Rrëfimi i 16-­vjeçares: Si mbillja e paketoja hashash në Lazarat

Oct 27, 2015 | 9:33
SHPËRNDAJE

Ajo ishte ende foshnjë kur prindërit e morën në Greqi dhe e detyruan të lypte e të riciklonte mbetjet e rrugës. E pavarësisht se ishte shumë e vogël, Leonora e kujton mirë sesi nëna e saj e detyronte të mblidhte kanoçe nëpër plehra bashkë me 2 vëllezërit dhe motrën e saj.

leonora

“Atje lypja dhe mami na çonte te koshat e plehrave. Ishte torturë”, – kujton ajo. Por në vitin 2004 prindërit e saj u ndanë e për pasojë u kthyen në Shqipëri. “Mami dhe babi na prunë këtu. Nuk dua të kthehem më kurrë. As nuk dua ta kujtoj atë vend”, – thotë Leonora, cituar sot nga GSH.

Kur u kthyen në Elbasan, fëmijët u zhvendosën te gjyshërit nga babai. I ati iku përsëri në Greqi, ndërsa shumë pak më pas i braktisi edhe mamaja, e cila shkoi në Itali. “Kur erdhëm përsëri në Shqipëri, ishte edhe më keq. Mamaja nuk dinte si të nxirrte para dhe rrinim pa ngrënë. Nuk i njihnim kushërinjtë e babait dhe nuk ndiheshim mirë atje. Mami na la dhe atyre s’u bëhej vonë për ne, na linin në një dhomë të ftohtë me një batanije të katërt. Gjyshërit na jepnin bukë vetëm një herë në ditë dhe na nxirrnin të mblidhnim kanoçe”, – kujton 16-­vjeçarja.

Transferimi te gjyshërit nga nëna nuk do ta ndryshonte shumë jetën e Leonorës dhe vëllezërve të saj. Kushtet e shtëpisë nuk ishin të mira dhe fëmijëve u duhet të punonin sërish bashkë me pjesën tjetër të familjes, duke shitur rroba të përdorura. Por drita jeshile duket se u ndez në vitin 2006, kur Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve i identifikoi dhe mori disa masa sigurie, në mënyrë që fëmijët të mos ishin në rrezik trafikimi apo që të riktheheshin sërish në situatë rruge.

Madje filluan të shkonin rregullisht në shkollë, deri në vitin 2013, kur Leonora ngeli në klasë të gjashtë, çka detyroi 13­vjeçaren të braktisë shkollën. “Nuk më vinte mirë të vazhdoja, duhej të përsërisja të njëjtën klasë. Isha më e madhe se fëmijët e tjerë dhe më vinte turp”, – shprehet Leonora.

PUNA NË LAZARAT
Pa asnjë mundësi për të nxjerrë të ardhura, në tetor 2013, Leonora dhe vëllai i vogël shkuan me xhaxhain dhe familjen e tij në Lazarat, ku bashkë me mijëra punëtorë sezonalë, mbillnin, krasisnin dhe paketonin kanabis.

“Nuk e kisha idenë sa keq do të ishte atje. Kur shkuam, ngela pa fjalë. Kushtet ishin shumë keq; flinim në kasolle. Kishte hashash dhe duhej të pastronim bimët dhe merrnim 1,000 lekë për kile. Zgjoheshim në 3 të mëngjesit dhe ktheheshim në 8 të darkës dhe njerëzit flinin menjëherë, as nuk laheshin. Shumë shpesh ishim kaq të lodhur, sa na zinte gjumi. Pronarët bërtisnin ‘zgjohuni, mos flini, se nuk ju paguajmë’. Kishte shumë fëmijë të moshës sime atje; i përdornin prindërit për të bërë para. Më e vështira ishte era; sikur kishim pirë, si budallenj; qeshnim, këndonim… na drogonte era. Mua më dhimbte shumë koka”, – tregon 16-­vjeçarja.

Pavarësisht alarmit të dhënë nga Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, autoritetet e qeverisë vendore nuk bënë asgjë për t’i hequr fëmijët nga kjo situatë e rrezikshme dhe fëmijët u kthyen bashkë me familjet në nëntor, vetëm kur mbaroi sezoni. Me kthimin në Elbasan, Leonora tregon se askush nuk i ndihmoi. “Askush nuk na ndihmoi, por unë kam ndihmuar fëmijë. Kam qenë në një trajnim për fëmijët që ishin kthyer nga Greqia. Kam ndihmuar ca fëmijë, jo shumë”, – thotë ajo.

RIKTHIMI NË ELBASAN
Rikthimi nga Lazarati në Elbasan ishte edhe më i vështirë. “Kur punoja atje, isha e zënë dhe e kisha harruar jetën time, ato që kisha kaluar. Tani që u ktheva, m’u kthyen hallet. Tani kujdesem për vëllain; e bëj gati për shkollë dhe bëj punët e shtëpisë”, – shprehet Leonora. Lypje, mbledhje kanoçesh, braktisje nga prindërit e mbjellje hashashi: nuk është gjithçka. Leonora njeh dhe përdhunimet. “Ka shumë raste vajzash që i përdhunonin, por asnjë nuk kujdesej për to. Unë e di se ku mund të shkoj të kërkoj ndihmë, por dhe po shkova, çfarë do ndodhë pastaj?! Unë e bëj, por nuk më dëgjojnë… Në fillim të dëgjojnë, pastaj bëjnë njësoj”, – shprehet ajo. E pavarësisht se është vetëm 16 vjeçe, tashmë ëndrrat për të ardhmen nuk kanë më vend në jetën e Leonorës. “Asnjë ëndërr nuk kam për vete, vetëm për vëllain; të ketë një shtëpi, punë, dhe të mos punojë në rrugë. Vajzat martohen dhe shkojnë te burrat, por vëllai mund të ngelet në rrugë…”

Marrë nga raporti “Sistemi i Mbrojtjes së Fëmijëve ‘Në Ndërtim e Sipër’”, katër historitë e fëmijëve të cilët kanë nevojë për mbrojtje në Shqipëri. Kërkim i realizuar nga Fotis Filippou për misionin “Terre des hommes”, në Shqipëri. Përshtatja dhe titujt janë të GSH.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura