Rrëfehet Spartak Braho: Pse u ndava me Metën, defektet e Ramës dhe a mund të afrohen sërish

May 22, 2018 | 8:54
SHPËRNDAJE

Deputeti i PS-së, Spartak Braho, e cilëson të manipuluar audio-përgjimin e denoncuar nga PD për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në një intervistë për emisionin “Debat” në Channel One të gazetarit Roland Qafoku, Braho e ka cilësuar të gjithën një intrigë të ish-Kryeministrit Sali Berisha. Braho ka folur edhe për largimin e tij nga LSI dhe ka treguar bisedën me Ilir Metën përpara se ai të bashkohej përfundimisht me PS-në.

spartak-braho

Si mundet që ju të jeni deputet i LSI-së? Tani nuk jeni as ju, as Meta…

Kemi ikur të dy në drejtime të ndryshme. Unë nuk kam qenë asnjëherë deputet i LSI-së. Kam konkurruar nën atë logo në 2005, por nuk fitova. Në 2013-n, Rama-Meta kanë rënë dakord. Rama i ka thënë Metës që Spartaku më takon mua, sepse është socialist i thekur. Në 2017-n e ka marrë Meta në telefon Ramën dhe i tha, po Spartakun? Rama i ka thënë se Spartaku është i imi.

Para se të merrnit mandatin ishit këshilltar i Ramës për Parlamentin. Çfarë ishte kjo detyrë?

Ishte një angazhim aktiv. Jam përpjekur vazhdimisht ta këshilloj për çështje që duhet t’i kishte parasysh. Puna është se këta nuk dëgjojnë më këshilla. Rama nuk hyn te ata që dëgjon këshilla. Nuk më ka dëgjuar vazhdimisht.

Çfarë ishte një këshillë që i keni dhënë?

I dhashë këshillë për Rrugën e Kombit. I thashë Ramës: Çfarë e ke këtë taksë? Rama më tha e kanë vendosur këta, kanë rënë dakord. Ky është një nga defektet e Ramës, momenti i reflektimit për çështjet që merr. Ka pasur raste që ai na dëgjonte.

Si keni jetuar mes Ramës dhe Metës?

Unë kam pasur gjithmonë një shqetësim përçarjen e së majtës. Në 2004-n kur u krijua LSI-ja, doli si një fraksion i PS-së. Ne morëm një kauzë, por duhej që e majta të mos ngelej e përçarë. Me shumë përpjekje bëmë presion të madh, edhe te Meta. Jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë. Qëllimi ishte bashkimi i së majtës. Në zgjedhjet lokale u hy me koalicion të përbashkët. Edhe Rama fitoi. Por secili kishte mendjen më vete. Në 2009-n ky bashkimi nuk arriti të realizohet. Meta me argumentet se jemi në prag të ngjarjeve të mëdha të marrjes së vizave dhe hyrjes në NATO, nuk e çoi vendin në zgjedhje. Unë isha dakord, por Metës i thashë që mos harro, “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”. Ujku ishte Saliu. Pas 2009-s, domosdoshmërish, me idenë që të bëhesha katalizator i unifikimit të së majtës, arritëm që në 2013- n të realizojmë marrëveshjen PS-LSI. Pastaj, ajo pati të tjera rrjedhoja. Ishte një qeverisje në koalicion me shumë probleme në të dy krahët.

Kush e kishte fajin?

Faji ishte i përbashkët. Faji I LSI-së qëndron në pasivitetin që tregoi ndaj qeverisjes së Ramës. Defekti i Ramës ishte që shumë vendime i mori personalisht. Nuk e kishte të zhvilluar ndjenjën e konsultës.

Mendimi juaj për çështjen “Xhafaj”?

Çështja është në hetim në Prokurori. E gjithë kjo është një skifo, janë broçkulla. Ata deputetët e rinj të PD-së vetëm aktrojnë, më vjen keq se janë edhe juristë. Por digjen përfundimisht, sepse nuk ka më të lig se juristi i politizuar. Pjesa tjetër, ai që flet dhe ai që e regjistron, janë të gjitha skandale. Rama ka të drejtë kur thotë që është e manipuluar. Historitë me atë agjencinë, e di vetëm ai, por të jesh i bindur 100%, që ai është një manipulim i pastër. Unë kam përvojë në këto histori. Unë e di shumë mirë për shkak të procedurës, që i bëhet një regjistrimi. Unë kam eksperiencë me regjistrimet e Dritan Priftit.

Vetëm me çantë të zezë nuk ke ardhur?

Çanta ishte një simbol. Unë deri te dera e Fevziut shkova, siç jam. Por më mori Ilir në telefon edhe më tha merre një çantë dhe futi ato kasetat dhe ashtu bëra. Dhe nga aty ngeli, çanta e zezë e Baba Takut.

Nga e dini ju që është e manipuluar?

Që nga procedura. Nuk ka material origjinal. Mënyra si është marrë, si e shpjegojnë ata, janë të mbaruara. Është një skenar i tërë. Më vjen keq që PD dhe këta deputetët, që i prijnë kësaj pune, janë kthyer në një zyrë që grumbullon, manipulon dhe organizon të tilla gjëra. Fatmir Xhafajn aty e kishin. Ai është bërë ministër që në 2002-in. Nuk po them se Fatmir Xhafaj s’ka përgjegjësi për të vëllain e tij, qoftë ai edhe drogaxhi. Xhafaj nuk mund të vuajë pasojat e të vëllait. Saliu është mjeshtër i intrigave. Kjo është strategjia e tij që nga 1991. Protesta e PD-së qesharake. Këta u betuan që nuk e lëmë Fatmir Xhafajn as ta hyjë në zyrë. Ai në mënyrë demonstrative doli nga Kryeministria dhe shkoi në zyrë në këmbë. Fatmir Xhafaj është një burokrat perfekt, që e njeh ligjin shumë mirë. Nuk e kthen Policinë në ansambël vallesh. Sot ka rindërtuar strukturën e luftës kundër krimit. Xhafaj ka qenë i pranishëm në disa kancelari dhe ka marrë mbështetje nga Uashingtoni në Paris. Ndryshimi i ligjit për amnistinë, një fishekzjarr dhe një blof i tërë. U detyruan dhe ndërkombëtarët të reagojnë. Ai ndryshim e rëndon pozitën e të vëllait.

Po për z.Tahiri çfarë mendoni?

Z.Tahiri mban përgjegjësi për mosfunksionimin e strukturave të Policisë në luftën kundër kanabisit. Pati përpjekje, por përgjegjë- sia mbetet.

Pse ecën ngadalë vetingu?

Është i konceptuar gabim. Duhet të kishte filluar nga poshtë, jo nga sipër. Vetingu në Polici është i tepruar. Duhet të merreshin vetëm me drejtuesit. Rama nuk është se i kupton shumë mirë këto gjëra. Janë çështje specifike të drejtësisë.

Çfarë Kryeministri është Rama? Ka stilin e tij.

Është njeri, që do të lërë gjurmë. Nuk është puna se do të rrijë 8 vjet dhe të iki. Se 8 vjet i ka ai, por ndoshta shkon edhe më tutje. Rama është njeri i ditur. Lëre çfarë thotë Saliu, piktor i dështuar. Por ai në këto vite, hyn te kryeministrat nga më të ditur.

 

Çfarë mendimi keni për Lulzim Bashën në krye të PD-së?

I paaftë. Nuk jam i lumtur. PD ka njerëz më të aftë. Astrit Patozi është brilant. Me këto veprimet e fundit e ka zhvlerësuar veten fare. Këta janë kthyer në një strukturë ISIS-i dhe merren me manipulime nga më të rëndomtat.

Ka mundësi Rama-Meta të afrohen?

Kanë shkuar larg gjërat. Nuk e di.

Jeni takuar këto kohë me Metën?

Po, jemi takuar. Ishim bashkë në Skrapar. Ne nuk kemi debatuar asnjëherë me njëri-tjetrin. Meta më tha që rrugët tona ndahen, sepse partia ime do të ketë këtë qëndrim dhe ti nuk e përballon dot vrullin rinor të LSI-së. Këtë ma tha dy javë para zgjedhjeve. Unë paragjykohesha si socialist i thekur, si njeri i Ramës. Më hoqën nga të gjitha komisionet. U paragjykova si mik i Ramës dhe Ruçit. Gjithashtu, transformimi i LSI-së për të ndërruar kursin, kishte kohë që mendohej. Ata e dinin se unë nuk rrija në një karrige në zyrën e Berishës. Kjo ishte një ikje me nder, pa qejfmbetje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura