Rrëfehet Berisha: Pse s’e futa Azemin në Qeveri, Izet Haxhia frikacak

Dec 13, 2016 | 16:08
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha mohon të ketë qenë Ramiz Alia ai që e çoi për të negociuar me studentët në dhjetor të vitit 1990. Në një intervistë për “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Berisha ka rrëfyer marrëdhëniet e tij me sistemin diktatorial dhe arsyen përse u anëtarësua në Partinë e Punës.

Berisha flet edhe për marrëdhëniet e tij me Azem Hajdarin dhe dëshminë e dhënë kundër vrasësve të tij në Ambasadën Amerikane.

Një ish-truproja juaj (Izet Haxhia) ju ka akuzuar se jeni minimalisht përgjegjës dhe i përfshirë në ngjarjet që sollën vrasjen e Azem Hajdarit. Keni një përgjigje përfundimtare për këtë?

Ky është një vrasës i akuzuar nga Sali Berisha dhe i gjithë grupi është i dënuar mbi bazën e dëshmisë sime. Ka një dëshmi që i është dorëzuar prokurorit ndërkombëtar dhe prokurorit të vendit, i cili e dorëzoi menjëherë në media. Unë dëshminë nuk ia dorëzova atij, ia dorëzova ambasadorit amerikan. Ai më pas ia dha prokurores norvegjeze një kopje, ndërkohë një kopje ia dha Arben Rakipit. Ishte pikërisht ky që e nxori atë kopje në treg. Arben Rakipi bëri gjithçka për ta sabotuar, por Prokuroria norvegjeze dhe faktori ndërkombëtar bëri gjithçka që ata të marrin dënim. Ky që po më thoni ju ia mbathi, ka ikur se nuk është trim si i vëllai, që qëndroi këtu. A mund të citohet një vrasës, të cilit Edi Rama nuk ia çon dosjen në Strasburg, pikërisht për të bërë këto deklarata që ai bën?!

Minimalisht dy herë në vit ju i drejtoheni monumentit të Azem Hajdarit…

Shpirtërisht i rikthehem me dhjetëra herë…

Kur i riktheheni, a keni ndonjë moment reflektimi lidhur me raportin e komplikuar që ju keni pasur me Azem Hajdarin?

Në marrëdhëniet që kemi pasur, pa diskutim që kemi pasur edhe diskutime. Por të jesh i sigurt që ai është ndarë nga jeta dhe Sali Berisha me ndjenjat më miqësore dhe më njerëzore që mund të kishte.

Flas për më pas…

Dëgjo, Azemi ky ishte. Azemi ishte vullkan, nëse dikush e merrte ndryshe, atëherë nuk e njihte. Në kuptimin e vërtetë të fjalës, Azemi ishte një “kafshë politike”, në kuptimin pozitiv. Një njeri me instinkte politike të jashtëzakonshme. Dhe në këtë mes kundërshtitë ishin një gjë shumë e zakonshme, por asnjëherë me një akumulim.

Shumë bashkëpunëtorë tuajt thonë se atij i ngeli peng fakti që ju asnjëherë nuk i besuat një detyrë të rëndësishme. Kishit ju rezerva ndaj figurës së tij?

Jo, rezerva ndaj figurës së tij unë nuk kisha. Ai udhëhoqi Komisionin e Sigurisë Kombëtare, të cilin e kërkoi vetë. Në dijeninë time nuk ka pasur asnjë dëshirë për të qenë anëtar kabineti. Por ka qenë një zënë shumë i fortë në përcaktimin e kabinetit. Ishte ai vetë që zgjodhi Komisionin e Sigurisë.

Ju personalisht rrallëherë keni pranuar të dëshmoni përpara organeve shqiptare. Përmendët edhe rastin e vrasjes së Azem Hajdarit, kur ju nuk keni pranuar të dëshmoni përpara prokurorëve shqiptarë dhe dëshmuat në Ambasadën Amerikane përballë prokurorëve të huaj. A keni frikë të hetoheni?

Asnjëherë nuk kanë tentuar të më marrin me forcë. Dëshminë time për vrasjen e Azem Hajdarit e kam bërë me vullnet të plotë. Nuk ia kam bërë Arben Rakipit, sepse ai ishte bashkëpunëtor në krim. Dëshmia ime dhënë ambasadorit Frouik, të cilën ai e dorëzoi. Por ishte insistimi ynë ardhja e avokatit ndërkombëtar dhe hetimit ndërkombëtar. Ata erdhën. Ata dënuan disa prej atyre, të tjerët i eliminuan. U eliminuan. Kështu që vrasësit direkt të Azem Hajdarit morën pa diskutim ndëshkim. Unë tregova gjithçka që dija dhe në fakt dija jo pak, sepse kishte disa dëshmitarë.

Ju ishit shumë i afërt me familjarë të njerëzve të Bllokut në diktaturë…

Ajo ka vetëm një koincidencë që shokët e mi, me të cilët punoja në klinikë, kishin miqësi me ta. Unë jam njohur nëpërmjet tyre. Kam punuar mjek në klinikë speciale, por gjithmonë duke marrë rrogën në spital. Nëse kthehemi në vitet ‘90. Shoqëria në ato vite kishte dhjetëra e mijëra të burgosur dhe të internuar. Pjesa tjetër e shoqërisë ndahej në xhelatë, që ishin një pakicë. Të tjerët ishin bashkëfajtorë për regjimin. Pjesa tjetër e shoqërisë ishte ose e indoktrinuar deri në palcë, aq sa i riu vriste familjarin e vet. Një pjesë e madhe e popullit ishte e indoktrinuar deri në kafshëri. Njeriu i indoktrinuar pranon dokrrat që lëshon regjimi. Shoqëria tjetër, përveç pjesës së indoktrinuar, isha unë me shokët e mi intelektualë të konfirmuarit. Unë, po të kisha qenë i indoktrinuar, do ta thosha, por unë nuk kam qenë i indoktrinuar. Unë kam qenë i konfirmuar. Unë nuk kam pasur asnjë shok të indoktrinuar.

Thoni se keni qenë konformist, por po i tërhiqni deklaratat që keni thënë dikur se u bëtë anëtar i Partisë Komuniste në ’68, sepse në atë kohë…

Është histori tjetër ajo. Unë mendova se do të sulmohej Shqipëria. Nuk ishte një gjë krejt pa bazë. U pushtua Çekia, nëse e mbani mend, dhe reagimi i Perëndimit ishte qesharak.

Pra, anëtarësimi juaj në Partinë e Punës ishte një gjest patriot?

Absolutisht, strikt patriot, sepse me të vërtetë u fol shumë se radhën e kishte Shqipëria dhe unë kurrë nuk mund ta miratoja.

Ramiz Alia ka rrëfyer momentin e kontaktit me ju dhe faktin që ju ka dërguar, sipas tij, për të qetësuar studentët. Ma shpjegoni dot si ndodhi kapërcimi nga konformizmi intelektual te të qenët tribun i demokracisë?

Në 1990-n, në një seri shkrimesh dhe qëndrimesh në gazetën “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” dhe në takim me Ramiz Alinë kisha paraqitur një platformë që fillonte me lirinë e mendimit, me daljen nga izolimi, luftën kundër censurës, autocensurës, vazhdonte me kërkesën për heqjen e nenit të Kushtetutës që e bënte Partinë e Punës forcë hegjemone dhe kjo ishte kërkesa më radikale për pluralizëm. Isha i qartë se ç’ishte pluralizmi burokratik dhe ai politik. Ramiz Alia e kuptoi këtë. Nëse me atë nen mund të krijoje 30 parti, ato mbeteshin si shoqata qeveritare, pa asnjë vlerë. Unë kisha marrë një vendim shumë kohë para kësaj, sepse me diktaturën nuk bëhej shaka. Unë isha gati për të pritur çdo gjë, për të bërë atë që nuk kisha bërë. Për të dalë nga konformizmi im.

Pse për të dalë nga konformizmi juaj ju desh Ramiz Alia?

Unë kisha qenë në mëngjes te studentët dhe jam i pari bashkë me Kujtim Çashkun dhe Besnik Mustafën që, sapo morëm vesh, u nisëm dhe dolëm në ballë të demonstratës së studentëve, që për hir të së vërtetës kishim edhe qytetarë të tjerë. Studentët u rrahën. Kështu që nuk më çoi Ramiz Alia te studentët, atje shkova vetë unë. Pasi u rrahën studentët, ata u shpërndanë. Por ajo që më impresionoi ishte se guxuan që, pasi u rrahën keq në darkë dhe guxuan e dolën prapë në mëngjes. Ishte lajmi më i jashtëzakonshëm ata më dukeshin superheronj. I takuam aty studentët, Azemin. Studentët më kishin kërkuar, unë nuk e dija këtë gjë. U thashë që nuk e dija këtë, unë kam ardhur vetë. Studentët më thonë a do të na udhëheqësh? Jo i them unë. Unë mbroj pikëpamjet e mia, u thashë, por ju mbështes ju për pluralizmin politik. Studentët e kishin pluralizmin, por kishin një organizatë rinie. Duhet të kuptojmë diçka. Çfarë ishin studentët? Edhe studentët ishin një shtresë e privilegjuar. Të themi të vërtetën, ajo ishte një lëvizje e bijve kundër etërve. Në universitet në 200 studentë, një mund të ishte i persekutuar. Edhe unë e kisha familjen mbështetëse të luftës çlirimtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura