Rrëfen e bija e Elez Ndreut: Takimet e gazetarit shqiptar me Sophia Loren dhe Gina Lollobrigida

Mar 17, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE


Nuk është nevoja të jesh skenarist si Gil Pender te “Midnight in Paris” për të bërë udhëtime imagjinare; për të zhvendosur realitetin tënd në atë të epokave të tjera. Sa herë jeni takuar me personazhet e gjeneratës së humbur: Hemingway, Zelda dhe Scott Fitzgerald bashkë me miqtë e tyre europianë, Picasso, Dalí dhe Bunuel. Të paktën një herë keni pirë deri në të gdhirë me Toulouse-Lautrec apo Degasin e Epokës së Bukur. Njësoj imagjinar mund të duket sot, edhe një takim me Sophia Loren apo Gina Lollobrigida, sado që, asnjëra prej të dyjave nuk është aq e largët sa ëndrrat e skenaristit. Naime Ndreu, sot prokurore në Kaliforni, ka pasur fatin që, për këto takime, t’i dëgjoj të rrëfehen në vetë të parë. I ati i saj, Elez Ndreu, i ka takuar të dyja aktoret e bukura. E nëse shkrimtarët a piktorët kanë udhëtuar në kohë vetëm për takuar të ngjashmit e tyre, për të takuar Lollobrigidën apo Loren janë tjetërsuar nëpër ëndrra meshkujt e të gjitha profesioneve. Naimja nuk do t’i humbasë kujtimet e të atit, ndaj edhe, ashtu të copëzuara siç i mban mend, ka nisur t’i hedhë në letër. Nëse deri sot nuk keni dëgjuar për Elez Ndreun, me siguri keni dëgjuar për Elez Isufin; ishte nipi i tij. Pat lindur në Peshkopi në vitin 1929, por u arratis nga Shqipëria me të ndjerë shenjat e para të ardhjes së komunizmit. Së pari, bashkë me një grup të afërmish e familjarësh, emigruan në Jugosllavi ku ndenji për disa vite si emigrant politik në kampin Geroves. Por e ardhmja e tij nuk ishte aty. Me ndihmën e “Misionit për emigrantët” në Gjenevë, Elezi transferohet në Itali ku punon me xhaxhain e tij Isa Ndreun, biznesmen i suksesshëm në fushën e bizhuterive, si dhe botues i revistës “Koha Jonë” në Itali. Ishte prej tij që pati edhe takimet “e bekuara”. Isai, në vitet ’50-’60 ka qenë pjesë e njerëzve elitarë të kohës. Të dy bashkë frekuentonin sallonet e baret më të dëgjuara të Romës, nga ato që të tjerët nuk i afroheshin për rutinën e një kafeje, por shkonin për të takuar sërën e tyre. Ndërkaq, edhe Elezi nuk ishte pa gjë; kishte nisur të ishte gazetar aktiv te revista “Koha Jonë” dhe “Shejzat”, vetëm se, nuk shkruante me emrin e tij por me pseudonimin Omar Mali. Edhe pse u largua në moshë fare të re, Elezi pati gjithnjë marrëdhënie të ngushta e bashkëpunoi me miqtë e tij si Koliqi, Karl Gurakuqi etj. “Babai është takuar me aktoret më shumë se një herë. Aq sa, kishin nisur bisedat edhe për përfshirje të tij në aktrim, për shkak mbase të pamjes së jashtme. Më tregonte se Sophia Loren i pat propozuar të bëhej aktor, ose të paktën të provonte”, tregon e bija, Naimja. “Nuk është se ajo po i propozonte një projekt konkret, vetëm e shtynte ta mendonte si alternativë. Mirëpo, babai i ishte përgjigjur me shaka se si shqiptar që ishte, nuk merrej me këto gjëra. Ato vite, bashkë me të ishte edhe ai që më vonë u bë bashkëshorti i Sophies, Calro Ponti”. Ndërsa mes të dyjave nuk e kishte kursyer preferencën për Lollobrigidën. “Nuk e di nëse ka mundur ta shprehë këtë preferencë, e mira do të ishte që jo, sepse sidoqoftë, mes femrave të bukura nuk ka pse të bëhet diferencime, por mes nesh e ka thënë që mes të dyja aktoreve, pëlqente më tepër Gina-n, i dukej më e bukur”. Por Italia nuk ishte destinacioni i tij i fundit. Pas Italisë, emigroi në Amerikë ku studioi në Indian University për Linguistikë. U punësua në Institutin e Forcave Ushtarake Amerikane, “Difence Language Institut” në Monterey të Kalifornisë, ku ende sot jeton e bija. Prej vitit 1967 e deri në 1995 kur doli në pension, nuk u shkëput nga profesioni i tij. Sot, e bija ruan një sërë dokumentesh prej të atit, mes të cilave mund të ketë edhe kujtime më të detajuara se këto që na tregoi. Por, edhe për shkak të angazhimeve të saj profesionale, nuk ka hyrë ende në arkivin e babait.
[porftfolio_slideshow]

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura