Rrëfehet Alessia: Kam vuajtur shumë ngaqë Adi Krasta nuk më donte më

May 11, 2016 | 22:04
SHPËRNDAJE

Ajo është vajza e një dirigjenti dhe muzikanti të famshëm në Itali, me një karrierë të jashtëzakonshme si autore e programeve më të rëndësishme të televizionit italian. E megjithatë, është e dashuruar me shqiptarët, por ka pasur raste që është zhgënjyer, mbase si për të vërtetuar thënien e njohur që në dashuri të mëdha, ka edhe zhgënjime të mëdha.

Alessia rikthehet, tashmë si një grua e martuar dhe me dy fëmijë dhe do të punojë si autore në programin e Arbana Osmanit “Dua të të bëj të lumtur”. Por si fillim, dëshiron të rrëfejë dhe sqarojë momentin se pse dhe si e la Shqipërinë 8 vite më parë.

alessia

Si ndodhi që latë në mes një program ku ju ishit autore?

Kur kam qenë në Shqipëri herën e parë, kam përjetuar kontraste të forta, që s’më kishin ndodhur më parë. Unë isha sa e dashur, aq edhe e urryer, sa e vlerë- suar, aq edhe e kritikuar. Nuk është diçka e jashtëzakonshme, u ndodh njerëzve të cilët kanë një personalitet të fortë. Njerëzit që drejtonin “Top Channel” në atë kohë, më vlerësonin për punën, por nga ana tjetër, ndodhesha në një situatë që gati më duhej të justifikohesha për jetën time private.

Ata më donin serioze, të heshtur, të kornizuar dhe sipas tyre, ky ishte imazhi i gruas së mirë. Unë jam rritur në një familje ku më janë mësuar qysh herët vlerat e verteta me të cilat unë duhet t’i qasem botës, sidomos respektin për veten dhe të tjerët, tolerancën dhe lirinë e të sjellurit, ashtu siç e ndiej, pa pasur nevojë të justifikohem. Jam një njeri që nuk mund t’u pëlqej të gjithëve, sepse ky është një mision i pamundur. Nëse kërkon ta arrish këtë, nuk e jeton më jetën tënde, por mbështillesh brenda një korace hipokrizie. Unë jam koherente, them atë që mendoj, por çfarë bëj në jetën time private, është puna ime.

Në atë kohë flitej që ju kishit kontradikta të forta me moderatorin Adi Krasta. Si qëndron e vërteta?

Kam regjistruar një intervistë që do të transmetohet nesër tek “E Diell” me Dudushin. Kam thënë shumë gjëra edhe për këtë temë, ju ftoj ta ndiqni. Në atë intervistë më në fund isha vetvetja dhe më vlerësuan të gjithë pikërisht për këtë fakt. Ndërsa vite më parë, kur bëja intervista, drejtuesit më kritikonin sepse më donin më serioze, nuk duhej të bëja batuta. Por unë jam kjo!

E bëj çdo gjë me zemër dhe sa mirë që jam kështu! Nuk kam ligësi në shpirt, as për ata që më kanë bërë të vuaj. Ka pasur njerëz, me të cilët kam punuar, që më kanë zhgënjyer shumë. Këtu e kam fjalën për drejtuesit e atëhershëm, si dhe moderatorin e programit “E diell”, Adi Krasta. Unë në atë kohë bëja autoren e programit. Por mbase Adi ishte i lodhur me mua, kështu që më larguan në mënyrë shumë të shëmtuar. Unë duhej të punoja deri në maj, ndërkohë që në dhjetor ma ndërprenë brutalisht kontratën, duke më zëvendësuar me një çift nga Kosova, të cilët ishin miqtë e Adit.

Shkonit me të vërtetë kaq me Adin?

Mund të them që Krasta është një profesionist, unë dhe ai kemi pasur një raport profesional dhe kishim një stimë reciproke, por ishte pak konfliktual ky raport nga ana e tij. Mendoj që është edhe një çështje kulture më shumë. Për një burrë shqiptar me një karakter të fortë, nëse ka një grua që duhet të vendosë për të dhe të menaxhohet prej saj, nuk është e lehtë. Pra nga njëra anë më çmonte e nga ana tjetër më ka bërë shumë të vuaj. Por ama, përsa më përket mua, kam pasur gjithmonë shumë sinqeritet, ndërsa nga ana e tij, jo gjithmonë.

“E diell” ishte një program që e kisha krijuar unë, ishte fëmija im. Kisha dy vite e gjysmë që po e rrisja vetë. Ata ma morën fëmijën tim dhe ia dhanë disa të tjerëve që ta edukojnë. Dhe të tjerët e edukuan keq. Ndërsa tani me Alban Dudushin, shoh që gjërat po shkojnë shumë më mirë dhe jam e lumtur për këtë fakt..

Si e gjetët ambientin e punës këtu, pas 8 vitesh mungesë?

Tani po fryn një erë e re në Top, shoh në krye të punëve disa gra inteligjente, të cilat pretendojnë nga unë që ta bëj mirë punën time dhe jam rikthyer pikërisht për këtë arsye. Natyrisht arsyeja e parë ishte sepse ma kërkoi Arbana. Unë e njoh shumë mirë televizionin shqiptar, sepse kam punuar disa vite këtu dhe mund t’ju them me bindje se Arbana Osmani është prezantuesja femër më e mirë që ka sot Shqipëria.

Ajo ka karakter të fortë, është inteligjente, ka kulturë. Ia kam thënë 10 vite më parë, mendo tani që është akoma më e pjekur! Dhe te programi “Dua të të bëj të lumtur”, Arbana nuk është thjesht një moderatore, por ajo do jetë edhe truri i tij. Arbana është bashkautore dhe do të prekë vetë çdo detaj, do ketë ide të saj në skenar, pra do vijë e rritur profesionalisht për të bërë një program të një niveli shumë të lartë, ku do bëjmë shumë njerëz të lumtur me surprizat tona. Ne si staf kënaqemi dhe zbavitemi shumë dhe kur ne kënaqemi me njëri-tjetrin, jam e sigurtë se do të arrijmë të kënaqim edhe ata që do na ndjekin. Pra në fillim emocionohemi ne me ato që bëjmë, qajmë dhe qeshim ne, pastaj publiku.

Me çfarë ju joshën që latë një karrierë për t’u patur zili në Itali?

Isha në një moment të shkëlqyer të karrierës sime në Itali, punoja me programe të rëndësishme dhe paguhesha shumë mirë. Në këto vite kam punuar për programin e Fachineti-t dhe Bellen “Ciak si canta”, “Mammoni”, programin e Frederico Moccia “About love”, “Torto o ragione”, “Amici” e Maria De Filipi-t etj. Por kjo që m’u propozua në Shqipëri, ishte ajo për të cilën unë kisha nevojë, një stimul të ri. Gjithashtu dua të them që tani ai vend ku po punoj nuk është thjesht një kanal, por është një trashëgimi, të cilën e ka ndërtuar një baba dhe e merr në dorë mamaja, për fëmijët e saj. Kur e kam dëgjuar këtë histori, jam emocionuar shumë, sepse jam vetë nënë. Pra znj. Vjollca. e cila mund të rrinte fare mirë në shtëpi dhe të vinte të tjerë në punë, zgjodhi të ishte vetë aty, për fëmijët e saj. Dhe ajo grua më frymëzoi pa masë. Bisedat me të kanë qenë gjithashtu shumë impresionuese, një grua shumë inteligjente, por që di të dëgjojë dhe ky është çelësi i suksesit. sipas meje. Kurrë nuk ecën përpara dikush që mendon se i di të gjitha. Në këtë linjë janë edhe vajzat e saj. Lorin e kemi producenten e programit tonë, edhe ajo ka shumë energji dhe dëshirë për të mësuar. Them që tani gjithçka po shkon ashtu siç duhet.

Duke punuar në Itali dhe Shqipëri, çfarë mund të na thoni për shijet televizive të dy vendeve?

Publiku italian është dele, në kuptimin që është më i vjetër dhe më dembel. Atyre jepu çfarë të duash në ekran dhe do ta shohin patjetër. Ndërsa ju jo, ju jeni më të rinj, si moshë mesatare dhe si demokraci dhe kjo ju bën që të jeni akoma në kërkim të gjërave të reja dhe të bukura. Jeni një publik shumë i vështirë, selektiv, pretendoni shumë cilësi. Pra në Itali unë çdo gjë e kam më të lehtë ta bëj dhe e di që do të jetë Ok, ndërsa këtu çdo gjë është e vështirë.

Shqiptarët nuk duan vulgaritet, patetizma, nuk duan gjëra të shëmtuara. Nuk të ndjekin, nëse nuk i kënaq. Ata nuk janë skllavë të televizionit, ata janë aty për të parë diçka të bukur, përndryshe fikin televizorin dhe dalin, kurse italianët rrinë në shtëpi, të ndjekin çfarë do që t’u japësh, i ke aty deri sa i zë gjumi. Pra për mua si autore, që më pëlqejnë sfidat, ju jeni publiku i duhur.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura