Rrëfimi/ Dëshmitari i 2 prillit: Si i transportova të vrarët e protestës

Apr 5, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Agim Kashi, sot 64 vjeç, u bë protagonist i ngjarjeve të 2 prillit 1991 në Shkodër, ku u vranë katër persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Agim Kashi duke folur për gazetën “Panorama”
Agim Kashi duke folur për gazetën “Panorama”

Agimi është shoferi që transportoi trupat e tre prej të vrarëve, Nazmi Kryeziut, Arben Brocit dhe Besnik Cekës, si dhe dërgoi në spital shumë prej të plagosurve. Pas 25 viteve, Kashi tregon momentet e revoltës në të cilën ishte dëshmitar dhe keqardhjen për moszbardhjen e krimit të asaj kohe.

1 PRILL 1991

“Ngjarjet e 2 prillit 1991 lidhen me 31 marsin e atij viti, ditën kur u bënë zgjedhjet. Shkodra fitoi bindshëm me 19 deputetë të PD-së kundrejt vetëm 3 të PPSHsë.

Nga një sistem gjakatar u mendua se PD do fitonte bindshëm në të gjithë Shqipërinë, por u zhgënjyem. A ishte vjedhje votash apo vazhdoi ende injoranca e atij sistemi, nuk di ta them. Shkodra më 1 prill 1991 shfaqi gëzim për fitoren e PD-së këtu, por pas pak u mor vesh se në të gjithë Shqipërinë ka fituar PPSH”, nis të tregojë Kashi nisjen e reagimit masiv.

“Më 1 prill, protesta ishte krejtësisht paqësore, me njerëz që u ulën përpara komitetit të PPSH. Të them me sinqeritet kishte ndonjë individ që gjuante me gurë, por jo shumë. Policia ishte e përgatitur dhe mundoheshin të qetësonin turmën. Më 1 prill, aty përpara Komitetit, u bë thirrje që edhe më 2 prill, pra një ditë më pas, të dilnim për të protestuar sërish. Thirrja ishte publike dhe e morën vesh jo vetëm protestuesit, por edhe policia njëkohësisht. 1 prilli u mbyll pothuajse në qetësi pa acarime, sepse kishte edhe njerëz nga PD-ja që bënin thirrje për të ruajtur qetësinë”.

PROTESTA E 2 PRILLIT

“Unë kam qenë shofer dhe kam pasur një makinë tip “Zuk”, me të cilën shpërndaja qumështin dhe kisha për të shpërndarë më 2 prill te brefotrofi dhe shtëpia e të moshuarve në Shkodër. Kam parë te shkolla “Jordan Misja” nxënësit që po dilnin turmë prej shkollës dhe u drejtuan në qendër të qytetit. Unë kam pasur një punëtor, shok i imi Paulin Dhora. Ne ishim bashkë dhe më tha: “Agim plasi”.

Ne e kuptuam këtë se diçka po ndodh dhe se një lëvizje popullore po vjen në Shkodër dhe se tashmë nuk ishte e organizuar, siç u pretendua një ditë më parë. Teksa nxënësit po ecnin drejt qendrës së qytetit, unë me shpejtësi kam ndarë qumështin dhe kam lënë makinën tek ofiçina e poliklinikës në qendër të qytetit.

Kam ndjekur turmën deri në qendër dhe aty kam parë që nxënësit e shkollës “Jordan Misja” kishin hyrë në oborrin e shkollës “29 Nëntori”, teksa nxënësit e kësaj shkolle ishin brenda godinës. Aty filluan të thërrisnin “Liri-Demokraci”, “Enver-Hitler” dhe thirrje të tilla kundra sistemit.

Në shkollën “29 Nëntori” kishin mbyllur dyert për siguri, por me insistimin e nxënësve të shkollës “Jordan Misja” edhe ata te “29 Nëntori” filluan të hidhnin librat nga dritaret, nisën të irritoheshin dhe u shpërthyen dyert duke arritur që të dalin jashtë. Të gjithë së bashku u drejtuan te Komiteti i PPSH-së, u bashkuan edhe nxënës të shkollës “Oso Kuka”. Bashkë me ta isha edhe unë. Aty menjëherë filloi protesta me thirrje të ndryshme kundër sistemit. Gradualisht, nxënësve iu bashkua edhe populli kur u mor vesh dhe ku u pa se ç’po ndodhte dhe më pas filloi një acarim më i madh.

Policia ishte e përgatitur dhe rrinte në gatishmëri që me datën 1 prill, dhe ishin te Komiteti i PPSH-së, që e kishin rrethuar të armatosur e me skafandra në kokë. Forca policie kishte edhe brenda godinës dhe hynin e dilnin. Gjendja filloi të acarohej. Protestuesit nisën të gjuajnë me gurë. Mbaj mend në këtë skenë policinë që me mikrofon bënte thirrje për të mos gjuajtur.

Më pas mori mikrofonin Nazmi Kryeziu dhe bënte thirrje edhe ai që turma të qetësohej. Në ato momente nuhata se diçka do të ndodhte. Jam larguar me shpejtësi nga turma, kam shkuar për të marrë makinën që e kisha parkuar afër dhe jam rikthyer në pritje të ndonjë ngjarjeje që pritej të ndodhte. Kam ndenjur në afërsi të ish- “5 Heronjve të Vigut” dhe ashtu siç parashikova, situata u acarua edhe më shumë.

VRASJET

Filluan të gjuanin me automatik forcat e policisë. Nuk kalon shumë kohë dhe vritet njëri prej protestuesve, që ishte Bujar Bishanaku, teksa po kalonte në biçikletë. Sapo është vrarë ai, një makinë rasti ka kaluar dhe e ka marrë për ta dërguar në spitalin e Shkodrës. U mor vesh se Bishanaku kishte vdekur, pra ishte vrarë. Pak më vonë përhapet lajmi se disa persona ishin duke sjellë kufomën e Bishanakut në krah.

Nga spitali deri te vendi i quajtur “Dugajt e Reja” ka ardhur me një makinë dhe nga aty deri në shesh, ku ishin protestuesit përpara Komitetit të PPSHsë, e kanë sjellë në krah duke përshkuar të gjithë qendrën e qytetit dhe e kanë parë të gjithë. Ardhja me kufomën e Bishanakut ishte për të dhënë mesazhin për komunistët e atij sistemi se “ju e vratë”.

Në këtë kohë, përveç forcave policore që ishin të pranishme, kanë mbërritur edhe dy autoblinda, njëri ka përshkuar zonën nga ish -”5 Heronjtë e Vigut” për të ardhur te Komiteti i PPSH-së ku kishte nisur rrëmuja dhe tjetri nga ana e poliklinikës. Erdhën me shpejtësi të madhe dhe kur turma pa dy autoblindat, gjendja është acaruar aq shumë, sa i gjithë populli u kthye nga autoblindat.

Pas ardhjes së dy autoblindave janë dëgjuar sërish krisma automatiku dhe menjëherë u mor vesh se u vranë edhe dy vetë, Arben Broci dhe Nazmi Kryeziu. Unë menjëherë jam futur midis turmës me makinën time dhe i kam marrë që të dy në makinë me shpejtësi. Kur i hipëm, pashë se Arben Broci kishte vdekur, e kishin vrarë në vend, ndërsa Nazmi Kryeziu ishte ende gjallë edhe pse në gjendje shumë të rëndë.

Makina u mbush me gjak dhe në atë tension dhe situatë të acaruar kam arritur që t’i dërgoj drejt spitalit të Shkodrës me shpresën se Kryeziu do të mbijetonte. Teksa gjendja vijonte të ishte e acaruar, jam rikthyer sërish në shesh. Fatkeqësisht, kur u riktheva sapo kishin vrarë edhe Besnik Cekën.

Edhe atë e kam marrë në makinë dhe e kam dërguar në spital. Kam shkuar dhe kam ardhur 7-8 herë nga sheshi në spital dhe përveç këtyre që u vranë, kam dërguar edhe shumë të tjerë të plagosur që më pas shpëtuan.

Nazmi Kryeziu vdiq pas dy ditësh, pa arritur të mbijetojë. Bashkë me mua gjithmonë ka qenë edhe punëtori im, i cili edhe ai si unë ka qenë i rrezikuar për jetën. Bashkë me ne ka qenë edhe një infermier që nuk ia kujtoj emrin dhe një infermier tjetër i quajtur Mark Bongaj”, tregon Kashi.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura