Rrëfehet Endri Prifti: Ndarja e 3-të para 1 viti por…do ta gjej dashurinë e vërtetë

Jun 29, 2016 | 9:27
SHPËRNDAJE

Endri Prifti është një nga karakteret më të spikatura të skenës muzikore shqiptare. Veçse është një nga këngëtarët më të adhuruar të muzikës ‘live’, së bashku me vëllain e tij Stefi, Endri shquhet edhe për natyrën e sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. Siç e dinë të gjithë, e vërteta dhemb, dhe Endri na e vërtetoi këtë gjatë spektaklit më të fundit, “Your Face Sound Familiar”, ku ka qenë shpesh subjekt konfliktesh dhe polemikash. Në lidhje me këtë dhe planet e dyshes së famshme në muzikë, Endri na rrëfehet në këtë intervistë për “Summer Page”, ku mes të tjerave zbulon edhe detaje nga jeta e tij private dhe raportet me femrat.

maxresdefault

Endri, ka përfunduar sezoni i muzikës ‘live’ në Tiranë. Tani ku jeni duke punuar?
Mbyllëm sezonin e 4-rt në “Crazy Calvin”, me një publik që nuk na ndahet asnjëherë, që na do dhe e duam shumë. Tani sapo jemi kthyer nga Amerika dhe si gjithmonë për ne është i gjithë viti sezon. Do të jemi në gjithë bregdetin shqiptar, pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, dhe kemi shumë festa familjare të prenotuara. Gjithashtu dhe koncerte jashtë vendit.
Keni thënë se muajt e verës do t’i përkushtoheni punës për disa këngë të reja. Çfarë projektesh janë?
Janë 5 këngë që do të realizohen deri në fund në vitit, me Festivalin Kombëtar. E para do të dalë në mes të korrikut, është një këngë shumë e gëzuar, e bukur, e kompozuar nga Gent Myftarai, kënduar nga ne dhe surprizën po e lë pa e thënë. Bëhet fjalë për një këngëtare kosovare, shumë e mirë, e bukur, lozonjare etj.. Do t’iu pëlqejë shumë, të gjitha moshave. E dyta do jetë me Sandrin e madh, Aleksandër Gjokën. Është një këngë e kompozuar nga vetë ai, shumë e bukur, në stil rok baladë. Do e dëgjoni dhe do e këndoni së bashku me ne, gjithmonë. E treta do të jetë kënga pjesëmarrëse në festivalin “Kënga Magjike”. Bëhet fjalë për një këngë dashurie me ritëm shumë të veçantë, siç publiku nuk na ka parë asnjëherë.

Kjo këngë është kompozimi ynë, një mrekulli që do ta doni shumë. E katërta është një këngë argëtuese, alegro me videoklip, me të cilën do të kërceni dhe përdridheni sa më shumë (qesh).

Dhe kënga e pestë do jetë pjesëmarrëse në Festivalin Kombëtar, është kompozimi ynë, një këngë shumë shumë e madhe, një mesazh shumë i fortë për jetën reale, jo vetëm këtu, por në gjithë Evropën dhe mbarë botën. Është një mesazh për fëmijët tanë, për nënat dhe baballarët tanë. Të mos harroj pa përmendur edhe një këngë tjetër, që besoj se është projekt i vëllait tim. Bëhet fjalë për një këngë shumë të bukur që Stefi e këndon me vajzë e tij Marian. Ai e ka shkruar vetë dhe ia dedikon bashkëshortes të tij të ndjerë. Besoj se ju mjaftojnë këto deri në dhjetor (qesh). Nuk i dihet se çfarë del rrugës.
Kur do të lançohet kënga juaj e parë?
Kënga e parë është planifikuar të publikohet nga 15 korriku deri maksimumi në 20.
Publiku ju njeh në çift, Endri dhe Stefi… E keni menduar ndonjëherë karrierën të shkëputur nga njëri-tjetri? Mund të ndodhë në të ardhmen?
Pse duhet ta mendojmë që të ndahemi nga njëri-tjetri?! Kujt do t’i bënte mirë kjo?! Ne jemi rritur bashkë, 2 vëllezër, dhe bashkë do jetojmë gjithmonë, në gëzime dhe hidhërime. Unë kam bërë shumë aventura, të cilat i kanë rënë barrë Stefit, por kaq ishin aventurat e mia, tani fillon plani B (qesh).
Performancat tuaja në “Your Face Sound Familiar” do të mbahen mend gjatë nga publiku, po ashtu edhe replikat dhe konfliktet që keni pasur me spektaklin. Ndiheshe i sulmuar?
Për këtë nuk doja të flisja, sepse edhe gjatë spektaklit kisha qindra telefonata nga gazetarët, emisione etj.. Nuk doja, por po jua jap një përgjigje. Për mua ajo ishte një “karamelkë”; të ndihesha i sulmuar?! Aspak! Aty gjithkush bënte punën, sepse duhej të justifikonte rrogën, ndërsa unë isha për qejfin tim, për atë burrë që thashë që nuk mund t’i thosha ‘Jo’, Timo Fllokos. Për mua ishte një show, një lojë, dhe e kisha marrë me shumë sportivitet.

Patjetër që përgjigjet do t’ua jepja të gjithëve që mundoheshin të bënin kompetentin me mua. Unë i doja dhe i dua, dhe i respektoj të gjithë që ishim aty. Nuk e di ç’mendim kanë ata për mua, por nuk kam dëgjuar gjë deri tani. Patjetër, një spektakël aq i gjatë, mendoj se jo këto që bëra unë, por duhej të bënin të gjithë, që të kishte sukses akoma dhe më shumë. Mendoj janë pjesë e suksesit të gjitha ç’ndodhën aty me mua. Kam respekt për Verën dhe Alketën, 2 zonja të nderuara, shumë të respektuara dhe të dhëna shumë pas punës.

Pse mendon se “të sulmonin” aq shumë?

Bënin punën, justifikonin pozicionin.
Jeta private? Ka diçka të re që do ta ndash me publikun?
Jeta private nuk ka asgjë të re deri më sot. Ndarja e tretë ka 1 vit e gjysmë. Po jetoj vetëm për 2 djemtë e mi, Simon Sebastian Prifti dhe Vasileon Prifti. Ata janë frymëzimi im, ajri që thith çdo ditë. Në të ardhmen, patjetër që do gjej dashurinë time të vërtetë.
Në profilin tuaj në “Facebook” shkruan se je i martuar. Jeni rimartuar?
Unë nuk i vë re këto gjëra, jam shumë elastik dhe nuk më prishin punë fare këto. Por po e ndryshoj që të bie në sy (qesh).
Sa e vështirë është për një artist që të ndjekë karrierën dhe të jetë gjithashtu një baba prezent?
Shumë e vështirë është. Puna jonë është më shumë natën dhe jemi për shumë kohë të larguar nga shtëpia. Por fëmijët e mi e duan shumë punën e babait. Ata janë të lumtur. Më ka ndihmuar shumë motra, sidomos me djalin e madh, që tani është 16 vjeç. Djalin e vogël e ka mbajtur më shumë e ëma. Jam shumë i lumtur që fëmijët më duan shumë dhe kur janë me mua nuk duan të shkëputen asnjëherë.
Zakonisht me fëmijët, je babai autoritar dhe i rreptë apo shoku i tyre më i mirë?
Me fëmijët jam dhe do jem shoku i tyre gjithmonë, duke i këshilluar për gjithçka, sidomos për këtë prostitucionin dhe drogën që sot ndodh në të gjithë botën.
Fama, sigurisht të ka vënë në qendër të vëmendjes së femrave. Të ka ndodhur të marrësh ndonjë propozim të çmendur apo të çuditshëm nga fanset e tua?
Këtë duhet ta jetoni vetë. Duhet të qëndroni një javë pranë meje dhe do ta kuptoni. Ju uroj një verë të mbarë, me shëndet e me shumë dashuri!/ Ballkanweb/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura