Rrëfehet Sadiku: Panuçit i duhet kohë, ju tregoj të fejuarën

SHPËRNDAJE

Nga fusha në kuzhinë. Nga go lat te pjatat dhe asortimentet e nevojshme në kulinari. Armando Sadiku është shfaqur në një format televiziv, ku gatimi është tema kryesore. Bomberi i Kombëtares ka qenë prezent në emisionin “Kush vjen për drekë?” në TV Klan, ku veç gatimit të dy pjatave, ka folur për aventurën në Spanjë, lajmin për një largim të mundshëm, nisjen e karrierës si futbollist si dhe jetën e tij personale me të fejuarën. Gjithashtu, sulmuesi ka bërë krahasimin mes De Biazit dhe Panuçit, si dhe ka hequr çdo shans justifikimi për grupin, pasi sipas tij lojtarët kanë mbetur të njëjtët.

Sadiku

PRITSHMËRITË – “Janë të larta. Është normale që të jenë të tilla. Shkuam në Europian dhe të gjithë njerëzit u kënaqën. Ndaj duam sërish të shkojmë. Njerëzit në rrugët e Tiranës më takojnë dhe më kërkojnë gjithmonë. ‘Ju lutem na bëni të mundur që të shkojmë sërish. Sepse është e vetmja mënyrë që të njihemi kudo në Europë. Kjo sigurisht që më emocionon. Sa i përket emocionit, futbolli e ka të pranishëm gjithmonë. Sa herë zbret në fushë ke emocione. Kur zbret për të luajtur, gjithkush mendon për veten që të bëjë maksimumin. Futbolli luhet me 11 vetë, ama unë përpiqem që të bëj më të mirën time. Nuk ka rëndësi se ku luaj, respektoj çdo ndeshje. Ama, për Kombëtaren më rrëqethet mishi. Që kur e vesh bluzën, kur zbresim në fushë dhe kur këndohet himni. Megjithatë, çdo ndeshje ka përgjegjësi të madhe”.

DIFERENCA EKIP – Kombëtare – “Ka shumë ndryshime. Për momentin në Spanjë jam me ekipin çdo ditë. Kurse në kombëtare ke vetëm një javë kohë për të mësuar taktikat, skemat, vendin nëse do të luajmë në Shqipëri apo në Europë dhe gjithçka duhet ambientuar në pak kohë. Megjithatë, futbolli prandaj është i bukur, sepse është i vështirë”.

TRAJNERI – “Na është ndërruar trajneri dhe në ndryshim nga Europiani, tani jemi me Panuçin. Megjithatë, ne jemi të njëjtët ata që kemi qenë. Kështu që nuk duhet të justifikohemi se është ndërruar trajneri dhe duhet të vazhdojmë përpara. Duhet të vazhdojmë që të mendojmë pozitivisht dhe t’i bëjmë sërish të lumtur shqiptarët, siç bëmë në Europian. Do të mundohemi që ta arrijmë”.

PANUÇI-DE BIAZI – “Janë tipa të ndryshëm. Kanë filozofi të ndryshme se si e mendojnë futbollin. Janë të dy italianë dhe janë pak të rreptë në çdo gjë. Ne kaluam shumë kohë me De Biazin, rreth 5 vite e gjysmë, ndërsa me Panuçin vetëm shtatëtetë muaj. Ndaj, duhet t’i lëmë kohë edhe trajnerit që ta tregojë edhe ai”.

ANKESAT – “Ne shqiptarët e kemi ves që të ankohemi pak (qesh…). Na pëlqen që të ankohemi për çdo gjë”.

MEDIAT DHE PORTALET – “Së fundmi më thonë të gjithë që ‘do ikësh apo jo nga Levante, se po shkruajnë të gjithë’. Unë tani sa kam vajtur në atë skuadër, kam tre vite kontratë. Nuk kam pse të largohem.

LA LIGA – “Kur jam në Valencia, kam stërvitje çdo ditë. Madje, dy herë në javë kam dy të tilla në ditë. Ne si lojtarë kemi liri dhe mund të ndryshojmë, por duke qenë profesionist mundohem të ruaj një regjim. Kjo, për vetë faktin, pasi nëse nuk ke disiplinë, sikur edhe vetëm për një moment të shkurtër, sado sukses të kesh mund të vijë edhe dështimi”.

KARRIERA – “Kam menduar gjithmonë që të arrij sa më gjatë, kam menduar dhe ëndërruar gjithmonë që të shkoj sa më gjatë. Familja ka qenë shumë mbështetëse. Mami ka qenë e tillë që më kërkonte shkollën. Por, babai më ka ndihmuar dhe suportuar. Deri 14 vjeç më ka stërvitur ai. Ama, në moshën 16 vjeçare kur nisa ndeshjet e para, nisa të marr edhe pagesa. 300 mijë lekë (të vjetër) apo 500 mijë (të vjetër) si një lloj shpërblimi. Pasi gjithmonë më shante, duke qenë se ia çoja rrobat në shtëpi më baltë. Kur nisa të sjell lekë, u habit dhe më tha se: Pse mund të sjellësh edhe lekë me këtë gjë? Tani ma kujton dhe është bërë pishman që më ka bërtitur për futbollin”.

JETA PERSONALE – “Unë jam i fejuar me një vajzë nga Kosova. Mamaja ime është me origjinë nga Kosova. Ajo është nga Drenica dhe quhet Elona. Ka lindur në Gjermani dhe e kam njohur kur luaja në Zyrih”, ka deklaruar Sadiku gjatë emisionit të gatimit.

 

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakTeuta pa frena në merkato, synohet edhe fantazisti i Vllaznisë
Artikulli tjetërNjerëzit që përqafojnë me sy

S'KA KOMENTE

Comments are closed.