Rrëfehet “shoferi” Pioli: Kam një Milan të etur, unë babai i ekipit

Aug 3, 2021 | 12:40
SHPËRNDAJE

Sponsori logjistik i Milanit për katër sezonet në vijim do të jetë një markë e njohur automobilash. Për të promovuar bashkëpunimin është provuar Stefano Pioli në rolin e shoferit që njëkohësisht intervistohet nga televizioni i klubit.

Pioli Milan

Jeni në një makinë të re. Do të zgjidhnit malin apo detin për një pushim?

Pushimet e përsosura do të ishin me pak nga të dyja destinacionet. E dua detin, por nuk kam shumë qejf të piqem në diell. Nëse do të kisha një muaj leje, atëherë do të shkoja 15 ditë në plazh e 15 të tjera në mal ku mund të bëja edhe ndonjë shëtitje me biçikletë.

Çiklizmi praktikohet edhe buzë detit…

Kudo, në fakt. Është sporti im i preferuar dhe e ndjek me kërshëri. Deri disa vite më parë bëja edhe udhëtime të gjata në zona pa trafik sepse e shihja si mënyrë për t’u qetësuar. Tani jam pak plak për këto gjëra.

Thuhet se ju pëlqen edhe basketbolli. Çfarë i keni vjedhur për ta zhvendosur në futboll?

Kur bëhet fjalë për sport në nivele të larta, unë shoh çdo gjë. Aspekti motivues është ai që mund të përdoret më së shumti, por edhe vendosja e skuadrës gjatë goditjeve të dënimit.

Një trajner a duhet të jetë një lloj babai për ekipin?

Mendoj se po, pavarësisht se fëmijët e mi janë shumë më të mëdhenj se djemtë që stërvis. Më duhet të bëj kujdes për të mos i lënduar, sidomos të rinjtë. Pastaj, nuk duhet harruar se shumë nga lojtarët janë në moshë të re dhe vijnë nga vende të tjera, ndaj ndonjëherë më duhet të flas veçmas me ndonjërin që mund të ketë vështirësi. Në këto nivele është e rëndësishme të njohësh nevojat për t’i vendosur të gjithë në kushte për të dhënë më të mirën.

Çfarë nevojitet për të arritur lavdinë?

Të gjithë kemi qëllime, por ato arrihen vetëm kur punon e sakrifikon shumë. Nëse heqim diçka nga vetja për ta vënë në dispozicion të grupit, atëherë shanset për sukses rriten. Kur nuk e ke këtë lloj bujarie brenda vetes, është e vështirë të ndiesh lidhjen me pjesën tjetër të grupit. Në ditët e sotme, kufiri mes humbjes dhe fitores është vërtet i hollë.

A e ka Milani këtë stil sjelljeje?

Stili i Milanit kalon përmes ndjesisë së përkatësisë që ka gjithsecili prej nesh e që çdo ditë e hasim në qendrën stërvitore. Sidoqoftë, grupi duhet stimuluar dhe ngacmuar gjithmonë. Për t’ju shpjeguar cilësinë e djemve mjafton t’ju them se sa lehtë janë integruar të ardhurit e rinj si Menja, Ture apo Zhiru të cilët do t’i rrisin vlerat morale dhe teknike organikës.

Vlera që i shfaqi edhe Gazidhisi kur pranoi hapur sëmundjen e tij…

Ishte diçka e guximshme nga ana e tij pasi duke pranuar sëmundjen, u dha kurajë edhe shumë njerëzve që po luftojnë të njëjtën betejë. Mbeta i habitur nga qetësia dhe forca e tij, të cilat që prej asaj dite janë edhe tonat. Vendosmëria për të mundur sëmundjen na dhuroi një emocion që të gjithë te Milani e kemi brenda vetes. E gjithë bota Milan është krah tij sepse këtu jemi si familje. Shpresojmë që të shërohet sa më shpejt.

Ku mund të arrijë ky Milan?

Disi herët për të tilla diskutime, por rëndësi ka që të mos mungojë dëshira. E dimë se do të na presin vështirësi, të cilat kapërcehen vetëm nëse ke vullnetin e mjaftueshëm për të arritur diku. Mendoj se skuadra ime ka ambicien e nevojshme për të nderuar fanellën.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura