Rrëfen e bija e Valeria Luixhi Drenovës: Pianistja e zbuluar nga Puçini, që la Italinë për dashurinë

Mar 4, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Valeria Drenova në Tiranë, 1942
Jeta e pasur e vajzës bukuroshe me prejardhje aristokratike dhe ëndrrat e së ëmës për ta bërë artiste të madhe. Si u pikas nga kompozitori G. Puçini dhe mësimet në piano. Dashuria me shqiptarin Fadil Drenova dhe jeta në Shqipërinë komuniste…

Dashuria për djaloshin shqiptar, bëri që pianistja të linte familjen dhe tokën e saj, në drejtim të një vendi që fare pak e njihte. Valeria Luixhi ishte ende një vajzë e re kur njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm, Fadil Drenova. E lindur dhe rritur në një familje aristokrate, ku nuk i kishte munguar asgjë nga ana financiare, jeta në Shqipëri nuk do të ishte dhe aq e thjeshtë për vajzën e vetme të ish-drejtorit të Bankës së Milanos. Ëndrrat e së ëmës për një karrierë artistike si të Sophia Loren, Valeria i zëvendësoi me dëshirën për familje, duke “u revoltuar” në këtë mënyrë edhe ndaj “pushtetit” apo ndërhyrjes së të ëmës në jetën e saj personale… Por kush ishte Valeria Luixhi Drenova, pianistja italiane, që shumicën e jetës së saj do ta kalonte në Shqipëri, e, edhe pse nuk mësoi asnjëherë shqip në mënyrë të shkëlqyer, do ta ndiente veten tërësisht shqiptare. E bija e saj, Laila Piri dhe mbesa, Sonila Piri, rrëfejnë kujtimet për këtë grua, tepër të thjeshtë e të talentuar, që pavarësisht se nuk arriti të bëhej një “artiste e madhe ndërkombëtare”, njihet prej të gjithëve si zonja Drenova, edhe atëherë kur në Shqipëri kishte vetëm shokë apo shoqe…

Deri në fund të jetës, nënës suaj i thirrën “zonjë”, cila ishte prejardhja e saj?

Valeria në vitin 1930
E ëma e saj vinte nga një familje aristokrate me tre mbiemra, ndërsa i ati ishte nga një familje borgjeze e pasur. Ndërkohë kishin dhe një pallat në Luka, një qytet në Toskana, ku ka lindur dhe Valeria, që quhej “Palazzo Bernardini”, i ndërtuar më 1441. Ajo ka lindur më 4 korrik 1915 në Itali. I ati ishte drejtor i Bankës së Milanos, antifashist. Gjatë periudhës së fashizmit, ai u largua në Paris. Por për shkak se edhe atje përndiqej, shkoi në Australi. U kthye në Itali pas çlirimit të Italisë nga fashizmi, pas rënies së Musolinit. Vdiq shumë i ri. E ëma e Valerias ishte obstetre-gjinekologe dhe kishte shumë dëshirë që Valeria të bëhej artiste. Ajo ishte shumë e bukur (ishte zgjedhur dhe “Miss Buzëqeshja” në një konkurs bukurie) dhe shtatgjatë. Por, Valeria nuk donte. Ajo ishte shumë modeste dhe nuk i pëlqente ambienti i artit. Duke qenë se në shtëpinë e saj kishte piano, vinin dhe studionin artistë të mëdhenj në atë kohë.
Cilët ishin këta artistë dhe si ishin marrëdhëniet e nënës suaj me ta?
Nëna kujtonte kompozitorin e madh Giakomo Puçini. Shtëpia e tyre në Luka ishte afër me atë të Puçinit. “Një ditë, kur isha shumë e vogël, më pa dhe më mori në shtëpinë e vet, ku i ra pianos”, tregonte mama. “Dhe i tha nënës: Bëje artiste, ajo reagon në mënyrë të veçantë, kur unë i bie pianos”. Që prej kësaj bisede, gjyshja u kujdes për mamanë, që të studionte në piano. Më pas, gjyshja e futi në shkollën e muzikës. Edhe pse gjyshja punonte me turne në spital, e çoi në një kolegj murgeshash. Mësimet e para të pianos i mori kur ishte 5 vjeçe, derisa kur u bë 7 vjeçe shkoi në shkollë profesionale. Një këngëtare e njohur lirike në atë kohë, ka qenë edhe Renata Tebaldi, një soprano e famshme italiane, që studionte në shtëpinë e Valerias.
Si u njoh nëna juaj me babain dhe si e priti familja e saj këtë njohje e më pas martesë, me një shqiptar?
E bija e Valeria Drenovës, Laila Piri, duke folur për “Unë Gruaja”
Nëna dhe baba janë njohur në Firence, në një mbrëmje vallëzimi me maska. Në mbrëmje ishin dhe disa shqiptarë dhe babait i ra në sy për bukurinë e saj. Babai donte patjetër të futej në shoqëri, në muhabet me të. Nisi si shoqëri e më pas u fejuan bashkë. Familja e Valerias nuk ishte dakord dhe nuk donte që e bija të martohej me një shqiptar. Sidomos e ëma, e cila pretendonte ta bënte të bijën artiste si Sofia Loren. Ata pretendonin që Valeria të martohej me një avokat, që i shkonte mbrapa në atë kohë ose me profesorin e pianos në Parma, siç tregonte ajo vetë. Kishte shumë pretendentë, duke qenë dhe vajzë e bukur. Një arsye që familja e saj nuk dëshironin të martohej me babën tim ishte se nëna ishte e krishterë dhe babai mysliman, e nuk ishin familje aristokrate dhe me baza, siç ishte Valeria. Madje Shqipërinë në Itali nuk e njihnin fare. Nëna thoshte që edhe kur dërgonte kartolina, punonjësit e Postës thoshin: Ku bie Shqipëria? Në Etiopi? Në atë kohë Italia kishte pushtuar Etiopinë dhe kujtonin se ishte në ato zona. Por, pavarësisht kësaj, në vitin 1941, nëna erdhi në Tiranë, e martuar me babën, Fadil Drenovën.
Si iu duk jeta në Shqipëri nënës suaj? Arriti të përshtatej lehtë me këtë ndryshim në stilin e jetës?
Periudhën kur erdhi këtu, ajo nuk e tregonte në mënyrë dramatike. Por nga jeta e Firences në jetën e Tiranës kishte pa dyshim shumë ndryshim. “Njerëzit këtu flinin në tokë, kishte çimka dhe hanin jo në tavolinë. Unë isha mësuar të flija në krevate të mirë”, tregonte mamaja. Baba vinte nga një familje e thjeshtë dibrane, por kishin shtëpi të mirë dykatëshe te Lagjja e Dibranëve. Ishin në gjendje normale ekonomike, por duke bërë krahasimin me Italinë dhe luksin ku jetonin ata, ishin shumë larg. Ajo e vuajti këtë, kur erdhi në fillim. Te familja e babait jetonin 12 veta në shtëpi, me një banjë që ishte përjashta. “Ku do të fle, ku do të ha?”, pyeste mama. Atëherë, gjyshja ime, “megjithëse analfabete, por shumë e zgjuar”, siç thoshte mama, i tha babait: “Shko në pazar, merr një tavolinë të vogël, pjata, të hani ju të dy”. Nëna dhe babai ndenjën nja dy muaj kështu dhe më pas u ndanë, morën shtëpi më vete. Babai filloi punë te Ministria e Bujqësisë. Te Pallati i Sportit, në Laprakë, ishte fidanishtja e luleve. Ndërtuan një shtëpi atje dhe jetuan vetëm. Si patriarkale që ish, familjes së gjyshit nuk i erdhi mirë që djali iku nga familja. Megjithatë, gjyshja, siç thoshte mama, vinte me shumë dëshirë të jetonte te ne. Shkonte shumë mirë me nënën dhe thoshte që Valeria ishte nusja e saj e preferuar.
Pse mendoni Valeria zgjodhi të martohej me një të huaj, një shqiptar, ndërkohë që kishte shumë mundësi zgjedhjeje?
Sonila Piri (e mbesa): Gjyshi ishte shumë karizmatik. Ishte orator i zoti dhe me sa e kam pyetur dhe unë, Valeria thoshte: “Doja të sistemohesha dhe me thënë të drejtën dhe mamaja ime, që kishte ndikuar shumë në zgjedhjet e mia, ishte shumë imponuese. Kishte ardhur një pikë që nuk e duroja dot dhe ky njeri që jetonte jashtë, m’i plotësoi dëshirat, që të ikja larg shtëpisë, larg mamasë, që më imponohej dhe donte të jetonte me mua, të vinte pas meje. Ishin disa rrethana dhe këta pretendentët që kisha, nuk i shihja si burra që donin menjëherë të martoheshin.” Me pak fjalë, mendoj se ajo donte të krijonte një familje. Por edhe gjyshi ishte njeri shumë i mirë dhe i ndershëm, shumë familjar. Tek ai, Valeria gjeti njeriun familjar dhe të duhurin për fëmijët që do të kishte.
Ju vetë si e kujtoni nënën tuaj? Po atë në raport me babain dhe marrëdhënien që kishin krijuar bashkë?
Në atë periudhë kur të gjithë thirreshin “shoku”, “shoqja”, mamaja ishte gjithmonë “zonja Drenova”. Të gjithë e thërrisnin zonjë dhe nuk kishin frikë. Ajo nuk përzihej me njeri. Nuk merrte njeri në shtëpi dhe nuk e kam dëgjuar një herë të marrë dikë nëpër gojë. Të tërë e vlerësonin. Në fillim, prindërit e mi jetonin në kushte shumë të mira. Blenë dhe makinë në atë kohë. Nëna kishte patentë dhe e ngiste vetë. Me fillimin e luftës, situata u degjenerua. Makinën ua morën gjermanët, se kishin frikë mos ndihmonin partizanët me transport. Më pas, nuk e mendonin se do të kishin një lloj izolimi. Më kujtohet se ishte bërë rregull në shtëpinë tonë, që në orën tetë fëmijët do të ishin në gjumë. Dhe pastaj, nëna e babai rrinin bashkë, bënim muhabetet e tyre, muhabete burrë e grua, që mos t’i merrnim vesh ne. Asnjëherë nuk i kemi parë ata duke u grindur. Edhe kur ishin shumë të vjetër, ata rrinin kapur për dore me njëri-tjetrin. Gjithmonë shkëmbenin dhurata për 8 Mars, 14 Shkurt, Krishtlindje apo për Viti të Ri. Babai i bënte shumë peshqeshe nënës. Kur lindi Gloria, ai i dhuroi një unazë diamanti dhe byzylyk floriri. Kanë jetuar shumë mirë të dy bashkë.
Po marrëdhëniet me familjen e saj, a vazhdonte t’i ruante nëna? Sa shpesh shkonte në Itali?
Ajo shkoi në Itali për herë të parë në vitin 1961. Më pas, edhe pse në komunizëm, ajo shkoi çdo tre vjet në Itali. Babai ishte shumë i zoti dhe mundohej me të gjithë mënyrat, që Valeria të shkonte pranë njerëzve, familjarëve, që të mbante kontaktin me Italinë. Kur vinte, ajo sillte dhe gjëra që këtu nuk gjendeshin, si televizor, lavatriçe. etj. Në fillim, gjyshja, mamaja e Valerias, shumë e lidhur pas vajzës, donte që të vinte dhe ajo këtu. Madje dërgoi edhe rrobat. Ndërkohë nëna e babai ia kthyen rrobat mbrapsht, duke i thënë: Mos hajde këtu, se nuk jeton dot. Gjyshja në fakt ishte mësuar me jetë mondane. Pastaj, kur vdiq babai i Valerias, u martua me një burrë tetë vjet më të ri se vetja, gjë që në atë kohë ishte si skandal. Ishte bionde, i jepte dhe motorit, shkonte shumë në festa dhe rrinte me fund të shkurtër. Valeria thoshte gjithmonë: “Këtu gratë ishin akoma të mbuluara e ajo do të dukej si e përdalë. Nuk do të përshtatej me jetën, siç u përshtata unë”.
Fakti që ishte e huaj dhe ruante kontaktet me vendlindjen e saj, nuk e bënë “pre” sulmi nga sistemi komunist i kohës?
Nuk ka qenë e luftuar, se në fillim ia kishin shumë nevojën. Të gjithë partiturat e operave, ajo i kishte sjellë nga Italia. Këtu nuk kishte asgjë në atë kohë. Kur është hapur opera, baleti, në atë kohë, Valeria i kishte marrë të gjitha me vete, solli edhe pianon. Erdhi me baule plot, me rroba e gjithë sendet e saj personale. Edhe sot e kësaj dite ne i ruajmë baulet që ka sjellë nga Italia. Nga ana tjetër ka ndikuar, të themi personaliteti i saj: modestia, të mos rënit në sy, ishte favor, që nuk u luftua haptazi. Ka ndikuar karakteri i saj i adaptueshëm, i gjindshëm. Ishte e urtë, që ndihmonte, e mirë me të gjithë. Nga ana tjetër dhe babai bënte të pamundurën, që mos ta prekte njeri. E kishte si idhull e nuk mund të ndahej prej saj. Babai ndërkohë ishte familje partizanësh. I vëllai kishte vdekur dëshmor në luftë dhe për këtë arsye kishin kontribuar dhe mamaja mbrohej nën këtë petk. Plus që i ati i saj ishte antifashist, socialist. Por ka ndenjur në hije. Ajo ka dhënë bazat në Opera, në Lice dhe në Filarmoni.

“Zakonet e vogla të një jete tjetër”
E kuruar në detaje, kur erdhi fillimisht në atdheun e të shoqit, Valeria mori me vete edhe një shërbëtore nga Italia. Pas tre vjetësh, shërbëtorja u largua sërish në Itali, por pianistja aristokrate nuk hoqi dorë nga disa zakone të vetat. Punësonte hera-herës gra që i shërbenin, ose çonte çarçafët për t’i larë te një grua që ishte në kushte të vështira ekonomike. Por tashmë, jo për “stil aristokratik”, por sepse i vinte keq. “Ishte një grua shumë e mirë, që jetonte në një barakë e mamaja për ta ndihmuar, edhe pse kishte lavatriçe, i çonte çarçafët t’ia lante, që t’i jepte ndonjë lekë. Të njëjtën gjë bënte me motrën e Nënë Terezës, me të cilën ka punuar në radio. Atëherë u prishëm me serbët dhe e hoqën nga radioja e mbeti pa punë. Ajo ishte shumë e zonja të bënte triko dhe sytjena dhe ia çonte asaj, që të punonte”, kujton vajza e pianistes, Laila. Në këto kushte të vështira, jeta për Valerian nuk do të ishte më e njëjta. Megjithatë, si një besimtare e vërtetë, ajo do të festonte çdo vit Pashkët apo do të vazhdonte të ushqehej në të njëjtën mënyrë si në Itali. “Mbahej shumë. 85 vjeçe lyente gishtat dhe buzët. Flokët i bënte gjithmonë permanent. “I kam të drejta dhe nuk më rrinë mirë”, thoshte. Vishej gjithmonë me gusto. Por ishte vërtet serioze, e përkushtuar në punë dhe në familje. Bënte nga dy-tri punë dhe gatuante shumë mirë”, kujtojnë e bija dhe mbesa. Ato vërejnë se tavolinës së shtruar prej saj nuk i mungonte kurrë kartëpiceta, lugët, pirunët, pjata e parë dhe e dytë, në të njëjtën mënyrë sikur do të hanin në restorant. “Makaronat i gatuante përditë. Pjata e dytë do të ishte gjithmonë. Nuk mungonte kurrë mishi, frutat e ëmbëlsira. Të premten gjithmonë hanim grosh, sepse edhe pse ajo nuk deklaronte që besonte, se kishte frikë në atë kohë, ishte besimtare e krishterë dhe katolikët nuk hanë mish të premten. Pashkët i festonim gjithmonë. Vezët, mamaja i lyente me bojë vërnik, që e kishte marrë në Itali. Kishim frikë se ku do t’i hidhnim lëvozhgat. Merrnim letra dhe i mbështillnim me shumë letra të tjera dhe i hidhnim natën vonë, pas orës 21:00 në plehra, ose hapnim gropë në shtëpi, që të mos na shihnin të tjerët”.

Një pianiste nga Italia
Valeria Luixhi Drenova ka lindur në Itali, në vitin 1914. Studioi për 10 vjet në Konservatorin “A Boito” në Parma me pedagogë të njohur si Rio Nardi, Nino Rossi etj. Gjatë viteve 1937-1940, ajo punon si pedagoge pranë Institutit Femëror “Fraskani Signorini” në Firence, ndërsa gjatë viteve të para të ardhjes në Shqipëri në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë”. Për vite me radhë ka punuar pranë Radio Tiranës dhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Me krijimin e Filarmonisë së Shtetit, ajo do të jetë një nga pianistet kryesore të saj. Po kështu, edhe pas themelimit të Teatrit të Operës dhe Baletit, madje ajo ka punuar edhe 10 vite të tjera pas daljes në pension. Gjatë viteve që ajo ka punuar pranë TOB, në duart e saj kanë kaluar vepra të tilla si “Rusallka”, “Mrika”, “Traviata”, “Berberi i Seviljes”, “Baterfly” etj. Për merita të veçanta në fushën e muzikës, ajo mban titullin e lartë “Naim Frashëri”.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura