Rrëfehet vëllai i Mehmet Shehut: E vërteta e vrasjes, kush e bëri dhe pse

Dec 16, 2016 | 23:31
SHPËRNDAJE

Duro Shehu, vëllai i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, që prej më shumë se dhjetë vjetësh jeton më Amerikë rrëfen detaje për vëllanë dhe fundin tragjik të tij.

duro

Duke folur për gazetën Dita, ai thotë se e vërteta e fundit të tij duhet të dalë publikisht. “Sepse u vra Kryeministri i Shqipërisë dhe për shumë vite është hedhur një baltë e poshtër kundër tij”- thotë ai, duke hedhur dritë rreth momenteve të fundit.

“Mehmet Shehu është helmuar dhe pastaj është qëlluar me dy plumba. Cili është njeriu që ka qëlluar mbi të? Në fillim dukej se çështja ishte e koklavitur, por unë kam bërë hetimet e mia dhe kam pyetur shumë njerëz. Nga të gjitha këto, kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Enver Hoxha, ndërsa këmbëzën e ka shkrepur “Jagoja”, Kadri Hazbiu. Por në marrjen e vendimit ka qenë dhe një i tretë, “Hrushovi”, Ramiz Alia. Idajeti nxjerr Ramizin, Kadriun dhe Feçorrin. E besoj se mund të ketë ndodhur ashtu. Por unë theksoj atë që kam thënë edhe herë të tjera: Të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetonin kur ishte Mehmet Shehu gjallë, por dhe që kanë lindur pasi ai u vra, kam bindjen po t’i pyesësh (se do u kenë treguar nënat, baballarët, gjyshërit), mbi këtë çështje do të thonë se mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dot dorë njeri pa lejen e Enver Hoxhës”- thotë ai.

Sipas tij, “Shumëkush mund të mendojë se urdhri u dha për shkak të fejesës së djalit të tij, Skënderit, me një vajzë nga Turdinjtë, familja e së cilës kishte biografinë me probleme. Por nuk është kështu”.

Ai tregon se urdhri për eliminimin e tij është shumë i largët, pasi përpjekjet për eleminimin e tij kanë filluar që në ’48-ën. “Ishte Koçi Xoxja me klanin e tij. Pra nuk ishte e rastit vrasja e Mehmet Shehut. Plani për eliminimin e tij ka filluar që në atë kohë”, thotë Duro Shehu.

Lidhur me rolin e Kadri Hazbiut në vrasjen e Mehmetit, Duro Shehu thotë se atij i ishte premtuar të bëhej Kryeministër, megjithëse ishte Mehmeti ai që kishte dhënë dorën dhe e kishte bërë ministër të Brendshëm. Por Kadri Hazbiu nuk u bë as edhe një ditë Kryeministër, por që ai të ishte i tillë, ekzistonte çdo  mundësi.

Duro Shehu: Si e mora vesh lajmin e vdekjes së Mehmetit 

“Në orën 15:00 të datës 18 dhjetor isha duke ngrënë drekë në shtëpi bashkë me gruan dhe dy vajzat. Ra telefoni. Ishte Veli Llakaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Më tha: “E di ti Duro që shoku Mehmet vrau veten?” Shtanga. Telefoni u mbyll. U ktheva në kuzhinë gjunjëprerë dhe dyllë i verdhë. Kur gruaja dhe vajzat më pyetën se ç’kisha, u thashë: “Bëhuni të forta. Sa mora vesh se Mehmeti ka vrarë veten…” Gruaja menjëherë tha: “E vranë Mehmet Shehun!”

Pas kësaj ai tregon se kërkoi takim me Kadri Hazbiun dhe thotë se ai e priti shumë ftohtë. Pas pak, Kadriu më thotë tekstualisht: “Po ja, more Duro, Mehmeti (jo shoku Mehmet) vrau veten për çështjen e asaj vajzës, të fejuarës së Skënderit, për atë vajzën e Turdiut”.

“Më fal që të ndërpres,- i thashë Kadri Hazbiut, -por unë nuk di asgjë për atë vajzë…” Pasi më tha nja dy fjalë për mbledhjen e Byrosë Politike, Kadriu më porositi që bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Arshiun dhe Nexhipin, bashkë me gratë të shkoja dhe ta përgjonim Mehmetin tërë natën dhe të nesërmen të shkonim ta varrosnim.

“Atje është dhe Fiqreti me djemtë”, më tha… “Partia dhe qeveria nuk i varrosin armiqtë, se puna e Mehmetit mund të jetë armiqësore. Ky është urdhër nga lart”,- më tha Kadriu.

“Nga Kryeministria në varrim do të vijë një mikrobuz me disa veta nga administrata. Kam kaq me ty. Ik tani!” Duke dalë nga zyra, pavarësisht nga gjendja që isha, i thashë Kadri Hazbiut me zë të ulët: “Po ju si do bëni, shoku Kadri?” Kadriu u nxeh dhe m’u kthye me zë të lartë: “Dil jashtë! Nuk kam më punë me ty!” Në të vërtetë unë nuk ia thashë me ndonjë qëllim të keq Kadriut ato fjalë.

Më tej, Duro tregon se pas gjithë kësaj u përhap fjala që Kadri Hazbiu do bëhej kryeministër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura