Rrëfimi i djalit të Mehmet Shehut: Si ma asgjësuan dosjen në dhjetor 1990

Sep 15, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

“Dosja ime është asgjësuar”. Kështu do të deklaronte shkrimtari Bashkim Shehu, i biri i ishkryeministrit të vetëvrarë, Mehmet Shehu, i cili tashmë po merret me kurimin e muzeut të përgjimeve “Gjethi”.

Bashkim Shehu
Bashkim Shehu

I ftuar në emisionin “Takimet e kulturës” në “ABC News”, Bashkim Shehu do të prezantonte sërish projektin për muzeun, i cili ngrihet në një nga ish-qendrat e Sigurimit të Shtetit. Ai vetë prej rinisë së tij e kujton si një vend misterioz.

“Nuk dihej se çfarë ishte. Herë mendohej për përgjime, herë për tortura. Ka pasur njerëz që mendonin se torturat vazhdonin edhe më pas. Sikur e ruante shtëpia në kujtesën e saj atë që ndodhte atje”, thotë Shehu.

Por, të flasësh për përgjimet, për totalitarizmin, që sipas Shehut mbështetet te terrori dhe ideologjia, nuk mund të mos flasësh edhe për çështjen e dosjeve, për të cilën ai është shprehur edhe më herët, sidomos gjatë botimit të librit të tij “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”.

Shehu i qëndron bindjes së tij se dosjet janë shkatërruar dhe ato “nuk mund të kenë kontroll mbi situatën postkomuniste në Shqipëri”, edhe pse kjo mund të ketë ndodhur me persona të caktuar. “Mbi njerëz të caktuar ndoshta mund të jetë bërë shantazh përmes dosjesh”. Bindjen e tij mbi asgjësimin e dosjeve, ai e mbështet në atë personale.

“Rastësisht kam mësuar që është asgjësuar në dhjetor 1990”, do të shprehej Shehu, por edhe sikur ajo të ekzistonte, ai nuk do të kishte ndonjë kuriozitet për ta shfletuar. Kjo ka qenë arsyeja pse ai nuk ka kërkuar më tej nëpër arkiva.

“E kam të qartë se çfarë ka ndodhur me mua dhe pse. Ndoshta do të mësoja kuriozitete, gjëra të këqija, detaje për një njeri apo një tjetër. Më mirë jo. Do të ishin vogëlima në krahasim me arsyet e asaj që ndodhi me mua”. Sigurisht ai nuk e mohon se në dosjet e të tjerëve mund të mos ketë thjesht vogëlsira, por edhe gjëra të mëdha.

“Shumë gjëra njerëzit mund të mos i dinë”. Por “pjesa më e madhe janë asgjësuar. Se sa të vlefshme janë ato që kanë mbetur, nuk e di. Kjo nuk do të thotë se nga ato nuk mund të merret informacion për të zbuluar disa fakte”.

Në lidhje me hapjen e tyre, ai nuk mund të parashikojë asgjë. Sa i takon trashëgimisë të së shkuarës, ai thotë se strukturat e diktaturës nuk ekzistojnë më, por “një nga gjërat që vazhdon është paranoja ndaj teorive konspirative. Ekziston mendësia, raporti që ndërtojnë njerëzit me njëri-tjetrin, njeriu me shtetin, shteti me njeriun…”.

DISIDENCA

Ndërsa janë të shumtë ata që mendojnë se disidencë nuk ka pasur në Shqipëri, Bashkim Shehu shprehet se ajo ka ekzistuar, pavarësisht se jo të organizuar si në vendet e tjera të Lindjes, por embrionale, individuale apo estetike.

“Ka pasur njerëz që kanë luftuar kundër regjimit në mënyrë të ndërgjegjshme, jo thjesht të pakënaqur, që janë shprehur, qoftë dhe përmes qëndrimeve radikale, por që kanë vepruar në mënyrë të ndërgjegjshme për të ndezur një qiri. Forma embrionale ka pasur. Ka pasur njerëz që shpërndanin trakte kundër komunizmit në mënyrë individuale apo të organizuar. Në gjimnazin e Vlorës kanë ekzistuar dy grupe që shpërndanin trakte, po ashtu kam njohur njerëz në burg, njëri punëtor, tjetri shofer, siç ka pasur përpjekje për të krijuar organizata në fillim të viteve ’60”.

Sa i takon disidencës në letërsi, sipas tij ajo ka ekzistuar, qoftë edhe në formë estetike. “Ka pasur disa, më i talentuari për mua ka qenë Jamarbër Marko, talent i rrallë në poezi, por që u ndërpre. Nuk është poezi politike, kundër regjimit, por disidencë estetike”, do të shprehej ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura