Rrëfimi i diplomatit Dashnor Dervishi: Kush i shpërtheu i pari dyert e ambasadave të huaja

Jul 12, 2017 | 11:58
SHPËRNDAJE

Ai do të ndodhej në Itali, në një nga momentet më të rëndë- sishme në historinë e shqiptarëve. Shqipëria ishte pranë shndërrimeve të mëdha. Një rrugë pa kthim që kishte nisur në gjithë Europën Lindore. Ishte viti 1988 kur diplomati Dashnor Dervishi u emërua ambasador në Itali, dhe sot, me një karrierë të gjatë mbi supe, e konsideron si sprovën më të vështirë dhe të rëndësishme në veprimtarinë e tij në marrëdhëniet me jashtë. Ndonëse Partia e Punës përpiqej ta mbante pushtetin me çdo kusht, shenjat e shndërrimeve ishin dhënë, bash në vitin kur vdiq diktatori Enver Hoxha.

Diplomati Dashnor Dervishi
Diplomati Dashnor Dervishi

Në dhjetor të atij viti, familja Popaj guxoi dhe u fut në Ambasadën Italiane, duke u ngujuar atje për 5 vjet, deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Dhe kur Dervishi mori detyrën, çështja Popaj nuk kishte marrë ende zgjidhje, madje do të duheshin shumë përpjekje deri sa kjo të arrihej. Pikërisht këtë moment të rëndësishëm, që parapriu dyndjen e shqiptarëve në ambasadat e huaja e më tej, mes anijesh për në bregun përballë, diplomati i njohur Dashnor Dervishi e sjell së shpejti për publikun në një libër kujtimesh. Ai ndalet në këtë moment, që sipas tij është lënë në harresë.

“Në analizat që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen herë pas here në raste përkujtimore mbi proceset demokratike në Shqipëri, zanafilla përqendrohet në kalimet masive të mureve të ambasadave në Tiranë, si gjesti i parë i shpërthimit të dëshirës së shqiptarëve për liri, që do t’u hapte rrugën të gjitha proceseve të mëtejshme, që sollën përfundimisht ardhjen në pushtet të një regjimi demokratik, më 22 mars të vitit 1992. Shkëndija e parë, ajo për të cilën sakrifikuan 6 anëtarët e familjes Popaj, është lënë në harresë”, thotë Dervishi, i cili ka shërbyer si ambasador përpara viteve ’90 në Meksikë e Itali, e pas ndërrimit të sistemeve, në Izrael, Turqi, Rumani dhe Greqi.

NGA DASHNOR DERVISHI

MBËRRITJA NE ITALI

Në Romë mbërritëm më 14 shtator 1988. Periudha prej katër vjetësh e qëndrimit në Itali do të kthehej në sprovën më të vështirë dhe më të rëndësishme të veprimtarisë sime në marrëdhëniet me jashtë. Roma, në vitet që do pasonin, do të kthehej në qendrën kryesore të referimit të të gjithë spektrit shoqëror, ekonomik dhe politik të shqiptarëve në marrëdhëniet me jashtë. Italia u kthye në “Far Westin” e shqiptarëve. Më shumë se çdo herë tjetër, në atë periudhë u bë reale shprehja se “të gjitha rrugët të shpien në Romë”.

Ngjarjet që po ndryshonin Europën, në Shqipëri kishin trokitur shumë më herët se në vendet e tjera të Lindjes. Në Ambasadën Italiane në Tiranë kishin mbetur të ngujuar 6 pjesëtarët e familjes Popaj qysh prej 12 dhjetorit 1985 dhe nuk kishte asnjë shenjë për zhbllokim të situatës.

Edhe në Itali kishin ndodhur ngjarje të rëndësishme historike. Krizat nën ndikimin e Luftës së Ftohtë, që kishin tronditur opinionin me zbulimin e strukturave paramilitare të së djathtës, të njohura me emërtimin “Gladio”, me rrëmbimin dhe vrasjen e Aldo Moros dhe historitë me “Brigadat e Kuqe”, ua kishin lënë vendin kompromiseve të mëdha historike, duke krijuar për herë të parë në historinë e Italisë një koalicion qeverisës midis demokristianëve të Arnaldo Forlanit dhe Xhulio Andreotit dhe socialistëve të Bettino Craxit. Në Italinë demokratike po frynin erërat e reformave akoma më të thella, që do sillnin furtunën e prokurorit Di Piero.

hyrja neper ambasada
Hyrja ne ambasada ne Korrik 1990

Pavarësisht nga krizat dhe ndryshimet e shpeshta të qeverive, që ishin bërë një dukuri normale, në Itali kishin ndodhur disa ndryshime cilësore. Në rrethin diplomatik në atë kohë qarkullonte historia me Presidentin amerikan Xhorxh Bush, që përjetoi ndryshimin e qeverisë gjatë ditëve të vizitës së tij në Itali. Habisë së tij se si ka mundësi të ndodhnin këto gjëra kaq shpesh në Itali, Kraksi iu përgjigj se, po ta dinim, nuk do të na ndodhnin.

Italia konsiderohej si partneri kryesor i Shqipërisë, por ngjarja në Ambasadë me familjen Popaj pothuaj i kishte ngrirë marrëdhëniet, megjithëse bëheshin përpjekje artificiale për ta injoruar atë, duke e shtyrë zgjidhjen nëpërmjet “lodhjes” me kalimin e kohës. Dhe në fakt lodhja kishte bërë efektet e saj. Përpara se të nisesha në Romë, bëra disa takime me ambasadorin italian në Tiranë, De Andreis, në kuadrin e njohjeve dhe shkëmbimit reciprok të informacioneve. Ai kishte zëvendësuar ambasadorin italian, Françesco Carlo Gentile, që kishte përjetuar fillimin e ngjarjes dhe ndihej viktimë e kësaj situate. Tek ambasadori De Andreis pashë lodhje dhe nervozizëm. Ai shprehte jo vetëm nervozizmin e tij, por edhe atë të pjesëtarëve të familjes Popaj, me të cilët kohët e fundit pothuaj nuk arrinte të komunikonte. Nga të gjitha palët kishte një mungesë të madhe besimi. Nga ana tjetër, kishte humbur edhe besimi në gjetjen e një rrugëdaljeje, që në pamje të parë dukej se e dëshironin të gjithë.

Them në dukje, sepse zhvillimet e mëvonshme treguan se ngjarja me familjen Popaj ishte vetëm preludi i ngjarjeve që do të ndodhnin më vonë. Me sa duket, ajo që nisi në Shqipëri ua la vendin ndryshimeve të dhimbshme në Rumani, ndërsa Shqipëria do të kufizohej me kalime të buta, vetëm me histori ambasadash. Largimi i familjes Popaj në maj 1990 do të pasohej me dyndjen masive nëpër ambasada më 13 korrik të po atij viti e do të përfundonte me largimet në mënyrë spektakolare të më shumë se 5.500 qytetarëve me 6 anije drejt brigjeve të Italisë.

Motrat Popa, Maria dhe Zhaneta
Motrat Popa, Maria dhe Zhaneta

Është interesant për t’u vënë në dukje fakti se, paralelisht me ngjarjen në Ambasadën Italiane në Tiranë, pavarësisht me dyndjen masive jo vetëm të 6 anijeve të para, por edhe të disa trageteve e mjeteve të tjera lundruese drejt Italisë, marrëdhëniet midis qeverive, që pasuan njëra- tjetrën në Tiranë dhe asaj italiane, jo vetëm që nuk patën ndonjë krizë, por përkundrazi ato u karakterizuan nga një frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, që erdhi gjithnjë në rritje, deri në mars të vitit 1992. Dukej sikur zhvillimet dhe ndryshimet e mëdha në Shqipëri po i përjetonim të dyja vendet së bashku.

Disa ditë para se t’i dorëzoja kredencialet Presidentit të Republikës, më 16 shtator, mora takim me Drejtorin e Protokollit të Shtetit pranë MPJ, Franco Ferreti, për t’u njohur me procedurat e ceremonisë. Me ambasadorin Ferreti ishim miq të vjetër, pasi kishim qenë së bashku në Meksiko. Ai ishte transferuar në atë post disa ditë para se të merrja edhe unë emërimin në Itali. Në Ambasadën Italiane në Meksiko, kur ne ishim në një aktivitet të përbashkët, ndodhi e njëjta ngjarje si në Tiranë. Një grup meksikanësh u futën me forcë në Ambasadën Italiane, për t’i bërë presion qeverisë së Meksikës për realizimin e kërkesave të tyre. Ambasadori Ferreti u kthye urgjentisht në ambasadë dhe pa asnjë hezitim kërkoi ndërhyrjen e forcave të rendit për nxjerrjen e tyre. Ngjarja u mbyll pa bujë.

Ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti Francesko Cossiga u bë më 27 shtator 1988. Takimi dhe biseda me Cossigën ishte mjaft e ngrohtë dhe miqësore. Në atë takim ai do të shprehte njëfarë afiniteti me vendin tonë, “që ndodhej përtej Adriatikut, brigjet e të cilit ka raste që shikohen nga ato të Brindisit; afërsia dhe historia e përbashkët që kemi na bëjnë të ndihemi si kushërinj, pavarësisht nga ftohje të përkohshme”, tha Cossiga. Më vonë, gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në Itali, Presidenti asnjëherë nuk m’u drejtua me titullin si ambasador, por gjithmonë me “cugino”.

Takimet dhe bisedat me Presidentin Cossiga u bënë të shpeshta. Ai nuk hezitonte të priste çdo delegacion që vinte nga Shqipëria, edhe kur protokolli nuk e përmbante nivelin. Po ashtu, ai bëri dy vizita të njëpasnjëshme në Tiranë.

Në fillimet e para, ministër i Punëve të Jashtme ishte Giulio Andreotti. Ndërsa interlokutori im më i shpeshtë ishte Bruno Bottai, sekretar i përgjithshëm i MPJ, një funksionar me autoritet në MPJ, jo vetëm si një përfaqësues i vjetër i demokristianëve, por edhe për emrin e njohur që kishte trashëguar nga familja e tij Bottai dhe me një karrierë të gjatë e të rëndësishme diplomatike. Bottai ndiqte më nga afër çështjen shqiptare dhe me të takoheshim sa herë kishim komunikime të rëndësishme. Me kalimin e kohës, me ndryshimet e qeverive, këta funksionarë u ndërruan me të tjerë. Ndërsa si pikë kontakti e përhershme mbeti Pietro Ago, specialist në MPJ, që mbulonte edhe Shqipërinë në Drejtorinë e Ballkanit. Edhe ky vinte nga një familje e njohur nga rrethet demokristiane. Një personazh interesant që vinte nga rrethet e majta ishte senatori Serri, anëtar i Komisionit të Jashtëm në Senat, i cili kishte marrë pjesë në delegacionet e para që kishin qenë në Shqipëri, menjëherë mbas ndodhisë në Ambasadë dhe ndiqte me njëfarë shqetësimi dhe preokupimi situatën për zhbllokimin e saj, duke marrë e dhënë me ide e propozime, herë si të tijat e herë si të sugjeruara, por që me kalimin e kohës do të dilte gjithnjë e më shumë jashtë loje.

Në takimet e mia të 6 – 7 muajve të parë, është e kuptueshme që krahas shkëmbimit të mendimeve dhe përpjekjeve për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, gjendja e bllokuar në Ambasadën Italiane në Tiranë qëndronte si hije në çdo hap, dhe synimi për gjetjen e rrugëve të zgjidhjes ishte një synim parësor. Zgjidhja nuk mund të bëhej vetëm me skema apo me shkëmbimin e propozimeve e kundërpropozimeve, të cilat kishin arritur pothuaj në ezaurim të plotë dhe herë pas here ktheheshin andej nga kishin filluar, duke ardhur rrotull brenda një rrethi vicioz.

Nisma për hedhjen e hapit fillestar drejt lëshimeve reciproke dhe vendimmarrja kërkonte edhe një ambient e atmosferë më bashkëpunuese e mirëbesimi, kërkonte më shumë tolerancë, por edhe garanci për më shumë perspektivë për liberalizimet që do të vinin më pas, pa “lënduar” sedrën e ndërhyrjes në punët e brendshme.

Në tetor të vitit 1988, situata kishte arritur deri në këtë formulim:

Pala shqiptare: ishte e gatshme të pajiste të gjashtë anëtarët e familjes Popaj me pasaporta shqiptare dhe t’i shoqëronte deri në aeroport, për t’u larguar me avion në drejtim të Italisë.

Pala italiane: nga frika dhe dyshimi se autoritetet shqiptare mund të arrestonin anëtarët e familjes, sapo ata të dilnin nga territori i Ambasadës Italiane, edhe nën presionin e familjes Popaj, nuk e pranonin këtë variant, por kërkonin që të shoqëroheshin nën petkun e imunitetit diplomatik, të shoqëruar nga diplomatë të ambasadës, nga dalja prej ambasadës deri në hipjen në avion.

Në datën 16 nëntor 1988 arrita të siguroj një takim me Bettino Craxi-n, i cili ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste Italiane. Në koalicion me Partinë Demokristiane, kishte disa ministra në qeveri, ndërmjet të cilëve edhe Ministrinë e Jashtme. Gjatë bisedës, përveç shprehjes së vullnetit të mirë për bashkëpunim si dy vende fqinj, u prek edhe çështja e ambasadës dhe familjes Popaj. I propozova që të bënte një vizitë në Shqipëri dhe me këtë rast mund të bëhej protagonist i zhbllokimit të situatës dhe nismëtar i fillimit të një faze të re në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. I pëlqeu ideja dhe në parim e miratoi propozimin. Në praninë time mori në telefon Giulio Andreotti-n dhe i kërkoi mendim. Ai, mesa duket, nuk i dha ndonjë përgjigje të prerë dhe la një takim me të, për ta diskutuar më mirë. Mua më tha se do të më njoftonte më vonë për vendimin që do të merrte.

Ndërkohë që njoftova në MPJ për përmbajtjen e bisedës, të nesërmen, në takimin e mëngjesit me punonjësit e ambasadës, që ne bënim çdo ditë për njëfarë raportimi dhe organizimi të punëve, i vura edhe ata në dijeni në vija të përgjithshme. Mbas dy ditëve mësoj se në Tiranë kishte mbërritur një njoftim tjetër paralel, ku thuhej se, sipas informacioneve të marra nga burime të brendshme, ka të dhëna se në kuadër të përpjekjeve që po bëheshin për destabilizimin e gjendjes në Shqipëri, Bettino Craxi ka planifikuar të bëjë një vizitë në Shqipëri, për realizimin e kë- tyre synimeve. Megjithatë, nga Tirana erdhi miratimi pozitiv për vizitën e Craxit. Por ajo vizitë nuk u bë. Mbas disa ditësh Craxi më dërgoi një bashkëpunëtor të tij në ambasadë, i cili më dha disa argumente për shtyrjen e vizitës për një kohë tjetër.

Nuk e di se çfarë u bë shkak për mosrealizimin e kësaj vizite, por një gjë kuptova, se koha dhe kushtet për zgjidhje nuk kishin ardhur akoma. Nga ana tjetër, mbas kësaj ndodhie, i rrallova mbledhjet e mëngjesit në ambasadë dhe kur mblidheshim, bëja njoftime krejt të përgjithshme dhe pa vlerë.

Ndërkohë, zhvillimet në Shqipëri dhe ngjarjet në vende të ndryshme të Europës Lindore ndiqnin njëra-tjetrën. Në Bukuresht do të ndodhte përmbysja e përgjakur e 25 dhjetorit 1989 e regjimit në Rumani, që u shoqërua me pamjet televizive të ekzekutimit të çiftit Çaushesku.

Në datën 19 dhjetor 1988, në një pritje zyrtare, njihem rastë- sisht me Flaminio Piccoli. Takimi i parë dhe njohja me Piccolin do të pasohej me shumë të tjera, duke krijuar jo vetëm një simpati reciproke, por edhe një miqësi tepër të ngushtë, si në planin personal, ashtu edhe në atë të bashkëpunimit. Pikënisje u bë fakti se para Luftës së Dytë Botërore, Piccoli kishte bërë shërbimin ushtarak në Shqipëri, në malin Tomorr të Skraparit dhe kujtonte me simpati shqiptarët. Flaminio Piccoli ishte një autoritet në opinionin tradicional të Italisë; ai kishte qenë dy herë sekretar i Partisë Demokracia Kristiane, President i partisë dhe president i Internacionales Demokristiane, deputet, senator ministër, europarlamentar dhe me lidhje në sferat e larta të Vatikanit; së fundmi ishte kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlament, në Dhomën e Deputetëve.

Mbas disa takimeve dhe pritjeve në ambasadë, Piccoli e mori me pasion angazhimin e tij për çështjen Popaj dhe në përgjithësi dëshirën për nxitjen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Ai ndërmori shumë takime me autoritete të vendit për t’u informuar me situatën, organizoi disa mbledhje të Komisionit të Jashtëm ku isha edhe unë i ftuar, ku paraqisnim situatën dhe jepnim alternativa…. Në këto debate kishte pikëpamje të kundërta, mungesë informacioni, por edhe shprehje të qëndrimeve sipas partive që përfaqësoheshin deputetët.

Mbasi mori miratimin edhe të shumicës së Komisionit të Jashtëm, Piccoli vendosi që të marrë kontakt direkt me qeverinë shqiptare, për të zhbllokuar gjendjen. Në atë kohë, përfaqësuesi më autoritar në Shqipëri për problemet e politikës së jashtme ishte Sofo Lazri, këshilltar i Presidentit Ramiz Alia. Më 17 janar 1989, mbasi ramë dakord me Piccolin për të hyrë në bisedime direkt me profesor Lazrin, më 17 janar, mora takim me Enzo Perlot, drejtor i përgjithshëm në MPJ për Europën Jugperëndimore, me qëllimin jo vetëm për ta vënë në dijeni, por edhe për sensibilizimin e tij dhe organizimin e disa takimeve të tjera me këtë rast.

Takimi i parë midis Sofo Lazrit dhe Flaminio Piccoli-t u bë më 1 shkurt 1989, gjatë një dreke, në një separe’ të një prej hoteleve më të vjetra të Romës, pranë Vatikanit. Ulja në një tavolinë e dy të moshuarve, si përfaqësuesit më tipikë të dy sistemeve të kundërta, që për më shumë se 50 vjet kishin polemizuar nga dy ekstremet e Adriatikut, kishte përmbajtjen e vet sinjifikative. Këtë radhë, u vu re se kërkonin respektin e njëri-tjetrit dhe pajtim. Takimi ishte i përzemërt. Me tone të buta dhe me dëshirën e të dyve për të gjetur zgjidhje, arritën me kompromis në formulat e pranueshme, duke përcaktuar edhe modalitetet përfundimtare të procedurave. Më tej, u caktua data se kur avioni i posaçëm i qeverisë italiane, në përbërje të të cilit do të kishte një përfaqësi nga forca të ndryshme parlamentarësh italianë, do të zbriste në aeroportin e Tiranës; mënyra e pajisjes së anëtarëve të familjes Popaj me pasaporta, sjellja dhe shoqërimi i tyre nga ambasada në aeroport dhe largimi.

Gjatë bisedës u trajtua edhe çështja e rrezikut të precedentit që do të krijohej me këtë rast, e problemeve që do të krijoheshin për të dyja palët. M’u krijua përshtypja se të dy ishin të ndërgjegjshëm për këtë, por e injoruan.

Dy ditë para ditës së fiksuar për nisjen e avionit, një telegram urgjent nga MPJ në Tiranë më njoftonte se operacioni ishte anuluar, pasi në marrëveshjen e bërë midis Lazrit dhe Piccoli-t kishte disa shkelje protokollare, mbasi Lazri nuk ishte homologu i Piccoli-t me atributet e kryetarit të Komisionit të Jashtëm. Me një frymë mbërrita te zyra e Piccoli-t në Parlament. Edhe ai ishte informuar për anulimin. Me dy fjalë më tha: “Me sa duket biri im, kjo nuk është punë për ne”. Më vonë, më 16 maj 1990, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Perez de Cuellar, do të zbriste në Tiranë me një avion me flamur të OKB-së, për të marrë anëtarët e familjes Popaj dhe për t’i larguar përfundimisht nga Shqipëria. U duk sikur mbas 5 vjetësh të një odiseje të dhimbshme për familjen Popaj, historia u mbyll. Por kalvari i vuajtjeve të tyre nuk do të merrte fund me kaq. Në aeroportin e Romës, ku ata u ulën, nuk i priste asnjë njeri, gazetarët u mbajtën larg. Me një mikrobus me xhama të errët, ata i shpunë fillimisht në një spital, ku iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore dhe psikologjike. Më vonë i shpërndanë nëpër vende të ndryshme pranë të afërmve, duke siguruar një sistemim të përshtatshëm për ta, brenda mundë- sive dhe kushteve, që praktikohej për azilantët politikë.

Më vonë, nuk u dëgjua më për familjen Popaj, por mësuam edhe për fundin tragjik të tyre. Mbas dy muajsh, historia e tyre do të harrohej përfundimisht në opinion tonë, atë do ta zinte historia e sulmit masiv nëpër ambasada dhe emigrimet spektakolare me tragete në Adriatik, pamjet e të cilave do mbushnin faqet e gazetave dhe ekranet e televizorëve në të gjithë botën. Fati i regjimit të fundit socialist totalitar që kishte mbetur në Europë ishte përcaktuar. Në analizat që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen herë pas here në raste përkujtimore mbi proceset demokratike në Shqipëri, zanafilla përqendrohet në kalimet masive të mureve të ambasadave në Tiranë, si gjesti i parë i shpërthimit të dëshirës së shqiptarëve për liri, që do t’u hapte rrugën të gjitha proceseve të mëtejshme, që sollën përfundimisht ardhjen në pushtet të një regjimi demokratik, më 22 mars të vitit 1992. Shkëndija e parë, ajo për të cilën sakrifikuan 6 anëtarët e familjes Popaj, është lënë në harresë.

* * *

Miqësia dhe bashkëpunimi me Flaminio Piccoli-n vazhdoi e u forcua gjatë gjithë kohës që unë qëndrova në Romë. Ai vazhdoi të jetë aktiv në problemet që kishin të bënin me Shqipërinë. Në një prej mbledhjeve të Komisionit të Jashtëm që ai drejtonte, mbasi unë i kisha shprehur disa vërejtje për MPJ, i mori të mirëqena dhe drejtoi kritika tepër të ashpra ndaj MPJ dhe ministrit që ishte në atë kohë, Gianni de Michelis, për veprime apatike e mungesa në ndjekjen e detyrave që ishin lënë.

Flaminio Piccoli do të ishte i ftuari i nderit edhe në drekën e lamtumirës që Ministria e Jashtme shtroi me rastin e largimit tim nga Italia. Fjalët e tij të fundit që më drejtoi ishin: “Ke mbajtur shënime biri im, se unë kam mbajtur… Në qoftë se një ditë ke ndërmend t’i botosh, të lutem m’i jep edhe mua, që t’i ballafaqojmë”. Flaminio Piccoli vdiq më 11 prill 2000. Dhe unë nuk pata mundësi për t’i ballafaquar shënimet e mia me ato që ai ka mbajtur. Por një gjë është e sigurt: të gjitha shënimet janë hedhur ashtu siç ka ndodhur, edhe në kujtim dhe respektin që ruaj për të. Ashtu siç ndihej nga të gjithë, por edhe parashikuar nga kushdo që ndiqte nga afër proceset e ndryshimeve në shoqërinë shqiptare, ngjarja dramatike e familjes Popaj në Ambasadën Italiane, që do të pasohej nga kapërcimi masiv i 5500 qytetarëve të mureve të ambasadave dhe largimi i tyre me 6 anije në drejtim të brigjeve të Italisë, do t’i linte vendin historisë së kapërcimit të Adriatikut me tragetet dhe me çfarëdo mjeti lundrues, që gjendej në bregun shqiptar. Në themel të rrezikut për aventurë, duke hyrë në një ambasadë të huaj apo duke kapërcyer muret e saj, në furinë që rrëmbeu mendjen e njerëzve për arrati nëpërmjet detit qëndronte frymëzimi për liri dhe ëndrra për një jetë më të mirë, ëndërr që për fat të keq vazhdon edhe sot.

Megjithëse pritej, qeveria italiane u gjend e papërgatitur për të përballuar një fluks aq të madh emigrantësh, nga të gjitha pikë- pamjet. Filluan të shfaqen mungesa organizimi në administrimin e kapaciteteve për sistemim. Entuziazmi dhe propaganda në opinionin italian dhe atë shqiptar për mikpritje dhe jetë më të mirë, filloi të bjerë dhe të zëvendësohet me hedhje dyshimesh, me pakënaqësira e me thirrje për masa më të forta nga qeveria italiane për të bllokuar vazhdimin e këtij procesi. Filloi të qarkullojë mendimi se kjo ishte një ndërmarrje e organizuar nga Tirana, për të shfryrë tullumbacen, që pritej të plaste në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura