Rrëfehen vjehrrat: Më mirë nuse të huaja, se shqiptare

Oct 8, 2012 | 15:29
SHPËRNDAJE

Flasin: Nora Çashku, Antoneta Çela, Drita Totozani, Zana Guxholli.

Katër femra të njohura për shkak të profesionit që kanë, njëherësh si bashkëshortet apo nënat e…, flasin këtë herë nga pozicioni i vjehrrave. Të pasurit e nuseve me kombësi të huaja, nevoja për të shkartisur kulturat e partnereve që qëndrojnë në krah të djemve të tyre me atë shqiptare, si dhe kufijtë e domosdoshëm për të pasur një marrëdhënie korrekte. Nga Kosta Rika, Italia, Franca dhe kontinenti amerikan, katër vjehrra flasin për nuset e tyre me pasaporta ndërkombëtare.

Skenat ku vjehrra kërkon të hyjë mes çiftit e tenton t’i nxijë jetën vajzës që qëndron në krah të të birit, duken thjesht si sekuenca të shkëputura filmike nga telekomedia “Vjehrra mostër” me Jane Fonda e Jennifer Lopez. E megjithatë, veç këtij raporti klishe, realiteti shqiptar ofron edhe shembuj pozitivë bashkëjetese. Jo thjesht se po shprehen publikisht e normalisht ca gjëra edhe nuk do t’i thonë, por duket se vjehrrat që kemi “përzgjedhur” kanë qëlluar me fat: i kanë nuset të huaja. Sigurisht, ato nuk i zgjodhën vetë, por djemtë e tyre, megjithatë, duket se atyre nuk u vjen aspak keq, përkundrazi, duket se janë të çliruara nga kjo gjë. Nga pozicioni i vjehrrave, katër femra të njohura tregojnë për raportet e tyre me nuset e huaja të djemve, por jo të “huaja” për to. Për ndonjërën nusja ka zënë vendin e munguar të vajzës, për dikë tjetër ndjenja e respektit është përzier me dhembshuri për shkak të familjes larg, ashtu siç edhe mund të ndodhë që raporti vjehërr-nuse të jetë thjesht në kufijtë e një lidhjeje korrekte. Dhe kaq, pa doza dashurie apo afeksioni. Nga Nora Çashku, Antoneta Çela, e ëma e Avokatit të Popullit Igli Totozani, deri te këshilltarja ekonomike e Kryeministrit, tregojnë për lidhjet e tyre me nuset nga katër anët e botës. Njëra është nga Franca, tjetra nga Kosta Rika, nga Italia e Amerika. Të gjitha flasin mirë për nuset, por… asnjëra nuk jeton me to!

Nora Çashku: Jam e çliruar nga paniku

Foto: Vlasov Sulaj

Është udhëhequr nga filozofia se cilëndo vajzë të dashuronte i biri, ajo do ta shihte me sytë e tij. Ndaj, edhe kur mësoi origjinën franceze të nuses që do të qëndronte në krah të të birit, Eolit, Nora Çashku nuk e priti me habi. U njohën gjatë studimeve të larta në Francë. Një tjetër kineaste, Magalia, po i shtohej familjes. Fillimet e raportit vjehërr-nuse ishin kureshti për të njohur natyrat dhe karakterin e njëra-tjetrës, të cilat u shndërruan shpejt në një marrëdhënie si mes një nëne dhe vajzës së saj. Sikur ta kishte njohur prej vitesh, Magali zuri vendin e bijës që Nora nuk e pati kurrë. “Duke qenë se Eoli është fëmija jonë i vetëm, nusen e tij e pashë jo si një të huaj që hyri në familjen tonë, por si vajzën e shtëpisë. Tendenca ime për ta parë gjithnjë me syrin pozitiv, mbase e ka ndihmuar nusen që të ndihet si e shtëpisë. Fillimisht nuk dinte asnjë fjalë shqip, por me dëshirë të fortë dhe në mënyrë autodidakte ajo e mësoi gjuhën tonë dhe ne sot komunikojmë lirshëm. Në konceptin tim, duke iu referuar edhe përvojës personale, nusja është një njeri i huaj që hyn në një familje të re. Nëse pritet mirë, ajo do të çlirojë vetëm pozitivitet. Në të kundërt, ajo do të vendosë antenat vetëmbrojtëse”, thotë Nora Çashku. Raporti i tyre është realizuar në shtëpi të ndara, por shumë pranë njëra-tjetrës. Nuk janë ndjerë si mysafire, sikundër Nora thotë se nuk vihet aspak në siklet kur nusja vjen pa droje në shtëpinë e tyre, hap frigoriferin, merr çfarë i nevojitet, shtron tryezën etj. Me qëndrimin prej 11 vitesh në Tiranë, Magali ka fituar jo pak zakone shqiptare, të cilat, të shkrira me kulturën e saj të origjinës, duke shpërbërë raportin klasik vjehërr-nuse, të cilit shpesh i jepet konotacioni i një lidhjeje të vështirë dhe konfliktuale. Për ato të dyja nuk ka ndodhur kësisoj, edhe pse artistja e njohur thotë se ende nuk janë në nivelin e dhënies së këshillave apo recetave të suksesit. Ndofta, sepse asnjë raport nuk i ngjan tjetrit, secili ka faktorin individual në mes, çka e bën marrëdhënien harmonike, ashtu siç mund të ndodhë edhe e kundërta. “Kultura franceze e nuses së djalit më ka bërë që t’i shoh gjërat ndryshe. Qoftë edhe në rritjen e nipçeve, ne e marrim me shumë stres dhe ankth procesin e rritjes së tyre. Kur ajo ikte në punë unë e merrja 10 herë në ditë në telefon “nuk po ha”, “nuk pi qumësht”, “ka temperaturë” dhe nga ana tjetër e telefonit konstatoja qetësinë e Magalisë, këshillat e saj të vlefshme që më tregonin të mos i merrja gjërat me panik, përkundrazi, më mësoi gjëra të reja dhe të vlefshme që më parë nuk i dija. Nusja ka sjellë një kulturë të re në familjen tonë dhe me tolerancën e saj ajo ka mundur të ruajë integritetin e secilit person të familjes pa cenuar askënd”, përfundon Çashku.

Drita Totozani, vjehrra e Martës, bashkëshortes së Avokatit të Popullit: Marta është origjinale

Foto: Vlasov Sulaj

Ajo ndofta di të bëjë më mirë kafen ekspres, sesa atë turke, por kjo nuk ka rëndësi. Për të ëmën e Avokatit të Popullit Totozani, bashkëshortja italiane e të birit hyri që në fillim si vajza e familjes, duke i zëvendësuar edhe një pjesë të së bijës, Manjolës, e cila prej vitesh ndan jetën e saj mes Francës dhe Tiranës. Te Marta ka gjetur tipologjinë e njeriut të thjeshtë, të edukuar, çka i ka përmbushur modelin e dëshiruar për nusen e djalit. “Edhe pse është e huaj, ajo është kaq origjinale në gjërat që bën dhe ato që thotë. E kulturuar dhe shumë e matur. Martën e kam cilësuar jo si nusen e Iglit, por si vajzën time. Është shumë e çiltër, dhe kjo është një nga cilësitë që më ka bërë për vete që në fillim kur ajo hyri në derën tonë”, thotë Drita. Për ish-pedagogen e Fakultetit të Mjekësisë, të pasurit e një nuseje italiane, që sidoqoftë është e huaj, edhe pse vendet tona janë fqinje gjeografikisht, nuk është faktor pengues në ndërtimin e një marrëdhënieje që shkon përtej asaj klasikes vjehërr-nuse. Prej shtatë vitesh që jeton në Tiranë, nusja e të birit jo vetëm që ka sjellë një kulturë të re në familjen Totozani, por me thjeshtësinë që është pjesë e tipit të Martës ajo ka thyer barrierat e kombësisë, duke ndërtuar urat e një raporti të shëndoshë në kufijtë e respektit dhe dashurisë reciproke. “Ajo nuk i rrudh asnjëherë buzët kur unë dhe im shoq u japim shpesh këshilla të tepruara kujdesi të tipit: kujdes për karrigen afër ballkonit se kemi frikën e fëmijëve; kujdes për fikjen e dritave, heqjen e prizave, mbylljes së derës. Ndoshta, po të ishte ndonjë shqiptare, edhe mund të vrenjtej si ajo koha me shi, por te Marta nuk e kam parë kurrë një reagim të tillë, përkundrazi. Ajo nuk i heq nga përdorimi fjalët ‘të lutem’ dhe ‘falemnderit’ pas çdo situate apo komunikimi mes nesh. Unë shkoj shpesh në shtëpinë e tyre dhe ndihem jo si vjehërr, por si pjesë e familjes. Na krijon komoditet dhe qetësi, ndaj dhe nuk ndihem kurrë në siklet. Kultura e saj më ka habitur”, pohon e vjehrra e Marta Totozanit. Edhe në ato situatat e pakta të debateve që mund të ndodhin në çift, që tek e fundit janë të pashmangshme, Drita thotë se gjithmonë fajin e ka i biri, Igli. “Asnjëherë nuk fajësoj nusen time, Martën, sepse ajo është kaq pozitive si njeri, sa nuk e kapërdij dot idenë se mund të bëhet shkaktare e ndonjë mosmarrëveshje me të shoqin. Vërejtjet ia bëj gjithnjë Iglit, pa ditur se cili mund të jetë fajtori. Nusja është vajzë shumë pozitive, përveçse e urtë, cilësi që i kanë lënë vend të jetë si vajzë për mua”, përfundon ajo.

Antoneta, bashkëshortja e Mitro Çelës: Marli, të bën ta duash
Cila ka qenë hera e fundit kur keni dëgjuar që nusja pranon të jetojë nën një çati me vjehrrin dhe vjehrrën, edhe pse përkohësisht?! Sigurisht, vetëm nga halli, kur dy kurorat janë të detyruara të ndajnë të njëjtin ambient banimi. Po kur nusja është jo më një shqiptare, por një e huaj, habia shtohet sakaq! Antoneta Çela e thotë me mburrje se dy vitet kur nusja e djalit, Marlise, ka jetuar me ata të dy për shkak se djali Enian ishte ende me studime jashtë shtetit, kanë qenë më të lumturat për të. Vajza nga Kosta Rika i zëvendësoi shpejt mungesën e të birit dhe, pse jo, të një fëmije të dytë që gjithnjë i kish munguar familjes Çela. “Menjëherë pas dasmës nusja mbeti shtatzënë dhe ajo e kaloi me mua gjithë këtë periudhë, për arsye se djali ishte ende me studime jashtë shtetit. Shkonim të dyja te mjekët, nëpër vizita gjinekologjike, duke u kujdesur goxha për mbarëvajtjen e shëndetit të Marlise. Çuditërisht, që në fillim nuk e pashë si nuse djali, por si vajzë. Mendoja me vete se familjen e ka larg, të shoqin gjithashtu, dhe herë-herë ndjenja ime përziej me një lloj dhembshurie. Por, edhe pse e huaj, ajo është një vajzë që vërtet të bën ta duash”, thotë Antoneta. Të qenit vajzë e kulturuar dhe e matur pas çdo fjale që nxjerr nga goja, janë cilësi që rrallë mund të gjenden edhe te nuset tona shqiptare (pa dashur të biem në përgjithësime). Përtyp shumë, edhe pse asnjëherë nuk e nxjerr fjalën e rëndë nga goja. Sigurisht që kjo nuk i lë derën e hapur imagjinatës për të kuptuar sjelljen e Netës nga pozicioni i vjehrrës, por Marlise nuk mund të ndërrojë, edhe pse është një e huaj. “Ardhja e nuses dhe jetesa në Tiranë përkoi edhe me vdekjen e tim ati. Dhe të gjitha pritjet u bënë në shtëpinë time. Janë çuditur të gjithë me shërbimin e nuses, si ajo qëndronte në këmbë, shërbente kafetë, rakinë, shumë e qetë në çdo veprim të sajin. Gjithçka funksionoi sikur të ishte shqiptare 24-karatëshe. Më bëri edhe më shumë ta dua…”, përfundon Antoneta Çela.

Zana Guxholli Këshilltare ekonomike e Kryeministrit Sali Berisha: Kemi marrëdhënie korrekte
Për këshilltaren ekonomike të Kryeministrit të vendit, marrëdhënia me bashkëshorten amerikane të të birit është e ngjizur në dy elemente thelbësore që e mbajnë në këmbë raportin e tyre: mirëkuptimi dhe kompromisi. E vështirë që Zana Guxholli të bëjë deklarata të tipit “e dua njësoj” apo “e kam si vajzën time”, sepse sipas saj, edhe kur lind dashuria, ajo duhet ushqyer nga të dyja palët, çka është e vështirë të ndodhë. “Lidhja e tim biri me Mishel (Michel) ishte e hershme, dhe kur ata më pohuan idenë e martesës, e prita si diçka normale, pa kurrfarë mëdyshjeje. Mbase këtu ndikoi edhe fakti që së bashku me familjen time kemi jetuar për shumë vite jashtë shtetit dhe nuk pata çudi në këtë zgjedhje. Me nusen kam një raport reciprok, aq sa edhe të shkuarat nëpër shtëpitë respektive, të jem e sinqertë, i kemi të rralla. Për mua nuk ka rëndësi kombësia e partnerit që qëndron në krah të fëmijës tim, sesa karakteri i secilit prej protagonistëve. Mishel është disi natyrë e mbyllur, nuk i shpreh kollaj emocionet, kurse unë jam ekstremi tjetër. Mbase kjo nuk ka lënë shumë hapësira për të kultivuar një raport të dendur mes nesh në takime apo biseda të shpeshta”, thotë Zana. Dy kultura të ndryshme, ajo shqiptare dhe amerikane, mund të ekzistojnë nën një çati, por pa u shkrirë në një unike. Përpjekja ekziston, por shpesh janë kufijtë e nevojshëm në një marrëdhënie të tillë që ndihmojnë për të përftuar një raport thjesht korrekt. Vetë natyra ka krijuar një lloj rivaliteti psikologjik, herë-herë edhe frojdian kundrejt një dashurie të madhe siç është ajo e nënës për fëmijën, e kur në një çast të dytë shfaqet nusja, me një ndjenjë po kaq të fortë, balancat kanë prirje të cenohen. “Duhet shumë kujdes për të ruajtur këta ekuilibra, sidomos kur nusja vjen nga kulturë e ndryshme nga ajo shqiptare”, thekson ajo. “Kushti i parë që vendosa ishte të mos jetoja me ta. Kam jetuar vetë me vjehërr në shtëpi dhe e di që për ato vite ishte vuajtje dhe kufizim i madh të pranoje si të mirëqenë këtë fakt. Të jetuarit në një shtëpi të përbashkët ka probleme. Mua mund të më pëlqejë muzika me zë të lartë, asaj jo, detyrimisht lindin sherret”. Por, një nga cilësitë e pamohueshme që Zana priret gjithnjë ta thotë me zë të lartë, kur vjen puna e të shprehurit për nusen e djalit, është pikërisht aftësia e Mishelës për të qenë një nënë e mrekullueshme. Dhe këtë e arrin jo duke e përkëdhelur fëmijën, por duke e edukuar atë. Ndofta të qenit amerikane, me shumë pak elemente përqasjeje me kulturën tonë shqiptare, janë pikë të forta në prindërimin e Mishelës, meritë të cilën vjehrra e saj zor se ia mohon..

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura