Rrëfimi i familjes Ze Maria: Shqipëria më mirë se Brazili, ja si na i kishin përshkruar Tiranën

Dec 11, 2017 | 11:25
SHPËRNDAJE

Në Tiranë, Ze Maria jeton me bashkëshorten e tij, Sandra, dhe dy djemtë, Marselo 19 dhe Daniel 17 vjeç. Lajmi për të ardhur në Tiranë nuk ka qenë edhe aq i gëzuar për ta. “Ishte pak e çuditshme, kisha edhe shumë frikë, nuk mund të them jo, por kur erdhëm këtu, që nga aeroporti ishte një eksperiencë shumë e mirë.

sandra-600x360

Qyteti ofron shumë gjëra për ne ashtu si edhe në Itali, prandaj nuk pata ndonjë shokim siç e mendoja, përkundrazi ishte një surprizë shumë e mirë për ne. Na kishin thënë që është një qytet i pisët Tirana, por kjo nuk ishte një problem kryesor, ishte çështja e frikës për mënyrën e jetesës.

Ne brazilianët jemi disi të trembur apo kemi frikë nga njerëzit që vjedhin këtej andej, ashtu siç ndodh në Brazil dhe na e kishin krahasuar disi me vendin tonë, por të them të drejtën nuk shoh asgjë të tillë këtu si në Brazil nga ky aspekt, madje kam më shumë frikë atje”, u shpreh bashkëshortja e trajnerit duke folur për vjedhjet që ndodhin në rrugët e Brazilit.

Marselo, djali i madh, ndërkohë thotë: “Jam 19 vjeç dhe tani jam në vitin e fundit të gjimnazit. Ky është viti im i parë në Shqipëri dhe studioj në një shkollë amerikane. Mua më pëlqen shumë, Tirana ka qenë një surprizë e bukur për mua, mendoj se është qytet i bukur. Të gjithë flasin italisht këtu dhe dukemi sikur jemi në shtëpinë tonë”.

Sakaq, djali i vogël, Danieli ka ndjekur rrugën e të atit. “Unë studioj në të njëjtën shkollë me vëllain dhe jam në vitin e tretë gjimnaz. Luaj futboll dhe përpiqem që të ndjek shembullin e babait. Unë nuk kam idhuj në futboll, ndoshta kam shembuj për të ndjekur. Luaj sulmues dhe për atë rol unë mendoj se Ronaldo është më i miri i të gjitha kohërave, për këtë arsye ndjek atë si shembull”, përfundoi 17-vjeçari.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura