Rrëfehet Ballist Morina: Si i ika policisë në Beograd, tani kam frikë të shkoj te familja në Itali

Jul 14, 2015 | 18:00
SHPËRNDAJE

Historia e rrallë e Ismail Morinës, ose i njohur ndryshe si ballist Morina, tifozi i dronit që shkaktoi ngjarjen e bujshme në Beograd. Për herë të parë, ai tregon historinë e saj nate dhe rrëfen me detaje gjithçka.

Në një intervistë për gazetarin Dritan Shakohoxha në kanalin “T” në Digitalb, tifozi më i famshëm sot i Kombëtares tregon gjithë peripecitë e atij organizimi që duket gati i pabesueshëm për sakrificat që mbart në vetvete.

Intervista është realizuar gati dy muaj më parë, por është mbajtur “sekret” deri tani, me qëllim që publikimi i saj të mos ndikonte në vendimin që KAS-i kishte planifikuar të jepte më 10 korrik. Morina, një vinçier emigrant në Itali, babai i dy fëmijëve, thotë se prej asaj dite nuk po bën më jetë normale…

Ismail Morina

Kur të lindi ideja për të bërë këtë gjë, që realisht i emocionoi të gjithë shqiptarët? 

Ideja ka filluar nga viti 2010 dhe konkretisht ndeshja Itali-Serbi. I dimë të gjithë incidentet që ndodhën në atë ndeshje. Ishte pikërisht ky incident që mua më revoltoi shumë, një gjest që nuk e kam kapërdirë kurrë, besoj si shumica e shqiptarëve e mendojnë si unë, por kuptohet që nuk ishte në mendje droni, por ideja që duhet bërë një hakmarrje, një diçka. Duhet lëvizur. Dhe vijmë në 2014 më 23 shkurt, shorti diçka që më habiti. Nuk e paramendoja diçka të tillë. Ndodhi dhe menjëherë pas shortit kisha një ndeshje futbolli me shoqërinë, me miq shqiptarë dhe italianë. Ishim në dhomat e zhveshjes, po bisedonim dhe godisnim pak me batuta italianët, ja kështu… ju ra shorti me Serbinë, çfarë do të bëni dhe në një moment dhe një nga këta italianët ma kthen batutën dhe më thotë: Pse ju nuk përdorni një nga ato helikopterët që përdorim ne dhe të vësh një mesazh denigrues, një mesazh hakmarrës gjatë ndeshjes?

Propozimi të erdhi nga një mik italian. 
Po. Ishte krejt rastësi. Do ta quaja shkëndijë. 

Shkëndija ishte.Fillove të mësosh një gjë, që ti ndoshta nuk e dije që ekzistonte fare, që quhej dron. A kishe dëgjuar ndonjëherë?
E kisha dëgjuar në kronikat e lajmeve në Afganistan e Iran, që ushtria amerikane bën survejime me dron. Por dron si ky, jo. Fillova të hulumtoj në ueb site, nëpër pika shitjeje në Itali dhe të marr kontakte.

Bleve dronin e parë. Fillove të stërviteshe, të mësosh t’i japësh, ta komandosh një dron…
Ishte shumë e vështirë në shumë aspekte. Në mëngjes nisesha në punë, kur kthehesha nuk shkoja në shtëpi, por kisha folur me një italian që kishte ca toka të vetat dhe ushtrohesha. Kjo ka vazhduar për 1 muaj, ose 1 muaj e gjysmë.

Droni ne stadiumin e Beogradit

Diçka do të valëvitej me dron, u vendos. Çfarë? 
Dua të them që ka dy versione të flamurit. Është një version me shqiponjë në flamur, që kemi sot flamur dhe një flamur me shqiponjën e Skënderbeut, versioni origjinal që ra në Beograd. Në momentin që ne kemi bërë flamurin, ideja ka qenë që në fushë të bjerë një flamur me përmasa shumë më të mëdha. Unë e kam përgatitur flamurin me ndihmën e një tifozi kuqezi nga Tirana, diku 3m e gjysmë me 4m. Ideja ishte që të ngrihej me dy dronë dhe për eliminimin e peshës të përdoreshin tullumbace me gaz të lidhur. Por, në momentin që unë e provova në praktikë këtë gjë, pa tullumbace, problemi që vura re unë nuk ishte pesha e flamurit apo përmasat e tij, por ishte sinkronizimi i lëvizjes së dy dronëve. Mendova që duhen reduktuar përmasat e flamurit. Kam arritur diku në përmasat 1.20 x 1.70, që kanë qenë përmasat e flamurit që fluturoi në Beograd. Kjo realizohej vetëm me një dron, arrinte ta valëviste vetëm një dron. Tri javët e fundit ka qenë ky version përfundimtar dhe kam bërë shumë stërvitje sepse ka pasur erë, ka rastisur që ka pasur shi, pavarësisht se unë kisha parashikuar edhe kohën. Doja të sigurohesha për këtë flamur plot vlera kombëtare, që nuk do të bënte në mënyrë absolute ofendim ndaj kombit serb. Dy figura kombëtare të Pavarësisë nuk mund të mungonin, sepse është historia. Një fjali e cila duhet të vriste shumë, fillimisht nuk e kam menduar “autochthonous”.

Si e mendove në fillim? 
Ishte një version në gjuhën italiane, “Da sempre e per sempre padrone dei Balcani”. Ishte një fjali shumë e gjatë dhe duke qenë se anglishtja është ndërkombëtare, tek italishtja diçka nuk më bindte… Dhe si gjithmonë në rrjetet sociale, në google translate kërkoja fjalën autokton nga shqip në anglisht dhe më dilnin diku 3-4 versione dhe zgjodha autochthonous. Më bindi si fjalë, se m’u duk shumë elegante, sepse unë doja të bëja një gjest elegant atje. Pastaj harta e Shqipërisë etnike dhe shqiponja e Skënderbeut. Ka qenë një version i parë i flamurit me shqiponjën që kemi sot në flamur, por duke qenë se doja të promovoja sa më shumë vlerat kombëtare, nuk mund të mungonte shqiponja e Skënderbeut. Më është sugjeruar nga patrioti nga Shkupi që ka qenë atë natë me mua dhe e vumë shqiponjën e Skënderbeut. Më ka marrë kohë diku te tri ditë përgatitja në kompjuter.

Kush e bëri në kompjuter…? 
Më ndihmoi djali i vëllait, i dyti, i cili është shumë i dhënë pas informatikës dhe jemi marrë vesh me korrespondencë, pasi unë isha në Itali. Lidheshim me Skype, Ismail Qemali duhet të jetë këtu, Isa Boletini këtu, problemin më të madh e kemi pasur me shkrimin “autochthonous”, sepse ishte shumë i gjatë dhe dilte jashtë.

Pse zgjodhe pikërisht këto dy figura? 
Është histori. E para, Ismail Qemali ka ngritur flamurin dhe Isa Boletini ka qenë mbështetje e gjithë asaj fryme. Por unë kam dhe simpati të veçantë për Ismail Qemalin, përveçse është patriot për të gjithë. Në moshë të vogël, kam një histori timen personale me plakun (babën). Kur ky vinte nga puna, fliste me mua dhe thoshte: “Ismail Qemali burrë dai me pushkë në dorë në Vlorë ka hi”. Dhe pastaj vazhdonte: “A je ti”? Dhe unë i thosha: Unë jam. Atëherë nuk e dija çfarë ishte kjo histori. Më vonë, hyra në shkollë, mësova historinë dhe e kuptova që nuk isha unë dhe plaku vazhdonte të ma bënte atë pyetje dhe atëherë unë i thashë: Nuk paskam qenë unë.

Ndërkohë që duhet të shikoje dhe vendin që të mos gaboje në asgjë. 
Ka qenë data 26 korrik. Unë kisha një gëzim familjar dhe shfrytëzova rastin që të vija në Shqipëri dhe të kaloja në Beograd. Por, gjithsesi, unë do të kaloja se s’bën. Isha i bindur se ndeshja do të bëhej në stadiumin “Ylli i Kuq” në Beograd, sepse sipas informacioneve që kisha deri në atë moment, Serbia i kishte organizuar ndeshjet aty. Unë shkova aty, bëra një xhirim rreth e rrotull më datë 27 në mëngjes, ka qenë një ditë me shi. Shkova edhe te stadiumi “Partizani” i Beogradit, por pa interesim të madh. Pastaj shkova në Itali. Aty ishte një shqiptar i Malit të Zi, edhe ai pjesëtar i tifozëve kuqezi, që më dërgon një link, sipas të cilit ishte zyrtare që ndeshjet e Serbisë do të luheshin te “Partizani” në Beograd. Pata një rënie morale sepse isha fokusuar te stadium tjetër. Plani ndryshoi. Kisha idetë e mia si do të hyja atje. Te “Partizani” e kisha kaluar përciptas. Kam punuar shumë në Google mape dhe kanë qenë 3-4 pika ku mendoja unë se do të veproja. E para ka qenë Kisha, Akademia Ushtarake, që unë nuk e dija që ishte Akademia Ushtarake, e dija që ishte selia e “Partizanit” të Beogradit.

Ajo ishte Policia Ushtarake… 
Ajo që më ka bindur më shumë ka qenë Kisha, sepse është një objekt kulti fetar, i cili nuk kontrollohet shumë. Mendova që është pika më e volitshme për ta bërë një gjë të tillë, duke qenë se dhe afërsia me stadiumin ishte diku 50-70 m vijë ajrore me fillimin e stadiumit.

Duhen para për këtë punë, se dronet kushtojnë, apo jo? Flamuri kushton për ta bërë? 
I gjithë operacioni ka shkuar diku 5-7 mijë euro, nuk mund ta them me saktësi, por ka pasur edhe kosto morale, sepse sinqerisht i kam munguar familjes dhe vazhdoj t’i mungoj familjes akoma për arsye që dihen. Momenti më i vështirë i gjithë kësaj ka qenë momenti kur u nisa. Momenti kur kam përshëndetur fëmijët e mi në gjumë. Ka qenë ora 10:30 e darkës më 10 tetor.

A kishte ndonjë moment që edhe mund të mos niseshe… 
Ka pasur një hezitim të vogël, se gjatë gjithë kësaj historie e kam ditur se çfarë jam duke bërë, bukurinë e asaj se çfarë dua të bëj, por momenti kur putha dy fëmijët në gjumë ishte ai hezitimi se e dija që po shkoja drejt një gjëje edhe të rrezikshme. Kjo më ka prekur shumë emocionalisht dhe vazhdon të më prekë akoma.

Vendose të udhëtosh, ndërkohë që duhej dhe një bashkëpunëtor, një mik. Vetëm nuk mund ta bëje dot… 
Po. Po. Një nga tifozët kuqezi, Marin Rexha, është një djalë shumë patriot, nga një familje patriote e Tiranës, i cili më lidhi me patriotin nga Shkupi. Nuk e njihja djalin nga Shkupi, Marini ishte ndërlidhësi. Marini i ka shkruar atij në Facebook. Kemi shkëmbyer mesazhe në Facebook, këtu kemi komunikuar kryesisht dhe gradualisht u njohëm me njëri-tjetrin dhe ai më tha dhe planin e vet, që ishte më i rrezikshëm, unë i thashë planin tim. Atij i pëlqeu shumë, e përkrahu që në momentin e parë dhe kemi vazhduar kontaktin. Kemi filluar kontaktin më 12 shtator deri atë natë më 13 në darkë, kur u takuam në Beograd dhe u pamë për herë të parë në fytyrë, sepse nuk ishim parë asnjëherë më parë.

Ti i kupton të gjithë ata njerëz që nuk të mbështetën financiarisht në ato momente, sepse të mbështesësh dikë që ka një ide që nuk e tregon dot, është pak e vështirë. Por, moralisht të kanë përkrahur të gjithë… 
Po. Po. Ka pasur nuk mund ta mohoj, që kam 3- 4 shokë, por dhe tifozë kuqezi që më kanë përkrahur financiarisht, sepse të gjitha i përgatita, i bëra të gjitha gati dhe mbeta për paratë e rrugës. Sinqerisht nuk i kisha paratë e rrugës, flas t’i fusësh benzinë makinës dhe të ecësh. Është një foto që është bërë në Milano dy-tri ditë para ndeshjes me Danimarkën, kur çunat po shkonin dhe është edhe një foto ku unë jam me dy persona që më kanë ndihmuar moralisht dhe financiarisht, por ka edhe çuna të tjerë nga qyteti aty që më kanë ndihmuar dhe më dhanë shpresën që të ndjehem krenar. U nisa atë natë. Kam bërë një udhëtim prej 12 orësh, hyra në kufirin tokësor Kroaci-Serbi. Më pyetën pse kalon këtej, i thashë kam kaluar këtej dhe në gusht. Më pëlqen, është pak më larg, por më mirë dhe jam tranzit. Ca pyetje provokuese, por më lanë.

Çfarë të thanë policët kur panë tre dronë? Një makinë e vogël, modeste, një shqiptar që kalon nëpër Serbi me tre dronë? 
Batuta e tij e parë ishte sepse po shihte numrin e dronëve në faturë. 

Që dronët kushtonin më shumë se makina? 
Shumë më shumë. Dronët shkonin diku te 3 mijë euro dhe më tha: Ti ke një makinë kaq të dobët dhe ke blerë 3 mijë euro dronë? I thashë që i kam dhuratë për fëmijët e vëllait. Nuk bëj shpesh dhurata, por kur i bëj, dua t’i bëj të mira. Më ka bërë një pyetje provokuese dhe më tha këto i përdorin në ndeshje futbolli, këtë nuk e harroj. Unë për ta anashkaluar i thashë mos po e ngatërron me spaiderplan që kanë dalë në Botëror për herë të parë dhe unë i thashë bateria e këtij nuk mban as pesë minuta, nuk mund ta përdorësh në ndeshje futbolli. Shkova në Beograd, ka qenë ora diku 5 e pasdites e datës 11. Luhej ndeshja në Elbasan me Danimarkën. Kam parë ndeshjen nëpërmjet telefonit atë natë dhe pas ndeshjes, nga ora 11:00 deri diku nga ora 4 e mëngjesit këto tri net para ndeshjes unë jam futur vazhdimisht te Kisha dhe Akademia Ushtarake dhe mundohesha të gjeja pikën ideale ku mund të ngrija dronin. 

Atëherë, ti je në Beograd, i ke të gjitha gati dhe vjen edhe ai djali, të cilit nuk ia themi dot emrin e vërtetë… 
Mund t’i themi nofkën: Molospathini. Me origjinë çame. E kam takuar diku nga ora 9:20 e datës 13 tetor, 24 orë para ndeshjes, afërsisht te parkingu. Nxjerr makinën e pres aty, ndërkohë kontaktonim me mesazhe. Arriti momenti që i mbaroi krediti në kartën e Maqedonisë që kishte dhe nuk po kontaktonim më, por duke qenë se më njihte nga fotografitë që kishte parë në Facebook dhe nga makina që i thashë kam një “Pezho” të kuqe, vjen dhe më futet në makinë. Prezantohemi. I kërkova direkt emrin e vërtetë dhe ma tha. Shkojmë drejt hotelit, aty kemi bërë ca prova të vogla. I kam treguar gjërat çfarë do të bënte.

Nxore flamurin… 
Nxorëm flamurin nga kraharori, një orë para se unë të shkoja atje. Bëmë atë videon e famshme që të gjithë e dinë. Detyra e tij ishte që të priste flamurin pas valëvitjes në stadium, flamuri do të dilte jashtë. Natën e parë e kam provuar të ngjitem te tarraca nëpërmjet dritareve që ishin hapur. Mbërrita në katin e pestë dhe dritarja ishte mbyllur, detyrohem të kthehem poshtë, por kur dal jashtë lë dronin me telekomandë që kisha në çantën e shpinës, ishin ca llamarina të hedhura aty së bashku me traversën e flamurit…

Kujtove se ishe te selia e “Partizanit” të Beogradit… 
Po, gjithmonë. Se gjatë hipjes te këto dritaret, ishte një moment që hyra brenda fare dhe aty gjeta ca vegla që përdoren për të prerë barin. Isha i bindur se gjendesha te selia e “Partizanit”, sepse e lidhja dhe me stadiumin “Ylli i Kuq”.

Ishit në hotel bashkë me djalin nga Shkupi? 
Jo. Nuk fjetëm fare. Kemi biseduar. Unë duhet të hyja në afërsi të stadiumit afër Kishës që në mëngjes, sepse diku nga ora 12 e ditës fillonin të vinin forcat policore dhe ishte e pamundur.

Çfarë do të bënte djali nga Shkupi, ku do të ulej flamuri? 
Afër stadiumit, diku 500 metra në vijë ajrore. Kalon një hekurudhë aty, e kisha lokalizuar si pikën më të volitshme për të shkuar ai dhe për të pritur flamurin. Në momentin që do të merrte flamurin pika ku do të bashkoheshim ne të dy ishte makina ime, e cila ndodhej para hotelit.

Pse e doje flamurin me vete? 
Ideja që flamuri mund të mbetej aty, unë e shihja si dështim. Për mua ishte shumë e rëndësishme që flamuri të dilte jashtë, të mos mbetej brenda në stadium. Nuk doja të krijoja problemet që u krijuan.

U bë natë, u ndatë të dy së bashku me çfarë premtimi…? 
Me premtimin që gjithçka të shkojë mirë, diçka të bëhet mirë për Shqipërinë. Pas asaj videoje, unë mora flamurin e futa në gji deri afër stadiumit. Aty është rrethimi i kësaj akademisë, kapërcej hekurat duke qenë se dy net më parë kishte aty stjuartë që ruanin stadiumin, futem barkas, pasi aty është një si livadh dhe vihem në një pozicion te rrethimi i Kishës. Kisha një varg pishash para meje, u fsheha mes pishave dhe gardhit të kishës.

Si mund të qëndrosh 17 orë në të njëjtin vend? 
Gjatë këtyre orëve kam menduar gjëra nga më të ndryshmet, familjen, reagimin pas ngjarjes.

Deri në atë moment ishte ëndrra e një djaloshi tifoz të përfaqësueses shqiptare, kur filloi të mbushej zona me ushtarë, menduat se ishit në rrezik? 
Të betohem, frikë jo. Po të kisha frikë, do të isha ngritur e do kisha dalë jashtë. Gjesti ka qenë shumë i bukur, shumë elegant. E dija që po bëja një gjë të bukur. Ishte një shërbim ndaj kombit. Frika nuk kishte vend në ato momente.

Rënia e mbrëmjes solli ndezjen e dritave, ardhjen e tifozëve, apo jo… 
Ka qenë diku ora 19:10. Sinjali i parë që më ka bërë të ngrihem të dal nga strofulla ishte ardhja e dy autobusëve të Kombëtareve serbe dhe e jona. Dola dhe fillova të mbledh gjërat se nuk i kisha me vete. Kisha vetëm flamurin dhe spangot. Dronin e kisha futur tek ato llamarinat që thashë, tubi ishte pak më larg, nuk i kisha gjërat bashkë. Në momentin që po shkoja, aty po kalonte një i dehur që bërtiste afër meje. Nuk më pa fare. Aty kam humbur rreth 30 minuta kohë duke vrojtuar mos ka diçka tjetër.

Ai s’të pa, po ti u trembe? 
Thashë mos po më monitorojnë. Ideja ishte ta hidhja flamurin kur këndoheshin himnet dhe këtu ishte koha që kam humbur unë. Shihja orën, dihej që në 9:32 maksimumi mbaronte pjesa e parë dhe pas asaj gjysmë ore kam hyrë në aksion, përgatita dronin. Është një ndërtesë njëkatëshe ngjitur me godinën e akademisë, aty u ndërtua droni. Sipër ishin të gjitha zyrat e hapura. Mjafton të dilte dikush në dritare, do më shikonte. Kam ndezur dronin, kam nxjerrë spangot. Problemi më i madh ka qenë te spangot se mund të ngatërroheshin dhe i kam lidhur te dy stabilizatorët e dronit dhe i kam ngec si zigzag që mos ngatërroheshin, futa dy tubat plastikë, sepse flamuri kishte qepje tubolare ,e kisha bërë apostafat që të futej tubi brenda. Lidha dy tubat dhe ndeza dronin, ai ka një zhurmë shumë të fortë. Mora telekomandën, e futa në gojë që të kisha duart e lira, kapërcej gardhin e Kishës në livadhin e vogël. U ngjita te muri dhe aty është një tub kullimesh. U ngjita shpejt e shpejt, pak me vështirësi kuptohet, po kur bën vinçier e karpentier këto gjëra i ke të ditës. Ndalem te harqet e kishës pa mbërritur te kupola. Ajo që më interesonte ishte ta ngrija sa më parë dronin. Kisha frikë mos e sheh kush, por më kishte kapur dhe paniku se shihja që kisha pak minuta për pjesën e parë dhe nuk kisha mundësi të prisja dhe 15 minuta të tjera. E ngre, nuk e fus direkt në stadium se paramendoja që mund të lokalizohesha, i bëj një xhiro në lagje dhe u vij nga krahu tjetër. E fus në stadium dhe fillova të provoj emocionet e para, drithërimat, por nuk shihja mjaftueshëm brenda në fushë dhe më duhej të ngjitesha lart. Marr prapë telekomandën me dhëmbë dhe ngjitem sipër. Këtu shikueshmëria ishte e qartë dhe filloj ta valëvis. Është një moment kur unë e nis dronin 4 herë nga tribuna VIP, sepse e dija që kishte personalitete të larta serbe dhe ai ishte qëllimi im. Problemi ishte me ngjyrat e fanellave, ngatërrova ngjyrat e fanellave, ngjyra e kuqe, ngjyrat e zemrës ndonjëherë edhe të tradhton. Ajo ndodhi me mua atë natë.

Kishte shumë dritë dhe nuk dukej qartë që atje…?
Dukej qartë. Kjo më ka ndodhur ndonjëherë dhe në vinç kur punoj unë, kur ti nuk e ke perceptimin e qartë se sa larg je nga terreni ose sa larg je nga ku po sheh ti dhe ajo më ndodhi mua atë natë. Ngjyra e fanellave bëri të vetën, duke menduar gjithmonë që janë lojtarët tanë. Ishte moment, kur ideja që djali nga Shkupi po më priste atje, ishte një “black out” dhe mendova OK: t’ua lëshoj çunave në dorë flamurin që t’i karikoj. Nuk ka qenë absolutisht ideja që unë të anuloj ndeshjen ose të shkojë ndeshja ashtu siç shkoi. Këtë e tregojnë dhe videot që unë kam në disponim. Gjithmonë mendoja që sikur Kombëtarja të fitonte, do të ishte qershia mbi tortë pas këtij gjesti. Ndodhi ajo që ndodhi.

Flamuri u ul. Ti me tënden ia dorëzove një prej lojtarëve tanë, ndërkohë që ne të gjithë kishim nga një reagim të ndryshëm. Dikush në shtëpi thërriste, dikush emocionohej. Ti gjatë këtyre momenteve çfarë po bëje? 
Kuptova që gabova krah në moment që u sulën mbi fanellat e bardha. Ishin Xhaka e Lila, aty kuptova që gabova krah. Kam tentuar dy herë t’i jap dronit goditje për ta larguar, por lojtari serb filloi ta ulte. Mendova se misioni im dështoi sepse flamuri nuk duhej të binte në dorë të tyre. Thashë Ok. Misioni im mbaroi, tani misioni tjetër është të shpëtoj veten e të dal jashtë.

Ndërkohë që nuk dështoi, sepse ishin dhe ca djem të tjerë që nuk e lanë… 
Atë e mora vesh më vonë. Që ditët e para u kam kërkuar falje djelmoshave të Kombëtares dhe në të njëjtën kohë kam thënë që jam superkrenar për veprimin e tyre. Mendoj që reagimi i tyre ka perfeksionuar dhe më shumë idenë time që ta nxirrja flamurin jashtë. Flamuri u mor, shkoi tek i zoti. Ata nuk patën shans ta mbanin. Ishte një gjë shumë e bukur, por gjithë këtë histori unë e kam mësuar mbrapa.

Misioni jot mbaroi. Tani filloi misioni më i vështirë, jeta… 
Gjëja e parë që bëra lashë telekomandën aty. Rrëshqita prej tubit poshtë. U vrava pak në dorë dhe në moment vura këmbët në tokë, isha me kurriz dhe dëgjova që nga zyrat e akademisë më shan njëri serbisht. Para stadiumit kishim tifozët, krahun e majtë kishim daljen nga jashtë nga mbrapa kishës që futesha pastaj në brendësi të akademisë ishin ca fusha. Kalova gjithë këtë perimetër për të kapërcyer gardhin e strukturës. Aty kam njoftuar çunin nga Shkupi, gjithmonë me idenë që ka dështuar çdo gjë. Jam takuar dy herë me policinë në momentin që po largohesha nëpër rrugica të qytetit…. por fati ishte se kanë rënë ata në rrugën time para se unë të bija aty që të më shihnin në të dy rastet. Kam shkuar deri afër autostradës, kam ecur buzë autostradës dhe jam kthyer te makina afër hotelit ku po më priste dhe djaloshi nga Shkupi. Hipëm direkt në makinë, kthyem makinën. Nga aty autostrada është 30-50 m. U futëm në autostradë.

Direkt keni marrë rrugën për … 
Për Jug, drejt Kosovës. Ideja fillimisht ishte për t’u larguar nga Hungaria, por unë nga që e kisha vizituar në gusht dhe e dija pikën e kalimit kufitar Konçul dhe Ujëbardhë, e njihja doganën. Nisemi autostradës poshtë, aty më merr në telefon një shok nga Italia më përgëzon. Unë i them se dështova se flamurin e morën ata dhe ai më thotë që jo, flamurin e kanë marrë djemtë e Kombëtares. Aty ndjeva emocion dhe i bija me grusht timonit dhe bërtisja.

Në makinë keni radion që dëgjoni komentatorin, dole nga stadium, s’ke qenë në stadium, por prapë je në stadium, apo jo? 
Në autostradë ndezim radion. Unë nuk kuptoja serbisht, djaloshi po. Ato që dëgjuam në radio ishin që Kombëtarja shqiptare është futur në dhomat e zhveshjes, ka problem me rendin në stadium, shpalosja e Shqipërisë etnike në stadium, kaq. Pastaj nuk u morëm me radion, vazhduam rrugën. Lamë autostradën u futëm në Bujanovc. Mbërrijmë në kufi të dogana. Ideja ka qenë kjo që edhe dyshimi më i vogël nga pala serbe, do i fusja marrshin makinës dhe do kaloja nga krahu tjetër.

Do thyeje traun? 
Do të thyeja tabelën. Unë kisha besim sepse nga krahu tjetër kishim vëllezërit tanë. E dija që nuk do të më dorëzonin te serbët. U afruam dhe dorëzuam dokumentet. Komunikon kryesisht djaloshi nga Shkupi me të, por ai drejtohet tek unë sepse djali nga Shkupi kishte hyrë 1 natë para, më 13. Por ai drejtohet nga unë sepse kisha hyrë tri ditë para. Në fillim pyeti atë dhe pyeti se ku kisha qëndruar gjatë gjithë kësaj kohe. I thashë kam disa shokë në Preshevë. Më pyeti nëse dini ndonjë gjë më mbrapa, i thashë_ Kurrë, nuk di. Ma dha pasaportën, me shumë pishman ma dha… më pas kaluam në krahun tjetër. Ishin policët tanë. U bëra një pyetje policëve tanë: si shkoi ndeshja? Përgjigja e tyre ishte: Vlla, është bërë nami, ka rënë Isa Boletini dhe Ismail Qemali në Beograd… (qesh). Pastaj bëmë siguracionin e makinës dhe u nisëm. Pikërisht aty ka qenë momenti kur njoftova familjen. Bëra një video duke thënë se kështu-kështu ishte puna, sapo kaluam kufirin … dhe diku nga ora 05:00 e mëngjesit në Prishtinë.

Tani, mbërrite në Prishtinë. Kishe bërë një gjë të madhe, por menjëherë shpërthyen versionet e ndryshime. E bëri ai, ky etj. Ndërkohë që tifozët kuqezi e dinin kush e kishte bërë. Në shtëpinë tënde e dinin kush e kishte bërë. Këtu në Shikaj, por edhe në Itali shumë miq të tu e dinin. Por jo të gjithë…
Problemi ishte që aty kishte sakrificë. Ka pasur eksponentë që e kanë marrë autorësinë në ato momente kur koka ime dhe e atij djalit nga Shkupi ishte në rrezik. Por të dalësh e të thuash “të fala prej filanit” dhe “të fala prej filanit”, ti e din se ndihesh keq. Atëherë ndihesh keq dhe pse mos të thuash se e kam bërë unë. Unë dhe ai djali nga Shkupi. Unë nuk e dija këtë. Në momentin që kam mbërritur në Kukës, e kam marrë vesh. 

Të gjithë flisnin për këtë, por ti nuk e tregoje dot?!
Jo, ka qenë një moment i ngarkuar emocionalisht, sepse futem në një kafe në Prishtinë dhe shoh në televizor fluturaken. Njerëzit aty e diskutonin fluturaken. I them patriotit nga Shkupi: “Çohu se nuk duroj dot më”. Kur e sheh me një pompozitet kaq të madh është pak e vështirë ta menaxhosh. Ne kishim bërë një jetë normale deri atëherë, punë shtëpi dhe kaq… nejse, ngrihemi, i hipim asaj “peugeot”- it të kuq, edhe shkojmë te stacioni i autobusëve në Prishtinë. Aty bëjmë një foto me djalin nga Shkupi, një foto kujtimi. E përshëndeta, pasi mori rrugën për në Shkup dhe mora rrugën për në Shqipëri. Edhe aty kam bërë një video ku flisja me vete. Kur mbërrita këtu, mora vesh se shumë kishin marrë autorësinë. Gjëja e parë që bëra ishte u futa në “Facebook”, ajo videoja e famshme që flamuri del nga kraharori, unë i bëra një shpërndarje. E kisha hedhur që në momentin e parë, por e hodha me çelës. Kur i hoqa kyçin, filluan njerëzit ta shihnin, ta shpërndanin. U mor vesh më në fund se filan fisteku dhe djali nga Shkupi janë autorët e kësaj ngjarjeje. Kjo ka qenë e gjitha. 

Ismail, është një pyetje që e bëjnë të gjithë: mendonin se droni kishte kamera, por ti realisht nuk e ke përdorur kamerën?
Po, e vërtetë, nuk e përdora, sepse përdora syrin tim të lirë.

Droni me kamerë ishte më i vështirë. Kishte më shumë peshë?
Problem është, sepse droni me kamerë, vetë kamera ka një peshë, bashkë me grupin e vet. Por nuk ishte problemi i vetëm, pasi problemi është që droni me kamerë funksionon me wifi dhe nuk arrin asnjëherë më shumë sesa distanca 800 metra. Por nuk e arrin kurrë atë distancë, edhe pse e ka në katalog. Është shumë i ndjeshëm në interferenca, në radio policie, në telefona e gjëra të tjera si kjo. E keqja e kësaj ishte që momentin që e humb shkëputjen e atij që e drejton, kthehet aty nga është nisur. Në këtë mënyrë do më lokalizonte mua. Për këtë motiv mendova të gjeja një vend ku të kisha mundësi ta shihja me sy të lirë. Aty ishte Kisha, ishte Akademia Ushtarake, ishin dy pallatet në anën e gjysmëfush- ës së Kombëtares tonë. Ishte edhe një pallat tjetër në anën tjetër. Këto ishin katër pikat ku unë mund ta shihja me sy dronin kur të fluturonte. Pika me volitshme ishte Kisha, 50 metra nga stadiumi. Ishte sikur të isha në stadium.

Ismail, ke bërë vetëm një fotografi. Nuk ke bërë video.
Po.

Ke pasur mundësi të bëje shumë gjëra, pse nuk i ke bërë?

Fillimisht, unë aty nuk kam shkuar të haja fara. Shkova të bëja një gjë që kishte të bënte direkt me jetën time dhe personit që ka qenë me mua. Njerëzit duhet të kuptojnë se adrenalina ishte në maksimum. Do të ishte absurde që t’i kërkoje dikujt një gjë të tillë sepse emocionet dhe momenti ishin gati surreale. Kur flamuri hyri në stadium, dëgjon ulërimat e tifozëve, nuk mundesh të jesh gjakftohtë. Është e pamundur të bësh selfie e kësi gjërash. Më besoni, ishte e pamundur.

Kishe bërë një gjë të madhe, apo jo?
Shumë më e madhe se ti vetë. Ashtu si droni që kthehet te vendi ku është nisur, edhe ti u ktheve te vendi ku ishe nisur. Te vendi më i sigurt, apo jo? Po! Shpërndava videon. Isha në Kukës te shtëpia e dajës. Më pas u ktheva të fshat. Vendi më i sigurt për mua. Vendi ku kisha nevojë të qetësohem, sepse gjithë ajo që erdhi më pas ishte një bumerang.

Mbërrite këtu…
Po, më doli plaku para dhe ky ka qenë një moment shumë emocionues. Mendova gjithmonë që në momentin që po afrohem se do më jepte dorën. Apo do të thoshte atë shprehjen me Ismail Qemalin… Por nuk po e thoshte dot sepse ishte i emocionuar edhe ai. Ajo që mendova unë ishte që do më jepte dorën, por më tha: “Ulu këtu, hip mbi shpinë dhe të të çoj deri te shtëpia”. Aty m’u mbushën sytë me lot. Sepse e dija që është krenar për mua. I thashë: “Jo, se po të pushon zemra. Unë jam më i rëndë. Po të marr unë”, i thashë dhe e mora në shpinë dhe e çova në shtëpi. Deri këtu te pragu i derës. Pas kësaj, në shtëpi me plakën që qante edhe para meje. Biseduam, pashë më pas edhe rrjetet sociale për të parë se çfarë flitej dhe si ishte gjendja. Më është dashur një javë të marr veten psikologjikisht. Isha shumë i rënduar në kokë. Shumë emocione. Shumë adrenalinë dhe shumë stres.

Kaloi java e emocionit, pastaj vjen jeta normale. A mund të kthehesh më ti në jetën normale?
Mendoj se nga 14 tetori, rikthimi në jetën normale është e pamundur. Për momentin është kështu. Ndoshta më pas gjërat mund të ftohen. Jeta ime ka ndryshuar. Efektet kryesore m’i ka dhënë negativisht, sepse efekti i parë negativ është që unë nuk kam kontakt ashtu siç dua me familjen. Shkoj i vizitoj një javë dhe kthehem. Ose rri tri ditë dhe kthehem. Isha para disa ditësh se kisha ditëlindjen e vajzës dhe ndenja 3 ditë. Rutina imë e përditshme nuk është më.

Pse Ismail, nga kush ke frikë?
Arsye sigurie personale. Frikë, unë nuk mendoj se shteti serb mund të jetë i fokusuar tek unë. Por ne e dimë shumë mirë se në Serbi ka shumë grupe radikale, paramilitarë. Serbia ka një histori të bujshme me këto gjëra. Pikërisht këtyre u druhem.

Që mund të të gjejnë një ditë në befasi në Itali, apo jo?
Po, kjo, pikërisht kjo.

Realisht tani gjërat janë ftohur. Veç trimërisë, duhet edhe zgjuarsia?
Po, janë ftohur, por jo për ata që mund të më kenë halë në sy. Ata e përjetuan keq, pavarësisht se gjesti ishte shumë i bukur dhe aspak fyes. Nuk ka pasur asnjë gjë kundër tyre. Tani ne jemi mësuar me sfida të tilla. Jemi shqiptarë. Jemi rrëzuar dhe jemi ngritur. Vështirësi të tilla jo vetëm unë, por shumë prej nesh na kanë rënë.

Obligimet që ke kundrejt familjes tënde i mbulon dot?
Kishe një kredi për të paguar, kishe edhe ëndrrën që kishe bashkë me gruan? Tani kuptohet që një krah pune mungon në familje. Unë nuk punoj më. Me të ardhurat dhe me ato që kemi pas vënë më parë, tani po jetojmë dhe menaxhojmë situatën. Kuptohet se kam këste kredie shumë të lartë sepse paguaj shtëpinë. Ëndrra ime… Ëndrra ime ka qenë që të paguaj shtëpinë dhe njëherë që arrita ta likuidoj, prapë me borxhe, ta kem atë punën që unë e bëja me pasion, sepse edhe droni me telekomandë m’u përshtat shumë dhe unë e bëj me shumë pasion. Ideja ka qenë që sapo të paguaja shtëpinë, të filloja dhe të mendoja për një kredi tjetër, edhe me ndihmën e gruas që të blija një vinç, të cilin ta drejtoj unë dhe jo dikush tjetër që të më thotë: “hip se është i mi”.

Paske një ëndërr shumë të çuditshme. Ëndrra jote është që të blesh një vinç. Këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Droni kushton 1 mijë euro, por vinçi sa kushton?
Vinçi kushton sa shtëpia, por është ëndërr, por e them këtë sepse e bëj me pasion. Zakonisht njerëzit kur janë në punë shohin orarin, por unë nuk e kam pasur kurrë problem.

Si natyrë, je njeri që ke besim, pavarësisht këtij momenti?
Unë mendoj se hyj te njerëzit optimistë, sepse e ardhmja duhet të shihet me optimizëm dhe jo me pesimizëm. Nëse më kaplon pesimizmi, nuk do isha ai që shkova në Beograd.

Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe të vështirë, ke pasur edhe miq që të kanë ndihmuar apo jo?
Po, kam pasur miq të vjetër, por edhe miq të rinj tani që më janë afruar dhe më kanë mbështetur. U them faleminderit prej Zotit për ndihmën. Nuk ka munguar ndihma.

Ke rrezikuar shumë njerëzish për një moment. Ke menduar se do vije në rrezik edhe jetë njerëzish të tjerë?
Ashtu si shkuan gjërat, u rrezikuan jetë njerëzish. Por unë kisha bërë plan tjetër dhe jo të rrezikoja njerëz të tjerë. Kam menduar që flamuri të dalë jashtë dhe OK, ndeshja do ndërpritej për 10 apo 15 minuta, por do të rifillojë prapë. Në fund të fundit, unë ngrita një flamur aty që nuk ka asgjë ofenduese ndaj serbëve. “Nuk kishte asgjë që të lexonte “Kill serbian”. Tani nëse ata i revolton ngjyra e kuqe, ose e zeza, siç revoltohen demat, ky nuk është problemi im, por i tyre. Nëse nuk arrij të valëvis diçka kombëtare, mendoj se nuk mund të flasim për vende demokratike.

Tani e treguam historinë dhe na e tregove vetë me detaje gjithçka ka ndodhur. Mos vallë tani zyrtarisht je i rrezikuar? Dimë që ka edhe një proces të hapur për ty në Serbi?
Unë nuk bëra ndonjë gjë që mund ta shohin si kriminale. U ngrit një flamur shumë i bukur, ti vetë e ke thënë: flamuri më i bukur në botë. Nuk vrava askënd, as vodha dhe as ofendova. Ata le të vazhdojnë. Pushka top le t’u bëhet. Kuptohet, nuk mund t’i neglizhoj gjërat. Për princip, për logjikë të gjërave, kur fillon të neglizhosh gjërat, atëherë e ke humbur betejën dhe unë nuk dua ta humb betejën në mënyrë absolute. Më janë ofruar studio avokatie në Londër dhe në Tiranë për shkak se mund të dënohem atje, nëse më dënojnë. Nëse më kapin, do bëj 5-6 muaj burg. Në fund të fundit, burgu për burrat është. Mendoj se do të kthehem pasi të shlyej dënimin. Shpresoj të paktën, sepse realisht shumë shqiptarë nuk janë kthyer prej burgut të tyre.

Ti do kthehesh, nuk diskutohet. Je djalë i zoti. Kush është gjëja më e bukur që të kanë thënë për atë që bëre dhe kush ta ka thënë?
Më kanë thënë shumë të njëjtën gjë që ishte më e bukura: “Do kisha pasur dëshirë të isha me ty kur e ngrite dronin”.

Fëmijët e tu do të rriten dhe do mësojnë se çfarë ka ndodhur. Çfarë do t’u shpjegosh më vonë kur të rriten? Pse e bëre ti këtë gjë? Dhe çfarë të mire solli për ata?
Unë shpresoj që t’i kthehem sa më shpejt jetës normale. Sa i përket gjithë kësaj historie, normal që do t’u flas edhe unë. Ama thjesht ashtu siç e mora unë gojëdhënë nga prindërit e mi. Historitë se si na kanë masakruar etj. Por unë nuk dua që kjo të ndikojë shumë te fëmijët e mi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura