Rrëfehet fotografi i Enver Hoxhës: Si ia dilja përballë tij. Ja historia e fotos së fundit

Oct 17, 2017 | 11:50
SHPËRNDAJE

Petrit Kumi është fotograf i vjetër nga ata që kanë fiksuar ndër të parët në foto Shqipërinë e para viteve ’90. Shpesh herë të fotografuar ashtu siç do të duhet të ishte dhe jo si ishte në të vërtetë, ai ka udhëtuar pothuajse në të gjithë vendin dhe për më shumë se 15 vite ka qenë fotografi personal i ish-diktatorit, Enver Hoxha.

enver-1-1

Sot, edhe pse një burrë në moshë, ai nuk e ka braktisur mjetin që shkruan në dritë (aparatin), por me një ndryshim: Tani e përdor për qejf. Tani nuk janë njerëzit në fokus, por natyra. Familja Kumi ka qenë e rrethuar nga aparatet fotografike, bashkëshortja e tij ka qenë po ashtu fotografe dhe çifti Kumi e ka trashëguar të fëmijët e tij këtë profesion. Sot ai banon në zemër të ish-Bllokut, në një zonë ku në rininë e tij futej vetëm me aparat në çantë për të fotografuar familjen e udhëheqësit të asaj kohe, Enver Hoxha.

enver-2-1

Realizuesi i mijëra fotove tregon në një intervistë për Dita-n si fotografohej nën diktaturë, si pasqyrohej jeta e lumtur, kur në realitet nuk ishte. Një histori zanati, midis detyrës dhe censurës. Dhe një rrëfim për portretin e fundit të ish-diktatorit Hoxha.

Kumi, kur e kuptuat që fotografia do të ishte profesioni juaj?

Unë kisha përfunduar Liceun për pikturë dhe fillova të punoja në një revistë të kohës ku merresha me faqosjen. Aty punonte një fotograf më i vjetër, i cili për hir të së vërtetës pinte pak alkool dhe bëhej problem dhe shpesh kritikohej nga drejtuesit. Në këto raste detyrohesha që ta merrja unë aparatin dhe të bëja fotografitë. Në kohën tonë fotografia bëhej edhe në dhomë të errët. Ai procesi i dhomës së errët për mua është një përvojë e papërsëritshme. Sepse aty isha i emocionuar dhe i preokupuar si do dalë ky film, nëse do dilte ashtu siç dëshiroja unë apo jo.

enver-4

Ishin vitet ’50-’55 kur unë fillova të bëja fotografi dhe isha ende amator. Pas vitit 1955 fotografinë time filluan ta pëlqejnë. Më shumë e provoja veten në aktivitete sportive dhe më pas u hap oreksi për t’u futur në jetën e njerëzve, të shkoja në fshat apo të ndiqja ndonjë aktivitet. Më pas fillova të dal dhe me shërbim jashtë shtetit. Kam qenë shpesh në Bashkimin Sovjetik atë kohë.

 

Si ishte Shqipëria në fotografi kundrejt Shqipërisë reale?

Po kishte ndryshime, se dashje pa dashje isha i ndikuar edhe nga orientimet dhe propaganda që bëhej në atë kohë, ishte një propagandë të jashtëzakonshme. Në ato vite njerëzit ishin të mbyllur. Nuk bëje dot një fotografi me një femër që ta kishte fustanin dy gisht sipër gjurit. Edhe ishte bërë edukatë që të zbatoje rregullin. Madje kur të vinte ndonjë me një fund të tillë i thoje se duhet poshtë gjurit që të ishe në rregull. Brenda kësaj edukate politike, tepër të ngurtë kishte persona që nuk u drejtoje dot aparatin dhe e shikonin si gjë të huaj e të frikshme duke menduar se kushedi se ku do shkonte fotoja e tyre. Më ka ndodhur shpesh që të ikja në Kukës apo në Gjirokastër. Ne bënim fotografi me të gjithë dhe unë në çantë mbaja vazelinë për t’u mbuluar plagët që kishin. Nuk duhej vuajtje në fytyrë. Unë arrija t’i bëja si aktorë. Kam një minator nga Bulqiza që sot është një biznesmen i fuqishëm; kur e nxora në revistë më thoshin ku e more këtë aktor. Mënyra si e kompozoja ishte një kuadër filmi. Ndonjë plagë ia mbuloja me vazelinë. Këto janë ato truket që i merrja edhe nga literatura e huaj.

Mund të konsiderohet ky një “mashtrim”?

Pak mund të jetë.

Si arritët ju që të ishit një fotograf i rëndësishëm për udhëheqjen e kohës?

Po si fillim kanë pëlqyer punën time, fotografitë nga terreni, peizazhin socialist: fabrika, ndërtime pallatesh që kur i shoh sot më duken si lodra. Mirëpo atëherë kishin rëndësi, se ata thonin që ishim vendi më i pasur dhe më i lumtur në botë, dhe duhej ta sillja ashtu siç donte udhëheqja. Udhëheqja duke parë fotografinë time kërkonte të dilte dhe vetë aq bukur sa ishte dhe fotografia. Në atë kohë, ata zgjidhnin njerëz nga profesione të ndryshme dhe kuptohet, më të mirët. Ai (diktatori) zgjidhte dhe bahçevanin, edhe kasapin, edhe kuzhinierin. Kjo ndodhte edhe në vende të tjera si Rusia apo Kina. Atyre u ka pëlqyer puna ime sidomos në revistë. Kam punuar në disa revista, deri në drejtor fotografie në ATSH.

Kur ke rënë për herë të parë në kontakt me Enver Hoxhën?

Isha me shërbim jashtë Tiranë dhe sa kthehem në shtëpi, gjej gruan të shqetësuar se kishte ardhur në copë letër, e cila thoshte se të nesërmen që i binte ditë e diel, duhet të shkoja në familjen Hoxha. Më thuhej do hysh në filan portë, në filan orë dhe unë fillova të shqetësohesha, se si do ta bëja.

Për cilin vit bëhet fjalë?

Fundin e viteve ‘60, kur isha në moshën e pjekurisë dhe isha rritur profesionalisht. Nejse, shkova atje pasi kalova ato korridoret e gjata dhe prita dy a tri orë. Takova gruan e Hoxhës, e cila donte disa foto të bukura. Pasi bëra shkrepjet e para, u çlirova dhe unë nga emocionet. Se duhet të kuptoni një gjë, nuk ishte e thjeshtë të ishe përballë atij. Prova kaloi me sukses dhe familja i pëlqeu të gjitha fotot.

Po pas fotove të para?

Më pas në çdo aktivitet isha unë fotografi që shkoja pas tij, si në udhëtime jashtë ashtu dhe brenda vendit. Mbaj mend që kur u thashë njëherë, në vitin 1978, se jam sëmurë nga veshkat, më thanë: “Eja se ka mjek me vete”. S’duhej të mungoja dhe në fakt ne ishim të detyruar, s’mund të thonim jo. Ishim si ushtarë.

Ju ishit vetëm një fotograf për të, apo keni pasur dhe një marrëdhënie deri diku miqësore?

Nuk mund të bëhej fjalë për miqësi.

Si sillej ai përballë aparatit?

Aktor. Nuk e kishte problem. Plus që ishte burrë i pashëm dhe me atë nuk e kisha problem, pasi nuk kishte foto që të dilte keq.

Cili ka qenë momenti më i sikletshëm për ju?

Vizitat kishin lodhje fizike të madhe. Kërkoja të kapnim një pikë të veçantë dhe mua nuk më imitonte dot askush. Dëshira ime ishte që fotografinë time ta merrnin dhe vendosnin në shtëpi. Momenti i sikletshëm ka qenë fotografia e fundit e Enver Hoxhës, sepse mora një porosi kur unë isha drejtori i fotografisë në ATSH në vitin 1984. Duhej të shkoja në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe t’i bëja një foto. Më dhanë porosi të veçantë dhe një nga dhomat u kthye në studio.

Pse e bëtë dhomën studio?

Nuk e dija arsyen në atë kohë. Ashtu e bëmë, unë bashkë me kunatin tim, i cili nuk jeton më dhe që mua më ka dhënë një përvojë të madhe. E mora të më rregullonte ndriçimin sepse ai ishte specializuar në këtë pjesë. Ajo që kujtoj është se kam pritur 13 ditë rresht që Enver Hoxha të vijë të bëjë fotografinë.

Pse u deshën 13 ditë?

Unë këtë nuk e zbuloja dot në atë kohë. Dikush thoshte se ishte shumë i zënë me punë, dikush tjetër thoshte një arsye tjetër. Po unë isha i vetëm në atë dhomë. Shkoja në orën 9 dhe rrija deri në orën 14:00 pasdite, çdo ditë. Shkoja në mëngjes dhe më thoshin rojet, “mos u mërzit se sot më duket se do dalë”. Në ditën e 13-të erdhi me të shoqen dhe shoqëruesin e tij Sulo Gradeci. Unë e kisha përgatitur studion duke marr në provë dy punonjës që ishin të gjatë si Enveri, sepse duhej të llogarisja ndriçimin për një njeri të gjatë. Kisha bërë disa foto me persona të tjerë për të llogaritur ndriçimin sipas orarit. Pas nuk mund të bëja me të njëjtin ndriçim si në orën 10 apo dhe në orën 14.00. Nexhmija më thoshte: “Jepi pra, duarve”. Por ishte absurde se më mbajti 13 ditë për të pasur një fotografi të bukur dhe në fund më thoshte: “Jepi duarve”.

Si arrite ta realizoje atë fotografi?

Më ndihmuan disa mësime që i kisha marrë. Më parë kisha bërë një vizitë në Kinë ku fotografi i Mao Ce Dunit më tregoi disa truke që bënte me Maon për ta fotografuar. Ai në fillim i bënte atij një bisedë, i fliste për rritjen ekonomike apo se si do të jetë koha, dhe a po mban mirë. Kjo e sillte në humor dhe i sillte një pamje më të qeshur dhe kështu çlirohej nga mendimi se do bënte fotografi. Edhe unë kur isha përballë Enverit në ato momente, e pashë që ishte pak i kontraktuar dhe i them: “Moj shoqja Nexhmije, po sikur t’i marrim ata fëmijët e t’i vendosim rreth e rrotull” – kujtova kështu fotografin kinez. Unë s’mund të flisja për bujqësi e ekonomi se s’më linte njeri, por mendova më mirë këto fjalë. Përgjigja e Nexhmijes ishte nervoze: “Po ti ç’flet”, tha, “unë them jepi duarve, ti kërkon fëmijët”. Dikush tjetër rreth e rrotull dëgjonte dhe vepronte. Pas 10 minutash erdhën fëmijët. E mora më të voglën dhe ia vendosa në prehër. Nexhmija më thotë: “Çfarë bën kështu?”. Enveri u çlirua disi dhe po i thosha që të pozicionohej pak. Unë zakonisht e kapja nga supet për ta vendosur nga duhej më mirë për dritën, por këtë herë s’më lanë ta prekja. Aty kuptova se ai ishte i sëmurë. Dhe nga krahu u djathtë s’të linte askush ta prekje. Sapo i bëra foton, iu bëra shenjë atyre që t’i hiqni fëmijët dhe i hoqën menjëherë. Në atë kohë i bëra edhe portretin e famshëm që u përdor shumë ato vite. Frika ishte se si do të dilnin këto filma. Ishin delikate solucionet e filmave me ngjyra, sepse s’të linin fare gabim. Kur doli e para, u kënaqa sepse doli mirë. Aty u çlirova. Të gjitha këto bëheshin në laboratorin e tyre se nuk të linin të shkoje në vend tjetër. Më pas i mori shoqëruesi i tij dhe iku në Paris që t’i stamponte. Atë fotografi (portretin) e përdorën kur vdiq, në 11 prill 1985. Kur Enver Hoxha u nda nga jeta, njerëz të familjes më erdhën në shtëpi dhe më thanë: “Ku i ke?”. U thashë që i kanë të gjitha vetë ata. Shkuam atje dhe zgjodhëm atë që ishte më mirë dhe doli gjitha faqja e parë te “Zëri i Popullit”. Fotoja e fundit është bërë nga unë. Edhe në album unë e kam cilësuar fotografia e fundit. Për pesë-gjashtë muaj ai vdiq.

Po ceremoninë e vdekjes e keni fotografuar?

Mos e pyet mo. Me t’u dhimbs njerëzit. Nga monumenti i Skënderbeut deri të Akademia e Arteve bënin një kolonë vajtimi.

Po Nexhmija bënte foto me ju?

Nuk merresha me të unë. Ishin dy oficerë që ishin dhe fotografë që e nxirrnin atë.

Kë do të veçonit si personazh të “vështirë”?

Kam punuar 30 vjet rresht në revistën “Ylli”. Pas vitit ‘85 më çuan me dhunë në drejtim të ATSH-së, e cila aso kohe ishte pika më e madhe e referimit të fotografisë, si brenda dhe jashtë vendit. Enver Hoxha nuk jetonte më. Vendin e tij e kishte zënë Ramiz Alia, që sipas meje ishte shumë, shumë i vështirë për t’u fotografuar.

Petrit, a keni nostalgji për atë kohë?

Jo, kam vetëm nostalgji që më ka ikur koha. Do të doja që moshën që kam pas atëherë ta kisha sot. Dua të fotografoj njerëzit. T’i ndjek, të kap psikologjinë e tyre, të rinjtë e të vjetrit. Dua t’i fiksoj të gjithë në foto. Të gjithë njerëzit që kam fotografuar i kam pasur miq. I bëja miq, më pas i fotografoja. Sepse ata ishin të kontaktuar.

Sa e rëndësishme është që të kompozosh një foto të bukur?

Është shumë e rëndësishme, pasi fotografi duhet të jetë një regjisor i fotos së tij. Më kujtohet njëherë kur shkova në Përmet për të bërë disa fotografi për kongresin e Përmetit. Atje, gjithë natën mendova se çfarë do të bëja që të realizoja një fotografi të veçantë. Mendova se meqë është qyteti i luleve, të merrja një fëmijë, i cili me një lule në dorë t’i drejtohet partizanit në një monument që është atje. Dhe kështu e bëra. Fotografia doli shumë e bukur. Atë fotografi ma pëlqyen shumë sa pas ca kohësh më thanë që do zmadhohet dhe do të vendoset në zyrën e Enver Hoxhës. Edhe sot e kësaj dite është aty ajo fotografi. Këtu dua të them që fotografinë time e bëri të bukur ideja. Fëmija që i jep lule fitimtarit./Dita/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura