Rrëfimi i Diverolit: Si e nxori Ylli Pinari nga loja Kosta Trebickën

Jul 8, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

“Më jep njëzet njerëz të armatosur dhe e pushtoj kur të dua”. Kështu ishte shprehur çunaku Efraim Diveroli kur kishte vënë këmbën në Shqipëri. Një vend kaotik, dukshëm i varfër, që pasunarit të ri i ishte dukur si një xhungël, të cilën ai mund ta bënte zap fare thjeshtë. Por ishte gabuar. Pas disa takimesh me disa sipërmarrës shqiptarë, që do t’i siguronin sasinë e duhur të fishekëve që do të niste në Afganistan, Diveroli do të donte të ikte sa më parë nga Shqipëria.

Historinë e jashtëzakonshme të adoleshentit që u bë një nga njerëzit më të pushtetshëm në tregtinë e armëve bashkë me dy shokët e tij hebrejo- amerikanë, na e rrëfen gazetari i New York Times, Guy Lawson në librin e tij investigativ “Armët dhe çunat: Si u bënë tre dragomanë nga Majami Biç trafikantët më të pazakontë në histori”. Një libër best seller në Amerikë, i cili tashmë është sjellë edhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “OMSCA1”, nën përkthimin e Nikolla Langores.

ALEKS PODRIZKI DHE EFRAIM DIVEROLI

Gazetari na jep kronologjikisht historinë e Diverolit, duke zbuluar prapaskenat e furnizimeve me armë të fronteve të luftës në Lindje, lidhjet e politikës me trafikun, që në Shqipëri degradoi në tragjedinë e Gërdecit, ku mbetën 26 të vrarë e 300 të plagosur. Lawson i referohet rrëfimeve të vetë Diverolit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, të cilët tregojnë për takimet e tyre në Tiranë me emra si Ylli Pinari, Mihail Delijorgji, Kosta Trebicka etj.

NGA LIBRI
Të nesërmen Podrizki dhe Trebicka shkuan në seksionin ushtarak të aeroportit të Tiranës, ku, në një hangar të hapur, qenë magazinuar dy milionë fishekë. Për të filluar, Trebicka solli dyzet punëtorë nga ata që punonin në fabrikën e tij të kartonit. Gjysma e fishekëve qenë të prodhimit shqiptar, gjysma kishin shkrime kineze mbi kuti. Podrizki i tha Trebickës që punëtorët t’i ndanin arkat: veç shqiptaret, veç kinezet. Tha që të fillonin me fishekët shqiptarë.

Duke zbatuar udhëzimet e Podrizkit, Trebicka u tha punëtorëve t’i nxirrnin kutitë metalike nga arkat. Secila kuti mbante 640 fishekë, me grupe prej njëzet fishekësh të mbledhur me letër të vajosur ku qe shkruar vendi, data e prodhimit dhe kalibri. Fishekët e prodhimit shqiptar duheshin futur në kutitë e kartonit pa ua hequr letrën mbështjellëse, çka e bënte punën më të lehtë. Punëtorët u udhëzuan të kontrollonin fishekët që të mos ishin të ndryshkur, të çngjyrosur ose të dëmtuar dukshëm.

Çdo fishek i dëmtuar duhej hequr. Trebicka i vuri punëtorët të ripaketonin fishekët e një platforme në praninë e tyre, me qëllim që të shikonin se mos dilte ndonjë vështirësi e paparashikuar. Pastaj bisedoi gjatë në telefon me Diverolin në Majami lidhur me koston. Pas pazarit të pashmangshëm, u morën vesh për 240 000 dollarë. Puna eci me shpejtësi. Një milion fishekë të prodhimit shqiptar të vendosur në platformat e reja qenë gati për ngarkim, sapo AEYja të zgjidhte problemet logjistike të fluturimit për në Kabul. Por Ylli Pinari tha se, që nga ajo ditë e tutje, MEIKO do të shiste vetëm municion kinez. Podrizki e kishte parë se municioni kinez ishte në gjendje të mirë, madje edhe më cilësor sesa ai shqiptar.


Por ripaketimi duhej bërë ndryshe, i shpjegoi Trebickës. Në vend që t’i futnin në kutitë e kartonit ashtu siç qenë, ata duheshin hequr nga mbështjellja me letër të vajosur. Pastaj fishekët duheshin kontrolluar një për një, dhe duheshin futur në qese plastike para paketimit në kuti. – Trego kujdes që në kutitë prej kartoni të mos futet asnjë lloj gjëje me shkrime kineze, – e porositi Podrizki Trebickën. Trebicka pranoi të zbatonte mënyrën që kërkoi Podrizki, por me një shprehje ironike në fytyrë.

Letra e vajosur nuk do të shtonte ndonjë peshë kushedi çfarë, prandaj, pse ta hiqnin? Vetëm sa vështirësohej e vonohej puna për një gjë që ai nuk e kuptonte. Kontrolli dhe ripaketimi i fishekëve doli se ishte punë çmendurisht e vështirë dhe e ngadaltë. Pas pak ditësh rraskapitëse për punëtorët, Trebicka u tremb se mos e kishte caktuar shumë të ulët çmimin. Gjatë pushimeve ankohej se do të dilte me humbje, po të mos shpejtohej puna. Podrizki tha se nuk mund të bënte asgjë për të ndryshuar çmimin. I inatosur, Trebicka i telefonoi Diverolit në Majami, duke u përpjekur të arrinte një ujdi të re. Heqja e fishekëve nga kutitë metalike ishte harxhim i kotë kohe, i tha bashkëbiseduesit.

Kutitë nuk shtonin ndonjë peshë të madhe. Pse duhej bërë, pra? Tha se AEY-ja duhej t’i paguante më shumë, përndryshe nuk do t’i hiqte fishekët nga kutitë metalike e t’i kontrollonte një për një. Po kështu edhe nga letra mbështjellëse.
– Ka marketime kineze në kapakët e kutive? – pyeti Diveroli.

– Ka, – u përgjigj Trebicka.
– Ka marketime kineze në letrën mbështjellëse?

– Ka. Diveroli tha se operacioni duhej të vazhdonte siç qenë marrë vesh, edhe pse do të kushtonte më shumë. U morën vesh për çmimin e ri, duke shtuar shumën prej 40 000 dollarësh. Trebicka u habit nga përgjigjja e Diverolit, por edhe dyshoi. Atë mbrëmje, Trebicka dhe Podrizki shkuan të hanin darkë në një restorant aty pranë. Që të dy porositën supë peshku, një nga gatimet e shijshme tradicionale shqiptare.
– Fort e çuditshme kjo që kërkoni, – e hapi bisedën Trebicka.

– Pse doni të shpenzoni gjithë këto para për të ripaketuar të njëjtin municion?
– Pesha, – ia ktheu Podrizki.
– Gjithçka bëhet për të ulur shpenzimet e transportit.

– Por pse duhen fshehur me çdo kusht marketimet kineze në kapakët e kutive? Dhe në letrën mbështjellëse? Cila është arsyeja?
– Mos u shqetëso, Kosta. Arsyeja e thjeshtë është se municioni kalon nëpër vende të ndryshme gjatë transportimit. Nëse autoritetet e ndonjërit prej këtyre vendeve shikojnë se një pjesë e municionit është shqiptar dhe pjesa tjetër kinez, do të fillojnë të hetojnë. Do të na duhet të japim shpjegime, çka do të na vononte. Dhe, po të mos e dorëzonim në kohë, do të humbisnim kontratën.

Kosta Trebicka

U duk se Trebicka nuk mbeti i kënaqur nga përgjigjja. Podrizki nuk ishte llafazan; sa më pak të flisje, më mirë ishte, mendonte. Por tani e kuptoi se duhej të shpjegohej më shumë me Trebickën, ose, të paktën, t’i jepte një shpjegim që të dukej i besueshëm. Duke u përkulur përpara, Podrizki i rrëfeu se, në të vërtetë, në kontratë nuk lejohej municion kinez. Shpjegoi situatën siç ia kishin shpjeguar edhe atij: ndalimin, dhe faktin se municioni që ishte prodhuar në Kinë, përbënte një çështje të diskutueshme të kontratës së Ushtrisë me AEY-në.

Tha se AEY-ja po kërkonte burime të tjera municioni, por do të përjashtohej nga e gjithë kontrata, po të mos e dorëzonte municion brenda afatit. AEY-ja nuk kishte rrugë tjetër: municioni duhej ripaketuar. Ky veprim nuk ndryshonte asgjë në cilësinë e fishekëve, të cilët kërkoheshin me urgjencë në Kabul. “Unë kisha rezervat e mia, por vazhdova të zbatoja udhëzimet, duke shpresuar se gjërat do të zinin vend vetiu, – kujtonte Podrizki. – Nuk doja të hiqja dorë e të kthehesha në shtëpi. Ishte një problem që lidhej me kushtet e kontratës, jo me cilësinë e municionit.” Trebicka dëgjonte i heshtur, me një shprehje serioze në fytyrë. Qëndroi pa folur ndoshta dhjetë sekonda.

“M’u duk se në ato çaste ai nxori po atë përfundim që kisha nxjerrë edhe unë vetë, – kujtonte Podrizki. – Do të vazhdonte. Tani e kishte kuptuar arsyen. Nuk qe ndonjë gjë e madhe. Municioni, edhe pse i vjetër, ishte i cilësisë së mirë, prandaj ç’ndryshim kishte po të hiqeshin marketimet kineze? Nuk ishte se po fshihnim ndonjë cen të municionit, që të mashtronim ushtrinë amerikane. Fishekët kontrolloheshin një për një lidhur me cilësinë.”

* * *
Diveroli vendosi të shkonte vetë në Shqipëri. Do ta diskutonte marrëveshjen goja-gojës në Ministrinë e Mbrojtjes. Do ta hiqte nga loja atë Thomet-in, që e kishte ngritur çmimin dyfish, dhe do ta detyronte MEIKO-n ta ulte çmimin e fishekëve. E nxori Packouzi-n në korridor, që të bisedonin pa praninë e të tjerëve. – Dëgjomë me kujdes. Po shkoj në Shqipëri, që të takoj atë shkërdhatë Pinarin. Situata është e tillë: ose ndreqet, ose prishet fare. Prandaj, ja çfarë dua të bësh. Telefonoju ukrainasve, hungarezëve e kazakëve dhe merr çmimet e tyre. Pastaj ndryshoji, që të duken sikur kemi mundësi më të mira dhe mund ta vëmë poshtë atë trapin e babëzitur. Dokumentet duhet të duken pa të meta. E di se je artist për këtë punë, zemër. Kur të zbres në Tiranë, duhet të më dërgosh ca gjëra të bukura. Vonë atë natë, ndërsa Diveroli fluturonte mbi Atlantik, Packouz- i u ul të hartonte një dosje tjetër me dokumente të falsifikuara. Kishte frikë se po bënte një tjetër mashtrim, ndonëse e dinte tashmë se ky lloj falsifikimi ishte fare i zakonshëm në tregtinë e armatimeve.

“Isha shumë nervoz, – kujtonte. – E dija se gjendesha në terren gri, ndoshta edhe ilegal, me një varg të tërë dokumentesh që po falsifikoja. Por ndihesha edhe i emocionuar nga mendimi se kjo mund të funksiononte, se mund ta shpëtonte kontratën. Pastaj, të ishte vërtet kaq punë e keqe? Do të gënjenim një shqiptar të korruptuar, që të merrnim një çmim më të mirë e të mund t’i jepnim qeverisë atë për të cilën kishte nevojë. Prandaj edhe i duheshim qeverisë, që të mos i bënte këto punë me duart e saj. Në të vërtetë, ajo nuk mund t’i bënte vetë këto lloje punësh për shkak të rreziqeve dhe ndërlikimeve, dhe ja ku na kishte ne. Për këtë edhe i duheshim. Kështu bëheshin këto punë, kjo ishte natyra e këtij biznesi.

Në njëfarë kuptimi, Pentagoni na paguante pikërisht për këtë shërbim.” Të nesërmen, Aleks Podrizki gjendej në zonën e mbërritjeve të aeroportit të Tiranës për të pritur Diverolin. Ecte me hapa të mëdhenj tutje-tëhu, i paduruar e duke nxituar mes rrëmujës së turmës së këtij vendi të varfër. Duke shkuar për në Tiranë, Diveroli u tall me gjendjen e rrugëve, me fshatarët që ngisnin gomarët mu në mes të autostradës, me shtëpitë e rrënuara e me bunkerët e bardhë të shpërhapur gjithandej nëpër fusha.

“Ky vend qenka si xhungël, – komentoi. – Më jep njëzet njerëz të armatosur dhe e pushtoj kur të dua.” Djemtë shkuan në Sheraton. Rrëkëllyen disa gota me raki, lëngun e pangjyrë e me shumë alkol të shqiptarëve, që i bënte të fërgëllonin kur e kalonin poshtë. Diveroli kontrolloi imeilet dhe gjeti atje dokumentet që i kishte nisur Packouz-i, me çmimet e falsifikuara të fishekëve, AK-47. Djali kishte bërë punë të shkëlqyer duke ndërruar shifrat që tregonin se hungarezët e bullgarët kishin dhënë çmime ku e ku më të ulëta se ai i MEIKO-s. Diveroli dhe Podrizki ishin gati. Ndalesa e parë qe zyra e Ylli Pinarit në Ministrinë e Mbrojtjes.

U pi përsëri raki dhe u ofruan cigare. Diveroli vendosi një pirg me dokumente mbi tryezë. Tha se qenë oferta çmimesh nga vende të tjera të Europës Lindore, për të njëjtin municion që po blinte nga MEIKO.
– Këto janë çmimet standarde, – vazhdoi.

– Asnjë qindarkë më lart, përndryshe u ngrita e ika. Pinari i shqyrtoi dokumentet. Kishte dhjetëvjetësha që bënte këtë punë. I dinte çmimet e vërteta të rezervave të municioneve jostandarde. Ngriti sytë dhe tundi kokën shpërfillshëm.
– Janë të falsifikuara. Diveroli kishte dështuar. Duke menduar si në ethe çfarë të thoshte më tej, vazhdoi me mashtrime: – Municioni juaj është i vjetër. Një pjesë është gati pesëdhjetëvjeçar. Nuk e përligj çmimin. – Pinari nuk lëvizi qerpikun.

– Dhe është me veshje çeliku, jo bakri, – vazhdoi Diveroli.
– Nuk është aq i mirë.

– Pinari nuk e hapi gojën.
– Ju mund ta shisni municionin tuaj vetëm në Afrikë. Dhe afrikanët nuk ju paguajnë dot me çmimet që ju paguajnë Shtetet e Bashkuara. Dukej që biseda nuk po dilte gjëkundi; Diveroli kërkonte ulje çmimi, kurse Pinari këmbëngulte në kushtet e marrëveshjes së bërë. Të gjitha kostot shtesë që kishte bërë AEY-ja për ripaketimin, lejet e paparashikuara dhe taksat në aeroportin e Tiranës qenë çështje që Diveroli duhej t’i zgjidhte me Henri Thomet- in, jo me MEIKO-n, tha Pinari.

Diveroli kërkoi të takonte ministrin shqiptar të Mbrojtjes. – Po të doni të ndryshoni çmimin, duhet të takoni tjetër njeri, – i sugjeroi më në fund Pinari. Ishte e qartë se dikush tjetër qe më i fuqishëm se ministri, një pohim shumë i çuditshëm ky. Ylli Pinari i shoqëroi Diverolin dhe Podrizkin deri te makina e tij Mercedes Sedan. U rrotulluan rrugëve të Tiranës në mënyrë të tillë që amerikanët të mos ishin në gjendje të mbanin mend ç’rrugë po përshkonin.

Më në fund, u kthyen në një kantier të braktisur ndërtimi, ku hynë në një ndërtesë zyrash të përfunduar pjesërisht. Pinari i priu nëpër një palë shkallë, pastaj në një korridor, derisa mbërritën përpara një dere. Hynë brenda dhe u gjendën në një zyrë luksoze që të krijonte përshtypjen se gjendeshe në suitën e një firme të madhe juridike në një nga qiellgërvishtësit e Majamit. Kontrasti ishte çorientues. E tillë ishte edhe pamja e njeriut që u ngrit nga kolltuku prapa tryezës. Në vend të një biznesmeni të këndshëm që njeriu mund të priste të takonte në një zyrë të tillë, ata panë të ngrihej më këmbë një burrë me pamje të vrazhdë, një bandit i vërtetë, i shkoi ndër mend Podrizkit. Gegë, kjo ishte fjala shqip për një njeri të tillë: muskulor, lëkurëzeshkët, me parakrahët të mbushur me tatuazhe, që dukeshin si ata që bëheshin në burgje; një përfaqësues tipik i fiseve malësore.

Ishte Mihail Delijorgji…. Delijorgji nuk dinte anglisht, prandaj Pinari përktheu arsyet pse Diveroli kërkonte ulje çmimi. Sjellja e vrazhdë e Diverolit u avullua, siç u avullua edhe ideja që kishte pasur për të nxjerrë Thomet-in jashtë loje. Kuptohej qartë që dy shokët ndodheshin në praninë e njerëzve me lidhje të fuqishme. Fytyra e Diverolit qe bërë meit. Tashmë, ankesa e tij kryesore qe se shumica dërrmuese e fishekëve që po blinte AEY-ja, kishin veshje çeliku. Veshja prej bakri ishte shumë më e vlerësuar, sqaroi. Veshja prej çeliku dëmtonte tytën e armës, duke shkurtuar jetëgjatësinë e saj. Diveroli propozoi të paguante 3,7 qindarka për copë. Delijorgji tha se, po të donte ulje çmimi, Diveroli duhej të ndryshonte marrëveshjen për punën e ripaketimit në aeroport.

Nëse AEY-ja do të paguante më pak për municionin, paratë duhej të dilnin në rrugë tjetër: duke e lidhur marrëveshjen për ripaketimin me kompaninë e Delijorgjit. Emri i Henri Thomet-it nuk u zu asnjëherë në gojë. As fakti se Diveroli e dinte që MEIKO ia shiste fishekët Thomet-it vetëm për pak më shumë se dy centë copën. Diveroli dhe Podrizki dolën. – Ai tipi dukej shumë i trashë për të qenë i rrezikshëm, – komentoi Diveroli për Delijorgjin. – Mos sapo dolëm nga një takim me mafien shqiptare? – bëri shaka Podrizki. – Absolutisht. Absolut-shkërdhatisht. Kapardisja e Diverolit po tretej. Nuk e pohonte me zë të lartë, por dukej që ishte i frikësuar. Shkuan në një kazino, që të luanin, dhe Diveroli piu dozën e lartë të alkolit, siç e kishte zakon. Si gjithnjë, luajti rolin e të fortit, duke u mburrur me kontratat që po fitonte në Irak, dhe me faktin se tregtia e armatimeve ishte biznes i madh.

Kur dolën nga kazinoja, Diverolin e kaploi ankthi. Nuk e kishin qetësuar as alkoli, as mburrjet. Nuk donte të mbetej vetëm. Nguli këmbë që Podrizki të flinte në divanin e dhomës së tij. Kush e dinte ç’qenë në gjendje të bënin gangsterët shqiptarë? Të nesërmen në mëngjes Kosta Trebicka po priste i ulur në hollin e Sheratonit, i paduruar të dëgjonte për takimet që kishte bërë ditën e djeshme Diveroli. I gatshëm si gjithnjë për t’i kënaqur miqtë, Trebicka kishte siguruar një makinë BMË me gjithë shofer për ditët që Diveroli do të rrinte në Shqipëri. Do t’i gjente edhe një femër të re të lezetshme, dhuratë që tregtari i ri i armatimeve do ta pranonte me kënaqësi. Diveroli mund t’i kishte rrëfyer Trebickës të vërtetën për takimin e tij me Delijorgjin: AEY-ja do të arrinte ulje çmimi të fishekëve AK-47 vetëm nëse punën e ripaketimit e merrte kompania e Delijorgjit, duke e nxjerrë Trebickën jashtë loje.

Por Diveroli bëri atë që ishte mësuar të bënte gjithnjë: u fsheh. Tha se e kishin çuar në një vend “sekret” dhe e kishin kërcënuar. Shqiptarët kishin thënë se do të vritej, nëse nuk vazhdonte të punonte me Thomet-in e me Evdin-in si ndërmjetës. I tha Trebickës se Ylli Pinari i MEIKO-s e kishte paralajmëruar ta mbante gojën mbyllur…. Trebicka e kuptoi që i kishin dhënë duart. Duhej bërë diçka. Pranoi menjëherë të përpiqej ta ndihmonte Diverolin për të shpëtuar nga kthetrat e njerëzve që i quante gangsterë. Rregulloi në Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes një takim me një zyrtar që mendohej se mund të ndihmonte. Por doli se zyrtari ishte me moshë shumë të re dhe jo në pozicionin e duhur për të bërë diçka. Dukej që Trebicka nuk kishte lidhje aq të forta sa ç’besonte. Ndërsa udhëtonin me makinë rrugëve të rrëmujshme të Tiranës, Podrizkit iu duk se Diveroli po nervozohej gjithnjë e më shumë.

Sigurisht, Diveroli ishte jashtë mjedisit të tij. Pavarësisht nga përrallat që i rrëfeu Kosta Trebickës, nuk qe kërcënuar fizikisht, por rreziku i ndodhjes në Tiranë kuptohej vetiu. Nëse i shkelej këmba njeriut të gabuar, do të ishte e lehtë të vinin dikë ta vriste e ngjarja të paraqitej si aksident. I ulur në ndenjësen e prapme të makinës, Diveroli tha se donte të largohej nga Shqipëria qysh të nesërmen. E dërgoi Podrizkin në agjencinë e fluturimeve, që të ndryshonte datën e nisjes. Ky ishte një kërcënim i pashprehur haptazi. Trebicka donte që Diveroli ta dinte se ai nuk do ta kapërdinte kaq lehtë përjashtimin. Donte që Diveroli ta dinte se ai do t’i rrëfente qeverisë së SHBA-së, dhe se mund t’i rrëfente për punën e ripaketimit të fishekëve në Shqipëri. Diveroli e nxiti Trebickën që të përpiqej për të gjetur një zgjidhje.

– Pse nuk ia puth bythën edhe një herë Pinarit? Telefonoji, lutju, puthe, dërgoi një nga ato vajzat e tua, që t’ia prishë mendjen. Kënaqe. Ndoshta të jep një mundësi që ta rimarrësh punën e ripaketimit. Ndoshta duhet t’i japësh edhe ca para. Ai nuk po fiton edhe aq shumë nga kjo punë. Po të marrë njëzet mijë dollarë nga ti, për mua është në rregull.
– E kuptoj, – u përgjigj Trebicka, duke e futur edhe më thellë Diverolin në kurthin që i kishte ngritur.

– Për mua, sa më lart që të ngjitesh.. mafia bëhet gjithnjë e më e fortë, – vazhdoi Diveroli.
– Nuk luftoj dot me këtë mafie. Është shumë e fuqishme. Bishat kanë shkuar shumë larg, kanë dalë krejtësisht jashtë kontrollit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura