Rrëfehet Arta Dade: Synimi për presidente dhe vlerësimi për Blushin

Feb 1, 2017 | 13:44
SHPËRNDAJE

Në krye të Shtetit një grua? Po. Arta Dade mund të jetë presidentja e ardhshme e Shqipërisë. E ftuar në emisionin “Vila24” në “News24” deputetja socialiste ka pranuar se nuk do t’i thoshte jo detyrës së Kryetarit të Shtetit, nëse do të propozohej kandidatura e saj.

Arta-dade-cover

Nëse do të ndodhte kështu, Dade do të ishte gruaja e parë në krye të shtetit tonë, e në këtë aspekt vlen të kujtojmë se ajo është politikania e parë shqiptare në historinë e Shqipërisë që ka mbajtur detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme.

“Nuk po loboj për t’u bërë presidente. Nuk e di nëse emri im është lakuar nëpër gazeta. Besoj se nuk ka rëndësi që presidenti të jetë burrë apo grua. Gazetarja më bëri pyetje a mund të bëhem presidenti, dhe unë thashë pse jo. Bashkë me Blushin e Hafizin, e një grup deputetësh kemi kërkuar që presidenti të zgjidhet nga populli. Nëse do të ishte kështu pse jo, do të kandidoja. Dua të inkurajoj të gjitha gratë që të jenë më optimiste për t’u angazhuar në politikë e detyra të tilla”, tha Dade.

Duke komentuar situatën brenda koalicionit, Dade u shpreh se në këtë drejtim duhet të bëhen marrëveshje mbi baza parimore. Në këtë rast, deputetja socialiste nuk ka ngurruar të përmendë edhe deputetin Ben Blushi, duke vlerësuar rastin kur ai është dorëhequr nga detyra e kreut të grupit PS, pasi 6 deputetë votuan Bamir Topin President.

“Sa i takon koalicioni, do të thosha se këto nuk duhet të mos ngrihen mbi baza parimore. Nuk dua të them se nuk duhet të ngrihen koalicione përtej të majtës apo të djathtës, por këto në përgjithësi nuk kanë funksionuar. Blushi ka bërë një akt që nuk ia kanë vlerësuar, kur ka dhënë dorëheqjen si kryetar i grupit vetëm sepse 6 deputetë votuan Bamir Topin. PS vërtet është një forcë shumë e madhe dhe ka mbështetjen e njerëzve, njerëzit duan të shohin edhe të zbatuara politikat e së majtës”, vijoi Dade.

Lidhur me shkarkimin e Ylli Manjanit nga posti i Ministrit të Drejtësisë, dhe deklaratat e tij publike, deputetja socialiste tha se akuzat për çdo rast duhet të bëhen në Prokurori.

“Do t’i referohesha asaj që tha meta dje, cilido që ka diçka për të denoncuar le t’i drejtohet organit të akuzës. Unë kam qenë edhe vetë ministre, dhe kur kam patur pakënaqësi i kam shprehur. Por nuk më pëlqeu retorika që u bë. Besoj se largimi i një ministri është autoritet i kryeministrit. Në nivelin lokal dhe në mënyrë të veçantë për luftën kundër kanabisit dhe trafikimit të paligjshëm, padyshim që qeveria është e angazhuar. Ka rezultate, po gjithmonë ka vend për ta përmirësuar këtë gjë”, theksoi deputetja socialiste.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura