Rrëfehet kamarierja Ela: Vidhja pronarët e lokaleve se kam borxhe dhe dy fëmijë për të rritur

Jul 29, 2015 | 13:20
SHPËRNDAJE

Kamerierja 30-vjeçare, e njohur edhe me emrin “Ela”, e cila ishte kthyer në një makth për lokalet e Tiranës, ka pranuar të gjitha rastet e vjedhjeve që ka kryer.

Ajo ka shpjeguar edhe arsyet se përse kishte zgjedhur këtë rrugë. Emanuela Malaj, nënë e dy fëmijëve, e divorcuar nga i shoqi, ka treguar se kishte shumë borxhe dhe nuk paguante dot qiranë, dritat dhe ujin në shtëpi. Më poshtë, një pjesë e dëshmisë që e arrestuara ka dhënë në Policinë e Tiranës…

Drejtoria e Policise se Tiranes, foto ilustruese
Drejtoria e Policise se Tiranes, foto ilustruese

E pranoni që keni vjedhur paratë e xhiros ditore në 4 lokale në Tiranë?
Po, e pranoj. Jo vetëm të këtyre 4 lokaleve që më kanë denoncuar. Kam vjedhur edhe të tri lokaleve të tjera, po në Tiranë.

Po pse e bënit këtë?
Jam e papunë. E divorcuar. Kam dy fëmijë për të rritur, për t’i shkolluar dhe nuk po ia dilja dot ndryshe.

Si arrinit të futeshit në punë në këto lokale?
Në asnjërin nuk jam futur në punë, kam qenë te të gjithë në provë.

Po si i gjenit?
Merrja gazetën dhe shikoja shpalljet që bënin lokale të ndryshme që kërkonin kameriere. Nënvizoja disa ku mendoja se mund të bëheshin para dhe shënoja numrat e telefonave. Pastaj i merrja në telefon çdo ditë nga një. Kishte raste edhe nga dy brenda ditës. Siç është rasti i dy lokaleve që të denoncuan në një ditë.. Po. I pari te “Komuna e Parisit” dhe i dyti pak metra më larg, diku te rruga “Sulejman Delvina”.

Si i vodhe paratë te këto lokale?
Te “Komuna e Parisit” shkova paradite, pasi i kisha telefonuar një ditë më përpara dhe rashë dakord me pronarin që të paraqitesha për një provë. Do të punoja turn i parë, që të më shikonin si do shkonte puna. Pasi e mbylla punën aty dhe mora paratë e xhiros së turnit tim, shkova te lokali tjetër. Edhe aty kisha lënë takim për të njëjtën gjë, por duhet të paraqitesha për turnin e dytë. Të njëjtën gjë bëra edhe aty, dhe ika.

Nga sa para more?
Tek i pari mora diku rreth 40 mijë lekë të rinj, sepse aty kishte shumë xhiro dhe kishte para. Ndërsa te i dyti mora rreth 15 mijë lekë të rinj.

Kaq ke marrë edhe te 5 lokalet e tjera që thua se ke vjedhur?
Po rreth kësaj shumë shkonte xhiroja edhe te të tjerët, jo deri në 40 mijë lekë, po më pak. Kjo ishte shuma më e madhe që kam vjedhur.

Nuk kishe frikë se do të zbuloheshe?
Kisha frikë, po mendoja se mbase nuk do të merreshin me mua. Siç nuk më denoncuan 3 të tjerët që ju thashë, mendoja se nuk do më denonconin, por e paskan bërë.

Pse zgjodhe këtë rrugë, që të vidhje? Nuk ishte më mirë që të filloje punë siç punojnë të gjithë?
Atë synim kisha, por pak më vonë. Më ishin mbledhur shumë borxhe, qiraja e shtëpisë, dritat, uji dhe me rrogë normale nuk kisha për t’i shlyer ndonjëherë. Prandaj gjeta këtë si të vetmen zgjidhje. Do të mblidhja ca para që të shlyeja të gjitha këto që ju thashë, pastaj do të filloja punë që të merrja një rrogë normale.

INTERVISTA NGA ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura