Rrëfimi i Alban Bushit: E kemi zëvendësuesin e Abazajt, ja kë i kërkova Panuçit

Mar 18, 2018 | 11:57
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kombëtares, Alban Bushi, ishte i ftuar i mbrëmjes në emisionin “Zona Gola”. Në lidhje direkte, ish-sulmuesi i Kombëtares, iu bashkua bisedës duke ndarë mendimin e tij për futbollin europian, më pas për të kaluar të futbolli shqiptar dhe konkretisht futbollistët e Shpresës.

Bushi

“Loku” tregon se i kërkoi Panuçit, ta kishte mesfushorin Ramadanin, për sfidën e parë ndaj Sllovakisë, por ai nuk e lejoi. Numri 1 i pankinës së 21-vjeçarëve kuqezi, beson te aftësitë e lojtarëve që ka grumbulluar dhe i pëlqen më shumë loja e bukur se sa rezultati.

Cila ka qenë skuadra që ke pasur përzemër, apo ndoshta vijon ta kesh edhe sot?

Bushi: Nuk kam qenë fans i skuadrave, por i futbollistëve. Idhulli im ka qenë Gabriel Batistuta dhe kam qenë tifoz i ekipeve ku ai ka luajtur, fillimisht i Fiorentinës dhe më pas i Romës.

Fans i Batistutës, por keni mbajtur numrin 8 në shpinë. Pse jo 9-ën e argjentinasit?

Bushi: Në fillimet e mia kam mbajtur edhe bluzën me numrin 9, ndërsa shpesh imitoja edhe ato gjestet apo mënyrat e tij të festimit të golave. Me kalimin e kohës ndodh që piqesh më shumë dhe nuk ke më të njëjtin entuziazëm të ndjekësh idhujt e tu.

Për mendimin tuaj, sa shanse ka Juventusi për të fituar titullin?

Bushi: Unë mendoj se Juventusi la dy pikë shumë të rëndësishme sot, në ecurinë drejt mbrojtjes së titullit. Në javët në vijim bardhezinjtë do të përballen me Interin, Milanin apo Napolin dhe lënia e pikëve me to do të ishte më e justifikuar, por sot jo. Në pjesën e parë Spali ishte dukshëm më aktiv dhe kërkoi më shumë fitoren. Edhe Alegri mendoj se duhet t’i jepte më shumë rëndësi kësaj sfide, pasi mund të eliminohet edhe nga Reali në Champions dhe del pa gjë në fund.

Kontigjenti i Kombëtares U-21 duket mjaft i mirë, por rezultatet dhe loja duket se nuk ecin paralelisht, pasi paraqitemi mirë, por nuk marrim pikë. Si e shpjegon këtë fakt?

Bushi: Nuk mund të them se është çështje fati, pasi fati shkon me atë që punon dhe luan. Gjithsesi, unë mendoj se mungesa e rezultateve vjen nga mungesa e eksperiencës, pasi nuk kemi ditur të menaxhojmë si duhet cilësitë tona, ndërsa kundërshtarët janë treguar më të zgjuar. Gjithsesi, në edicionin e ardhshëm kualifikues, Shqipëria U-21 do të jetë pretendente për t’u kualifikuar, pasi pavarësisht kundërshtarëve që do të kemi në grup, do të synojmë minimalisht vendin e dytë.

 Keni luajtur vetëm dy herë me Shpresat, në karrierën tuaj. Sa rëndësi ka pjesëmarrja në ekipin e të rinjve?

Bushi: Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ta nisësh eksperiencën në Kombëtare, duke filluar që nga U-15 e me radhë deri në kombëtaren e madhe. Kjo pasi lojtarët vijnë duke u rritur, por edhe duke u pjekur dhe kuptuar rëndësinë e fanellës që mbajnë veshur. Unë kam luajtur një ndeshje në Çeki dhe një tjetër në Gjermani, ku pas ndeshjes mbetëm 10 lojtarë gjithsej, pasi shumica u arratisën.

Çfarë duhet të bëjë një lojtar për të bërë kapërcimin nga Shpresat te skuadra e parë? Si duket e ardhmja e Shqipërisë?

Bushi: Një lojtar duhet të tregojë veten te Shpresat fillimisht dhe më pas ftesa nga Kombëtarja e madhe vjen vetë. Shembulli ideal është Ramadani, që punonte te Shpresat me seriozitetin maksimal, pa e pasur mendjen te ekipi A dhe ftesa erdhi vetë për të, ndaj mendoj se duhet që të gjithë të ndjekin rrugën e tij. Gjithsesi, unë mendoj se ne kemi shumë lojtarë që mund të përfaqësojnë me dinjitet Kombëtaren e madhe, duke filluar që nga portieri Selmani, e deri te sulmuesit, Ne po presim edhe Rei Manajn, që do të vijë dhe do të tregojë veten, ndaj mund të them se e ardhmja e Shqipërisë është në duar të sigurta.

Sa fokus ka Kategoria Superiore në punën tuaj përzgjedhëse?

Bushi: Kampionati shqiptar ka ardhur në ngritje graduale dhe tani po prodhon shumë futbollistë cilësorë, ndaj edhe fokusi im është maksimal. Gjithsesi vlen të përmendet se ka një lloj inferioriteti psikologjik të lojtarëve që luajnë në Shqipëri, ndaj atyre që vijnë nga jashtë dhe këtë duhet ta eliminojmë ne me punën tonë. Gjithsesi ka lojtarë mjaft interesantë si Fangaj, Krymi, Çinari, ndonëse ky i fundit nuk ka qenë pjesë e Shpresave, por edhe ata që nuk luajnë me Shpresat, nuk duhet të dorëzohen, pasi Kombëtarja A arrihet edhe pa luajtur më parë më Shpresat.

Më mirë loja e bukur apo pikët?

Bushi: Unë jam i fiksuar mbas lojës së bukur dhe ndonjëherë nuk më intereson as rezultati përballë lojës. Gjithsesi, te Shpresat rëndësi ka që të prodhosh lojtarë për skuadrën e parë, pasi edhe këtë herë Panucci më ka marrë disa lojtarë si Abazaj, Ramadani, etj. Gjithsesi, unë mendoj se nëse marrim maksimumin në takimet ndaj Sllovakisë, mund të luajmë shanset tona për të arritur zonën Play-Off. Në tërësi unë mendoj se Kombëtarja U-21 duhet të kishte 15 pikë tani në renditje, për atë që ka dhënë në fushën e lojës, por mungesa e eksperiencës dhe besimit, na kanë penalizuar. Ne kemi dominuar Islandën për 90 minuta dhe ironia e fatit është se nëse nuk kualifikohemi ne, do të kualifikohet Islanda.

Ka keqardhje për lojtarët që ju ka marrë Panuçi? A do ta ndjejë ekipi mungesën e tyre?

Bushi: Nuk besoj se do ndihet mungesa e tyre, pasi edhe lojtarët që kanë ardhur, janë të gatshëm të japin maksimumin dhe t’i zëvendësojnë denjësisht. Nuk kemi Abazajn, por kemi Seferin dhe Manajn, lojtarë që mund të vendosin një ndeshje. Unë dua vetëm që lojtarët të vrapojnë mirë, pasi vetëm kështu mund të kapim kundërshtarin. Kështu që nuk ka keqardhje, pasi jemi të bindur se do marrim maksimumin. Na ka ardhur Ndoji, futbollist që më herët është grumbulluar nga Panucci dhe normalisht që do të jetë një vlerë e shtuar në mesin e fushës. Fola me Panuçin që të më linte Ramadanin të paktën deri më datë 24 për ndeshjen, por nuk pranoi dhe e mirëkuptova. Edhe për mungesën e Abazajt nuk kisha dijeni deri para dy ditësh, por dëmtimi i lojtarëve të skuadrës së parë, bëri që Panucci ta kërkonte në skuadrën e tij. Me trajnerin kemi një komunikim mjaft të mirë, për të mirën e Shqipërisë.

A arrihet në Kombëtaren Shpresa, të dallohen të gjithë elementët e duhur? Kemi parasysh lojtarë që kanë kaluar pa u vënë re dhe i kemi njohur vetëm kur kanë shpërthyer.

Bushi: Ne kemi krijuar tashmë edhe Kombëtaren U-20, pasi na mungonte dhe kishim shumë lojtarë që rrinin bosh. Unë pata një grumbullim në Antalia të Turqisë dhe ata u paraqitën mjaft mirë. Mendoj se kjo është një zgjidhje, për të mbajtur kontaktet me sa më shumë lojtarë dhe për t’i aktivizuar deri sa të arrijnë pjekurinë për Kombëtaren A.

Lojtarët që luajnë jashtë, a luajnë rregullisht në ekipet ku militojnë?

Bushi: Disa nga lojtarët e mbrojtjes në një vit kanë luajtur rreth 50-60 minuta, por i kam grumbulluar për t’i pasur pranë dhe për më tepër, kur i kam aktivizuar kanë bërë mirë. Unë preferoj një lojtar që luan mirë dhe nuk bën gabime, pavarësisht se ku luan. Mua më rezulton se më mirë paraqitet Maloku që aktivizohet shumë pak, sesa një lojtar i kampionatit shqiptar, që luan rregullisht. Pra, mundohem të përzgjedh më të mirët mes lojtarëve që kam në dispozicion, pa u shqetësuar për klubin ku luan.

Thuhet se trajneri i Kombëtares ka sjellë disa rregulla të reja në ekip. Cili është ndryshimi mes teje dhe Panuçit?

Bushi: Lojë pa rregulla dhe pa disiplinë nuk ka. Në kohën time si futbollist dhe Hafizit si trajner, ne nuk kualifikoheshim në Europian jo sepse kundërshtarët ishin më të mirë se ne, por sepse ishin më të disiplinuar se ne. Edhe unë u kërkoj lojtarëve që të japin maksimumin dhe të sillen ashtu si në klubet ku militojnë. Urrej të shoh lojtarë që ecin në fushë, apo grindje mes njëri-tjetrit në fushë. Nëse luajmë mirë dhe tregojmë disiplinë, vijën edhe rezultatet, por edhe nëse nuk vijnë, të paktën të mësojmë diçka. Ne mund të marrim ndonjë pikë më tepër, nëse luajmë në mbrojtje, por unë nuk dua këtë gjë te Kombëtarja Shpresa, sepse dua t’i shoh lojtarët të mësohet të luajnë futboll.

A kemi brumin për të bërë lojë sulmuese?

Bushi: Unë kur e them, normalisht që bazohem te lojtarët që kam. E di që futbollistët që vijnë, janë shumë të mirë dhe dinë të luajnë futboll, ndaj u kërkoj të bëjnë atë që dinë ta bëjnë më mirë. Nuk e dua një pikë me Sllovakinë, nëse nuk mësojmë të luajmë futboll të bukur. Unë marr shembull Kombëtaren e profesor Hafizit, ku pavarësisht se pësonim shumë, luanim futboll dhe arrinim edhe të shënonim po aq shumë.

Keni qenë 3-3 dhe keni pësuar gol në fund nga Gjermania, në periudhën kur luanit nën urdhrat e Hafizit. Sa e keni vuajtur atë moment?

Bushi: Profesor Hafizi gaboi se më zëvendësoi mua në minutën e 90’, për të future Prengën dhe pësoi gol. Unë e lashë ndeshjen kur ishim 3-3… (qesh)

Referuar rastit të Hykës, por edhe Berishës dikur, a është distance një arsye për të mos e grumbulluar një lojtar?

Bushi: Normalisht që distance ndikon kur ke shumë pak kohë për të përgatitur ndeshjen, por është e kundërta në rastin konkret, pasi grumbullimi fillon më 19 dhe ndeshja është pas një jave, më 26 Mars.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura