INTERVISTA E PLOTE/ Rrëfehet zëdhënësja e FSHF: Futbollistët flirtojnë me mua, por nuk do të martohesha me ta

May 31, 2015 | 13:25
SHPËRNDAJE

Për herë të parë, një femër si zëdhënëse dhe drejtore në Marrëdhëniet me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit. Jona Dervishi është bukuroshja 27- vjeçare, që po menaxhon dhe koordinon qindra meshkuj, që nga punonjësit e institucionit, futbollistët e deri te gazetarët sportivë. E ngacmojnë, përpiqen të flirtojnë, por Jona ka sekretet e saj profesionale se si t’i “zbusë” dhe të kalojë situatat pa incidente…

Jona Dervishi

Jemi mësuar, madje na duket e zakonshme që nëpër institucione apo kompani private zëdhënëset të jenë femra. Por në Federatën Shqiptare të Futbollit Jona Dervishi është femra e parë që drejton zyrën për Marrëdhëniet me Publikun e njëkohësisht edhe zëdhënësja e këtij institucioni. Është 27 vjeç, ka mbaruar Gjuhët e Huaja dhe master në Komunikim, ka kontribut në OJF dhe media, por përgatitja e saj intelektuale “harrohet” teksa e sheh nga afër. Me tipare mjaft joshëse dhe linja seksi, Jona Dervishi duket se ka trullosur “çunat” e futbollit, por edhe gazetarët sportivë. Nuk e mohon që ata i bëjnë komplimente apo tentojnë që të flirtojnë me të, por si ia del Jona t’i menaxhojë “dalldisjet” e qindra meshkujve me të cilët i duhet të punojë? Mision i vështirë, për të cilin Jona Dervishi rrëfehet për gazetën “Panorama”…

Çfarë mendoni se keni ndryshuar me praninë tuaj në krye të FSHF-së si PR, që nuk e kanë bërë dot paraardhësit tuaj meshkuj ndër vite?
Çdo individ ka mënyrën e tij të të punuarit, në një farë mënyre, se si punojmë, është dhe ajo çka na evidenton! Nuk kam bërë asnjë çudi deri më sot, por di që jam gjithnjë në inovacion. Madje, shpeshherë pyes edhe paraardhësit e mi dhe u kërkoj shpesh mendim, sepse Federatën e gjeta, nuk e bëra unë.

Ndiheni e privilegjuar? Si ju trajtojnë në një institucion thuajse i gjithi mashkullor?

Nuk e mohoj, ndihem e privilegjuar, por me të drejta të barabarta sa i përket punës. Bëjmë shaka, më kuptojnë, i kuptoj, ndërsa te puna bëhem shumë serioze dhe kjo menjëherë kuptohet nga mënyra se si komunikoj.


A jeni e detyruar njëfarësoj që të kufizoheni në veshje, për shkak të pranisë me shumë të meshkujve në punë, apo jeni e lirë në zgjedhjen e gardërobës?

FSHF është një institucion serioz, sado sportiv, gjithsesi ekziston një kod veshjeje dhe mua më pëlqen ta respektoj. Por, nëse ky kod nuk do të ekzistonte, unë sërish do i përmbahesha veshjes serioze, edhe sepse është në shijet e mia.

Ta pranojmë, je shumë seksi, fotografitë nuk na lejojnë të gënjejmë dot, edhe sikur të duam… Cili është komplimenti më i mirë që ju kanë bërë futbollistët lidhur me pamjen e jashtme?
Fillimisht të falënderoj, pasi gjithnjë ku ka një kompliment, pasohet me një falënderim. Të them të drejtën, komplimentet mbi pamjen e jashtme janë aq të përkohshme, sa vetë bukuria e jashtme. Janë të këndshme, por nuk lënë gjurmë. Nuk para më bëjnë komplimente për pamjen e jashtme ose, nëse e bëjnë, ndodh me takt, pasi pa takt do ishte më shumë vulgaritet, sesa kompliment.


Dhe, si vajzë e bukur që jeni, a tentojnë futbollistët apo pjesëtarë të FSHF-së të flirtojnë me ju, t’ju joshin?

Mendoj se është njerëzore. Nuk ka asgjë të keqe të joshësh dikë. Mirëpo, kur nisin të komunikojnë me mua, kur bisedojnë gjithnjë e më shumë, kalojmë në shoqëri dhe ata shumë shpejt e harrojnë tentativën për të kaluar në një stad tjetër. U lë të kuptojnë se mund të jem një shoqe e mirë dhe një person që mund t’i ndihmoj, me aq sa mundem.

Puna jo gjithnjë është “fushë me lule”. Kur ndodh që ndonjë futbollist ose gazetar është acaruar, apo ka ndonjë problem, ngre zërin apo edhe ofendon etj., a përpiqeni që të përdorni anën tuaj femërore për të zbutur situatën?
Nëse kjo do ndodhte, patjetër që do ndërhyja për të sjellë balancë dhe gjithnjë prania e një femre i zbut situatat e pakëndshme. Kot nuk thuhet që në një zyrë duhen patjetër ose lule, ose një femër.

Po partneri juaj bëhet xheloz tani, që ju jeni e rrethuar shumicën e kohës me djem simpatikë dhe të famshëm?

Jo, sepse njeh karakterin tim, më njeh mua si jam. I ka pëlqyer që në fillim përfshirja ime në FSHF dhe, po të kishte qenë xheloz, nuk do ta kishte pranuar që në fillim.

Do të martoheshit me një futbollist?

Do të martohem me një njeri që përshtatem në shumë gjëra. Por futbollistët janë në lëvizje gjatë gjithë kohës dhe kjo nuk do më pëlqente te partneri. Kështu që i bie që nuk do të martohesha.

Ka paragjykime në punë apo nga personat që takoni?
Jetojmë në Shqipëri, e kemi në gjak ne. Paragjykohemi edhe në rrugë e jo më ne që jemi persona publikë. Thjesht i injoroj dhe vijoj punën time, mjafton të më vlerësojnë personat kompetentë dhe eprorët e mi.

Cilin pëlqeni më shumë nga ekipi ynë kombëtar, cili është idhulli juaj?
Jo për t’iu shmangur pyetjes suaj, por sinqerisht që më pëlqejnë të gjithë pa përjashtim, idhulli im është ekipi ynë kombëtar. Sidomos kohët e fundit ata na kanë bërë të ëndërrojmë shumë. Kam marrëdhënie miqësore me të gjithë dhe nuk veçoj asnjë. Kam besim se Kombëtarja do të marrë pjesë në “Euro 2016” dhe kjo do të ishte edhe ëndrra ime e realizuar. E imagjinoj shumë këtë arritje, aq më tepër që edhe unë do jem aty…

Besojmë se edhe udhëtoni jashtë shtetit bashkë me ekipet. Me çfarë keni parë ju, a janë futbollistët më të lirshëm dhe më të gatshëm për aventura pas ndeshjes, sesa janë në Shqipëri? Pra, a zgjedhin klubet e natës, a frekuentojnë ambientet ku janë me shumicë femrat etj?
Të them të drejtën, unë kam pak kohë që kam filluar dhe ende nuk kam udhëtuar me ekipin e kombëtares, sepse ka qëlluar që ndeshjet janë bërë këtu. Me aq sa kam informacion, di të them që përpara se të jenë sportistë, ata janë djem, janë të rinj dhe kanë mënyrat e tyre të të dëfryerit. Klubet e natës mendoj se do i kenë frekuentuar me dëshirë, kur kanë fituar dhe kanë bërë shumë mirë, pasi të festosh është një vlerësim që i jep vetvetes, pas një pune të lodhshme e të konkluduar pozitivisht.


Cila është marrëdhënia juaj me presidentin e FSHF-së Duka, sekretarin Shulku dhe trajnerin De Biazi?

Me presidentin kam marrëdhënie miqësore dhe, siç është natyra e institucionit tonë, shumë gjëra i diskutojmë me sportivitet. Zoti Duka është inovator, kërkues dhe korrekt, ndaj i jam përgjigjur njësoj. Kurrë më parë në FSHF nuk kanë qenë këto standarde. Kemi bërë edhe web-in bashkëkohor dhe atraktiv, ku tashmë mund të shikohen edhe rezultatet në kohë reale të të gjitha garave që organizon FSHF-ja. Presidenti nuk të mërzit kurrë në takimet me të. Ndërsa me Shulkun komunikoj më shumë, më qëndron më afër. Sekretari i Përgjithshëm është njeriu më punëtor, i vetmi që tejkalon orarin e punës. Sa i takon trajnerit De Biazi, komunikimi nuk është thjesht institucional, por edhe miqësor. Ka sens humori dhe mundohet që edhe neve të na japë energji pozitive. Rakordohemi për çdo gjë mirë dhe shpejt. Ndërsa me federatat homologe kam raporte reciproke, por kohët e fundit kam krijuar edhe miqësi me homologen në Francë. Ajo sapo mori vesh se ishte një vajzë si drejtore e PR, më shkroi, më uroi dhe më pas u krijua një raport miqësor.

Për cilën skuadër bëni tifo, pas Shqipërisë?
Cilin lojtar keni idhull?
Me kombëtaren italiane. Luajnë futboll pa u bazuar te një apo dy individë, më pëlqen grupi e këtë De Biazi e ka injektuar edhe në Kombëtaren tonë. Kurse për sa u përket ekipeve, jam me Romën, edhe pse shpesh brenda familjes, sidomos vitet e fundit, ka një duel, pasi babai im është juventin. Ai kërkon të ma imponojë, por nuk ia ka dalë dot. Nuk kam idhuj, madje këtë e dinë edhe miqtë e mi. Më pëlqejnë lojtarë që me punë arrijnë të bëhen dikush, ata që luajnë “fair-play”. Idhulli im i vetëm është Zoti.

ELISABETA ILNICA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura