Rrëfimi i bashkëpunëtorit të Enverit: Liljana Hoxha më kërcënoi në ATSH

Nov 30, 2015 | 10:03
SHPËRNDAJE

Me Nexhmijen, ashtu si edhe me shumë ish-funksionarë të lartë të kohës, Kiço Kapedanin e ka lidhur puna. Njëherë, në vitin 1981, teksa ishte zv.drejtor në gazetën “Zëri i Popullit”, e ka thirrur për t’u takuar Nexhmije Hoxha, pasi drejtori ishte me pushime. Ajo e ka pyetur rreth mundësisë që Liljana, nusja e djalit të saj, Sokolit, të bëhej zv.kryeredaktore e “Zërit të Popullit”.

Nexhmije dhe Liljana Hoxha
Nexhmije dhe Liljana Hoxha

“U përpoqa t’i shpjegoj shoqes Nexhmije, që puna në gazetë kishte orare të vona, shumë tensione, e lodhshme, se ishte e përditshme, ndërsa Liljana si familjare e re ishte e vështirë që ta përballonte. I sugjerova që ta çonte tek ATSH-ja, sepse sipas informacioneve paraprake që kisha, aty do të dilte në pension nëndrejtori. Ajo më falënderoi dhe e mori parasysh sugjerimin tim. Pas pak kohësh, Liljana u emërua nëndrejtoreshë në ATSH”, thotë Kiço Kapedani, duke shtuar: “Por jeta më pas më dha të kuptoj, se e kisha sugjeruar për të zezën time”.

Sipas tij, ajo ishte ambicioze dhe donte t’i tregonte çdokujt se ishte më e zonja, përfshirë edhe Kiçon, i cili ishte transferuar ndërkohë si redaktor pranë shtypit të jashtëm, në ATSH. “Nuk dua të tregoj me detaje, por po e përmbledh shkurt që patëm një përplasje për profesionalizmin në punë dhe Liljana më kërcënoi ‘ta tregoj në mbledhjen e partisë’. Unë nuk isha budalla që të hahesha me të dhe menjëherë kërkova që të lëviz nga ATSH-ja”, rrëfen Kiço ngjarjen që i përket vitit 1988.

Ai ka takuar më pas drejtorin e ATSH-së, Taqo Zoto, dhe i ka treguar incidentin me të renë e Enver Hoxhës. “I thashë që unë murit me kokë nuk i bie dot, do të përpiqem që brenda javës të lëviz nga ATSH-ja, do të jap dorëheqjen vetë. Por ju lutem, mos ma nxini karakteristikën, sepse pastaj kushedi ku më degdisin”, tregon Kiço Kapedani, i cili vërtet brenda javës është larguar “me lezet” nga ATSH-ja, duke nisur punën e re si sekretar kolegjiumi pranë revistës “Pararoja”, që më pas u bën organ i Policisë.

“Rroga ishte më e mirë, por edhe puna më pa stres”, thotë ai, ndërsa historitë nga e kaluara i ka pa fund. Vetëm për miqtë, ama. Dhe këto pak radhë për të gjithë, pas shumë lutjesh…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura