Rrëfimi i Dashnor Dervishit: Bisedat me italianët për kontrabandën e duhanit në ‘88, çfarë i tha Andreoti Azemit

Jul 13, 2017 | 8:42
SHPËRNDAJE

Ndoshta asnjë diplomat nuk do të kishte dashur të gjendej në vendin e tij në atë situatë. Shqipëria dukej sikur ishte shkulur e gjitha nga rrënjët për t’u zhvendosur në vendin fqinj, Itali, e cila nuk dinte ç’të bënte me ata dhjetëra-mijëra njerëz të pashpresë, që kërkonin një jetë më të mirë në bregun matanë. Një jetë që e kishin parë në reklamat dhe filmat e RAI-it, por që në të vërtetë nuk ishte ashtu.

Dashnor Dervishi është diplomati që mbante pikërisht detyrën e ambasadorit në kohën e eksodit shqiptar drejt Italisë. Tashmë ai po shkruan kujtimet në lidhje me karrierën e tij si diplomat, ku Italia zë një vend të rëndësishëm, jo vetëm për shkak të historikut të marrëdhënieve italo-shqiptare, por edhe për shkak të periudhës, gjatë së cilës ai shërbeu në Ambasadën Shqiptare në Itali, më e vështira në karrierën e tij të pasur diplomatike.

Diplomati Dashnor Dervishi
Diplomati Dashnor Dervishi

Në këtë pjesë, që botohet në gazetën “Panorama”, rrëfehet për këtë periudhë; ëndrrat dhe zhgënjimet e refugjatëve; kushtet e vështira dhe përpjekjet nga të dyja palët për t’i dhënë fund eksodit. Propozimin për të ndalur kontrabandën e cigareve që zhvillohej me dijeninë e shtetit shqiptar dhe vizitat e Azem Hajdarit në Itali, si kryetar i Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare në Parlament.

DASHNOR DERVISHI

EKSODI DREJT ITALISË

…Në ditët e eksodit të shqiptarëve drejt Italisë, në verën e vitit 1991, një barrë e rëndë i ra edhe Ambasadës sonë, për të përballuar situatën e krijuar. Kontaktet me autoritetet italiane u bënë mjaft intensive, po ashtu edhe me vetë emigrantët, të cilët herë pas here ndodheshin të papërgatitur për situatat që gjenin në realitetin italian. Midis tyre nuk mungonin edhe të njohurit tanë, miq, shokë e të afërm. Shpeshherë entuziazmi ishte i përzier edhe me njëfarë zhgënjimi. Mendonin se do ta gjenin çdo gjë të shtruar, por vështirësitë e para që hasnin u bënë shkak për shfaqje nervozizmi, me ndjesinë se nuk po bëhej detyra kundrejt tyre, madje mendohej edhe për padrejtësi që po u bëheshin. Ishin nën ndikimin e një psikoze kolektive, se me të mbërritur në Itali, do të gjenin çdo gjë gati. Nën ndikimin e opinionit të krijuar në Shqipëri, se Skënderbeu kishte shpëtuar Italinë nga invazioni osman, se populli shqiptar kishte strehuar partizanët italianë nga hakmarrja e gjermanëve, se Shqipëria me daljen nga Traktati i Varshavës i kishte krijuar siguri Italisë në Adriatik, e të tjera si këto, shërbenin si motiv, që në bregun tjetër do t’i prisnin me detyrimin dhe angazhimin italian për shlyerjen e një borxhi historik.

Në shtypin e ditës dhe në emisionet e televizioneve italiane filloi të zërë vend gjithmonë e më shumë pasqyrimi i këtyre zhgënjimeve. Shpeshherë, në vetë emisionet televizive bëheshin analiza autokritike, për teprimet në imazhin e gabuar që kishin krijuar në kuadrin e propagandës së përgjithshme gjatë Luftës së Ftohtë.

Mbas 5 – 6 vjetësh nga viti 1991, në vitin 1997, përjetova të njëjtën ndjesi në Shqipëri, me ngjarjet dramatike të gjithëpërfshirjes në firmat piramidale. Nën psikozën masive për të fituar para jashtë çdo norme fitimi, të gjithë vraponin me entuziazëm për të dorëzuar kursimet e tyre me vullnet të plotë. Gëzimi i atyre që filluan të parët, indiferenca dhe joshja nga ana e autoriteteve zyrtare dhe më pas zhgënjimi, kërkesa e përgjegjësisë te të tjerët, nervozizmi dhe revolta. Ndryshimi midis këtyre dy dukurive krejt shqiptare është se në rastin e parë të gjithë vraponin drejt Italisë, ndërsa në rastin e dytë Italia erdhi në Shqipëri nëpërmjet operacionit “Alba”, për të vënë rregull në brigjet tona.

Në historinë e shtegtimit me tragete do të mbetet e pashlyeshme ndodhia me mbërritjen e tragetit të tretë, që u nis nga Vlora dhe mbërriti në Bari më 8 gusht 1991. Ishte reagimi i parë zyrtar dhe publik i qeverisë italiane, për të bllokuar “pushtimin” paqësor e me mjete humane të Italisë nga emigrantët shqiptarë, që më vonë do të pasohej nga procesi i kthimit dhe marrja e masave për ta bllokuar këtë fenomen qysh në nisje, nëpërmjet ligjit të ashtuquajtur “Martelli”.

Ishte një ditë e diel, në datën 11 gusht, kur një telefonatë në shtëpi më njoftoi se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit italian, Vittorio Parisi, kërkonte të fliste me mua. Gjatë bisedës, ai më kërkoi që ta shoqëroja në Bari për të parë nga afër situatën e krijuar në stadiumin e qytetit, ku ishin grumbulluar qysh prej disa ditësh emigrantët shqiptarë të ardhur me traget. Ishin rreth 10.000 – 15.000 mijë persona. Të rrethuar nga forca të shumta të policisë, ata kishin filluar të shfaqnin shenja nervozizmi, madje edhe rebelimi ndaj tentativave të policisë për t’i kthyer me forcë mbrapsht.

Emigrantet shqiptare ne stadiumin e Barit, në Itali ne 1991
Emigrantet shqiptare ne stadiumin e Barit, në Itali ne 1991

Telefonata më kapi në befasi ndaj, mbas disa pyetjeve të mia për sqarime të mëtejshme e për të fituar kohë, i thashë se do t’i jepja përgjigje pak më vonë. U lidha në telefon me Muhamet Kapllanin, në atë kohë ministër i Punëve të Jashtme. Më tha që ta vlerësoja vetë situatën dhe të bëja si ta gjykoja se bëhej më mirë. “Këtu nuk ka njeri që të të thotë që të shkosh ose jo…”, e mbylli bisedën ministri dhe miku im Kapllani. E vetmja me të cilën mund të këshillohesha ishte gruaja ime, Elvira, e cila e trembur më thotë që të mos shkoja, se prania ime krahas forcave italiane të rendit, mund të përdorej nga pala italiane, në përpjekjet e tyre për të nxjerrë me forcë emigrantët nga stadiumi dhe për t’i kthyer mbrapsht në Shqipëri. Vendosa të shkoj, me mendimin jo për të bërë thirrje për të dalë nga stadiumi e për t’u kthyer. Pa e ditur se çfarë do të bëja, në mendje më erdhi akti publik i një prifti kolumbian, i cili protestën e tij ndaj padrejtësive dhe dhunës së pushtetit, ndaj varfërisë dhe përkrahjen e revoltës popullore e shfaqi direkt në një emision televiziv para kamerave, duke mohuar mantelin e tij të priftit.

Mbas një ore isha në aeroportin e Champinos, ku në një kapanon të mbyllur priste Drejtori i Policisë, Parisi, dhe dytre funksionarë të tjerë, të shoqëruar nga një grup bodigardësh. Në avionin e vogël, të ulur ballë më ballë me Parisin, gjatë gjithë fluturimit, pothuajse nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Përpara se të uleshim në aeroportin e Barit, Parisi më pyet: “Ç’do të bëjmë, ambasador”? “Sipas situatës që do shohim në vend”, i thashë unë.

Nga aeroporti u drejtuam drejt e në Prefekturë, për t’u njohur me situatën. Në zyrën e prefektit, së bashku me disa funksionarë ishte edhe një shqiptar, një djalë i ri që e kishin nxjerrë nga stadiumi për të marrë informacion. Ai shpjegoi se gjendja brenda stadiumit ishte tepër e nxehtë, se disa djem të zemëruar kishin edhe armë dhe ishin gati të bënin gjithçka në rast të ndonjë ndërhyrjeje me forcë të policisë. Jo vetëm kaq, por ai tha se edhe ndonjë që kërkon të dalë e të kthehet mbrapsht, ata nuk e lënë. I kërkuan djalit që të kthehej prapë në stadium dhe t’u mbushte mendjen disa prej “kapove” që kontrollonin gjendjen, që të dilnin, me premtimin se do t’i linin të lirë të shkonin ku të dëshironin. Djali nuk pranoi të luante një rol të tillë. Më pas e larguan dhe nuk e di se ç’u bë me të. Nuk e kam parë më atë djalë, madje as emrin nuk arrita t’ia mësoj.

Nga Prefektura u drejtuam për në stadiumin e Barit. Të mbrojtur nga policë të shumtë civilë, u afruam drejt sheshit përballë stadiumit, ku na u shfaq një gjendje e mjerueshme. Stadiumi ishte mbushur me qindra emigrantë të rrethuar nga kordonët e policisë. Jashtë kordonit, me dhjetëra shqiptarë të tjerë që kishin ardhur me tragetet e para, italianë, kuriozë dhe gazetarë. Në një moment, një djalë i ri brenda kordonit më thërret me emër. Ishte një komshi nga lagjja ime në Tiranë. U nisa drejt tij, për të kaluar gardhin e policëve, me dëshirën për ta takuar, por bodigardët e shumtë më ndaluan. Ndërkohë, kamerat e televizioneve të shumta ndiqnin hap pas hapi çdo veprim tonin. Një gazetar më afrohet e më kërkon mendimin tim për situatën. “Shikojeni vetë gjendjen e mjerueshme, ajo nuk ka nevojë për koment”, ishte përgjigjja ime. Parisi, i cili e pa skenën, nga frika se mos situata mund të rëndohej më tej, m’u afrua e më tha: “Bën mirë të kthehesh ambasador, unë do të vazhdoj të bëj detyrën time”. Të nesërmen, në shtypin lokal të Barit, kjo ngjarje dhe kthimi im i papritur do të pasqyrohej si “një gjest proteste i ambasadorit shqiptar në Itali”.

Dervishi, Hajdari, Andreoti, Çela dhe Çakulli gjatë një vizite në Itali
Dervishi, Hajdari, Andreoti, Çela dhe Çakulli gjatë një vizite në Itali

Të nesërmen i kërkova Kryeministrit italian Andreotti një takim urgjent. Më tha se më priste në shtëpinë-studio të tij në rrugën Corso Vittorio 326. I shpjegova gjendjen e mjerueshme të emigrantëve, pamjet dhe trajtimet antihumane, që të kujtonin stadiumet e Santiagos në Kili, gjë që më shumë se çdo gjë tjetër po prishte edhe imazhin e vetë Italisë. Me qetësinë dhe mënyrën e tij të të folurit nëpër dhëmbë, Andreotti më thotë se janë të detyruar t’i kthejnë edhe për të dhënë një sinjal që kjo punë të mbyllet me kaq, pasi sipas informacioneve që kishin, në Shqipëri po bëheshin grumbullime të tjera me emigrantë, për t’u nisur drejt Italisë.

Si me Andreotti-n, ashtu edhe me Vittorio Parisi-n, do të kisha shumë raste të tjera për t’u takuar e për të trajtuar çështje nga më të ndryshmet që lindnin ato ditë.

Mbas ngjarjes në stadiumin e Barit, qeveria italiane pati një mobilizim të madh për ta trajtuar më me seriozitet dhe shqetësim fenomenin e dyndjeve masive nëpërmjet Adriatikut drejt brigjeve të Italisë. Ata e kishin kuptuar se kjo gjë nuk mund të përballohej duke mbrojtur brigjet italiane, por duke e ndaluar këtë dukuri në Shqipëri. Në këto rrethana u ngritën grupe pune në nivele të larta qeveritare, pati delegacione të shpeshta që shkonin e vinin, u organizua dërgimi i ndihmave, u vendos bashkëpunimi midis dy policive, etj. Mbas kësaj, kalimi i Adriatikut nuk do të konsiderohej më si një sakrificë për një jetë më të mirë, por do të trajtohej si një emigracion i paligjshëm (ligji Marteli).

Përveç vazhdimit të dukurisë shqiptare të kalimit të detit me mjete ilegale, Italia i trembej më shumë rrezikut të përmasave që mund të merrte kjo gjë në shkallë Rajoni. Në Jugosllavi kishin filluar proceset disintegruese, ishte në prag kriza e Bosnjë Hercegovinës, zienin konfliktet dhe lufta që do të shkëpuste ish-republikat e Jugosllavisë, mund të nxirrte çdo gjë jashtë kontrollit. Shqipëria dhe Kosova duhej të qëndronin jashtë këtij konflikti, ndaj kërkohej stabilitet dhe në të njëjtën kohë, kalime të buta drejt vendosjes së plotë të sistemit demokratik. Kjo gjë nuk u kuptua drejt nga opozita e atëhershme dhe u interpretua gabimisht si përkrahje për qeverinë socialiste.

Bashkëpunimi midis policive të të dy vendeve mori një zhvillim të paparë deri atëherë në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Vizitat dypalëshe u bënë më të shpeshta, u institucionalizua shkëmbimi i eksperiencës dhe informacionit reciprok. Në mënyrë të veçantë, ajo që ra më shumë edhe në sy ishin ndihmat e konsiderueshme që iu dhanë Policisë shqiptare me automjete, veshmbathje e pajisje të tjera për policinë. Në një nga takimet e radhës me delegacionin e nivelit të lartë të Policisë shqiptare, Vittorio Parisi i dha përgjigje edhe shqetësimit që kishte lindur se kjo gjë mund të forconte së tepërmi Policinë shqiptare, që mund të përdorte dhunën kundër popullsisë: “Ne po pajisim kolegët tanë në Shqipëri, tha ai, me mjetet të domosdoshme që duhet të ketë një polic i çdo shteti në botë, po japim këpucë, ushqime dhe mjete të tjera të domosdoshme. Në rast se policët kinezë në sheshin “Tien An Men” do të ishin pajisur me shkopinj gome në vend të automatikëve, nuk do të ndodhte masakra mbi protestuesit. Ne po iu japim policëve shqiptarë shkopa gome”.

Shqetësimi italian për kalimet ilegale të Adriatikut ka qenë shumë më i hershëm se ai i viteve ‘90, por atëherë ai ishte në kahe të kundërt me atë që filloi me tragetet e supermbushura me emigrantë dhe përfundoi me gomonet që mbartnin jo vetëm qenie njerëzore, por edhe trafikun e mallrave të tjera të ndaluara. Më kujtohet takimi në zyrën e tij me Ministrin e Punëve të Brendshme të Italisë, Vicenzo Scotti. Mbas shkëmbimeve të përshëndetjeve të kortezisë, ai më ngriti një shqetësim që autoritetet e qeverisë italiane e kishin prej kohësh, por që mendonin se kishte ardhur koha që në kuadrin e frymës së re të bashkëpunimit të vendosur midis dy vendeve tona, të eliminohej. Bëhej fjalë për kalimin kontrabandë të cigareve nëpër Adriatik nga kontrabandistë italianë, të cilët kur rrezikoheshin nga Guardia di Finanza, gjenin strehim në portet e bregdetit shqiptar. Ishte një aktivitet që bëhej me dijeninë e qeverisë shqiptare dhe me të merrej konkretisht Ministria e Brendshme.

Kisha dëgjuar në formën e thashethemeve, që qarkullonin në Tiranë për këtë lloj aktiviteti, por nuk kisha ndonjë dijeni në rrugë zyrtare, ndaj edhe shpreha habinë time ndaj atyre që dëgjova nga Scotti. Atëherë, Scotti më ftoi në dhomën ngjitur me zyrën e tij, ku mbi një ekran të bardhë filloi të projektojë filmime të marra nga ajri, që tregonin se si skafet e Guardia di Finanza ndiqnin ato të kontrabandistëve italianë, të cilët në momentet e fundit devijonin drejt bregut tonë, të pa ndaluara nga rojet tona bregdetare.

Nga Scotti mësova se shteti ynë, përkundrejt këtij shërbimi, fitonte rreth 10–15 milion USD në vit. Në këto kushte, tha Scotti, i propozojmë qeverisë shqiptare që ta bllokojë këtë aktivitet, duke kompensuar shumën e mësipërme nga qeveria italiane.

Sapo u ktheva në zyrë, referova për gjithçka në Tiranë, duke dhënë ndër të tjera edhe mendimin tim se ky aktivitet ishte diskretitues për vendin tonë. Mbas pak ditësh vjen përgjigjja nga Tirana, se Qeveria shqiptare ishte dakord për ndalimin e futjes së skafeve ilegalë italianë që trafikonin nëpër Adriatik dhe se e pranonin ofertën e tyre si kompensim. Por, ndërkohë që pritej për të filluar nga përcaktimi i procedurave të bashkëpunimit, u panë qysh në fillim një diferencë dhe mungesë besimi në respektimin e marrëveshjes. (Pala italiane filloi të zvarrisë kompensimin e shumës, duke kërkuar projekte konkrete nga ana jonë, apo duke propozuar që këto shpenzime të kalonin për edukimin e opinionit nëpërmjet seminareve me specialistë italianë). Nuk kaloi pak kohë dhe aktiviteti i paligjshëm filloi përsëri dhe vazhdoi deri sa mbetën në këmbë strukturat e qeverisë socialiste.

Shqetësimet e italianëve do të shpreheshin edhe në situata të tjera në raportet me homologët e tyre shqiptarë. Ne nëntor të vitit 1991, dy miq të mi të vjetër gazetarë e publicistë të njohur, Mitro Çela dhe Filip Çakulli më njoftuan se kishin ndër mend të bënin një vizitë në Romë, së bashku me Azem Hajdarin. Azemi në atë kohë ishte Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare në Parlamentin e vendit tonë. Kishte dëshirë të takohej me Andreottin, i cili na priti menjëherë. Biseda me Andreottin ishte e thatë si zakonisht, me pak fjalë, më shumë sa për kortezi, pa ndonjë mesazh të rëndësishëm. Ndër të tjera, Andreotti theksoi disa nga momentet që lidheshin me krizën e shoqërisë italiane, krizë që sipas tij, nën ndikimin e ndryshimeve të mëdha mbas rënies së murit të Berlinit, do të vinte duke u thelluar edhe në Shqipëri, gjë që në fakt ndodhi me përmbysjet e mëdha mbas vitit 1992.

Azemi shprehu dëshirën që të takonte Ministrin e Punëve të Brendshme, që në atë kohë ishte Vincenzo Scotti. Edhe biseda me Scottin ishte më shumë e karakterit të përgjithshëm, mbi situatën politike dhe gjendjen e partive në Itali. Azemi kërkoi një takim me ndonjë zyrtar që të ishte më afër profilit të tij si Kryetar Komisioni për Sigurinë Kombëtare. Lamë takim me gjeneral Luigi Ramponi, politikan dhe senator, shef i SISMI-it (Shërbimi ushtarak i inteligjencës).

Na priti me shumë përzemërsi në zyrën e tij. Përpara se të kërkoja takimin, i kisha folur Ramponit për Azemin, si një nga organizatorët e protestave të studentëve, që dolën me kurajë në rrugë, duke thyer frikën për t’u përplasur me policinë. Biseda mori një karakter miqësor e konfidencial. Ndër të tjera, Azemi i kërkoi Ramponit më shumë ndihma e mjete të sofistikuara, ndër të tjera edhe disa kompjuterë për modernizimin e shërbimeve, si dhe vendosjen e një bashkëpunimi më institucional midis dy Ministrive të Brendshme e shërbimeve të tyre, mbasi me ndryshimet në Shqipëri shumë gjëra duheshin bërë nga e para.

“Me sa di unë, kemi kohë që e kemi vendosur këtë bashkëpunim”, tha Ramponi, “ai duhet përmirësuar në kushtet aktuale, por kurrë nuk mund të fillojë nga e para”. U ngrit nga vendi, i futi krahun Azemit dhe e shoqëroi në ballkonin e zyrës së tij, që binte mbi një park të madh të mbushur me pisha. Shikoje atë pishën atje, e kam mbjellë vetë kur fillova punën këtu. Është rritur së bashku me flokët e mia tashmë të thinjura. Deri tani kemi përcjellë 15 Qeveri. Qeveritë shkojnë e vijnë, por ne vazhdojmë këtu. Është e vërtetë se ndryshimet në Shqipëri janë më të thella, është ndryshim sistemi. Por shërbimet tona nuk duhet të preken, ato janë ngritur mbi bazën e një sistemi që di vetëm të shërbejë, pa e ditur se kujt. Kam gjithë jetën që luftoj kundër këtij sistemi dhe organizimi i shërbimit të tyre më ka imponuar respektin për armiqtë e mi”.

Më pas, Ramponi na tregoi me gisht një veturë “Tempra”, që ishte në oborrin e godinës. Është një nga veturat, që ne ua kemi dhënë me ndihmat tona, por që jua kanë vjedhur në Bullgari dhe që ka përfunduar këtu, tha ai. Këto janë mjetet e punës më të dobishme për terrenet tona. Ato duhen shfrytë- zuar e ruajtur fort, njëlloj si pushteti. Në Shqipëri pushtetin e morët nëpërmjet masave që dolën në rrugë dhe atje duhet ruajtur fort”.

Ishte hera e dytë që Azemi vinte në Romë. Herën e parë ai ishte në përbërjen e delegacionit të Partisë Demokratike, për të marrë pjesë në një seminar që u organizua me të gjitha partitë shqiptare, mbi demokracinë. Marrëdhëniet tona miqësore e të respektit i ruajtëm deri në fund.

Historia me emigracionin shqiptar drejt Italisë nuk do të konsiderohej e përfunduar, në qoftë se nuk do të thuheshin edhe dy fjalë mbi ecurinë e mëtejshme të këtij procesi, deri në ditët tona. Në fazën e fundit, në programet e qeverisë italiane filluan të bëhen përpjekje për kthimin gradual në Shqipëri të një pjese të emigrantëve. Ministrja e Integrimit të asaj kohe, socialistja Margarita Boniver, doli përpara qeverisë italiane dhe asaj shqiptare me një sërë projektesh që do të realizonin këtë plan. Ideja ishte që çdo emigranti, që do të pranonte të kthehej vullnetarisht në Shqipëri, do t’i jepej një mbështetje financiare, për të filluar një aktivitet ekonomik privat. Ishte një masë artificiale, që nuk funksionoi asnjëherë.

Me kalimin e kohës, emigrantët shqiptarë, mbasi kaluan fazën e parë të hutimit që vinte nga vështirësitë e paparashikuara, mosnjohja e rregullave dhe ligjeve të forta, që mbajnë në këmbë një sistem të ngritur mbi pronën private dhe ekonominë e tregut, arritën që të kapërcejnë vështirësitë, të fitojnë admirimin e punëdhënësve të tyre në sajë të punës dhe vështirësive që u bënë ballë dhe shumë shpejt arritën të integrohen në shoqërinë italiane. Shumë prej tyre kanë zënë vende të rëndësishme, janë bërë pjesë e shoqërisë italiane, duke luajtur një rol të ndjeshëm në zhvillimin e saj.

Mbas vitit 2000 vajta në Parma disa herë, për të parë dy djemtë e mi, që studionin në Universitetin e Parmës. Gjatë kthimit me traget për në Durrës, takoja mjaft të njohur, që shkonin e vinin në Itali për punë të ndryshme, tregti, studime, etj. Shumica e pasagjerëve ishin emigrantë, që mbasi kishin kaluar eksperiencën e tyre të emigrantit, ktheheshin në mënyrë të natyrshme në vendin e tyre. Kishte edhe studentë që mbasi kishin mbaruar studimet, pavarësisht nga ofertat për të qëndruar në Itali, ktheheshin në Shqipëri, për të ngritur jetën e tyre, midis tyre edhe dy djemtë e mi, që sot punojnë e jetojnë në Shqipëri.

Po realizohej kështu, një nga elementët themelorë në rrugën e gjatë të proceseve integruese, ajo e integrimit human, që do i paraprinte programeve dhe premtimeve të politikës, si dhe akteve formale të nënshkrimit të tyre mes qeverive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura