Rrëfimi i Besnik Mustafajt: Si e refuzova Nanon për postin e ministrit në 1991, pse dhashë dorëheqjen nga Berisha dhe u largova nga politika

Nov 18, 2019 | 12:31
SHPËRNDAJE

Shkrimtari Besnik Mustafaj ishte i ftuar në një bashkëbisedim me studentët e Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, ku iu përgjigj pyetjeve me komentet dhe analizat e tij, në cilësinë jo vetëm të shkrimtarit, por edhe të njeriut aktiv në politikë, por edhe si ish-diplomat, njëkohësisht edhe si gazetar, një nga profesionet e tij të hershme.

mustafaj

Z. Mustafaj, duke qenë se jemi një ditë para Panairit të Librit, në shoqërinë që jetojmë sot, në Shqipërinë tonë, duket se ka një rënie të interesit për librin dhe të jep përshtypjen se ngjarje mbi librin ka vetëm një herë në vit, ndërkohë ne në UET e kemi të përjavshëm këtë, duke promovuar apo edhe duke diskutuar për një libër të ri, që sapo është hedhur në treg, por gjithsesi ka një ngecje të debatit për letërsinë apo të librit në përgjithësi, pasi shohim vetëm ngjarje të politikës, krimit, vrasjet etj… Për ju, a është i vërtetë ky konstatim dhe pse shoqëria ku ne jemi pjesë e ka shumë të ulët interesin?

Unë nuk e besoj plotësisht këtë gjë, sepse në Panairin e Librit ka mbi 110 shtëpi botuese. Komercialisht, këto nuk do të ekzistonin nëse nuk do të lexohej dhe do të kishte një rënie të interesit. Unë personalisht nuk kam pakënaqësi si shkrimtar, sepse gjithmonë kam pasur shitje të librave. Kam një hipotezë për këtë gjë në fakt, çdo gjë lidhet me personazhet që janë paraqitur në libër. Kur njerëzit kalojnë nëpër stenda dhe shikojnë që jam aty prezent, ndalojnë për të marrë autograf dhe gjithmonë më bëjnë një pyetje, kur do kthehesh në politikë? Pra, dua të them që njeriu tërhiqet më shumë nga personazhi dhe imazhi i librit. Gjithsesi, kur një libër blihet dhe qëndron në një shtëpi, po nuk u lexua nga personi që e blen, ai libër do kalojë në një dorë tjetër, si p.sh. te gruaja, fëmijët apo te të afërmit. Një libër që vërtitet në shtëpi ka më shumë shanse për t’u lexuar sesa një libër që rri në magazinat e shtëpive botuese. Në këtë kuptim, unë nuk besoj se leximi është në rrezik, por në rrezik është leximi teknologjik. E them këtë sepse edhe djemtë e mi lexojnë pafund, por biblioteka e tyre është në telefon, gjithsesi për shkrimtarin është e rëndësishme të lexohet.

Z. Mustafaj, ju sapo keni botuar romanin tuaj të fundit, ku që në kopertinë e keni cilësuar roman me fund të lumtur. A mund të na flisni disi për këtë roman sa të na shtoni kureshtjen për ta lexuar?

Ai roman ka vërtet një fund të lumtur. Kam filluar ta shkruaj këtë libër që në vitet ’89. Herë pas here e kam braktisur dhe i jam rikthyer përsëri duke shkruar, por këto dy vitet e fundit arrita ta përfundoj. Është një roman për kohën e diktaturës, por nuk është i fokusuar atje ku ishte vatra e dhunës, internimet, burgjet, por ishte fokusuar në atë pjesë të skenës, që quhej suksesi i regjimit. Unë doja të shikoja se si e përjetonin njerëzit frikën rrënuese, duke e menduar veten pjesë të sistemit. Në këtë kuptim, personazhi im qendror është ky që unë e quaj nëna ime. Ky roman nuk është as biografik, as autobiografik, por kam dashur të ruaj inicionin sepse amësia në kuptimin konkret është një simbol. Pra, kjo nënë ka arritur lirinë, ka reflektuar gjatë rrugës dhe i biri vendos të shkruajë romanin e frikës së saj, romanin e jetës saj dhe për mua ky është fundi i lumtur, sepse ajo në fund arriti të jetonte lirinë.

Në librin “Rrëfim me Arta Markun”, ju nuk jeni vetëm shkrimtari, por, siç e thashë edhe në prezantimin tuaj, jeni gjithashtu edhe shkrimtari, politikani, gazetari, diplomati, por edhe pedagogu. Cilat nga këto profesione kanë lënë më shumë gjurmë në jetën tuaj?

Unë besoj se të gjitha kanë lenë gjurmë. Në moshën 49– vjeçare i lashë të gjitha dhe iu kushtova vetëm letërsisë. Në prill kam dhënë dorëheqjen nga politika, vendosa të bëhesha monogam dhe zgjodha letërsinë. Në këtë kuptim, unë besoj se letërsia të realizon në raport me veten, është një ëndërr që konkretizohet, është diçka ndryshe nga çdo përvojë tjetër. Kam pasur përvoja fantastike si ambasador, deputet, ministër, gazetar dhe si pedagog, por letërsia ishte diçka shumë e veçantë për mua.

Në 1991, ju ofrohet nga ish-Kryeministri Nano posti i ministrit të Kulturës, që ju e refuzoni. Në 1992, ju ofrohet posti i ministrit të Punëve të Jashtme, që gjithashtu e refuzoni, por pranoni postin e ambasadorit të Shqipërisë në Francë, ku shërbyet prej 5 vitesh. Pse i keni refuzuar këto poste të larta qeveritare në atë kohë dhe pranuat vetëm postin e ambasadorit në Francë?

Më përpara kam refuzuar një propozim të Fatos Nanos, para pluralizmit, për t’u bërë ministër Kulture. Si ky pozicion kam refuzuar dhe poste të tjera sepse nuk ka qenë ajo çfarë doja me të vërtetë. Pranova të bëhesha ambasador në Paris në ’92, për shkak të disa rrethanave. E para është miqësia ime me Berishën dhe ai filloi të më replikonte, pse unë nuk merrja përgjegjësi që më takonin në ekipin e ri të ’92. Më ofruan postin e ambasadorit në Paris dhe si fillim nuk isha i sigurt, por fillova ta mendoja disi veten në atë post. Unë kisha botuar dy libra në Paris dhe nuk e kisha vend të panjohur, ndaj më pëlqente fakti se një shkrimtar në Paris është gjithmonë fatlum. Kështu, pas shumë mendimeve të mia dhe të të tjerëve që kisha përreth, unë vendosa të bëhesha ambasador në Francë.

Zoti Mustafaj, ju jeni një nga protagonistët e Lëvizjes Studentore Dhjetor 1990, ku keni dhënë kontributin tuaj të çmuar. Viti që vjen është pikërisht 30-vjetori i nisjes së tranzicionit dhe UET, në “Ditët e Studime Shqiptare”, e cila është një konferencë e përvitshme ndërkombëtare shkencore, ka zgjedhur pikërisht këtë çështje, “Demokracia e profesorëve”. Kontributi politik dhe vendimmarrës i profesorëve në 30 vite tranzicion është i madh. Duke filluar që nga i ndjeri Profesor Pashko, ish-Kryeministri Berisha, ishKryeministri Aleksandër Meksi, ju vetë keni qenë profesor, ish-Presidenti Rexhep Mejdani, ish-Kryeministri Fatos Nano, deri te Kryeministri i sotëm, Edi Rama, që ka qenë profesor i Akademisë së Arteve në atë kohë. Si e vlerësoni ju këtë kontributin e këtyre personazheve, që kanë dhënë për 30 vite?

Bilanci është pozitiv me të gjitha problematikat që ka, pa diskutim. Të flasësh në mënyrë retrospektive është shumë e lehtë, por duhet të llogarisim si ishin të ardhurat në ’91 dhe si janë sot. Këta ishin profesorë të gjithë, por profesor i vërtet ka qenë Saliu dhe Gramozi, por përtej kësaj ne të gjithë dinim gjuhë të huaja dhe ishim shumë të lexuar, megjithëse asnjë nga ne s’kishte lexuar një program partie. Askush nga ne nuk kishte lexuar një statut partie dhe ne na u desh brenda dy ditëve të uleshim të shkruanim një program të shkurtuar të drejtësisë, edhe pse kjo gjë nuk lejohej. Po ta marrësh atë program, i cili është shkruar nga njerëz, të cilët ishin të mençurit e këtij vendi si, Gramozi, Genci, Leka dhe Saliu, çdo paragraf fillon, të luftojmë për … Domethënë, ne nuk dinim gjuhë tjetër, përveç kësaj. Fakti që çdo paragraf fillonte në këtë mënyrë, tregonte gjuhën e pastër iluministe. Ne nuk kishim një elitë politike alternative, ne punuam për t’u bërë elitë politike. Unë kam vlerësime maksimale për arritjet tona, por një nga enigmat e mia është sesi një pjesë e tyre e zbuluan aq shpejt shijen e parasë.

Duke parë lidershipin e Partisë Demokratike sot, çfarë mendoni se ky lidership apo kjo parti duhet të bëjë për t’u rikthyer në pushtet?

Unë kam një komunikim me Bashën dhe në kohën kur ai u bë kryetar, unë kam dal me tezën që e kam mbrojtur publikisht, duke e sugjeruar të futet në një fushatë të stilit amerikan, ku të gjithë kandidatët të bëjnë me njëri-tjetrin një garë të ashpër si në Amerikë. Kur më ka pyetur se çfarë mendoj për të, i kam thënë që si lider nuk e konkurron dot Berishën dhe nuk e bën dot atë model, prandaj i kam sugjeruar të krijojë një ekip, ku ai të mundet të jetë i pari. Shqiptarët duan të shikojnë një ekip me potenciale të forta politike dhe kjo i mungon Bashës.

Çfarë do të kishit dashur të bënit ndryshe për këto 30 vite, në lidhje me politikën?

Unë kam bërë mirë që kam bashkëpunuar me Berishën, sepse ne ishim tre, por njëri iku dhe unë nuk e bëra këtë gjë. Besoj se kam pasur shumë fat dhe kam bërë mirë që kam zgjedhur të merrem vetëm me marrëdhënie ndërkombëtare, sepse kam qenë në Paris një nga diplomatët shqiptar që ka luajtur më shumë rol për integrimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Kam bërë traktatin e parë të miqësisë me Francën, kur askush nuk e priste dhe gjithashtu kam pasur fatin të shoqëroj Pavarësinë e Kosovës. Ajo që nuk kam bërë mirë, ndoshta është fakti që ndenja kaq gjatë, më gjatë seç duhet, por nuk kam bërë gabime të mëdha të menaxhimit të atyre dosjeve që kisha. Kisha një liri dhe komoditet të madh në punë, duke qenë se isha edhe mik i Saliut dhe ai kishte besim tek unë, nuk më ndërhynte në punë. Prandaj, dua ta mbyll duke thënë se kam pasur fat në këtë aspekt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura