Rrëfimi i Abaz Hoxhës, “Ishte goditur udhëheqja, kërkohej shpagim”

Feb 25, 2015 | 17:07
SHPËRNDAJE

Abaz Hoxha duke rrëfyer për “Panorama”

Abaz Hoxha, njëri nga dëshmitarët e mbledhjes maratonë, e kujton me dhimbje e përçmim gjithçka është konsumuar aty.

Pavarësisht se shpëtoi me një vërejtje dhe mbeti në Parti, ai thotë se pas kësaj e humbi besimin te komunizmi shqiptar, i cili sipas tij mbeti “pronë” e njerëzve fanatikë e karrieristë. Në fakt, kujton Hoxha, ne e prisnim Konferencën e Tiranës me një lloj shprese për reformimin e komunizmit shqiptar, për më shumë demokraci në gjirin e Partisë, për debate të hapura e frymë kritike, por mënyra si procedoi ajo, ishte sa zhgënjyese, aq dhe dramatike. Mbledhja e jashtëzakonshme e komunistëve të Kinostudios në fundprillin e vitit ’56, sipas tij, ishte vetëm një detaj i aksionit politik që kishte iniciuar Komiteti Qendror për të shtypur me dhunë, frymën rebeluese që u demonstrua në Konferencën e Tiranës. Përveç shpërthimit të Manush Myftiut, për të kryqë- zuar kineastët e pabindur, pyetjet e të cilëve kishin tronditur kreun e Partisë, Abaz Hoxhës i ka ngelur peng sjellja tinëzare e ndonjë prej kolegëve që ka shfrytëzuar rastin për t’u hakmarrë me djallëzi jo vetëm ndaj tij. Sidoqoftë, shprehet ai, nuk ia vlen t’ju përmend emrat, ca më tepër që nuk jetojnë më…

Zoti Abaz, si e kujtoni mbledhjen maratonë që u zhvillua në Kinostudio pas Konferencës së Tiranës, ku jeni ndëshkuar me vërejtje në kartën e regjistrimit?

Së pari, nuk mbaj mend të më jetë komunikuar, ndoshta është shkruar, por nuk ma ka vënë njeri në dukje. Nuk është çudi që nga mënyra si rrodhën zhvillimet në atë mbledhje, ta ketë protokolluar ndonjëri me ligësi në fund të saj.

Në Konferencën e Tiranës nga organizata juaj mori pjesë vetëm Nesti Zoto. Si shpjegohet që Manush Myftiu, njëherazi me të, goditi me ashpërsi edhe disa të tjerë?

Vërtet që Nesti ishte delegati ynë i vetëm, por Konferencës, gati të gjithë komunistët e organizatës, i kishin adresuar pyetje me frymë kritike, të cilat u artikuluan në një mbledhje të organizuar vetëm një orë para konferencës. Ishte ky produkt i një fryme liberale provokuar nga klima e krijuar pas Kongresit XX të Partisë së BS.

Pra, mendonit se Konferenca e Tiranës do të sillte një frymë të re në Parti?

Pa dyshim që e mendonim të tillë dhe kishim arsye për këtë. Në fakt, e prisnim Konferencën e Tiranës me një lloj shprese për reformimin e komunizmit shqiptar, për më shumë demokraci në gjirin e Partisë, për debate të hapura e frymë kritike, por mënyra si procedoi ajo ishte sa zhgënjyese, aq dhe dramatike. Vetëm në pak çaste, Enver Hoxha fashiti çdo ëndërr e shpresë, duke e bërë situatën me të zymtë e pa të ardhme. Fryma pas konferencës dhe sidomos pas mbledhjes së famshme që bëmë në Kinostudio, më bëri ta humbas besimin te komunizmi shqiptar, që përfundimisht mbeti pronë e njerëzve fanatikë, servilë e karrieristë. Që këtej e tutje, jo vetëm për mua bëhej fjalë vetëm për mbijetesë.

Kush u sulmua më shumë në mbledhjen e Kinostudios, përveç Nesti Zotos?

Me përjashtime të rralla, gati të gjithë u sulmuam dhe goditëm. Nesti që aty u përjashtua nga Partia dhe u internua. Në internim edhe vdiq. U godit Viktor Stratobërdha, Xhafize Keko, Niko Theodhosi, Pertaq Lubonja, Theodhor Siliqi; Xhevat Behri etj. U goditën se kishin shkelur vijën e Partisë. Të paktën kështu shprehej i deleguari. Se kishin cenuar udhëheqjen, duke u shprehur që ajo jetonte disa herë më mirë se populli, se kishin cenuar luftën e klasave duke kërkuar shpjegime për dënimin e Tuk Jakovës e Bedri Spahiut…

Një pyetje për dënimin e Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës keni bërë edhe ju…

Diçka e tillë nuk më kujtohet me saktësi, por mbaj mend që kam ngritur çështjen e Sejfulla Malëshovës, duke kërkuar shpjegime për përjashtimin e tij nga Partia. Unë atëherë kisha bindjen se Malëshova ishte intelektuali i vetëm në radhët e lidershipit të Partisë. Eliminimin e tij e vlerësoja me pasoja të rënda…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura