INTERVISTA E PLOTE/ Ndriçim Xhepa: Puthjet e censuruara me Bulkun, Makoçin dhe Alikajn në filmat e socializmit

Mar 8, 2015 | 8:30
SHPËRNDAJE

Nëse i kujtoni reagimet, ndërsa shihnit në kolektiv (i gjithë fisi) filmin “Duaje emrin tënd”, kur Arseni, i shtrirë në vjeshtën e parkut, bën të puthë Jonën, do të qeshni me sikletin që mund të keni përjetuar. Pastaj u çliruat sepse Ndriçim Xhepa me Raimonda Bulkun nuk u puthën. Ata e dinin që, nëse do ta kishin bërë, sepse në fakt puthja ishte pjesë e skenarit, të nesërmen e shfaqjes së filmit, do të haseshin me gjithfarë reagimesh kur të dilnin në rrugë. Madje kjo, do të ishte më e pakta. Sepse në vitin 1984 kur është realizuar ai film, fshatrat e internimit o mbase edhe burgjet, ishin ende të uritur për njerëz.

Eva Alikaj dhe Ndriçim Xhepa në filmin “Treni niset në 7 pa 5”

Brenda vetes, ndofta edhe ju do të kishit dashur që ata të putheshin, për të ndier shijen e lirisë së munguar, ama në reagimet e jashtme do të shfaqnit një vete tjetër, të gëzuar dhe të mjaftuar me puthjen në ballë. Sot, i njëjti protagonist, aktori Ndriçim Xhepa, sapo ka përfunduar shfaqen “Liri në Bremen”. Skenat intime që kishte aty me Gladiola Harizajn, me siguri që nuk i kanë ngelur në mend askujt, në mbyllje të pjesës. Sado që, receptorët e aktorit, ende ndiejnë të thellohet heshtja e sallës, sa herë që skenat premtojnë të shfaqin diçka nga terreni, dikur, i minuar. Për këtë kemi folur sot me aktorin që është i vetmi që ka pasur më shumë skena puthjesh në rolet e tij përgjatë gjithë 35- vjeçarit që është pjesë e kinematografisë dhe skenës së teatrit.

Profesionistë siç është, domosdo që nuk ka ngurruar asnjëherë të pranojë role që parashikonin këto pjesë. As atëherë, nëse do të ishin të lejueshme, e sigurisht, as sot. Nëse mendoni që kjo e fundit është e kotë për t’u thënë, ngase demek sot askush nuk tërhiqet për shkaqe të tilla, duhet të dini që ka sa të duash aktorë që refuzojnë rolet, pikërisht pse personazhi duhet të puthet. Dhe jo, nuk refuzojnë vetëm aktorët që vijnë nga përvoja e diktaturës, e bëjnë këtë edhe aktorë, kryesisht femra, që sapo kanë mbaruar Akademinë. Pse kanë zgjedhur të studiojnë këtë degë? Ka të ngjarë që as ata vetë të mos jenë të qartë, ose janë rritur me ëndrrat për një rol të Lizës, në botën e çudirave.

Deri sa t’u vijë ky “shans”, siç dëgjojmë përditë nga përvoja të deritanishme, zgjedhin të këndojnë, ose të paktën, të mendojnë se po këndojnë! Me Xhepën, aktorin i cili na ka bërë ta marrim gjithnjë si të mirëqenë suksesin e një pjese teatri a një filmi, kemi folur për të gjitha kohët. U është rikthyer të gjitha roleve që ka realizuar përpara viteve ’90, kur në prapaskenë puthej sa të donte, e deri sot kur, të tilla biseda, duhet të shërbejnë për të çliruar ca artistët, nga ndërNjë nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë tregon si fshiheshin skenat e puthjeve nga filmat dhe rolet që kanë mbetur të cunguara, për shkak të mungesës së erotikës.

Ndërrimi i sistemeve dhe lejimi i puthjeve, realizuar me partnere si Yllka Mujo, Eva Alikaj, Monika Lubonja… deri te më e fundit, me aktoren Gladiola Harizaj, në “Liri në Bremen”. Çfarë ndodh në skenë dhe sa ndikon marrëdhënia me partneren jashtë saj… likimet që ne, së jashtmi, na duket se nuk i kanë.

Nëse, në fund, do t’i jepnim kësaj interviste ca tone humori, sikundër ishte e gjithë biseda me Ndriçim Xhepën, jemi të lejuar të themi se aktori që prej 35 vitesh na i ndal vëmendjen në ekran apo na tërheq menjëherë në teatër, është puthësi më i madh në “treg”. Pa humor, Xhepa, me të gjithë rolet e tij, ndoshta ka qenë ai që, vit pas viti, ka thyer tabutë e skenës, për rrjedhojë edhe të mendësive shoqërore, duke i kthyer afrimitetet fizike në skenë, si procese krejt të natyrshme, siç në fakt duhet të kishin qenë prej kohësh. Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Eva Alikaj, Matilda Makoçi, Raimonda Bulku e të tjerë emra që bënë kinematografinë shqiptare, kanë qenë partneret e tij në skenë. Ato që bashkë me të, pas 25 vitesh (tashmë jo të gjitha) janë motivet pse ndjekim një film a një shfaqje teatri.

Nuk dua ta trajtojmë puthjen aktoriale sikur pale ç’është, por dua të pyes, duke iu referuar shfaqjes që sapo përfunduat, “Liri në Bremen”, se si është të realizohet me një partnere me të cilën nuk keni përvoja të mëparshme profesionale, krahasuar me një kolege, me të cilën, mund të jeni rritur në skenë? 

E kam perceptuar gjithnjë si gjë krejt normale, edhe në fakt ashtu është. Unë këtë profesion kam zgjedhur dhe duhet të trajtoj profesionalisht cilëndo situatë skenike. Gladiola Harizajn, protagonisten e shfaqjes “Liri në Bremen”, ishte hera e parë që e kisha partnere, nuk kisha pasur më parë asnjë afërsi profesionale, por jo, nuk ka pse përbën problem për aktorin. I përkas një brezi aktorësh që kanë punuar edhe në sistemin e shkuar, por siç gjykoj, mënyra e të operuarit s’ka pse të ketë ndryshuar. Puthja apo skenat intime kërkojnë njësoj përkushtim dhe trajtohen njësoj nga ne, si pjesa tjetër e formimit të karakterit të personazhit. Dikur ky ishte terren i ndaluar, por jo nga ne, nga sistemi. Nëse do të lejoheshim, do të kishim vepruar njësoj si sot, edhe atëherë.

Por ne, në fund të një shfaqjeje, themi që x aktor ishte shumë mirë, y ishte vetëm mirë. Pra, për t’u futur në karakterin e personazhit, secili punon vetë, ndërsa në rastin e puthjes nevojitet njëfarë kimie mes partnerëve. Gjykimi mbi “cilësinë” e kësaj sekuence, nuk mund të jepet nga interpretimi individual. Për këtë pyes, a është e nevojshme një afri paraprake…

Eva Alikaj dhe Ndriçim Xhepa
Që rezultatet të jenë më të mirat, patjetër që ka nevojë të krijohet paraprakisht ngrohtësia mes të dyve. Aktorët kanë nevojë të qëndrojnë bashkë, të kalojnë kohë. Por gjithë faza parapërgatitore e shfaqjes për këtë shërben. Veçse, jo gjithnjë ke luksin për ta pasur këtë kohë dhe edhe nëse nuk e ke, duhet të sillesh njësoj si profesionist. Mund t’ju përmend filmin “Porta Eva”, ku kam luajtur me një aktore polake, e cila erdhi për fare pak kohë. Të dy, kishim kërkuar ta njihnim njëri-tjetrin përmes punëve të mëparshme. Na u dhanë të dyve filma të secilit për të parë punën e tjetrit. Por kaq, nuk kishim kohë fizike për të qëndruar bashkë, e megjithatë puthjet o skenat intime u realizuan njësoj siç mund të ishin realizuar me një aktore shqiptare, me të cilën unë mund të kisha punuar prej vitesh. Fundja, kjo është detyra e profesionistit.

Ky film i përket kohës së lirisë. Si ka qenë më parë, kur puthjet ishin të ndaluara? A diskutonit ju apo regjisorët, të përfshinit një skenë të tillë, qoftë edhe nëse mbetej vetëm bisedë? Për shembull, sikur ju të puthnit Jonën te “Duaje emrin tënd”…

 Të dy regjisorët e atij filmi, kujtoj që donin të kishte një puthje, sepse do të plotësonte skenën e atij romanticiteti nëpër gjethe vjeshte. Por, kjo nuk ishte e mundur. Pra, ne edhe mund ta mendonim, por ç’dobi kishte?! Filmi kalonte nëpër disa duar kontrolli përpara se të shfaqej. Në të vërtetë, unë isha i gatshëm që atë vit ta bëja skenën e puthjes. Vetëm se, nuk mund të them se do të ishte njësoj e lehtë për Monda Bulkun dhe kjo jo për shkak të saj, por për shkak të paragjykimeve të shoqërisë, sepse i tillë ishte realiteti…

Në ç’filma të tjerë të përpara ’90 puthja do të kishte plotë- suar pjesën? Se, te “Flutura në kabinën time” nuk se ndihet mungesa e ndonjë puthjeje…

Jo, në këtë rast nuk kishte pse të ishte skena e puthjes, sepse ajo e Tomës me Fluturën ishte një marrëdhënie ideale, e ndërtuar vetëm në mendjet e tyre. Ishte e gjitha ëndërrimtare, e pastër, krejt ndryshe nga karakteri i deriatëhershëm i Tomës.

Ama Toma, deri atëherë kishte një marrëdhënie me dispeçeren e parkut të luajtur nga Shpresa Bërdëllima. Në këtë rast po, ka një boshllëk…

Aty po, patjetër, dhe nuk ishte e domosdoshme vetëm puthja, por një skenë e plotë dashurie, që të plotësonte karakterin e egër të shoferit të kamionit. Mungesa e kësaj skene, që gjithashtu ka qenë pjesë e skenarit të Teodor Laços, çon ujë në figurën e Tomës, ngelet e cunguar pikërisht sepse marrëdhënia seksuale që deri atëherë ai ishte mësuar të kishte, çka nuk jepet, nuk i bënte më përshtypje krahasuar me paqen dhe ndryshimin që po pësonte sa herë që takonte Fluturën. Njeriu që e konsumonte marrëdhënien pyjeve, lëvizte tashmë gjithçka, qoftë edhe vetëm për të parë një herë më- suesen.

Nga filmat e viteve ’80, ku ju jeni një ndër personazhet më të dashur të teleshikuesve edhe për shkak se ishit gjithnjë në një marrëdhënie dashurore, çka pothuaj kishte munguar, mund të përmendim edhe të tjerë… 

Po mund të përmendim filmin “Të mos heshtësh” me Matilda Makoçin. Drejtori, aty, mundet t’i kishte fshehur edhe më mirë nëse marrëdhënia do të intensifikohej, duke u ilustruar me një puthje. Po ashtu me Nertila Kokën te “Telefoni i një mëngjesi”.

Po ashtu te “Unë e dua Erën”, që i keni lënë njerëzit në dilemë disavjeçare, nëse Era jua hapi derën apo jo, në fund… Ky film ka qenë edhe më i vonë, kur kishte filluar të ndihej njëfarë çlirimi, e megjithatë puthja mungon…

I kujtoj ekzaktësisht xhirimet e filmit “Unë e dua Erën”. Nëse e kujtoni pjesën e filmit kur unë shoqëroj Erën në autobus e jashtë bie shi… E kemi xhiruar pikërisht më 2 korrik të 1990-s. Ishim në shëtitje të vazhdueshme me autobus, përqark Lanës, për të realizuar skenën e duhur. Kishte kaluar mesnata, kur ndjemë një lloj turbullire që nuk kuptonim nga vinte, dëgjoheshin të shtëna armësh. I ndërpremë xhirimet dhe të nesërmen mësuam që kishin shpërthyer ambasadat. Për disa ditë nuk bëmë prova sepse u krijua një situatë tensioni, por që të dalim te pyetja, po, edhe aty do duhej një puthje. Mbase po të kishte hapur derën Era, në fund…

Gjithë ankth na linit! As te “Treni niset në 7 pa 5” nuk e morëm vesh ku e çuat Etlevën…

Nuk e putha jo… Etleva në atë film, më shumë sesa me mua, mund të kishte një skenë të tillë me Adin, djalin me të cilin ishte e fejuar. Edhe aty ka qenë fundi i vitit ’88, skena ishte e planifikuar, por nuk u bë.

Me të njëjtën aktore keni vënë “Romeo dhe Zhuljetën” në teatër. Shfaqe që me siguri publiku nuk e njeh aq saç ju njeh filmat. As aty nuk jeni puthur?

Jo, ne jemi puthur sa të duash, por jo në skenë (qesh). Ka qenë viti ’87, kur e kemi vënë këtë pjesë dhe me të vërtetë që nuk mund të konceptohej “Romeo dhe Zhuljeta” pa u puthur, por ja që nuk ishte e mundur. Ne i kishim të gjitha arsyet për ta bërë, sepse partneren e skenës, asokohe e kisha partnere edhe në jetë, kështu që nuk kishim pse të kishim asnjë lloj kontraksioni, por Partia na thoshte jo, mos u puthni.

E mirë, u puthët publikisht ca më vonë, te filmi “Përdhunuesit”… 

Pikërisht këtu doja të dilja, dhe këtu qëndron kontrasti absurd. Në ’87, ne ishim me njëri-tjetrin, por nuk mund të putheshim, në vitin 1993, kur u realizua filmi “Përdhunuesit”, nuk ishim më bashkë, e megjithatë u puthëm në film, po një- soj. Në po këtë vit, ka pasur mjaftueshëm skena puthjesh edhe te “Fernando Krafi”, me Yllka Mujon.

A ishte kjo puthje më “e lehtë” se të tjerat… Sado që ju nuk i diferenconi partneret e puthjeve skenike, në këtë rast, duhet të ketë njëfarë avantazhi…

Kur duhet ta puth partneren, së pari ne bëjmë bashkë me regjisorin një zbërthim në logjikën e gjithçkaje që ndodh. Pse është kjo ndjenjë, si është e ndërtuar, e më pas punojmë me plastikën. Pra, çdo gjë është e paracaktuar nga të dy partnerët. Këto skena, nuk kanë nevojë as për shumë prova, sepse me të pasur atmosferën e ngrohtë, me ta krijuar atë, të tjerat rrjedhin vetë. Prandaj edhe, që të jetë sa më e sinqertë, jo fort e konsumuar, në film kam bërë vetëm 2-3 dubla, ndërsa në teatër, ka qëlluar që ta kem realizuar puthjen vetëm në prova gjenerale. Qëllimi i vetëm është që imazhi të jetë sa më artistik. Mos mendoni që ne rrimë e kalojmë gjithë kohën duke u puthur… Me këtë dua të them që gjërat bëhen aq të mirëpërcaktuara teknikisht, sa që marrëdhënia që mund të kesh me partneren jashtë filmit nuk është se ndikon fort.

Kur ka qenë puthja e parë skenike për ju?

Ka qenë te filmi “Pas fasadës” me Monika Lubonjën. Atëherë Monikën e kisha studente në të folurin skenik dhe isha bërë njëfarë propozuesi për të, që ta kishte këtë rol. Nuk ka pasur ngurtësi realizimi i tij, sepse ju thashë, unë kam qenë i gatshëm me kohë. Është njësoj si sot, si atëherë…

A ju mësonin në Akademi teknika apo metoda shkompleksimi për skena të tilla?

Jo, as që flitej për to, për arsyen e thjeshtë që pedagogët tanë as mendonin se do na duheshin ndonjëherë.

A janë studentët sot, të gatshëm njësoj siç ju 35 vite më parë, të jenë pjesë e marrëdhënieve intime në film apo teatër?

Shumë shpesh jo. Di që ka raste kur aktoret, kryesisht femra, refuzojnë një rol për shkak të skenave që regjisori i paranjofton se do të ketë. Nuk di, ndikimi i të dashurit, familjarëve, a kompleks i atyre vetë, i ndalon të pranojnë e rrjedhimisht të mos jenë profesionistë. Madje, për çudinë time dhe tuajën, mund të ketë edhe aktorë meshkuj që nuk pranojnë. Mbase as ata nuk “i lejojnë”.

A mendoni se skenat erotike, tashmë nuk po u referohem roleve tuaja, ndjellin, ende, më shumë spektatorë? Pra, këto sekuenca, përdoren?

Kjo është absolutisht e nevojshme për t’u sqaruar. Puthjet apo skenat erotike, duhet të jenë të pranishme vetëm atëherë kur e kërkon pjesa, kur pa to do të ndihej e cunguar. Abuzimet, pikërisht me qëllimin për të tërhequr vëmendjen boshe të spektatorëve, nuk janë fare të nevojshme. Jam unë i pari që kërkoj një logjikë për secilën skenë dhe nëse nuk ma japin, refuzoj.

Po të bëjmë një krahasim në kohë, sot, sikundër disa vajza refuzojnë të puthen apo gjithë tjetër ç’u kërkohet, ka shumë të tjera që janë të gatshme të bëjnë gjithçka për të tërhequr vëmendje. Por, me gjithë lirinë e pakufi që kanë, shumë prej nesh do të zgjidhnin ende një film nga ata tuajët, nga ata të censuruarit, përpara interpretimeve që të vetmin trofe kanë seksin…

Ky pastaj është një problem që kërkon një hapësirë më vete për t’u trajtuar. Janë dëmtuar të gjitha hallkat e zinxhirit që ndikojnë në formimin e aktorëve që dalin sot nga bankat e shkollës. Sot arti është i dëmtuar. Nëse në atë kohë, censurimi i një puthjeje e dëmtonte filmin në x përqindje, sot është vetëm ajo përqindje e pakët që është në rregull, pjesa tjetër është e dëmtuar. Problematikat nisin që nga njerëzit që bëjnë skenaret. Binomit skenar-regji, nuk i jepet më rëndësia që i është dhënë dikur. Atëherë, një gamë e tërë njerëzish të penës, iu përkushtuan skenarëve të filmit me një impenjim maksimal. Sot, këta njerëz janë fashitur. Ne të gjithë e shohim që dëmtimi nis nga serioziteti i studentëve në fakultet. Dikur, profesione të ndryshme, kishin diferenca të vogla në pagesë, por të gjithë kishim përkushtim maksimal. Me shpërthimin e parasë dhe të kthyerit të saj në motivin e vetëm, njeriu mori dimensione të tjera, duke u tjetërsuar.

Si funksiononte atëherë, sa aktorë kishte trupa e teatrit dhe sa herë vihej një shfaqe, krahasuar me sot?

Oh, as që ka të krahasuar. Shfaqja më e dobët, dikur, vihej në skenë 60-70 herë, ndërsa e mira, 150 herë. Sot, në Tiranë, premierat më të suksesshme vihen në skenë 20-30 herë, aq sa viheshin asokohe, shfaqjet nëpër rrethe. Përveç këtyre, çdo gjashtë muaj, Kinostudioja bënte listën e aktorëve që do të përfshiheshin në filma. Pra vazhdimisht, të gjithë aktorët, viheshin në lëvizje, sado që kush më shumë e kush më pak. Këto vite, trupat e aktorëve nëpër rrethe nuk janë thuajse fare të përfshirë.

Me puthje apo jo, ju jeni ndër aktorët e vetëm njësoj të suksesshëm si në film, edhe në teatër. Nëse sot njerëzit janë bërë më të ftohtë, si ju bënte kjo të ndiheshit atëherë, kur ishit më i ri dhe kur privilegjet e këtij profesioni i kishit ende për t’i provuar…

Ende sot, po të shihni në rrugë një grup njerëzish duke xhiruar, me gjithë indiferentizmin që mund të kenë njerëzit, përsëri të ngacmohet vëmendja. Këtë interesin e sotshëm, shumëfishojeni dhe përfytyroni se si mund të ketë qenë atëherë. Dikur ishte gjë e madhe për njerëzit, qoftë edhe të ishin figurantë në një film. Pra aktori ishte në qendër të vëmendjes, më shumë se sot. 

Xhepa dhe Bulku te “Duaje emrin tënd”

Sa abuzonte aktori me këtë privilegj? 

Nisur nga vetja, nuk mund ta quaj abuzim, sepse nuk është se e pata vëmendjen për një kohë të shkurtër dhe e shtrydha deri në abuzim. Madje, në rrjedhën e viteve, u bënë të pamenaxhueshme, duhet të gjeje mënyrën delikate që t’u shmangeshe “vëmendjeve”, sepse po të përfshiheshe në të gjitha ftesat e dëshirat e njerëzve, do të përfundoje në ambiente pijesh që do të të cenonin profesionalisht.

Keni pasur ju raste të tilla? Ju ka ikur situata nga duart? 

Jo deri në atë masë sa ta ndiejë publiku, por po, kam pasur. Me kujtohet një rast, kur kishim shfaqje në Vlorë dhe njerëzit, nga dëshira për të ndenjur gjatë bashkë, në tavolina e biseda që bëheshin të këndshme, më kanë vënë në shumë vështirësi në shfaqje. Kisha kaluar kohë duke u argëtuar me ta, aq sa nuk mendoja se isha në gjendje fizike ta çoja pjesën deri në fund. Por, nga përvoja, të gjithë aktorët e kalojnë këtë gjë. Për shkak të situatave të ndryshme, ti mund të rrezikosh shfaqjen. Kjo është sfida e vazhdueshme, të mos e bësh këtë gjë të duket.

Po kur i shihni regjistrimet tuaja, a gjeni momente interpretimi ku mendoni se mund të bëhej më mirë? 

Puthje ose jo… Patjetër. Kritika me të cilën e sheh njeriu veten, gjithnjë bën që të gjejë momente për t’i thënë vetes se ka mundësi për më mirë. Ka shumë elemente dhe detaje të rastësishme, të cilat nuk i kontrollon dot me përpikëri. 

Sapo mbyllët “Liri në Bremen”, kur do t’ju shohim sërish? 

Asgjë që ta kem vendosur. Jam ende në fazë analize të dy propozimeve që kam marrë, por meqenëse, për nga ngarkesa emocionale, “Bremeni” ishte mjaftueshëm i ngarkuar, do doja që hera tjetër të më gjente me një komedi të zezë, të shohim. Në do ketë apo jo puthje, nuk di t’ju them.
ANI JAUPAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura