Rrëfehet i riu nga kampi: Në azil me 300 euro borxh, po vijnë çdo ditë shqiptarë

Jul 20, 2015 | 21:49
SHPËRNDAJE

Elvis Skonja, 26 vjeç, banor i fshatit Burgajet në rrethin e Matit, një muaj më parë ka lënë vendlindjen dhe ka udhëtuar drejt Gjermanisë.

Elvis-Skonja
Elvis-Skonja

I kontaktuar nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ai tregon shkaqet e emigrimit dhe udhëtimin e vështirë që i kishte kushtuar 300 euro të marra borxh.

Ai shprehet se trajtohej vetëm me 3200 lekë në muaj nga ish-komuna Lis, ndaj gjendja ekonomike e tij ishte kritike dhe jetonin thuajse në skamje. “Pamundësia ekonomike më ka privuar nga e drejta për të vijuar arsimin e lartë dhe tani nuk më mbetet tjetër veçse të tentoj të siguroj të ardhura në Gjermani për vete dhe familjen në lagjen ‘Cibaj’ të Burgajetit.

Nuk është e lehtë kjo që kam nisur… mundësitë për azil janë thuajse zero. Nuk kam për t’i harruar kurrë të qarat e fëmijëve gjatë udhëtimit nga Burreli në Maqedoni, më pas Serbi-Hungari-Austri-Gjermani, pasi kishin uri dhe nuk e përballonin dot rrugën kaq të gjatë”, shprehet i riu.

Kur e vendosët të emigronit nga Shqipëria dhe cilat ishin shkaqet?

Jam larguar nga Mati në mesin e muajit qershor, ndoshta një javë para zgjedhjeve lokale. Shkaku kryesor i largimit tim nga Shqipëria ishte gjendja ekonomike, papunësia dhe mungesa e perspektivës për të jetuar në kushte normale. Edhe për gjërat më elementare kisha marrë lekë borxh dhe nuk kisha asnjë mundësi për t’i shlyer ato. Kërkova disa herë punë në komunë dhe në institucione të tjera e nuk mora një përgjigje pozitive.

Cili ishte itinerari nga Burreli në Gjermani dhe sa paguat?

Fillimisht kontaktuam me disa persona që e dinin se cila rrugë ndiqej për të emigruar. Mora ca euro borxh dhe vendosa të largohem. Jam nisur nga Burreli me një makinë, e cila mbante shtatë veta. Mbërritëm në Strugë dhe prej andej udhëtuam drejt Serbisë me autobus. Kemi paguar nga 300 euro për person. Lëvizëm pastaj nga Hungaria drejt Austrisë dhe më pas në Gjermani. Lodhja ishte shumë e madhe. Nuk më shqiten nga mendja të qarat e fëmijëve të vegjël, të cilët nuk e përballonin dot udhëtimin e gjatë dhe mungesën e ushqimit.

Si janë kushtet aty ku jeni sistemuar dhe çfarë ju kanë thënë autoritetet gjermane?

Kushtet janë të mira. Kemi aplikuar për azil dhe presim përgjigjen e zyrtarëve të këtushëm. Në kampin ku jam unë ka më shumë njerëz nga Afrika, Eritrea dhe Siria. Ka edhe nga Ballkani. Më të shumtë jemi nga Shqipëria. Numri i shqiptarëve që vijnë në kampin tonë rritet çdo ditë. Shanset për të fituar azil janë gati zero. Vendin tonë autoritetet gjermane e rendisin në vendet e sigurta. Ashtu siç thotë fjala e urtë: Shpresa vdes e fundit. Ne po presim me ankth të na japin ndonjë punë. Unë personalisht nuk do të doja kurrë të isha azilant, por mbijetesa të detyron të bësh gjithçka. Nuk kemi asnjë mundësi mbijetese në Shqipëri, ndaj u detyrova të largohem. Askush nuk kërkon për qejf azil në një vend tjetër, por jemi të detyruar ta bëjmë këtë.

BURREL/ HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura