Ekskluzive/Rrëfehet djali i Genc Lekës: Çfarë do të bëj me persekutorët e tim eti

Jul 20, 2017 | 22:01
SHPËRNDAJE

Ai është një burrë gati i ndrojtur. “Do doja t’i ngjaja Gencit, por nuk i ngjaj”, thotë ai. Është krenar që është i biri i Gencit, edhe pse pas pushkatimit të të atit, jeta e Petrika Lekës nuk do të ishte aspak e lehtë.

Petrika Leka, i biri i Genc Lekës
Petrika Leka, i biri i Genc Lekës

Nuk e ka as tani. Është i papunë, që kur e zhveshën nga radhët e Policisë së Shtetit, ku nuk mbante asnjë ofiq. Nuk i duhet edhe shumë kohë për pensionin, e do të donte të fillonte diku, për të plotësuar vitet e punës, shkruan “Panorama”.

Por ai nuk kërkon asgjë. Aq modest sa është i gëzohet asaj që i ka dhënë jeta, të bijat që i ka të mbara dhe plot emocion mban në duar dosjen digjitale të përndjekjes së të atit, sikur aty të ishin ndryrë sekrete të mëdha.

Ishte 14 vjeç në vitin 1977, kur u pushkatua Genc Leka e Vilson Blloshmi, e sot, pas 40 vjetësh, kthehet pas në kohë, për të treguar atë që kujton, por edhe se çfarë do të bëjë tani që ka këtë dosje në dorë.

1

Përse e bëtë kërkesën për hapjen e dosjes së babait tuaj?

Doja t’i mësoja disa gjëra të paqarta. Shumicën e gjërave ne e dimë. Unë kam qenë në moshë të rritur atëherë, por edhe i kam mësuar nga ato çfarë na kanë thënë të afërmit apo familjarët.. Megjithatë ka ndonjë detaj të vogël që ne donim ta dinim. Ishte kurioziteti, por jo që të përfitonim ndonjë gjë nga hapja e kësaj dosjeje.

Çfarë prisni nga kjo dosje, cili është meraku juaj? Doni të dini kush e ndiqte, kush e spiunonte, kush e futi në grackë…?

Edhe kjo, por edhe për të hedhur një hap mbi këtë veprim që ka marrë parlamenti e Qeveria, për pastrimin e shoqërisë shqiptare, për të bërë një mea-culpa kolektive. Hapja e dosjeve është me shumë interes. Nuk mendoj se ky proces do t’i largojë njerëzit, por do t’i afrojë ata. Institucioni i faljes është shumë i rëndësishëm, çka duhej bërë me kohë.

Pra, ju i falni persekutorët e babait tuaj?

Ndoshta s’jam i pari, por ndër të parët që e bën këtë. Jeta është e tillë, do të krijojmë lidhje me njëri-tjetrin dhe këto do të mbyllen njëherë e përgjithmonë.

Kur u fol për hapjen e dosjeve, u ndje një lloj frike, se mos shpërthen një valë hakmarrjeje…

Unë nisem nga vetja. Çfarëdolloj gjëje të ketë dosja, unë nuk do të ndërmarr asnjë hap që lidhet me hakmarrjen. Ndoshta do të mund të kontaktoj me një pjesë të këtyre njerëzve. Jam i sigurt që jo gjithçka atëherë, në diktaturë ka qenë e zellshme, por ka qenë edhe si pasojë e shtrëngimit. Në një farë mënyre këta njerëz duhen përkrahur, duhen falur, sepse ai sistem të vinte në situata, që sot as mund të imagjinohen. Ishte e vështirë ta përballoje shtrëngimin dhe presionin që të bënin.

Sot, pas 40 vitesh, a e keni të qartë pse u dënua Genci?

Normal që po. Ishte koha që intelektualët duheshin bërë shembull, që masa të rrinte e ndrojtur, e frikësuar dhe u zgjodh Genci, u zgjodh Vilsoni, që kishin më shumë nivel në rrethin e Librazhdit dhe u morën masa ekstreme. Pas kësaj, në Librazhd u përhap një re e zezë, e frikshme. Njerëzit ishin të frikësuar, u ndanë, kishin frikë të flisnin.

Si qëndron puna e sabotimit në kooperativë?

Ajo ishte një farsë e organizuar. Nuk ka pasur asnjëlloj sabotimi as të kooperativës e as të bunkerëve, që është pjesë e akuzës. Thuhet sikur ata kanë folur kundër fortifikimit. Të gjitha kanë qenë të sajuara. Genci me të vërtetë vinte nga një familje e përndjekur, por ai mendonte që ai sistem mund të goditej përmes fjalës, njerëzit duhet të ndreqeshin, jo të sulmoheshin. Ai ishte për harmoninë. Jam i kënaqur që në Librazhd, edhe pas 40 vjetësh ka njerëz që kanë respekt dhe dashuri për këto dy figura. Qyteti i trajton si idhuj dhe si një moto e së nesërmes, sepse edhe në këtë zonë ka njerëz të devotshëm që aspirojnë për lirinë dhe demokracinë.

E kujtoni gjyqin?

Ka qenë një ngjarje shumë e frikshme, e tmerrshme.

E mendonit dënimin me vdekje?

Nuk e prisnim dënimin ekstrem. Nuk e mendonim që diktatura do të ishte aq e ashpër, por si duket ata i kishin zgjedhur këtë dënim që këta njerëz të asgjësoheshin, ta mbyllnin këtu ciklin e jetës.

Sa vjeç ishit kur u pushkatua Genci, e mbani mend?

Isha 14 vjeç dhe e mbaj mend shumë mirë, sikur e kam para syve. Dashtë Zoti fëmijët e mi i ngjajnë sepse unë, jo. Ndihem keq kur takoj miqtë e Gencit se do të doja shumë t’i ngjaja, por nuk i ngjaj. Unë i ngjaj më shumë gjyshit. Ky ishte racional, metodist për jetën. Nuk lëvizte asnjë centimetër.

Çfarë tipi ka qenë Genci?

Po të ecje në një zonë malore me baltë, siç është zona jonë, ai do t’i kishte këpucët të papërlyera. Genci jetonte në majë të malit, por ishte shumë i edukuar, kishte shumë kujdes për veten, për higjienën personale. Nuk konsumonte as duhan e as raki dhe rrinte gjithë ditën mbi libra. I donte dhe i respektonte fshatarët dhe ma ka lënë amanet që ta dua vendin tim, sepse Librazhdi është një vend me njerëz të mrekullueshëm.

Çfarë ndodhi me ju pas pushkatimit të babait?

Mamaja ishte nga Korça. Ne as shtëpi nuk kishim. Shtëpia jonë është shembur që në vitet ’50. Kur gjyshja ime u internua në Tepelenë për arratisjen e burrit, pas 6 vitesh, kur u kthye, shtëpia ishte rrënuar dhe kishin mbetur vetëm themelet. Babai im, Genci dhe dy motrat nuk u internuan, ndenjën në fshat dhe hynë hyzmeqarë. Kur u kthye gjyshja, kooperativa i dha një shtëpi të braktisur. Aty jetuam deri në ’77-n. Ishte një shtëpi e vogël me dy dhoma, me kushte minimale. Kur u pushkatua Genci, ne kemi mbetur gati në krizë urie. Mamaja u kthye në Korçë te njerëzit e saj, të cilët i gjetën një burrë. Ajo u martua se s’kishte zgjidhje tjetër. Dhe unë kam shkuar te njerku në moshën 15-16-vjeçare. Ka qenë një torturë e paparë për mua, por nuk kisha ku të shkoja. Kam jetuar me të deri në vitin 1985, kur ai vdiq.

Patët mundësi të bënit ndonjë shkollë?

Unë bëra një shkollë të profilit bujqësor. Ndenja nja 4 vjet te halla ime në Plug të Lushnjës dhe më pas punova në ndërmarrjet e Korçës. Pasaportizimi ishte shumë i vështirë. Pas ’85-s u bëra banor i Korçës.

Pse u internua gjyshja?

Babai i Gencit u arratis në vitin 1952 dhe vdiq në Prizren. Këtu ka qenë zyrtar në Komitetin Ekzekutiv. Po ashtu gjyshes i janë pushkatuar tre vëllezër. Gjyshen e doja shumë, e kam pasur idhull.

Pse u pushkatuan vëllezërit e gjyshes?

Vëllezërit e gjyshes ishin me Forcat e Ballit. Janë pushkatuar njëri në vitin 1945, tjetri në 1946, kurse i treti me 20 vjet. Pasi kreu burgu, doli, u martua, bëri dhe dy vajza. I inskenuan një arratisje dhe e dënuan me vdekje.

Tani eshtrat e babait prehen në varrezat e Librazhdit, ku i gjetët eshtrat e Vilsonit dhe Gencit?

U gjetën atje ku u pushkatuan. Zgarë quhet vendi, tek Ura e Murrashit, në krah të djathtë.

Si e mësuat vendndodhjen?

Vetëm njerëzit që kishin asistuar në pushkatim e dinin. Ata u treguan dashamirës dhe na e treguan. Madje njëri prej tyre, shkoi 2-3 ditë më përpara dhe pastroi vendin nga shkurret. Herën e parë që shkuam nuk i gjetëm. Ishin pak më lart.

ALMA MILE/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura