që t’i përgjigjej nevojave të bazës poshtë.

Unë kisha bërë një material si ministri dhe e kisha çuar në qeveri për ta diskutuar. Kryeministri nuk ishte dakord me propozimin tonë. Ne këmbëngulëm tek ideja jonë dhe në fund u vendos sipas propozimit tonë. Edhe Mehmet Shehu u shpreh dakord me ne. Edhe njëherë tjetër kishim një debat në lidhje me një ndërhyrje teknologjike që ne kishim bërë në sera, duke hedhur një material lart në xham për të zbutur rrezatimin e diellit, i cili mund t’i dëmtonte domatet.

Kryeministri e kishte parë këtë dhe na tha që ta heqim nga xhamat. Patëm goxha përplasje me Kryeministrin Mehmet Shehu. Një moment më tha: Unë të urdhëroj që t’i fshish xhamat e serave nga ky material! Unë i thashë se nuk i fshij, sepse është element teknologjik që lidhet me prodhimin. Nga përplasja më tha: Unë do propozoj që të të heqin si deputete të Kuvendit të Shqipërisë dhe si ministre! Unë i thashë se ishte e drejta e tij që të më hiqte, por edhe sikur të më hiqni mua, problemi i domates në ato sera nuk do të zgjidhet.

Ato do dëmtohen, nëse hiqet elementi teknologjik. Ai u nxeh shumë nga këmbëngulja ime dhe e mbylli mbledhjen e qeverisë për të bërë një pushim. Unë zbrita në kafen e godinës së qeverisë, kur më vjen shoqëruesi i Mehmet Shehut dhe më thotë se të kërkon Kryeministri në zyrën e tij. Kur shkova në zyrë, buzëqeshi dhe më tha: Dole më kokëfortë se unë! Unë i thashë se s’kishte të bënte me kokën time, por sera e kërkon këtë gjë, prodhimi. Pas debatit, ai e pranonte mendimin e tjetrit, pasi bindej nga argumentet. Mendoj se kjo mund të ketë qenë dhe një taktikë e tij për të parë, nëse një ministër e njeh mirë, e zotëronte situatën në ministrinë e tij apo i ke të mësuara dhe të thëna nga të tjerët. Këtë gjë e bënte dhe me ministra të tjerë.

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.