Rrëfim i jashtëzakonshëm, Shkëmbi zbulon sekretet e Skënderbeut

Jul 16, 2016 | 18:36
SHPËRNDAJE

Radas ia pason topin Shkëmbit, ai ecën pak me sferën, ngre kokën, pason për sulmuesin dhe gol…”.

Kjo ka qenë ëndrra e bërë realitet për korçarët për vite të tëra. Sepse kapiteni i tyre nuk i tradhtoi asnjëherë në fushë dhe jashtë saj.

Luajti gjashtë vite pas rikthimit në qytetin e lindjes dhe ngriti po kaq herë trofeun e kampionit. E çmendur si statistikë… Tani ai është pjesë e historisë, por jo e fushave të blerta.

Nuk ka ndryshuar shumë, për të mos thënë fare. Ka të njëjtin sens humori dhe po të njëjtën thjeshtësi në përgjigje.

bledi shkembi

Dikujt nuk i pëlqen kjo, as te klubi i tij, por kapitenët nuk ndryshojnë. Ata thjesht i pranon ashtu siç janë ose largohen. “Prisja të ikja ndryshe nga Skënderbeu, por polemikat nuk do më çonin askund. Vendosa të hesht që të mos humbnim titullin”, thotë ai në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Po, pikërisht për gazetën që me humor e quan “nëna e rrëmujave”. Tregon për raportin e ftohtë me Takajn, sjelljet hitleriane të Levit, dënimin e Skënderbeut për trukime, madje edhe se si është njohur me bashkëshorten e tij shumë vite më parë…

Së pari, duam të dimë si e nis ditën një njeri që ka jetuar kaq shumë me futbollin?

Eh, deri tani nuk shoh ndonjë ndryshim të madh. E them këtë për faktin që skuadra në këtë periudhë që duhej të niste stërvitjen është me pushime dhe unë gjithashtu. Në këtë pikë jemi thuajse si çdo vit tjetër. Të paktën kështu ndihem unë. Për fatin tim të mirë, shumë shpejt u bëra pjesë në një emision në “Top Channel” dhe aty u angazhova me seriozitet gjatë Europianit. Ishte diçka ndryshe dhe isha i preokupuar që të dilja mirë. Doja të isha sa më pranë edhe asaj që kërkojnë shikuesit nga ai pozicion.

Është më e vështirë të luash në fushë apo para kamerave?

Të them të drejtën, ishte goxha më e vështirë para kamerave… (qesh)

Edhe kur ke një fantazist tjetër si Skela aty në krah?

Normal që ishte më e lehtë me Skelën dhe me Elertin, por gjithsesi ishte më e ndërlikuar nga sa e kisha menduar. E kam fjalën në aspektin psikologjik. Por, përveç kësaj, isha duke hapur biznesin tim pikërisht në atë periudhë dhe isha tej mase i ngarkuar. Por, nga ana tjetër, kjo ndikoi që të mos e përjetoja keq pjesën pa futboll. Pra, nuk është se kam ndier ndonjë boshllëk të madh.

shkembi studio

Po kur skuadra ishte në Austri për fazë përgatitore?

Po, aty ndjeva pak keqardhje. Flisja me shokët dhe më dukej e çuditshme që nuk isha aty pjesë e ekipit.

A ke shumë shokë te Skënderbeu?

Po, patjetër që po. Një ndër ta është Tefik Osmani. Është miku im më i mirë.

Ka shumë nga ata që mendojnë se ky është sezoni ku Skënderbeu ka bërë ndryshimet më të mëdha në organikë. E kam fjalën që nga trajneri, kapiteni dhe më pas Vangjeli, Arapi, Progni…

Te Skënderbeu ka pasur gjithnjë lëvizje të shumta, por kryesorja është që boshti dhe lojtarët që mbanin peshën më të madhe, ata janë ruajtur gjithnjë. Këtë vit, në fakt, u larguan tre lojtarë që mbanin shumë peshë në ekip në të gjitha kuptimet. Kjo tani mbetet për t’u parë. Nuk është e thjeshtë të ikin tre lojtarë kryesorë. Megjithatë, në futboll duhet të kesh durim dhe të flasësh gjithnjë pasi janë bërë gjërat dhe jo përpara. Për këtë arsye, mendoj se duhet t’ia lëmë kohës dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat. Unë shpresoj shumë që Skënderbeu të ruajë ecurinë e fundit dhe të triumfojë sërish.

Nuk më përmende Josën… Edhe ai ka qenë pjesë e rëndësishme…

Po, pa dyshim që po. Ai është trajneri më i suksesshëm, kështu që them se duhet t’ia lëmë kohës se si skuadra do të përballet me këto ndryshime. Të gjithë këta që ikën e bënë duke u larguar si triumfues, tani të shohim ç’do të ndodhë më tej…

Si u nda Shkëmbi me Skënderbeun?

Mirë.

Sa mirë?

Çfarë doni të dini konkretisht?

Ishte nga ato dashuritë që nuk mbarojnë kurrë…? Ishte një ndarje si gjermanët “faleminderit për bashkëpunimin,tani të shohim ç’ndodh më tej”, apo u ndatë me ndonjë qejfmbetje për gjëra që ndoshta mund të ishin evituar?

OK, e kuptova pyetjen… Gjithsesi, unë e kam thënë edhe më herët se pavarësisht nëse në klub më kanë dashur apo jo, më kanë respektuar sa duhet apo jo, pak rëndësi ka. Kjo ka qenë, është dhe do të jetë shtëpia ime. Unë këtu e nisa karrierën dhe këtu do të kem gjithnjë shtëpinë time. Sa e ndiej unë Skënderbeun, nuk mendoj se e ndien apo e ka ndier dikush tjetër. Njoh çdo pëllëmbë të këtij klubi, çdo vrimë në fushë dhe normal që ka qenë një ndarje me dashuri për Skënderbeun. Por, nuk dua ta fsheh se me disa njerëz i mendoja gjërat ndoshta ndryshe, por dolën ndryshe.

shkembi josa

Kush janë këta “të tjerët” që me sa duket ta paskan prishur disi qejfin?

Nuk kam dëshirë të përmend emra, por unë kam qenë gjithmonë i zoti i vetes dhe nuk është se kam pritur apo do të pres ndonjë gjë nga dikush.

Dua të ndalem pak te ky lloj raporti me disa aty te Skënderbeu… Pati në sezonin e fundit një lloj klime të nderë, ndoshta edhe konfliktuale mes jush dhe presidentit të klubit. Pse, papritmas, nga lider i padiskutueshëm, përfunduat në stol?

Me presidentin, por edhe me trajnerin kam pasur marrëdhënie profesionale dhe korrekte. Nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie “dashurie”. Normal që nuk e prisja atë që më ndodhi sepse sapo kishim luajtur ndeshjet e Ligës së Kampioneve me Dinamon e Zagrebit dhe u shpalla nga shumë specialistë si një ndër më të dalluarit në fushë. Nuk e them për të mburrur veten, por realisht kisha luftuar me shpirt dhe në fund doli që kisha vrapuar më shumë se të gjithë… Papritur thuhet që Shkëmbi nuk është më titullar se është 37 vjeç e gjëra të tilla që në fakt të lëndojnë… Kam një jetë që luaj dhe e di se futbolli nuk matet me vite, por me atë që mund të japësh në fushë. Kjo më erdhi e çuditshme. Pastaj dëgjova një version tjetër “që duam të investojmë tek të rinjtë…”. Edhe kjo më dukej e çuditshme, por e mendova gjatë dhe vendosa gjatë gjithë kohës që të hesht dhe të mos bëj asnjë polemikë.

Pse menduat se ishte më mirë të heshtje?

Sepse, në fund të fundit, tifozët e Skënderbeut, pjesa tjetër e skuadrës apo edhe gjithë qyteti i Korçës donin vetëm një gjë: një skuadër solide dhe fituese. Për këtë arsye, vendosa të hesht sepse e dija se problemet e mia nuk mund të viheshin mbi interesin e skuadrës apo edhe të gjithë qytetit. Nuk doja të prishja klimën dhe vendosa përfundimisht të mos hapja asnjë polemikë, përtej pakënaqësive që mund të kisha me trajnerin apo me presidencën. Kjo është edhe detyra e një kapiteni. Të ruajë grupin të bashkuar. Mendoj se kam bërë mirë.

Dakord, deri diku është e kuptueshme: klubi ka strategji edhe komerciale dhe kjo mund të pranohet. Po trajneri si reagoi?

Të them të drejtën, trajneri më dha të kuptoja me lezet se “ty Bledi te pjesa ‘lart’ nuk të duan shumë” dhe kjo kishte kohë që po ndodhte. Jo se ma thoshte troç, por më linte të kuptoja se në një ndeshje të caktuar, ku 7 lojtarë të tjerë mund të kishin bërë gabime edhe më të rënda, ata gjithnjë vinin në dukje dy apo tri pasime të miat të gabuara. Kjo nuk më pëlqente dhe më bënte të ndihesha ligsht.

Kur jua ka thënë për herë të parë këtë, e mbani mend?

Ka qenë pas një ndeshjeje me irlandezoveriorët në mos gaboj. Më tha se kishte pasur një lloj debati se përse nuk isha zëvendësuar më shpejt unë, e kësi gjërash… Unë këto i dëgjoja pak a shumë edhe i shikoja, por përpiqesha që përgjigjen ta jepja në fushë në ndeshjen e radhës dhe të tjerët më pas fillonin të rrinin urtë. Kjo ishte e gjitha.

shkembi champions

Te skuadrat që kanë sukses ka gjithmonë edhe një bosht lojtarësh që quhen “senatorë” dhe në të tilla raste japin edhe ata mendimin e tyre. Jam kurioz të di si reaguan “senatorët” e Skënderbeut në këtë rast? E kam fjalën për Shehin, Arapin, Radasin apo edhe ndonjë tjetër…

Shumica e tyre u sensibilizuan në atë rast dhe pa dyshim që e thanë fjalën e tyre. Për aq sa mund të dëgjoheshin ata… Por pati edhe ndonjë që qëndroi shumë pasiv dhe të them të drejtën u befasova sepse nuk mendoja se mund të ishin aq pasivë…

Kush është ky “ndonjëri”?

Nuk fola me emra kur humba vendin në formacion, mos prisni që të flas tani dhe të trazoj ujërat tani në ekipin tim…

A ju vjen keq që shkoi kështu?

Jo, thjesht u befasova nga ajo lloj sjelljeje. Mund ta pranoja atë pasivitet nëse unë si shoku i tyre gjithë këto vite do t’i kisha shfrytëzuar apo do t’i kisha nxitur kundër klubit apo kundër stafit. Aty me të drejtë mund të thoshin që nuk isha i denjë për pozicionin që kisha. Por nuk e kam bërë kurrë këtë, përkundrazi jam përpjekur të menaxhoj sa më mirë edhe situata që hera-herës ishin të pakëndshme, ashtu sikundër ndodh në çdo klub të botës.

A ke menduar ndonjëherë që edhe me ndonjë tjetër aty t’i kundërviheshe klubit për gjëra që nuk të pëlqenin?

Mund ta kisha bërë edhe këtë, por kjo do të kish qenë fatale sepse do krijohej shumë zhurmë dhe shumë tension, gjë që nuk do të na çonte askund. Ishte më i rëndësishëm titulli, sesa problemet që mund të kishte Shkëmbi me trajnerin apo me klubin.

Tani që nuk je pjesë e skuadrës, cila është gjëja që të bën më tepër krenar, përtej 6 titujve që keni fituar dhe sukseseve të tjera?

Ndihem shumë krenar kur lojtarë të Skënderbeut ma vënë në dukje se isha kapiteni më i mirë që kanë pasur. Kjo më emocionon pa masë. Këtë ma thonë edhe lojtarë që nuk janë më pjesë e Skënderbeut.

Shkembi stol

Meqë jemi këtu, më thuaj se cili është kapiteni më i mirë që ke pasur ti?

Nuk kam pasur asnjë idhull dhe asnjë model. Jam përpjekur të memorizoj më shumë gabimet që kapitenët e mi bënin gjatë kohës që mbanin shiritin dhe unë mësova të mos i bëj ato gabime.

Çfarë gabimesh?

Klane, investim për interesa personale dhe përçarje në ekip. Unë jam përpjekur të mos i bëj këto gabime dhe ndoshta për këtë kam pasur sukses.

Si është sot ta shohësh Skënderbeun tënd pas 6 titujve radhazi të dënuar që të mos luajë në Ligën e Kampioneve për shkak të manipulimit të ndeshjeve?

Unë e përjetova keq, me thënë të drejtën. Kjo ndodhi edhe sepse ishim të gjithë të bindur se KAS-i do të na falte. Isha bërë gati që të shkoja të shikoja ndeshjet e Champions-it nga shkallët e stadiumit dhe jo vetëm në Korçë, por edhe në Hungari. Si ish-lojtar dhe si korçar e përjetova keq. Por shpresoj shumë që kjo të mos ndikojë shumë në të ardhmen e klubit. Shpresoj që skuadra të mbetet solide dhe e fokusuar në fushë. Kam dëgjuar që klubi ka plane afatgjata dhe po përpiqet që të mbetet sërish në nivele të larta. Për këtë më vjen mirë.

Si mendon, ishte një vendim i pashmangshëm për ato që kish bërë Skënderbeu apo beson se ishte vendim i padrejtë dhe se skuadra u bë shembull pasi përfaqëson një vend të vogël si Shqipëria?

Unë nuk besoj se Skënderbeu u dënua se jemi vend i vogël apo se nuk kemi përkrahje. Të mos e ekzagjerojmë me viktimizimin… Por mendoj gjithashtu se ishte vendim i nxituar dhe i gabuar i UEFA-s. E them me bindje këtë sepse kam parë pretendimet e UEFA-s dhe argumentet e tyre ndonjëherë ishin qesharake. Ka pasur shumë gabime në atë vendim, por kurrsesi nuk u dënuam thjesht për të bërë shembull dikë.

SKENDERBEU KAMPION I SHQIPERISE - /r/n/r/nSKENDERBEU CHAMPION OF ALBANIA -

Mendon se Skënderbeu nuk ka bërë asnjë mëkat, u dënua pa të drejtë?

Unë flas si një futbollist që ka luajtur në fushë dhe që e kam bërë mirë detyrën time. Nuk e di se nga e ka zanafillën ky vendim, por them se argumentet dhe provat kanë qenë gati qesharake. Më tepër se kaq nuk di ç’të them.

Pse pikërisht Skënderbeun dhe jo një ekip tjetër?

Nuk e di.

A mund ta kishte shmangur Skënderbeu një situatë si kjo nëse do ish treguar më pak “i uritur” dhe më i përmbajtur në gjithçka që po bënte?

Së pari, unë mund t’ju përgjigjem juve vetëm për pjesën e fushës. Sigurisht, media juaj shpeshherë ka njoftuar për raporte nga jashtë apo për gjëra të kësaj natyre. Nuk dua të hyj në gjëra që i kam me të dëgjuar apo në gjëra ku nuk jam ekspert. Mund t’ju them me bindje të plotë se Skënderbeu ka bërë maksimumin në rrethanat ku është gjendur. Për këtë nuk kam pikë dyshimi. Më shumë nuk mund të flas.

Dakord, shkojmë pak më larg në kohë… Na thuaj pak, kur e ke veshur për herë të parë fanellën e Skënderbeut?

Kam qenë 16 vjeç, madje më duket se nuk i kisha mbushur ende 16 dhe trajner kam pasur Edmond Gëzdarin.

Ke qenë qysh në fillimet e tua fantazist, apo ke pasur ndonjë rol tjetër dhe më pas gradualisht përfundove aty?

Që në fillimet e mia kam qenë fantazist. Ndonjëherë, por shumë rrallë kam luajtur edhe si mesfushor i majtë kur isha fëmijë, por sa herë luaja në atë rol, nisja të qaja dhe kthehesha në qendër… Më pas gjithnjë në qendër.

Kush ka qenë lojtari që ju kuptonte me sy mbyllur?

Gjergji Muzaka. Shumë inteligjent dhe që në momentin që ka ardhur në ekip, ai ma ka kuptuar atë shikimin periferik apo pasimin para se unë ta bëja atë. Nga ana tjetër, edhe unë shumë shpejt kapa cilësinë e tij dhe zgjuarsinë e tij për të kuptuar se si luante dhe ku e kërkonte topin.

skenderbeu

Cilët kanë qenë lojtarët me të cilët nuk punoje dot me ta, qoftë edhe për natyrën që kishin?

Me natyrën që kishte, mendoj se ka qenë Bernard Berisha. E pata të vështirë të punoja me të në fillim, jo vetëm gjatë një ndeshjeje, por edhe në stërvitje. Ai dinte të bënte disa gjëra dhe duhej t’i bënte ashtu si dinte ai, pa u përpjekur t’i ndryshonte. I padisiplinuar taktikisht, edhe pse shumë i talentuar. Me kalimin e kohës, ai nisi të piqej dhe të kuptonte se grupi është më i rëndësishëm se individi. Ishte një tmerr i vërtetë për mua dhe gjithë skuadrën (qesh). U desh shumë punë që ai ta kuptonte dhe për fat të mirë e kuptoi duke shkuar jashtë.

Kur ke pasur ndonjëherë frikë në futboll?

Nuk kam pasur asnjëherë frikë para një ndeshjeje, sado e vështirë ka qenë ajo, apo sado e tensionuar…

E kam fjalën për frikë në kuptimin e parë të fjalës… frikë për shëndetin, për jetën…

Ah, ndoshta njëherë në Vlorë. Më duket se ka qenë viti 1998. Isha shumë i ri dhe ndërkohë vinim pas vitit të mbrapshtë të vitit 1997… Tifozët u revoltuan tej mase pa ndonjë motiv madhor, hynë në fushë dhe nisën të na gjuanin me ç’të mundnin. Më pas u detyruam të dilnim me autoblinda. Ishte shumë e pakëndshme.

Kur të ka zhgënjyer ndonjëherë futbolli? Kur je përballur me anën e errët të tij?

Pjesa që nuk kam honepsur kurrë ka qenë ndonjë futbollist apo trajner që më shante mua, shokët e mi, apo edhe lojtarët e tij në mënyrë kafshërore. Kjo më acaronte tej mase. Këta i kam cilësuar si kafshë dhe jo njerëz. Njerëzit që në sport nisin të të përmendin dhe të fyejnë familjen i kam quajtur gjithnjë kafshë që nuk meritojnë asnjë fije respekti. Të çonin ndonjëherë në reflektime të tipit: “ç’më duhet ky sport, a mos duhet ta lë fare…?”. Por unë si natyrë kam qenë i qetë dhe mjaftueshëm inteligjent duke përballuar mirë. Për fat të keq kam dëgjuar trajnerë dhe drejtues klubesh me këtë lloj sjelljeje. Kjo më bën krenar mua dhe gjithë pjesën tjetër të Skënderbeut, që e kishim një kod etike gjithnjë dhe nuk bënim kësi sjelljesh. Madje, është meritë e klubit që ndër vite lojtarët i zgjidhte për cilësitë që kishin në profesionin e tyre, por edhe duke u bazuar te cilësitë humane. Kjo e bëri Skënderbeun edhe më serioz e më të hijshëm kundrejt të tjerëve. Gjithnjë i thoshim vetes edhe të tjerëve se “ne jemi Skënderbeu, ne jemi qytetarë dhe po na mundën, do t’u japim dorën. Nuk mund të sillemi asnjëherë si njerëz rrugësh”.

Je pak ndryshe nga pjesa tjetër e Skënderbeut, sepse gjatë viteve të shkëlqimit të tij, kur kjo skuadër ka fituar sistematikisht titullin, ka bërë edhe “armiq”. Në fillim nisi me Teutën, më pas Kukësin dhe në fund Partizanin. Mirëpo, në Durrës ke miq të mirë, Gjici tha se ke qenë lojtari i tij i preferuar, ndërsa Partizani të bëri ofertë publike në janar… A bënte xheloz kjo ndonjë aty te Skënderbeu?

Nuk e di si ndiheshin të tjerët, por unë jam ndier krenar që kam respektin e kundërshtarëve. I kam respektuar gjithnjë dhe ata gjithashtu.

Nëse të përmend emrat e presidentëve të klubeve me të cilët ke punuar, mund të m’i përshkruash shkurtimisht ata?

Do të përpiqem…

Ardjan Takaj?

Gjithmonë bënte atë që ai mendonte se ishte më e mira dhe kaq. Ishte shumë i ftohtë.

shkembi1

Albert Xhani?

Një njeri i mirë. Një person që e dashuronte shumë Partizanin dhe futbollin, por nuk ishte aq i zoti sa të vazhdonte më tej me këtë sport. Ruaj respekt për atë njeri, pavarësisht se kam pasur probleme ndonjëherë.

Nexhat Bizhdili?

Hëm… Bizhdili… Shumë respekt për të sepse ishte shumë i dashur me të gjithë. Tamam babaxhan. I kënaqur që kam punuar me të.

Edmond Hasanbelliu?

Hasanbelliu ka meritën më të madhe ndoshta që Bledi Shkëmbi arriti deri këtu ku është sot. Ka qenë ai që më ka marrë te Teuta. Ka blerë lojtarin e parë në Shqipëri, sepse ka paguar kartonin tim te Skënderbeu dhe më pas i pari që e ka shitur kartonin tim jashtë me parametra shumë të mirë. Ishte i pari që përcolli tek unë vlerësimin se si duhet të veproja edhe nëse luaja jashtë Shqipërisë.

Agim Zeqo?

Agim Zeqo është presidenti dhe njeriu për të cilin kam shumë debulesë. Dhe jo vetëm unë, por njoh edhe plot futbollistë të tjerë. Ruaj një respekt të paparë. Është presidenti më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë.

Pas një karriere si kjo e jotja, a të ka mbetur diçka peng? A mund të kishe bërë diçka më mirë se kaq?

Unë e di që karriera ime ka qenë e mirë, por personalisht nuk ndihem i ngopur. Mund të kisha bërë diçka më mirë kur isha jashtë. Te Rijeka kam kaluar një periudhë të mirë dhe nëse nuk do të kisha pasur probleme fizike e do të kisha qenë më i kujdesshëm, mund të kisha përfunduar në Serinë A. Për fat të keq, m’u desh të operohesha në muskujt e barkut dhe u dogj si mundësi. Për këtë më vjen pak keq. Por në fund të fundit, gjithnjë ka vend për përmirësim…

Jetmir Halili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura